Që një shoqëri të funksionojë natyrshëm i nevojitet padyshim liria si koncept themelor i zhvillimit të saj.
Por e gjitha kjo liri për tu shprehur, për tu dëgjuar, për tu marrë në konsideratë, për tu sqaruar mes vete, për të kuptuar tjetrin dhe për të shkëmbyer informacionin e dijen nëpërmjet komunikimit, humbet kuptimin nëse ne së pari, nuk mësojmë se ç'është debati, cili është qëllimi i tij, si ndërtohet ky debat dhe si arrihet në një zgjidhje apo në një përfundim të përbashkët.
Të gjithë elementët e mësipërm përbëjnë atë që quhet "Kulturë Debati".
Mungesa e kësaj kulture debati shfaqet në të gjithë panoramën e saj të mundshme duke nisur që nga debatet tona televizive dhe duke vazhduar më pas tek marrëdhëniet ndërshoqërore epror-nënpunës, prind-prind, prind-fëmijë, mësues-nxënës dhe në të gjitha raportet e tjera të mundshme mes të njohurish apo të panjohurish, përballë, apo nëpërmjet mjeteve të tjera të komunikimit.
Në rast se ne do të mësonim si të diskutonim, jo vetëm që do të kuptonim botën dhe tjetrin më mirë, por rrjedhimisht do të njihnin dhe formonim edhe veten.
1. Rregulli numër një i kulturës së debatit është të dëgjosh bashkëbiseduesin pa e ndërprerë edhe në rast se nuk jeni dakord me të.
2. Rregulli numër dy i kulturës së debatit është të diskutosh vetëm mbi temën që trajtohet, pa kaluar tek personi që e trajton.
3. Rregulli numër tre i kulturës së debatit është të argumentosh gjithmonë mendimin tënd, sepse askujt nuk i intereson opinioni yt, por argumenti që ti përdor.
4. Rregulli numër katër i kulturës së debatit është të mos personalizosh diskutimin duke ofenduar bashkëbiseduesin.
5. Rregulli numër pesë i kulturës së debatit është të mos diskutosh mbi tema rreth të cilave ti nuk ke asnjë opinion apo njohjet e tuaja janë të pakta.
6. Rregulli numër gjashtë i kulturës së debatit është të kontrollosh gjithmonë intonacionin e zërit tënd. Në një debat nuk fiton asnjëherë ai që e ka zërin më të lartë, por ai që përdor argumentin më të fortë logjik.
7. Rregulli numër shtatë i kulturës së debatit është të përdorni gjithmonë një gjuhë etike, të pastër, të qartë dhe pa banalitete.
8. Rregulli numër tetë i kulturës së debatit është të qëndroni sa më larg përgjithsimeve dhe kur të merrni shembuj të niseni kryesisht prej eksperiencave tuaja.
9. Rregulli numër nëntë i kulturës së debatit është të mbani gjithmonë një mendje hapur, për të marrë në konsideratë çdo pikëpamje të ndryshme nga tuaja.
10.Rregulli numër dhjetë i kulturës së debatit është të mos merrni pjesë në asnjë debat mbi të cilin nuk keni interes.
Shkroi: Stop Injorancës !
No comments:
Post a Comment