Wednesday, June 8, 2011

Vetëm 20 nxënës u kapën me kopje sivjet, e dini pse...?

Duhet të numërohen me gishtat e dorës ata që nuk kanë menduar ndonjëherë që të kopjojnë! Kjo është e ëprbashkëta, ndërsa ajo që i dallon është fakti se secili ka një metodë të vetën për ta realizuar diçka të tillë. Mënyrat e kopjes sot janë art më vete, kjo për shkak se teknologjia sa vjen dhe zhvillohet dhe jo vetëm thjeshtëzon jetesën e njeriut, por edhe kopjen e studentëve, së fundmi.


Kufja Magnetike


Kjo është një risi në "fushën" e kopjes. Realizohet përmes një kufjeje 2 milimetërshe, e cila vendoset në vesh dhe nuk mundet të shihet me sy të lirë. Fijet e saj vendosen në trup, dhe përbëhen nga një bateri që realizon lidhjen e kufjes me kabllin, mikrofoni dhe fija që lidhet me celularin. Kjo kufje është bërë shpesh herë objekt diskutimi ndër profesorë pasi mbart probleme të ndryshme. Ajo madje mund të ngecë në vesh dhe për ta hequr do duhet ndërhyrja e mjekut ORL. Çmimi i tyre varion nga 3500 - 5000 Lek.


Doktorët konfirmojnë: Ka dhjetëra raste dëmtimesh


Dy doktorë që Shekulli kontaktoi pranë spitalit ORL në Qendrën Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë e konfirmuan lajmin se ditët e fundit, që përkojnë edhe me zhvillimin e provimeve të Maturës, ka patur dhjetëra raste të nxënësve dhe studentëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të përdorimit të kufjeve. Doktorët kërkuan të mos identifikohen. Sipas tyre, kufja "mund të sjellë dëmtime në kanalin e veshit dhe në raste të rralla mund të dëmtojë daullen e veshit e mund të shkaktojë edhe trauma akustike".

Sipas mjekëve, dëmtimet shkaktohen kryesisht nga tentativat që bëjnë studentët për ta hequr vetë kufjen. Për këtë arsye ata këshillojnë nxënësit që të shkojnë më mirë në spital. Atje, metodat janë të ndryshme për heqjen e kufjeve. Përdoret metoda e lavazhit të veshit, ose heqja me magnet e në raste të rralla përdoret anestezi lokale për ta hequr kufjen me një grep të posaçëm.


Kufjet normale të transformuara në kopje


Këto kufje janë normale dhe blihen në çdo dyqan elektronik. Ato ngjiten në dorë dhe sup dhe mund të vihen edhe në vesh.


Kufjet Bluetooth


Përdoren gjërësisht nga shoferët e automjeteve, por studentët kanë filluar t'i përdorin edhe për të kopjuar. Ato nuk kanë lidhje kabllore por lidhen me anë të teknologjisë Bluetooth.


Me anë të mesazheve telefonikë


Kjo arrihet duke marrë mesazhe nga jashtë sallës së provimit të cilat përmbajnë zgjidhjen e pyetjeve. Pyetjet mund të dergohen jashtë me anë të fotos që i bëhet tezës në momentin që merret dhe i dërgohet dikujt jashtë me MMS ose Bluetooth.


Letra të vogla të zvogëluara


Përmbajnë leksione ose shënime të ndryshme. Mund të ngjiten nëpër këmbë, mund të mbulohen me dorë, mund ti fusësh në xhep të pantallonave, ndërsa disa vajza shpesh herë i fusin në pjesën e gjoksit.


Një metodë e lashtë sa vetë shkolla që vazhdon ende...


Ju jeni mësues dhe keni një vajzë përpara që ju e dini se në kofshët e saj ka bërë kopje. Çfarë do bënit?


Më klasikja është kopja spontane në klasë, ku një shok apo shoqe të tregon apo jep ndonjë letër ku të ka shkruajtur një kopje. Dikur një profesor shprehej: "Sikur studentët ta përdornin vetëm gjysmën e vullnetit që kanë për të kopjuar, në lidhje me mësimet atëherë do kishin dalë më të mirët."


Kopja sot nga disa persona shihet si një gjenialitet i individit duke qënë se arrinë të krijojnë mënyra nga më të ndryshme dhe duk përdorur çdo mjet për të kopjuar. Dikur, porn ë fakt edhe sot femrat mund të shkruajnë tek kofshët e tyre formulat dhe leksionet ose nëpër gjoksin e tyre duke vendosur në gjëndje sikleti çdo profesor, pasi për t'i kontrolluar duhet t'u ngresh fustanin ose t'u ulësh bluzën, kështuqë do të ishte një shenjë e turpshme për këdo.


Sot kopjet kanë pësuar edhe ato "Revolucionin Teknologjik" duke u sofistikuar gjithnjë e më shumë dhe duke u bërë gjithnjë e më pak te dukshme.


Por gjithnjë profesorët dhe ata që merren me këto çështje ngrejnë pyetjen sa vlen realisht ajo notë e marrë me kopje? Dhe në fund sa vlen diploma e marrë nga "kopjacët"? Po sikur këta "kopjacë" të jenë diplomuar në mjekësi dhe të punojnë në spitale, apo çfarë do lloj profesioni tjetër, si do jetë shërbimi nga këta persona?


Aq serioz është bërë ky problem për mësuesit sa vetë ministri i Arsimit dhe Shekncës, Myqerem Tafaj u shpreh pak kohë më parë se dikasteri që ai drejton ka ndërmarrë masa të rrepta për ndëshkimin e kujtdo nxënësi apo studenti që kapet me kopje, apo që tenton të kopjojë gjatë provimeve të Maturës.


Sipas tij, në rastet kur kapet dikush me kufje, atëherë atij apo asaj do t'i digjet matura dhe do të detyrohet që të bëjë një vit pushim, për ta ripërsëritur më pas edhe njëherë nga e para Maturën Shtetërore. Vetëm 20 "kopjacë" janë kapur këtë vit në provimet e para të Maturës. Ne pyesim: ky numër kaq i vogël, të ketë lidhje me efikasitetin e masave të ndërmarra nga Ministria e Arsimit, apo të ketë lidhje me sofistikimin e metodave të kopjimit në atë formë që zor se zbulohen...?


"Kampion" i Kopjes


Taulant Muzaka, 22 vjeç, student në vitin e tretë për Ekonomi, tregon për Shekullin: "Kopja është jetë. Kam nga klasa e pestë që nuk kam hapur një libër për ta mësuar. Deri më sot të gjitha provimet i kam marrë falë kopjeve. Unë personalisht preferoj të kopjoj në dy mënyra: ose me anë të celularit duke hedhur në të leksionet ose duke marrë sms nga jashtë, ose me anë të letrave të vogla që përmbajnë leksionet. Të kopjosh duhet zgjuarsi dhe shkathtësi, por nuk është e vështirë ta bësh. Deri më sot nuk jam kapur asnjëherë duke kopjuar në një provim."


Këtë lloj mentaliteti, në fakt, e kanë shumë të rinj sot! Nuk është, për fat të keq, asgjë më shumë kjo se e vërteta e hidhur në të cilën lundron sot sistemi arsimor në Shqipëri.


37 000
Është numri i përafërt i studentëve që morën pjesë në Maturën shtetërore këtë vit.


20
Është numri i atyre që u kapën me kopje, sipas Ministrisë së Arsimit. Vetëm 20... Pse kaq pak...?!


10
Herë më pak është ky numër i kopjacëve të kapur mat, krahasuar me një vit më parë

Shekulli

No comments: