Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet ¬më në funt një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr' e dytë dhe ata jo vetëm s'marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.
Këto që thomi s'janë theori të thata. Kemi fakte historike që i provojnë. Dini të gjithë se që më 1861 e gjer më 1865, u-bë n'Amerikë një luftë civile e madhe në mes të Shteteve të Veriut e të Shteteve të Jugës.
Veriu, me Lincolnin si President, i qojti gjithë skllevët të lirë. Juga nuk pëlqeu këtë veprim. Juga deshi t'a mbajë skllavërinë si një institutë legale, dhe u-nda nga Veriu duke u-prokllamuar një republikë më vete me Jefferson Davis-in si President. Fundin e di çdo njeri: Juga u-munt, Amerika u bashkua përsëri, dhe skllaveria u-çduk për gjithënjë. Lincoln-i u-vra në mbarim të luftës. Davis-i rojti gjer më 1889, si njeri prevat, -dhe bukuria është se çngjau kur vdiq ky njeri që kish derdhur aqë gjak për të mprojtur skllaverinë: ngjau kjo gjë e çuditshme, që dymij ish-skllev vazhduan duke qarë qivurin e Davis-it!
Shikoni forcën e zakonit: skllavi i çliruar kish zemrën dhe dashurinë të lidhur me armikun e çlirimit. Kur qenka ashtu natyra e njeriut, a është çudi që një shumicë Shqipëtarësh të kenë në shpirt të tyre adhurimin e zgjedhës?
Bij, nipër, stërnipër skllevësh, skllev vetë, fjala liri nuk është për ta veç se një gjë misterioze dhe e rezikshme, e cila duhet ose lëftuar ose pritur me të ftohtë.
Të lirë nga krahët, truri i tyre është i lidhur me zinxhirë.
FAIK KONICA (Botuar më 1923)
No comments:
Post a Comment