Më shumë se vdekja e artistit simpatik dhe të paharrueshëm Roland Trebicka, mua më tronditi vdekja e 11 vjeçarit Anxhelo Halili në fshatin Zenelaj të Tiranës. Ashtu i brishtë, emotiv dhe delikat vendosi plot vullnet të varë veten bashkë me jetën e tij të shkurtër në litarin e lidhur në degën e një kumbulle ende të sapopaçelur marsi. Sherret mes prindërve dhe divorci i tyre ia gjymtuan jetën.
Ndryshe nga artisti i famshëm Trebicka, Anxhelo ishte një vocërrak anonim dhe i varfër, lindur e rritur dekadën e fundit në një vend ku përditë luhen tragjedi, komedi dhe tragjedi sërish.
Rolandi ishte dhe mbeti aktor, artistikisht aktor, pra imitues rolesh, ndërsa Anxhelo ishte vetë roli, jo aktori.
Sa herë kthehej nga shkolla në shtëpi e mundohej të shihte televizor, Anxhelo lebetitej nga teta Jozefina dhe dialektologjia e saj patetike e oratorisë. Sa herë kthente kanal i shfaqej xhaxhi Sala duke mallkuar e kërcënuar si gore e keqe. Ndërkohë që mundohej të gjente kanalin e filmave vizatimorë pa dashje shihte xhaxhi policat që vriteshin në mes të rrugës nga kriminelët. Pastaj në një tjetër kanal shihte xhaxha të tjerë polica me kokë e me bark të deformuar me turshi, me raki, me çifteli. I lebetitur shkonte të shtrihej në krevatin e tij të vogël dhe mbulonte kokën me kuvertë për të harruar imazhin e pamjeve tragjike por…
Sherret mes mamit dhe babit të tij, sharjet, dhuna e pastaj divorci i tyre e lebetisnin më keq e mundohej të qante nën zë i tmerruar. Nuk flinte dot as gjatë natës e teksa i gëzohej vajtjes në shkollë mëngjesin tjetër, shqetësohej përsëri kur si turmë bagëtie i merrnin edhe atë edhe gjithë fëmijët e tjerë të shkollës e forcërisht i nxirrnin te rruga e fshatit ku bëhej mitingu i partisë.
Anxhelo Halilit po i pështirosej koncepti prej fëmije i bashkëjetesës. Në shtëpi mami dhe babi që thereshin e vriteshin, në televizor qeveria dhe opozita që thereshin e vriteshin. Nuk e imagjinonte dot më gjatë se dy të kundërta mund të bashkëjetojnë në paqe dhe në harmoni. Dy të kundërta ndryshe nga ligjet e natyrës e shkencës, në këtë vend nuk aplikohen dot.
-Do të të vras! i thoshte babi, mamit.
-Do t’ua bëj sërish si më 21 janar! i thoshte xhaxhi Sala teta opozitës.
Anxhelo dhe të tjerë moshatarë u ritën me pezm dhe herë-herë pezmatimi i një fëmije është i keq, i keq sa edhe tragjik.
Pjesë e kësaj klime të ndotur, dikush nga ata rritet dhe nesër bëhet vrasës, dikush tjetër i brishtë por më trim mbyll hesapet me veten dhe të vetët qysh tani.
Ndaj të martën e parë të muajit të tretë të motit 2013, Anxhelo lidhi litarin te dega e kumbullës në oborrin e shtëpisë së tij. Më pas litarin e kapërdiu si shall rreth qafës së hollë, të bardhë, i shkeli syrin një gonxheje të bardhë çelur te dega dhe u lëshua i tëri. Anxhelo nuk iku i vetëm. Gonxhja e llahtarisur shqeu petalet e njoma e iu derdh mbi flokë.
*facebook.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE
No comments:
Post a Comment