Tuesday, December 20, 2011

Zbulim i rrallë në malet e Krrabës

Siç ka ndodhur edhe në dhjetra raste të tjera në Shqipërinë e cila po përjeton bumin më të madh të betonizimit që mund të ketë patur ndonjëherë, edhe në punimet që po kryhen për hapjen e tunelit në Krrabë, ka dalë në dritë një zbulim arkeologjik i mahnitshëm.
Aq i mahnitshëm, saqë jo vetëm ka lënë sot çdo shqiptar pa fjalë, por zbulimi kalon edhe kufinjtë tanë gjeografikë dhe të dërgon në zemër të qytetërimit human.
Njësoj si edhe Njutoni, që fare rastësisht, vetëm prej rënies së lirë të një kokrre molle prej pemës, zbuloi ligjin e gravitacionit, po aq rastësisht ndodhi edhe zbulimi ynë mbresëlënës.
Ishte ora 14:30 e mesditës, kur inxhinerët e punëtorët kishin marrë pushimin e drekës dhe duke u kthyer nga fronti i punës, po shkelnin të gjithë me rradhë diçka të dalë nga thellësia e tokës, duke mos i kushtuar kurrfarë rëndësie. I tillë do të ishte fati i zbulimit tonë, nëse nuk do të ishte për rojen e turnit të parë të fjetinës, Z. Xhemal, i cili kishte mbaruar edhe studimet në fakultetin e Histori-Filologjisë, që e nuhati thesarin duke e ngritur me kujdes prej tokës dhe duke e pastruar me kujdes prej baltës.
Nuk do të duhej shumë kohë që ai të kuptonte që vlera e këtij papirusi do të ishte marramendëse, pasi në të mund të lexohej një shkrim dore, që dëmtimi e kishte bërë të padeshifrueshëm.

Papirusi u dërgua me emergjencë në Vjenë, në një qendër studimi të profesionalizuar e specializuar për datimin e gjetjeve arkeologjike, ku njëkohësisht kryhej edhe deshifrimi i linearit të përdorur në të.

Përgjigja që erdhi në fund të javës së shkuar ishte emocionuese.

Papirusi i takonte mijëvjeçarit të shkuar dhe ndryshe nga zakonisht, zbulimi arkeologjik nuk i përkiste as kulturës së Greqisë së Lashtë, as kulturës Romake, por kishte një vulë, pastërtisht shqiptare.

Pas restaurimit të pjesëve të dëmtuara të papirusit, i cili ishte autentik, aty mund të dalloheshin tashmë me lehtësi disa simbole shumë të lashta të shkrimit shqip të përdorura prej të parëve tanë. E tillë ishte një zanore që shkruhej si zanorja "e", por mbante 2 pika sipër, si edhe një bashkëtingëllore që shkruhej si shkronja "c", por që kishte një si gjysëm 5-e, të varur nga poshtë.
Teksti niste me 3 bashtingëllore "DRG" dhe përfundonte me nënshkrimin Kolon... 88'.

Papirusi ishte një kartolinë e vitit 1988-ë dhe një tirans ia dërgonte familjarisht një mikut të tij, në Kolonjë.

Ajo që e bënte zbulimin unik dhe që bënte një kthesë të fortë në historiografinë zyrtare, ishte fakti se dikur shqiptarët shkruanin kartolina me dorë dhe uronin pastërtisht njëri-tjetrin në mijëvjeçarin e shkuar. Ata duheshin dhe kujtoheshin mes tyre. Kjo na çon logjikisht në argumentin logjik, që shqiptarët ishin miq, bënin dhe mbanin miq.

Urojmë që ky zbulim të shërbejë realisht për një rikthim të fortë në drejtim të këtyre vlerave të identitetit tonë mijëravjeçar.

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: