Tuesday, June 26, 2012

Unë jam Arti!

Unë qëndroj në këtë korije
vetëm me shtatë cigare
dhe këmishën time të kaltër.

Prej këtu unë sundoj universin.
Nuk jam as perëndi, as perandor, as prift.
Gjithçka merr trajtë ashtu siç dua unë
dhe sa herë që dua unë.

Depërtoj në thelbin e çdo sendi e dukurie
dhe mbjell aty farën e pjekur të dashurisë.
Nuk jam as perëndi, as perandor, as prift
E, ndoshta, as poet!

Unë jam lumi, shtrati dhe rrjedha e tij.
Jam syri që sheh syrin, që dëgjon rrahjet e zemrës
në kraharorin e kukullës krahëshqyer.
Gjithë virtytet dhe mirësitë e kësaj bote
i kam në këtë pagure, ku pij sa herë që qan një violinë
dhe freskoj qafën me të sa herë që hingëllima e njëbrirëshit më thërret të mbledhim yje.

Unë jam epilog i shkruar në paqëndrueshmërinë qiellore
dhe ky rrap pellazg është kulla ime e Babelit.
Unë jam kopsa e mesit e këmishës sime,
e cila m'a largon të keqen me mirësjellje zambaku.
Unë e end frymën në muzgjet muzikore
dhe i telefonoj portorikanes Egnula:
'Shpirt, ma gatuaj diellin si vezë syskë'.
Unë jam 50-lekeshi i rigjetur në xhepat e pantallonave fëminore
Por nuk jam as perëndi, as perandor, as prift.
Foto nga Arif Lushi
Poet?
S'bëhet fjalë!
Unë jam jonxha që hanë bagëtitë e humbura,
unë jam shishe parfumi e derdhur mbi partiturë.
Unë bëj dashuri ashtu sç bën korriku me pjeshkët;
(Zonjezat  thonë pa ndroje se jam një Pan i shëndetshëm,
ndërsa bijëzat e tyre mendojnë se e kam buzëqeshjen
më të ëmbël se një shi i vonuar.
Unë jam Humus.
Unë jam Kabbalah brenda dhe jashtë; në kockë e në mish.
Unë jam zëri brenda të drejtit që nuk resht së thëni:
'Duro edhe pak, duro edhe pak, qoftë edhe një përjetësi'.
Unë nuk jam perëndi, por Ai më drejtohet gjithmonë në emër.
Unë jam gjiri i majtë i çdo nëne.
Unë nuk rroj për lavdi, prandaj në thembër kam gurin e Davidit,
sa për zemrën: e kam më të madhe se hija e Akilit.
Unë jam tërmeti që shkundi botën, ditën kur u ngjiza.
Unë jam flutura që doli nga goja e perandorit poet
dhe agjëroi mbi kryqin e kripur nga lutjet nokturne,
por as prift nuk jam, përkundrazi:

Unë jam Biri i Babës tim,
unë jam Çasti Blu,
Unë jam Arti.                                                                                                                                                                                                     
Arti Lushi

No comments: