Tuesday, June 26, 2012

S T I L

Stil, është një fjalë mbarëkombëtare që nënkupton një mënyrë të hijshme në të veshur, në të sjellur.
"STIL", ata që kuptojnë sadopak prej etimologjisë, e kuptojnë lehtësisht se kjo fjalë përbëhet prej 2 rrënjësh, prej foljes "është" dhe fjalës më të ndritur njerëzore"Yll".
Pra eshtë+yll, (e)st+il, duke ruajtur sigurisht edhe kuptimin logjik të fjalës.

Stil nuk është vetëm mënyra se me çfarë rrobash vishesh, por më tepër se si i vesh dhe si i heq rrobat prej trupit.
Stil është mënyra se si një njeri shtrydh pastën e dhëmbëve, mënyra se si ai tërheq derën me shpejtësi dhe e ndal me delikatesë pak para se të përplaset. Stil është mënyra si hidhesh në krevat dhe si çohesh prej tij. Si i heq çorapet, këpucët. Stil është mënyra se si ti kap një shishe uji dhe si e pi atë. Si e ndez cigaren dhe si e shuan atë. Si ushqehesh dhe si përtypesh. Stil është mënyra se si buzëqesh, mënyra si flet dhe si e intonon zërin e volumin e tij. Stil është edhe mënyra si reagon pasi nevrikosesh. Stil është mënyra si merr frymë dhe si e nxjerr atë.
Nuk janë të rrallë njerëzit, që nuk e kanë për gjë të t'a përplasin në fytyrë gjithë frymën e tyre, pavarësisht nëse aroma e gojës së tyre, është apo jo e mirëpritur...
Stil, janë të gjitha lëvizjet e pandërgjegjshme të gishtërinjve. Mënyra si pushpurit flokët, si pastron cepat e buzëve. Stil është mënyra si përshëndetesh, si ecën, si vrapon, si noton.

Stil është çdo lëvizje e mimikës së fytyrës dhe e trupit, me anë të së cilave, shprehin rrethin e gjerë të emocioneve që provojmë.

Janë pikërisht këto elementë, për të cilat nuk na flasin dhe nuk flasim thuajse kurrë, këto detaje në dukje të vogla, me anë të së cilave jo vetëm perfeksionojmë sjelljen, por bëhemi edhe më të dashur, më të pranueshëm dhe më të vyer, në shoqërinë tonë.

Shkroi: Stop Injorancës !


No comments: