Marashi më rrihte dhe më premtonte se do të shkonim në Gjermani
Nga Lindita Çela
I është premtuar lumturia e përjetshme, por ka përfunduar në duart e një maniaku seksual. Ky ka qenë fundi tragjik i dashurisë së 22- vjeçares Dhurata Lleshi nga fshati Munellë i komunës së Fanit në Mirditë. Për 22 ditë vajza është keqtrajtuar fizikisht duke u mbajtur peng në banesën e 36- vjeçarit nga fshati Shënkoll i qytetit të Lezhës. Dëshmia e vajzës, e cila kishte përfunduar edhe studimet për pedagogji, është sa rrëqethëse, aq dhe shokuese për mentalitetin në këtë zonë të thellë veriore të vendit. Dhurata ka dëshmuar se njeriu i ëndrrave të saj, që u shndërrua në “pengmarrës”, e ka detyruar të kryeje marrëdhënie seksuale bashkë me gruan e tij, fakt ky që është pohuar në polici edhe nga bashkëshortja e Marash Kolajt. Duket se varfëria, thuajse në skajet e mjerimit, por dhe premtimi për një jetë shumë më të mirë, kanë bindur vajzën që më 3 shkurt të marrë arratinë nga banesa e saj, e cila ndodhet pothuajse një orë larg komunës së Fanit.
Pengmarrja
“Nënë, po iki tek Liza”. Ky ka qenë shënimi që Dhurata Lleshi ka lënë për nënën e saj pasditen e 3 shkurtit. Më pas vajza ka marrë rrugën për në Fan, ku dhe është takuar me njeriun që prej një muaji i premtonte lumturinë e përjetshme. Në komunën Fan, rreth orës 17:00 të 3 shkurtit, është momenti i fundit që Dhurata Lleshi është parë të hipë në një makinë, tip Benz i bardhë. Më pas është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Për 21 ditë askush nuk ka ditur se ku kishte përfunduar 22-vjeçarja. Kërkimet e policisë pas denoncimeve të bëra nga i vëllai, Martin Lleshi, duket se kanë dështuar për ditë të tëra. Askush nuk ka ditur se ku kishte përfunduar Dhurata Leshi. Vëllai i saj dëshmon për gazetën TemA se menjëherë sapo ka mësuar zhdukjen e së motrës, është kthyer nga emigracioni në Greqi. Për ditë të tëra e ka kërkuar privatisht, ndërkohë që dyshimet e para kanë qenë se e motra është dërguar jashtë shtetit për qëllime trafikimi. Martini rrëfen se nuk kishte dijeni për asnjë histori dashurie të së motrës, ndërkohë që letra dhe të dhënat kontradiktore kanë bërë që ai të mendonte se Dhurata është vrarë. “Për fat mësuam se është gjallë, por ajo nuk është në gjendje të flasë. Ka shenja në trup dhe është përdhunuar sistematikisht. Tashmë ka dy ditë që ajo është në shtëpinë tonë, por unë nuk kam guxuar ta pyes. Ai e ka mashtruar me qëllim për ta trafikuar, por shpresoj që policia të zbardhë ngjarjen dhe të vihet drejtësia në vend, përndryshe do të veprojë kanuni”, tregon Martini, i cili është ndër të vetmit nga familja Lleshi që po merret me hetimet e pengmarrjes së 22- vjeçares.
E ndërsa Martini endet sa në prokurori dhe në policinë e qytetit të Lezhës, Dhurata ka dëshmuar për oficerët e policisë gjyqësore historinë rrëqethëse të dashurisë që është kthyer në një pengmarrje për 21 ditë, kur ajo shpëtoi e gjallë falë ndërhyrjes së policisë pas zbulimit të vendndodhjes së saj nëpërmjet metodave speciale të hetimit.
Nata e parë
Tashmë ka flokë të shkurtra. I ka lyer bionde e thuajse në tërë trupin ka shenja që zor se mund të dallosh nëse janë dëshmi e një seksi të shfrenuar apo të një dhune që është ushtruar sistematikisht mbi të. Pas 21 ditësh, thuajse nuk ka asgjë nga ajo vajza e ndrojtur e fshatit Munellë, me flokët të gjatë e të palyera kurrë. Dhurata Leshi është transformuar aq shumë, sa as ajo nuk e dallon më veten. “Marash Kolajn e kam njohur nëpërmjet telefonit. Nuk di se nga kishte gjetur numrin tim. Për rreth një muaj kemi folur në telefon ku më thoshte se do të martohej me mua dhe do të jetonim të lumtur. Më premtonte se do të më gjente punë si mësuese dhe se po të shkoja me të, jeta do ishte si në përralla. Flisnim aq shumë sa më bindi që ta takoja e të shkoja me të. E kam takuar në Fan, rreth orës 17:00 e pothuajse gjatë gjithë darkës kemi shëtitur nëpër lokale të Lezhës. Në darkë më ka çuar në shtëpinë e tij. Aty më tha se kishte gruan dhe një djalë. Marashi më thoshte që mos të shqetësohesha se do të më dërgonte në Gjermani dhe se në shtëpi do të qëndronim vetëm përkohësisht. Unë do të flija me të shoqen dhe ai me djalin e tij. E kështu kemi rënë për të fjetur atë natë. Por në mesnatë ai ka ardhur në dhomën e gjumit ku kërkoi të flinte me ne. Kur unë nuk pranova, më ka rrahuar dhe më ka detyruar të bëja seks dhe në sy të shoqes së tij. Më pas e njëjta gjë thuajse ndodhte çdo natë”.
Kështu e ka nisur dëshminë e saj Dhurata Lleshi, e nga sa ka rrëfyer, të njëjtin ferr ka përjetuar për 21 ditë më radhë. Nuk i është lejuar të komunikojë me askënd, nuk është lejuar as të dalë nga shtëpia, e ndërsa në darkë, nëse nuk pranonte të kryente seks me 36- vjeçarin, e priste dajaku. Vajza ka rrëfyer se fakti që kryenin orgji, nuk e ka shqetësuar aspak bashkëshorten e Marash Kolajt. Përkundrazi, një fakt i tillë është pohuar nga vetë ajo në dëshminë e dhënë për grupin hetimor të prokurorisë së rrethit të Lezhës. Vajza dëshmon se është mbajtur kundër dëshirës së saj në shtëpinë e Marash Kolajt në fshatin Shënkoll. Madje ai e ka kërcënuar se do ta vriste nëse do të përpiqej të arratisej, ndërkohë që po planifikonte udhëtimin e tyre drejt Gjermanisë.
Sipas dëshmisë së saj, dhënë dhe për oficerët e policisë gjyqësore, Marash Kolaj është përpjekur të nxjerrë një pasaportë të re për të, përpjekje kjo, që sipas policisë dëshmon se qëllimet e 36- vjeçarit kanë qenë trafikimi i Dhurata Lleshit. Por duket se dështimi i tentativave të nxjerrjes së një pasaporte kanë shpëtuar dhe jetën e 22- vjeçares. Policia ka mundur të identifikojë vendin ku mbahej peng Dhurata Lleshi dhe mesditën e së hënës ka kryer operacionin e arrestimit të 36- vjeçarit Marash Kolaj, ndaj të cilit tashmë është marrë masa “arrest me burg”.
Marash Kolaj: Dhurata erdhi vetë tek unë, do martohesha me të
Marash Kolaj, i arrestuar mesditën e së hënës, ka rrëzuar çdo akuzë që është ngritur ndaj tij për pengmarrjen e Dhurata Lleshit. Sipas dëshmisë së tij, dhënë në komisariatin e Drejtorisë së Policisë së qytetit të Lezhës, gjithçka ka qenë një histori dashurie mes tij dhe vajzës 22- vjeçare. Marash Kolaj ka dëshmuar se ka mbajtur për 21 ditë në banesën e tij Dhuratën me mirëkuptimin e saj. Madje 36- vjeçari ka dëshmuar se dhe marrëdhënia seksuale ka qenë me pëlqimin e vajzës, e cila, sipas tij, kurrë nuk ka qenë e shqetësuar për faktin se në banesë ndodhej dhe bashkëshortja e tij dhe djali. Marash Kolaj ka konfirmuar për grupin e hetimit se është njohur krejt rastësisht me Dhuratën dhe se fillimisht miqësia e tyre ka vijuar nëpërmjet telefonit deri sa kanë vendosur të takoheshin pasditen e 3 shkurtit. “Është e vërtetë që Dhurata ka qenë në shtëpinë time, por unë nuk e kam marrë peng. Ajo ka ardhur vetë tek unë. Ne kishim vendosur që të shkonim në Gjermani dhe po prisnim vetëm momentin e duhur se ajo nuk donte që të kapej nga njerëzit e saj”.
Kështu mësohet që të jetë shprehur për oficerët e hetimit 36- vjeçari. Po të njëjtën dëshmi ka dhënë dje edhe bashkëshortja e Marash Kolajt. Gjatë pasdites së djeshme, gruaja e 36 vjeçarit ka dëshmuar se nuk e ka pasur problem ardhjen në shtëpinë e tyre të 22- vjeçares. Madje, sipas grupit të hetimit, gruaja ka dëshmuar se janë kryer marrëdhënie seksuale dhe në prezencën e saj, dëshmi kjo që nuk ka bindur aspak oficerët e policisë gjyqësore. Sipas tyre, hetimi vazhdon dhe se ekspertiza mjeko-ligjore e Dhurata Lleshit duket se do të jetë prova më e pakontestueshme për të zbardhur ngjarjen e pengmarrjes për 22 ditë të 22- vjeçares.
Deri më tani në dosjen hetimore janë vetëm akuzat dhe kundërakuzat që dëshmojnë se një histori dashurie është shndërruar në ferrin e Dhurata Leshit nga fshati Munellë i rrethit të Mirditës.
Sipas të dhënave paraprake, policia e qytetit të Lezhës ka dyshime të forta se 36- vjeçari Kolaj ka mashtruar e më pas ka mbajtur peng e përdhunuar vajzën. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se 22-vjeçarja është mashtruar nga 36-vjeçari Marash Kolaj, ky dyshohet për qëllime trafikimi. E shkuara e Marash Kolajt duket se ka ndikuar për grupin hetimor të ngrejë pistën e hetimit të trafikimit të Dhurata Lleshit, e cila gjatë ditës së djeshme i është nënshtruar dhe kontrollit të ekspertëve mjekoligjore. Megjithëse burime zyrtare të prokurorisë bëjnë të ditur se hetimet për zbardhjen e ngjarjes vijojnë, ajo që është e sigurt është se mjerimi dhe jeta në një fshat të izoluar të Fanit ka detyruar 22- vjeçaren të marrë arratinë drejtë lumturisë që është shndërruar në ferrin e saj, të paktën për 22 ditë.
TEMA
No comments:
Post a Comment