Monday, June 6, 2011

"Lesbishat", futboll për lesbiket në Tiranë

Vajzat që shikoni në foto janë pjesë e një skuadre futbolli që është krijuar në Tiranë, jo për të shembur mite, apo për të sfiduar mentalitetin, por thjesht e vetëm për të bërë qejf e për të luajtur! 
Pesë vajzat të cilat në foto duken teksa stërviten në një nga hapësirat e Liqenit Artificial në Tiranë kanë formuar skuadrën "Lesbishat" dhe luajnë futboll çdo të dielë, së bashku me një skuadër tjetër, edhe ajo e përbërë ekskluzivisht nga vajzat.


Ndonëse nuk e kishin për qëllim të thyenin mitet, ato në fakt, po e bëjnë këtë gjë, pasi një element tjetër që i bashkon nuk është vetëm futbolli: ato të gjitha janë lezbike dhe ashtu si edhe shumë persona të tjerë me orientim homoseksual, edhe ato po tentojnë të krijojnë një mjedis të tyren ku të ndihen të sigurta dhe të mbrojtura.

Secila ka një jetë personale mëse të zakonshme. Njëra prej tyre, Linda (të gjitha emrat e përdorura në këtë shkrim janë të sajuara nga vetë vajzat të cilat kërkojnë të mos identifikohen) punon si bebisiter pasi i pëlqen të punojë me fëmijët; tjetra Anisa, është menaxhere shitjesh në një kompani private në Tiranë; Eri është studente në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja; ndërsa Ana dhe Elona janë partnere me njëra tjetrën. Eshtë mëse e vërtetë se u ka pëlqyer futbolli që kur kanë qenë të vogla.


Madje njëra prej tyre Eri, thotë në një prononcim për Shekullin: "Futbolli më ka pëlqyer që në fëmijëri, por meqënëse djemve nuk ju pëlqen të luajnë me vajza, unë jam e lumtur që tani jemi një grup vajzash që kemi të njëjtën dashuri për një sport kaq të dashur si futbolli". Dhe jo vetëm kaq: luajnë edhe për të fituar! "Kam filluar të luaj futboll që kur isha e vogël. Sigurisht, në fillim me kalamajtë e lagjes, të cilët u mësuan kollaj jo vetëm të luanin me mua por edhe të humbisnin", thotë me humor Elona, pjesëtare tjetër e skuadrës "Lesbishat" në Tiranë.


Fakti që komuniteti gej mblidhet për të festuar, organizojnë madje dhe aksione me grafiti në Tiranë apo zhvillojnë seanca këshillimi për njëri tjetrin tregon se të paktën në Tiranë jeta e tyre po ndryshon për mirë. Në fakt, gjithçka e rëndësishme duket se filloi kur tre vjet më parë kryeministri Sali Berisha deklaroi në një mbledhje qeverie se ishte dakort edhe për martesat mes së njëjtës gjini. Ka tashmë 3 organizata që punojnë për të drejtat e tyre.


Njëra bashkëpunon me hollandezët dhe me COC Netherlands, një tjetër organizatë është partnere e ILGA-Europë, ndërsa e treta sapo ka nënshkrua r një marrëveshje me ArciGay në Itali. Madje Presidenti kombëtar i Arcigay në Itali, z. Paolo Patanè, i cili tre vjet më parë ironizoi politikën italiane duke thënë se gjithë homoseksualët italianë do të merrnin gomonet për të jetuar në Shqipëri, nëse Berisha do miratonte ligjin për martesat gej, deklaratë kjo e bërë pak pasi Sali Berisha tha se ishte në favor të një ligji të tillë në vend, ka dalë dje me një deklaratë në mbrojtje të komunitetit gej në Tiranë. Deklaratën e bëri pas nënshkrimit të një marrëveshje me Pro LGBT në Tiranë.

Alba Ahmetaj, G. Shekulli

1 comment: