Thursday, December 22, 2011

Census Albania 2011 - Ku kanë përfunduar gjysëm milioni shqiptarë?

Sipas të dhënave që na jep INSTAT për vitin 2010, popullsia në Shqipëri është 3.194.972 banorë.
Sipas të dhënave të po të njëjtit institucion zyrtar, popullsia e Shqipërisë sot është 2,831,741 banorë.
Pra, sipas këtyre rezultateve, në më pak se 2 vjet, Shqipërisë i kanë humbur rreth 500.000 mijë shqiptarë, apo gjysëm milioni njerëz.


Vlen për t'u theksuar këtu se Shqipëria në 20 vite tranzicion, nuk regjistroi më tepër se 1.5 milionë shqiptarë të emigruar. Pra, nëse do mendojmë se ky gjysëm milioni ka emigruar në 1 vit e gjysëm, atëherë shifrat e emigrimit në 2 dekadat e postkomunizmit, ne mund ti kapim në më pak se 5 vite. Por kjo logjikë nuk shkon, kur Europa në krizë të madhe ekonomike (kryesisht shtetet ku ka më tepër emigrantë shqiptarë) sot ka liberalizuar vizat me Shqipërinë e mbi të gjitha qeveria shqiptare deklaron me zë të lartë rritjen e mirëqenies dhe begatisë kombëtare.

Eshtë e vërtetë se lindshmëria ka rënë si pasojë e planifikimit shqiptar, por sërisht shqiptarët mbajnë vendin e parë në Europë, si populli me lindshmërinë më të madhe.

Në statistikat zyrtare, vrasjet shkojnë tek afro 500 qytetarë në vit, prandaj edhe kjo tezë bie poshtë.

Një tjetër tezë që vlen për ta marrë në diskutim, është edhe efektiviteti i 11.000 punonjësve të punësuar nga INSTAT për regjistrimin e popullsisë, por shifra gjysëm milioni shqiptarë, është tepër e madhe për tu marrë si marxh gabimi.

As pjesa prej 29,355 banorë (ose 1.04 % të popullsisë), që e kanë refuzuar regjistrimin, nuk shërben për të rrudhur numrin e popullsisë shqiptare, pasi ata gjithsesi, janë regjistruar dhe janë përfshirë në totalin e numrit të popullsisë.

Mbetet një tjetër mundësi, pak ose shumë e çmendur, që thotë se nëse në Serbi, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni është ndjekur një strategji e mirëplanifikuar për të rrudhur numrin e shqiptarëve në Ballkan, përse kjo dorë mos të ketë futur hundët edhe tek regjistrimi në Shqipëri?

Mos të harrojmë që sa më i vogël numri i shqiptarëve, aq më shumë rritet përqindja e minoriteteve dhe nëse kjo shifër arrin 25% të popullsisë, Shqipëria nga një shtet me popullsi homogjene, shndërrohet befas në dritë të diellit, në një shtet të ashtëquajtur multietnik, i paqëndrueshëm ekonomikisht e politikisht e rrjedhimisht, lehtësisht i shpërbërshëm.

Jeni të lirë të gjykoni çdo tezë të mundshme, ndërkohë që ne urojmë që gjykimet tona të jenë të gabuara, por shteti ynë na detyrohet një përgjigje...

Shkroi: Stop Injorancës  http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: