Thursday, July 12, 2012

Epitaf për veten

"Do të të hedh si dele mes ujqërve"
më pëshpëriti ëmbël dikush
teksa bëja gjumin e zhagitur nëntëmujor
në liqenin lotur me ëndrra heshtjeje.



Endrra që s'njohën kurrë fatin e tyre; fatin e pamjaftë.
Duke i tjerrë dritën hënës u rrita,
me fjalën e Tij ujdhëse me vete
pashë, takova dhe gjeta vetëm:
kaproj fluturues, hije të përgjakura shelgjesh,
bjerakohës të pashpresë; shpresë të tredhur qysh në embrion,
nimfa mbarsur me kollë pershkatarësh,
mjellma pa kokë, Diellin me thikë në dorë,
psikologë që masturbonin ndërgjegjet njerëzore,
xhakondat kërthizëdala me pirsing,
metropolin e kopshtit zoologjik apo.., ndjesë,

kopshtin zoologjik të metropolit,
murgesha kryeadministratore bordellosh,

dashuri  coftinë si korridore spitalesh,
Njeriun me shenjë, Njeriu në Hënë, Njeriun që qesh,
Tik-Takun e Babilonisë,  vejushën e Kaukazit,
cicëvyshkurat kurtizane me fytyra meduzash,
inçestet e pafundme politike,  rrugën 'MOS KALO SOT!',
Niçen si kryetar sindikate, Uajlldin në burgun e Peqinit,
patkoj fildishi në pajën e nuses shterpë,
vogëlushin që ndjek sonambul ëndrrën e tij blu,
siçilianen e verbër duke mbledhur portokaj,
Olimpin plot me agjentë burse e sekserë,
bulkthin dehur nga zezonat e natës,
njerkën buzëpërvjelur kur bërtet: 'vëri llozin derës tutkun'
mitingje, skamje, silikon me shumicë,
gjithçka dhe asgjë, gjithçka për asgje,  por vetëm ujqër jo...

Ah Zot, të lutem më thuaj, ç'faj kam unë që s'm'u zbardh lëkura rrugës?!

Arti Lushi

No comments: