Tuesday, June 17, 2014

Le të mbetemi njerëz...

Shpesh të kapin sytë thirrje të njëpasnjëshme për njerëzit në nevojë.
"Ju lutem kontribuoni për 'Filan Fistekun', që vuan nga një sëmundje e rëndë dhe kurimi i tij kushton shumë shtrenjtë.

Ndihmoni me sa të mundni këtë familje të gjorë që rrezikon jetesën në këtë shtëpi që pret ti zërë brenda. Hidhni para për jetimët. Kontribuoni për të ndihmuar të pastrehët. Solidarizohuni me njerëzit e sëmurë prej patologjive të ndryshme. Dhuroni gjak për talesemikët. Hapni vende pune për të verbrit, apo tetraplegjikët. Ndihmoni komunitetin rom. Merrni pjesë vullnetarisht në pastrimin e ambjentit. Denonconi aktet e korrupsionit.
E nga ana tjetër përplot me njerëz që të kapin në rrugë për lëmoshë, zotërinj që lypin para për ilaçe, dikush tjetër vetëm 30 lekë për të ngrënë bukë. Pseudoshitësa orbitësh, manikotash, lajthish etj, etj, që blejnë keqardhjen tonë njerëzore, çdo ditë.

Dhe nuk ka asgjë të keqe të jesh i dhimbsur, të ndjesh keqardhje, e të ndihmosh të tjerë.
Kjo është pikërisht të qenit njeri.

Mirëpo ne kemi pranuar të bëhemi pjesë e një sistemi i cili të jep mundësinë të kapësh majat e botës dhe t'ua shtrish kurrizin të tjerët të punojnë për ty. E pranuam këtë sistem sepse të gjithë besuam se i kishim aftësitë për të qëndruar atje lart në majë, për të jetuar në mes të luksit, për të shfrytëzuar të tjerët. Por ja që matematika është shkencë ekzakte dhe duke iu referuar asaj, në këtë sistem një pjesë e madhe njerëzish do rrezikojnë mbijetesën dhe me shumë gjasa tek ajo kategori njerëzish, mund të jesh edhe ti.
Nëse ke shëndet, do të punosh gjithë jetën që nëse ke sukses, atje pas të 50-ave të arrish të sigurosh një strehë. Dhe kështu ti nuk ke kohë të marrësh pjesë në edukimin e fëmijës tënd sepse të duhet të punosh fort, me orare të tejzgjatura, apo me dy punë që të mundësh të përballosh kreditë, që ti garantosh familjes ushqimin, që në rast sëmundjeje të kesh një mundësi të siguroshsh edhe për shëndetin një kredi.
Jeta vrapon dhe ti duhet të ndjekësh ritmin e saj për të mbijetuar, prandaj nuk ke kohë të ndalosh e ndihmosh në rrugë një fatkeq, se ti nuk preferon t'ia japësh ndihmën e parë një të lënduari pasi kjo është detyra për të cilët paguhen të tjerë njerëz, se ti nuk mund të dëshmosh mbi një ngjarje kriminale sepse janë të tjerë njerëz që për të zbardhur krimet paguhen. E kështu pa kuptuar nuk të bën më përshtypje se këmba e një futbollisti po vlen aq para sa do duhej për të rimëkëmbur një qytet. Nuk e sheh si problem që i vetmi që po troket në derë, është administratori i pallatit që për mirëmbajtjen të kërkon lekë.
Dhe ai punëdhënësi (pronari yt) që të gjithë e shohin si perëndinë që iu fal ekzistencat, nuk ta rrit rrogën dhe të hedh në rrugë sipas oreksit të vet. Ai ka edhe pafytyrësinë që për protagonizëm të merret me politikë apo të bëjë bamirësi.

Hero merr titullin ai që guxon.

Çfarë guxon?
Thjeshtë të mbetet njeri.

Domosdo çdo ditë e më tepër do kthehesh në njeri indiferent. Ngadalë do të lodhesh duke etiketuar bashkëgjallesat e tua si kafshë, që zgjedhim ta filmojmë një situatë sesa ta zgjidhin atë. Ajo cipë e reagimit, e moralit, e solidaritetit do të humbasë e do të humbasë derisa të gjithë të kemi harruar plotësisht se ç'kishim dashur e ç'kishim qenë.

Prandaj ju lutem, boll më kapët me kapje mëngësh për lëmoshë, boll me thirrjet për keqardhje, me birtmat për ndihmesë!
Ne kemi pranuar të jemi pjesë e një sistemi ku i pastrehuari duhet agimi ... shpirtin t'ia tresë, ku i paafti që s'ka para për ndërhyrje kirurgjikale ashtu si vemje duhet të mbesë.
Nuk ka kuptim keqardhja në një sistem që për jetët njerëzore nuk shpreh mëshirë e pendesë! Në një sistem ku paraja qëndron si tutore, në hierkinë e të gjitha vlerave njerëzore.

Ose ose, kam një tjetër ide. Pse mos të përpiqemi kështu bashkarisht të ndërtojmë një tjetër rregull, për një tjetër botë ku do të kishte më tepër drejtësi, barazi për e meritokraci, për çdo krijesë?!

Le të mbetemi njerëz...

Shkroi: Stop Injorancës !

Përmes dallgëve…

Unë jam një vajzë tashmë 29 vjeçare.

Historia ime fillon në vitin 2000 kur ende kishte armë kudo në Shqipëri ! Isha 15 vjeç atëhere dhe jetoja me mamin, vëllain e vogël dhe gjyshërit e sëmurë. Babi kishte ikur ilegal në Itali.
Jetonim të qetë edhe pse ishim të varfer, derisa një ditë na marrin në telefon dhe na thonë se babi im, që punonte në ndertim kishte rënë nga skela dhe meqë punonte në të zezë, pronari thjesht e kishte çuar në spital dhe e kishte lënë aty.

Duhej të shkonte dikush e të kujdesej për të dhe ta identifikonte sepse nëse nuk shkonte asnjë, spitali e nxirrte dhe e linte në mëshirën e kryqit të kuq dhe shoqatave të emigrantëve. Mami nuk shkonte dot për shkak të vëllait. Asnjë kushëri nuk e mori përsipër. I thashë mamit se do ikja unë, por nuk me lejoi.
Kështu ika pa lejen e saj. Takova vetëm gjyshen, e cila më dha disa para. Preva floket si djemtë (zero) dhe ika në Durrrës.
Në port hipa në disa tragetë, por më nxorrën disa herë me të shtyrë. Kur më nxorrën nga trageti i fundit, një grua me 3 fëmijë të vegjël më tha “ik biro se nuk të lënë qenë të kalosh. Të ishte për mua ikja andej nga moli dhe hipja me gomone, po kam hall se më vdesin fëmijët”. E pyeta ku ishte moli dhe u nisa….
Po errësohej... Eca përgjatë bregut afro dy kilometra duke fshirë lotët dhe duke pëshpëritur “do vij babi, ke për të parë, do vij dhe do të gjej, gjallë a vdekur .... !
Nga larg pashë zjarre, u afrova. Ishin rreth 50 vetë dhe 4 gomone. Iu afrova njërit prej pronarëve më të vjetër në moshë dhe iu luta të më merrte, po ai më tha "ik", se nuk hyj në gjynah me fëmijë. Duke qarë ia thashë hallin tim. Më në fund, pas shumë lutjesh të mijat më tha "hip se nuk je dhe aq e rëndë, por me kusht që çantën mos e merrja me vete. Mora vetëm qesen e bukës dhe hipa. Në gomone ishim 12 vetë. Në det të hapur bënte ftohtë.
Dridhesha...
Një djalë rreth 18 vjeç më tha të mbështillesha nën xhaketën e tij… Hapa bukën dhe i dhashë atij gjysmën. Ai u hutua, por e mori. Gjumi më zuri në kraharorin e tij. U zgjova nga të thirrurat. Kishte dallgë dhe gomonia po rëndohej, Ai që e drejtonte tha që njërin do ta hidhte në det, që të shpëtonin të tjerët.
Unë isha aty pa paguar, por ai nuk më hodhi mua. Gjeti atë që ishte më i shëndoshë dhe e hodhi.
U tmerrova. E pashë me sytë e mi tek mbytej ai thirri ,por nuk foli dot më tepër...
U shokova, por nuk nxorra zë. Më zuri gjumi dhe kur u zgjova dukej toka italjane.
Njerëzit nga gëzimi harruan se ishim në gomone dhe po kërcenin. Nuk kuptova mirë si, sepse isha dhe përgjumësh, por gomonia po fundosej dhe kësaj rradhe po vdisnim të gjithë ..
Ishim 1 km larg bregut. Po mbytesha, not nuk dija. Në momentin e fundit, një dorë më kap nga bel, ishte ai djali. Më bërtiti “Nuk ke të drejtë të vdesësh. Më dëgjove? Do jetosh se s'bën. ME DEGJON???”
3 metra më andej ishte një gomë makine. Nëse e kapnim atë, edhe mund të shpëtonim, por ne po fundoseshim të dy.
Ik - i thashë. Shpëto veten, por ai nuk më lëshoi. Arritëm të dalim deri në breg me ndihmën e atij objekti. Ishim të lodhur, të vdekur. Në Bari kisha një kushuri të mamit, e kisha shënuar nr. e tij të tel. Ai do më merrte dhe do më niste në Gjenovë tek babi, në spitalin ku na thanë, por në breg kur më thanë të lija çantën, unë e kisha harruar nr. aty. Nuk e gjeja dot me atë të afërm në gjithë atë Bari, duke i ditur vetëm emrin. Ai djali që më shpëtoi quhej Gjergj, ishte nga Puka dhe kur e pyeta pse më shpëtoi tha: "Sepse ti ndave bukën me mua, duke e ditur që në Itali do vdisje urie. Ti je njeri i mirë". Ai vendosi të më ndihmonte të gjeja babin, pastaj secili do shkonte në punën e vet. Në Bari blemë një kove e dy sfungjerë dhe lanim makina, por askush nuk ndalonte sepse ne ishim shumë të pisët. Më kujtohet një grua që më dha lekë, vetëm që të mos ia prekja xhamin... Na u mbushën të dyve sytë me lot nga veprimi i saj. Sa të bënim lekët e biletave, nuk do punonim më aty, por një mbrëmje na rrahën bullgarët sepse ne pa e ditur, po punonim në territorin e tyre. Na bënë të vdekur. Kur u përmenda, e gjeta veten afër kazanit të plehrave, të gjakosur, sepse ata nuk e kishin kuptuar që isha femer. Gjergji ishte pak më tej. Ai nuk lëvizte, ishte me keq se mua i gjakosur. Na i kishin marrë dhe ato pak para..Qava mbi fytyrën e tij dhe nuk e di sa qëndrova ashtu. Gjergji lëvizi, ishte gjallë!
Faleminderit o zot! Kërkoi ujë. Aty na ndihmuan disa marokenë që na morën në një kapanon ku jetonin më shumë se 300 emigrantë Për ne nuk kishte vend, pradaj na çuan në një dhomë të vogël në fund. Sollën vetëm një copë sfungjer dhe një copë bukë. Aty e ula Gjergjin që ishte më keq se mua. Bukën e ruajta për të. Nuk doja të vdiste.
Të nesërmen njoha dy shqiptarë. Ia tregova historinë dhe ata na sollën bukë. Pastaj menduan të bëja një punë. Ata ishin të punësuar në një fabrikë që bënte lëng frutash. Më sollen 9 arka me portokalle e një shtrydhëse mekanike. Në mbrëmje erdhën morën lëngun dhe kështu vazhdova një jave. Duart m'u enjtën dhe m'u bënë me puçrra. Bukë haja pak, sepse pjesën më të madhe e ruaja për Gjergjin. Udhëtoja çdo ditë 3 km për të blerë qumësht dhe bukë për të. Flija përtokë, që të shërohej ai. Shumë netë trembesha në gjumë. Shumë netë na zinte gjumi duke qarë. Një natë i thashë: "Gjergj kam dëgjuar se nëse ia shpëton jetën dikujt, ajo jetë të përket ty". Ai qeshi dhe tha: "Mes nesh nuk ekziston asnjë borxh, rri e qete…".
Pasi kaloi një javë, shkoj të marr lekët që më takonin nga puna ime. Pronari më pyeti nga isha. I thashë të vërtetën dhe gjithçka tjetër që pyeti. U prek nga historia ime dhe vendosi të na i paguante ai biletat për në Gjenova. Të nesërmen u nisëm. Sapo zbritëm bleva një kartë telefonike dhe mora mamin në telefonin e një komshies tonë. Babi ishte ende gjallë, në të njëjtin spital. Shkuam atje dhe gjetëm 6 emigrantë shqiptarë, me të njëjtin dëmtim, I parafundit ishte babai im. E gjeta të shtrire aty. Ishte rrënuar shumë, por qau nga gëzimi. Kaluan disa ditë dhe unë e Gjergji në Gjenove, flinim në hyrjen e një pallati. Drejtori i spitalit na thirri për të paguar faturën. Shkuam dhe i thashë se nuk kisha gjë tjetër veç shpirtit. Nëse lajmëronte policinë, thjesht do na kthenin në Shqipëri, ku kishim vetëm një shtëpi që po ta tundje me dorë binte. Ai nuk na bëri keq, përkundrazi na gjeti një vend në lavanteri dhe një punë, të hekurosnim çarçafë. Ishte një mrekulli për ne. Do të kishim një strehë dhe do ishim në spital afër babit tim. Por kjo normalisht ishte një veprim ilegal. Pas 3 muajsh babi doli nga spitali. Aty u bë i gjallë një kushëri i tij dhe i gjeti punë në një karburant. U kthyem në dhomën ku kishte jetuar babi më parë, bashkë me ne dhe Gjergji. Filloi punë dhe ai, por pas disa muajsh atë e merr në tel. daja i vet që jetonte në Parma dhe kështu ai iku.. Kur e përcolla në stacion, gjysma ime vdiq me të. Do më mugonte tmerrësisht shumë miku im i mirë, që më shpëtoi jetën e që më respektoi si një motër.
Pas një viti morëm dhe familjen dhe u rregulluam mirë. Unë mësova gjuhën dhe u futa në shkollë. Kaluan 5 vjet dhe çdo ditë e kujtoja malësorin e ndershem që më ndihmoi. Eh, sikur ta takoja një ditë, mendoja…
Por një pasdite në sallën e leksioneve vjen një djalë që kërkonte çantën e prof. Luigit. E njoha nga zëri. Tashmë një djalë i bukur, i pastër. Ishte ai… GJERGJI! U përqafuam. Ai ishte shoferi i pedagogut tim. Sa shumë mall kisha për të. Pas 5 vitesh ai ishte përsëri këtu. U ritakuam.
Gjergji kishte 2 vite që më kishte kërkuar kudo nëpër Gjenove. Kishte shkuar dhe tek shtëpia ku kishim jetuar të tre, por ne nuk jetonim më aty që kur morëm në Itali dhe mamin e vëllain. Më kishte kërkuar kudo ku kishim qenë bashkë dhe kurrë nuk i kishte humbur shpresat. Pas disa muajsh ai më tha se më donte, por jo per tu lidhur, por për t'u fejuar. Ishte i bindur që më donte. Tashmë ishim të rritur - më tha. Kur ndjeja si përpëliteshe në kraharorin tim, e kuptoja që të doja, por ishte mëkat. Ti ishe fëmijë. Isha unë që të zgjoja e të përqafoja kur shikoje makthe e thërrisje: "BABA BABA, PO VIJ PRIT TE LUTEM". Isha unë që ndjeja lotët e tu. Të kisha pranë kur ti ruajë bukën tënde për mua, kur flije përtokë për mua. Kjo është dashuri, dashuri, dashuri dhe tani që të rigjeta ti je po e njëjta, përsëri e brishtë… dhe unë dua të martohem me ty. Të lutem më prano. Kjo është dashuri e vërtetë”.
Unë po qaja. U fejuam me dëshirën e të gjithëve. Babi im e dinte shumë mire kush ishte djali me emrin Gjergj…
Tashmë kemi një djalë. NOA e quajnë. Jemi të lumtur, unë nga Elbasani, ai nga Puka …
Një ditë Noa më pyeti: "Ku e ke njohur babin"?!
Dhë unë iu përgjigja : “ PERMES DALLGEVE” !

Redaktoi: Stop Injorancës !

Pediatria në QSUT

Pediatria në QSUT, Kabineti i Pneumoalergologjisë, atje ku kurohen fëmijët, që janë alergjikë edhe prej kafshëve shtëpiake.

Stop Injorancës !

Së shpejti çdo dhomë me pamje nga Deti

Sot u hodh në erë një pallat 9 katësh, i ndërtuar pa leje në Golem.

A thua vallë se ata përbri tij kanë patur leje...?! 

Shpërthimi kësaj rradhe ka qenë i suksesshëm dhe ka shkatërruar e thyer xhama në një rreze prej 150 metrash.

Sipas legjislacionit shqiptar, nuk duhet të ketë asnjë ngrehinë betoni, së paku 200 metra larg bregut të detit.
Se që thoni ju ne e kemi pak fiksim që kur të dalim në ballkon, të zgjasim dorën dhe të provojmë sa është ngrohur uji i detit...

Çadrat, ngjitur bythë më bythë, sa duket se ke vajtur për t'u qetësuar, në një miting elektoral.

Megjithatë, atë që nuk e zhbëjmë dot ne njerëzit, patjetër do ta zhbëjë vetë natyra.

S'do jetë kohë e gjatë kur të gjitha hotelet në breg të detit, do ti kenë të gjitha dhomat, me pamje nga deti...

Shkroi: Stop Injorancës



Ndryshon Ligji për Duhanin, por jo Idiotsia e tij

Dëgjova që në ndryshim nga Ligji i shkuar, (i dështuar në mënyrë spektakolare), tani kanë vendosur të gjobisin vetë duhanpirësin me 5000 lekë (të reja, duhet theksuar akoma) në rast se kapet duke tymosur në ambjente të ndaluara.
Më në fund - thashë me vete, e bën diçka me mend, ç'faj ka psh. Pronari i Lokalit të gjobitet se dikush tymos.
Por jo, pavarësisht gjobës ndaj duhanpirësit, në ligjin e ri jo vetëm që e kishin lënë në fuqi gjobën ndaj Pronarit të ambjentit publik, por e kishin çuar në 300 000 lekë.
Veç kësaj, çmenduria tjetër ishte edhe një gjobë prej 50 000 lekësh për Administratorin e ambjentit.

Epo pika e zezë, o njerëz me tru!

Po ç'faj ka pronari apo administruesi nëse dikush tymos në ambjentin e tij? Ata nuk janë as policë dhe as pjesë e strukturave të shëndetit publik të përballen e të ndalojnë duhanpirjen.

Në analogji, nëse dikush në ambjentet e Kryeministrisë ndez një cigare, ushtari i gardës do duhet të dënohet me 50000 lekë dhe vetë Kryeministri shqiptar me 300 000 lekë gjobë.

Si fillim ore zotërinj ju duhet ti thërrisnin mendjes dhe të diskutoni ligjet tuaja me grupet e interesit, apo ndryshe duhanxhinjtë.

Duhanin e keni lejuar si të ligjshëm, madje taksat që vilni prej tij ju pëlqejnë shumë, por ama po shpallni të paligjshëm konsumin e tij. Po ku imagjinohet të hash një darkë të mrekullueshme dhe mos e ndezësh në fund një cigare, qoftë për tym?

Pse i merrni botës çdo ligj të gatshëm dhe nuk e adoptoni për kulturën shqiptare?
Kaq e vështirë është ta kuptoni se duhanpirësit janë njerëz të kësaj shoqërie dhe jo krijesa imagjinare?
Kaq e vështirë është që çdo lokal, apo ambjent publik të ruajë një kënd të veçantë për duhanpirësit?

Por kur shpallni të jashtëligjshëm konsumin e duhanit, pse e keni lejuar shitjen e tij?
Pse nuk ligjëroni edhe shitjen e Hashashit, mqs sidoqoftë konsumi i tij do ishte i ndaluar?
A thua vërtetë se ju iu dhimbset kaq shumë shëndeti i qytetarit?
E?
Po ato 40 kg pluhur që i thithim çdo vit, duhanpirës apo jo rrugëve të kryeqytetit, si i bëhet?
Po ajo buka që nuk dihet me ç'miell bëhet e ku shkelin e kundrojnë furrtaret, ç'efekt ka?
Po ai uji i pakontrolluar që me altoparlant shitet lagje më lagje, nuk ua vret sytë?

E keni çuar paketën e duhanit 250 lekë. Një duhanxhi shqiptar sipas kanarit tuaj 1/3 e rrogës duhet ta shpenzojë vetëm për duhan. Turp e faqe zezë, goxha burra blejnë ende cigare të hapura...

Ore, po sikur këta duhanpirësit të krijojnë një komunitet dhe t'iu hedhin në gjyq duke ju kërkuar dëmshpërblime marramendëse, sepse pikërisht sepse ju e keni lejuar shitjen e duhanit, ata vuajnë pasojat e tij?

Eshtë e vërtetë që duhani është i dëmshëm dhe ka plot mënyra ndërgjegjësimi për të minimizuar konsumin e tij, por ju po e kapni veshin e majtë me dorën e djathtë.
Jeni ende në kohë ta ndryshoni ligjin dhe mos dilni përsëri bllof, sepse j'ua them unë çfarë do ndodhë. Tani që ngrohet koha njerëzit do ta pijnë duhanin në ambjentet e jashtme, veranda. Kur të ftohet koha do turreni të vendosni ligjin, do këpusni dhjetra gjoba, do rrihen dhjetra punonjës së shtetit apo do burgosen dhjetra biznesmenë dhe kaq.

Po aq mrekullisht, do dështoni përsëri!

Shkroi: Stop Injorancës !

Ç'liri fetare kërkon të inkurajojë Papa Françesku në Shqipëri?

Më 21 shtator 2014-të, në Shqipëri do të vij Papa Françesku, me misionin për të inkurajuar lirinë fetare në vendin tonë.

U bëjmë me dije shqiptarëve, që të paktën deri në vitin 2009, sipas një raporti të DASH (Departamenti Amerikan i Shtetit), në Shqipëri operojnë 245 shoqatave abrahamike, ku bëjnë pjesë grupet e ndryshme fetare ku bëjnë pjesë 4 grupet tradicionale fetare, muslimanët (Sunni), bektashinjtë, (a form of Shia Sufism), të krishterët Ortodoksë (the Autocephalous Orthodox Church of Albania), katolikët romanë. Veç këtyre, ka edhe fe të tjera protestante si dhe grupe të ndryshme fetare duke përfshirë Besimin Bahai, dëshmitarët e Jehovait, Mormonët, etj, etj... Burimi: http://www.state.gov/documents/organization/192989.pdf
Por gjithashtu në Shqipëri operojnë mbi 230 grupe fetare të ndryshme, organizata, fondacione dhe 102 institucione edukative fetare.

Ne në Shqipëri sot', për çdo 10 mijë banorë kemi nga një fe të ndryshme.

Çfarë lirie fetare doni të inkurajoni more Papë Françesku?
Të ketë çdo shqiptar Fenë personale të vetë? (S.I)

E keni të kotë me popullin shqiptar, zotërinj miliarderë që rroni me lëmosha budallenjsh!
Sado i drobitur, i varfër, i shkelur në shekuj, ky popull kurrë nuk është gjynjëzuar para feve abrahamike që në një gjuhë të huaj kërkojnë ta drogojnë, ta përçajnë e ta ç'kombtarizojnë.

Le t'u kujtojmë se si kanë shkruar për ju të parët tanë:

"Blasfemi "
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s'iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.
Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme...
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke...
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme...
0 pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!
(Migjeni)

"Pesë Anarkitë "
Katër fe të ndryshme, që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.
(Fan Noli)

Pas shpalljes së Pavarsisë, më 1912, një gazetar anglez e pyeti Heroin e Popullit Ismail Qemali:
- Si do t'i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme me ortodoksët e Jugut?
Dhe Ismail Qemali ia priti:
- Mos kini frikë, zotëri. Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh, përmes kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh përpara se t'i sillnin të huajt këto besime! (I. Qemali)

S'na duhet gjâ feja.
Na duhet qytetnija, policija, xhandarmërija. Mos i besoni priftit! Mos i zeni besë hoxhës! Hoxha ju rren; prifti ju shet.
(Gjergj Fishta 1921)

"Ç'është Liria?"
Unë them: ata janë të lirë të kenë fe, janë të lirë të thonë që kanë fe, janë të lirë të shkruajnë që feja është e mirë, janë të lirë të bëjnë ç’urdhëron feja dhe kur më dërgojnë artikuj për të lavdëruar fetë, unë i shtyp pa besuar, sepse nuk kam të drejtë t’u pres lirinë e fjalës.
Po kur unë besoj, them, shkruaj që më vjen të vjell nga çdo fe, ata, shpirtërobërit ulërasin: s’të lejojmë të shash fetë! S’më lejoni të shaj fetë?! Po unë, shpirtërobër, pse iu lejoj t’i lavdëroni fetë? A kini, në mos filozofi, pak mend të kuptoni që fjala juaj është fjalë gomari?
(Faik Konica, Gazeta “Albania”, 1897)

“Kundër mallkimit të gjuhës shqipe”
Thonë s‘ditka Krishti shqip
Dhe shqip - fjale s‘pret prej nesh,
Vetëm në gjuhë greqisht
Të dëgjon e të mban vesh.

Po dhe Krishti ndë na thëntë
Se- “Jam grek, jakni pas meje”,
Do t‘I themi: - Pa mblidh mëntë,
Se Shqiptari s‘vjen pas teje!
(Petro Nini Luarasi)

"Atdheu dhe Dashuria"
Të dy trimat hapnë gjitë
dhe shikonin hajmalitë
qepur me pe të florinjtë,
si njëra, si tjetëra,
të dya të vjetëra;
përbrenda, pshelur' me kartë, (mbështjellë)
gjetën nga një kryq të artë!
Mbetën të mahniturë
dhe si të goditurë!
të tillë punë, kur panë,
u pushtuan dhe ranë,
Dhe të dy një fjalë thanë:
"Të kam vëlla, mor i mjerë,
nga një bark paskemi lerë!
Jemi një fis e n'jë farë,
jemi të dy shqipëtarë,
po besa na paska ndarë,
Sa na bëri për të vrarë!
(A. Z. Çajupi)

"O Moj Shqypni"
Shqyptar', me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:"jam turk", tjetri:"latin"
Do thonë: "Jam grek", "shkje"-disa tjerë,
Por jemi vllazën t'gjith more t'mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n'votër,
Me ju turpnue me grue e motër,

Me pushkë n'dorë le t'desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap'edhe rrezë,
Asht tok' e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t'tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.
(Pashko Vasa)

Nëse ka një aspekt ku lemë pas të gjitha vendet e rajonit dhe renditemi me shtetet më të zhvilluara botërore, është pikërisht indiferenca fetare.
Pikërisht aty duan të na dëmtojnë...

Shkroi: Stop Injorancës !

Biblioteka e qytetit tim

Në atë qytet të vogël, ku çdokush njihte çdokënd, kishte jetë. Kishte sport, art, e kishte kulturë plot.
Pasditeve qyteti shndërrohej në një shëtitore të ngrohtë ku mund të shkëmbeheshe 20 herë në xhiro me të njëjtat fytyra miqësore dhe çdo herë të përshëndeteshe formalisht, pa ndjerë bezdi. Kishte qetësi, kishte siguri e mirësi. 


Dyert e hyrjeve rrinin hapur në çdo pallat. Gratë ishin bashkë, fëmijët e pleqtë po ashtu. Tregoheshin e ndaheshin shumë kujtime e histori, ato më të bukurat mbrëmjeve zakonisht.
Nuk kishte konflikte sepse përplasja më e parë amortizohej në çast. Dikë e kishe kushëri, dikë shok, shok të shokut të ngushtë, me dikë të lidhte shoqëria e prindërve, etj, etj zinxhirë.
Ishte një qytet, ku çdo i huaj ditor o sezonal, do ndjehej në qendër të vëmendjes duke marrë respekt e bujari. Një qytet ku jetonte një familje e madhe, me njerëz që ëndërronin e dashuronin.
Dhe pikërisht këtu qëndronte e njolla e madhe, e të voglit qytetit tim. Të dashuruarit mund të shkëmbenin shikime, letra, mund të shkëmbenin telefonata, por ishte shumë e vështirë për ta, të takoheshin në ndonjë vend intim. Eksursione nuk organizoheshin më tepër se dy në vit...
Edhe ato 2-3 vende intime të qytetit, kamufluara mirë prej gjelbërimit, njiheshin me rrënjë e dhëmballë nga të gjithë dhe çdo ditë aty nguliteshin sy kuriozë, fëmijësh çapkënë.
Kështu, biblioteka mbetej vendi më intim i qytetit tim. Atje ku me një libër të hapur në dorë, pa bërë zhurmë, dy të rinj putheshin, për orë e orë.

Po sot shumë gjëra kanë ndryshuar në qytetin tim, që tashmë me qindra banesa pa formë e plan, e kanë çuar në një zgjerim malinj.
Në lumin ku laheshin çdo verë nuk lundrojnë më peshq, por tonelata plehrash. Stadiumit i doli pronari. Edhe pse popullsia është 2-3 fishuar Spitali po rresht së funksionuari. Fabrikat u mbyllën të gjitha një e nga një, por u mbinë, bingot, kazinotë e lojërat e fatit e parukeritë. Muzeu u bastis. Shtëpia e Kulturës është nën privatizim. Çerdhet e Kopshtet po përgatisin dramën e rradhës dhe tek Këndi i Lojërave një ngrehinë fetare bën hije tani.
Ndërsa biblioteka, ajo biblioteka ime nuk është më intime, por një ambjent i ngrohtë mbushur sot me të rinj plot e përplot.
Makiato njëri, bëji birra tjetri thotë ...

Shkroi: Stop Injorancës

Në emër të jetës

Një vajzë e re vrau veten, mijëra të tjerë treguan që edhe ata frymonin kot.

Vetëvrasja nuk është akt trimërie, që ndokush të ndjehesh xheloz.
Vetëvrasja nuk është një akt krenarie, që ndokush të ndjehet i ofenduar.
Vetëvrasja nuk është akt egoizmi, është akt dobësie.
Një njeri i dobët është i sëmurë dhe një njeriu të sëmurë i jepet ndihma, jo gjyqi për dobësinë e tij.
Kura që i shpëton jetën këtyre njerëzve quhet shoqëri, afrimitet. Nëse as kaq nuk mund t'i japim njëri-tjetrit, tregon se sëmundja paska përparuar vërtetë.
Asnjë Vetëvrasje nuk tenton ti thotë Botës se jeta s'vlen, sa ju në emër të dashurisë për jetën të ngriheni dhe të hidhni vrer mbi një njeri të pajetë.
Dhe të gjithë ju karakteret "e forta", që nuk ndjeni një notë keqardhjeje apo një notë trishtimi për një jetë të shuar aq pa kuptim, nuk tregoni kurrsesi respekt ndaj jetës. Ju tregoni pikërisht arsye pse sot, e nesër edhe më shumë njerëz do ta ndjejnë të pamundur të përballojnë uniken, të mrekullueshmen jetë, që ndodh vetëm një herë.
Një vajzë e re vrau veten, mijëra të tjerë, padashje treguan edhe pse-në edhe se kjo dramë e shoqërisë tonë sa vjen e i afrohet skenës finale.

Të ndalim qoftë për një sekondë dhe ta shohim tjetrin që kemi përbri. Mbase, mund të jetë, e fundit herë...

Shkroi: Stop Injorancës !

Irisi ishte vetëm

Irisi ishte shoqja jonë, studente e Fakultetit Ekonomik. Nuk ishim mikesha dhe as në shoqërinë e njëra- tjetrës. Fatkeqësisht ajo u bë e afërt për ne, kur bëri gjëmën ndaj vetes.

Pasi ndodhi, të gjithë filluam të kujtojmë si e njihnim, me kë rrinte, çfarë bënte?

Ajo ishte studente si ne, kishte provime si ne, kishte drama të vogla dhe probleme të zgjidhshme dhe të pazgjidhshme si ne. Por të gjitha këto ne i marrim tani me mend, pasi ato i dinte vetëm ajo.

E sigurt është se ishte nën një presion psikologjik, dhe në një moment të errët, në një akt revoltues ndaj veshëve që nuk e dëgjonin dhe syve që nuk e shikonin, ajo zgjodhi një vend të famshëm në Tiranë, për t’i dhënë fund jetës, me shpresë se do të mbahej mend së paku nga akti dhe vendi që zgjodhi.

Dikush thotë se e bëri për shkak të provimeve, dikush për probleme familjare, shumë thonë për ‘të dashurin’. Ka edhe nga ata që hiqen si më të afërm me të dhe thonë që iu mblodhën të gjitha bashkë.

Kush jane këta ‘të afërm’? Ku ishin atë ditë, ku kanë qenë gjithmonë? Ku ishim ne atë ditë? Irisi nuk kishte ‘të afërm’. Irisi ishte vetëm.

Të gjithë po e kërkojnë fajtorin këto ditë. Me vrap tek prindërit, shokët e shkollës, profesorët. Me vrap të lëshojnë mesazhe sensibilizuese. Me vrap të anatemojne fajtorin (i cili akoma s’ka emër).

Të gjithë jemi fajtorë, jam Unë, je Ti, jemi të gjithe ne shokët e saj studentë. Të gjithë ia dhame një të shtyrë nga kati i fundit i ndërtesës. Donim ‘ne’ qe ajo të hidhej. Ajo thjesht donte të fluturonte pa destinacion, të largohej.

Ky vend e ka kthyer në një tumor vrasës vetminë e njerëzve në nevojë. Këtu rrethohesh çdo ditë nga dhjetëra shokë e shoqe, po je vetëm, rri me meshkuj, por s’ke të dashur, rri me vajza, por s’ke shoqe, shkon në shkollë, por nuk është se kulturohesh, takohesh me pushtetarët, por nuk është se zgjidh ndonjë hall… Në jetën tonë të përditëshme shoqëria po bëhet gjithnjë e më e largët, aq e largët se ne nuk e ndjejmë as kur jemi brenda saj.

Irisi së paku nuk e ndjente prej kohësh. Çdo njeri në këtë vend ndjen më pak solidaritet, më pak vëmendje, më pak përgjegjësi pushteti, më pak deyrim për të të kulturuar, më pak vemendje për të të bërë të mos ndjehesh vetëm.

Kjo ishte dhe kriza e Irisit. Nuk ishte një i dashur i ikur pa kthim, një provim i marrë keq, një shoqe e mërzitur me të, apo një prind i rreptë. Ishim të gjithë të pavëmendshëm ndaj saj, siç jemi ndaj njëri- tjetrit, duke prodhuar një shoqëri depresive dhe një rini pa shpresë. Ajo donte të bënte diçka si të gjithë ne që të binte në sy, donte të merrte dy fakultete, donte të jepte një shenjë, se ishte këtu jo si një shifër apo numur, por në e mbajtëm të gjithë kokën mënjanë, për të mos e parë e dëgjuar. Dhe ajo zgjodhi “Sky Tower” për të na kujtuar të gjithëve që kur të vdiste, ne do të ngrinim një moment sytë nga qielli. Kishte shkuar me shumë vendosmëri drejt atij akti. Kishte ndërruar rrobat që i kishte në çantën që mbajti për herë të fundit në dorë, kishte veshur një fustan blu si qielli të cilit iu dorëzua dhe na detyroi të kthenim sytë nga ajo, vetëm kur vdiq. Me një çmim aq të lartë, sa e meritojmë!

Nga Albertina Jaçe*
*Autorja është studente në vitin e fundit, Fakulteti Ekonomik

Mamaja Perfekte?

Gruaja që bën TRE punë për t’i blerë vajzës rroba firmato

Lacashire, Britani - “Unë kam shumë këpucë”, thotë 15-vjeçarja, Lauren Walsh. “I jam lutur mamit për këto”, vazhdon ajo, “dhe mami më ka thënë që mund t’i vesh gjatë gjithë kohës. Këto këtu (tregon një palë çizme) ishin të shtrenjta, por nuk i kam veshur asnjëherë. Shumicën nuk i vesh fare.”

Lauren shpenzon 600 dollarë në muaj për garderobën e saj të madhe. Ajo që paguan për këto veshje dhe sende të shtrenjta është e ëma e saj, Jackie, e cila është detyruar të bëjë tre punë, si pastruese.

“Tregohem e butë me vajzat”, thotë ajo, “E di se jam e butë, aq e butë sa të tjerët do të thoshin ‘thuaji jo’, por unë nuk mundem”. Sipas saj, “nëse i ke, pse mos ta shpenzosh”?
Për të vlen më tepër fakti që i bën vajzat e saj të lumtura.

Lauren, nga ana e saj nuk ndihet fajtore, pasi ajo i quan “si para të humbura”. Madje, nuk e di as sa i kushtojnë këpucët, pasi është e ëma ajo që ia blen.

“Ajo m’i blen dhe unë nuk e pyes. Thjesht i them faleminderit. E di që mamaja ime është njeri i butë dhe bie dakord me shumicën e gjërave”, shprehet ajo.

G. Shekulli