Wednesday, March 13, 2013

50% e të rinjve shqiptarë duan të emigrojnë


Fondacioni Fridrih Ebert publikoi një studim mbi mendimet e rinisë shqiptare për të sotmen dhe të ardhmen e afërt, bazuar tek një sondazh i gjerë në të gjithë territorin e vendit. Sipas këtij studimi, të rinjtë nuk duket se kanë ndonjë ndikim në rrjedhën e ngjarjeve, derisa shprehen skeptikë për shumicën e pyetësorit.
Studimi ka nxjerrë që më shumë se 50 përqind e të rinjve janë të gatshëm të emigrojnë jashtë vendit dhe afërsisht po aq mendojnë se përmirësimi ekonomik i Shqipërisë në 10 vitet e ardhshme do të jetë modest, por gjithsesi, sipas tyre, ajo mund të jetë anëtare e BE-së brenda dekadës së ardhshme.
“Më shumë se gjysma e rinisë është gati të lërë vendin. Nuk mund të përfytyrohet. Në një vend të mbështetur tek brezat e rinj, gjysma e rinisë dëshiron të ikë nga këtu. Më mirë një kamarier në Itali se sa pastrues makinash në Shqipëri, mendojnë ata,” thotë Frank Hantke, drejtues i fondacionit Fridrih Ebert.
“Kjo është e jashtëzakonshme. Ata mendojnë se vendi i tyre nuk i ofron shanse brezit të ri, edhe pse ata janë shumica në Shqipëri”.
Midis shumë pyetjeve të tjera mbi familjen, fenë, shoqërinë dhe arsimin, të rinjtë zbulojnë një mosbesim të madh ndaj politikës. Vetëm 10 për qind e tyre janë të interesuar për politikën, dhe po aq besojnë se vota e tyre ka rëndësi për mënyrën se si drejtohet qeverisja qendrore. Të rinjtë shqiptarë janë mjaft aktivë në procese zgjedhore; ata marrin pjesë nëpër fushata dhe 93 për qind e tyre votojnë rregullisht, por vetëm 3 për qind e tyre ndjehen të përfaqësuar në politikë prej të rinjve.
“Të rinjtë nuk i besojnë politikanët, të rinjtë nuk besojnë në asnjë organizatë politike, ata nuk besojnë askënd,” thotë Frank Hantke, përfaqësues i fondacionit.
“Rinia nuk beson partitë politike, por ata anëtarësohen në to vetëm për të gjetur një punë, dhe ky është pragmatizëm i pastër. Ky është problemi kryesor që shihet në Shqipëri. Ata nuk kanë besim tek aftësitë e veta, por ata kanë nevojë që të kapin një punë që të kenë një të ardhme. Të rinjtë e dinë se gjërat nuk janë në rregull, megjithatë e vetmja mënyrë që të kenë një punë është që të përzihen në këtë realitet, sepse përndryshe ngelin të përjashtuar. Në vendet perëndimore është krejt e kundërta. Të rinjtë e kanë vetë në dorë të shtojnë shanset e veta”, thotë ai.
Dëshira për pjesëmarrje vullnetare në komunitet është vetëm 16 përqind, dhe shumica e të rinjve e mendojnë përfshirjen në organizata joqeveritare thjesht si një burim të ardhurash dhe si mënyrë punësimi.
Për sociologët në takim është paradoksal fakti që ndërsa rinia shqiptare shprehet pro një emigrimi masiv jashtë vendit, dhe se nuk kanë besim tek politika dhe administrata, nga ana tjetër, rreth 50 për qind e tyre pohojnë se do ta pëlqenin një vend pune në administratën publike, madje kjo ka tendencë rritje sa më shumë rritet mosha dhe niveli i studimeve të larta.
Të rinjtë shqiptarë nga ana tjetër dalin nga ky studim se janë shumë të lidhur me familjen. Rreth 80 për qind e tyre, të varfër apo të pasur, jetojnë pranë prindërve dhe po aq e mendojnë veten pas disa vitesh të lidhur në martesë me moshatarë të tyre. Një tjetër zbulim tregon se mbi 60 për qind e të rinjve shqiptarë kanë të njëjtat bindje politike me ato të prindërve.
Burimi kryesor i informacionit për rininë është televizioni, ndërsa interneti përdoret thjesht për argëtim nga 80 për qind e tyre, ndërsa vetëm 20 për qind e tyre e përdorin atë për punë. Ky studim i Fondacionit Fridrih Ebert është i pari që shqyrton në detaje aq të hollësishme psikologjinë dhe mendimet e të rinjve shqiptare, duke i intervistuar për pothuaj çdo dilemë të tyre./VOAAdresa e fondacionit: http://www.fes.org.al/

No comments: