Friday, March 26, 2010

Emigrantët manifestojnë në Tiranë

Lidhja e emigrantëve shqiptarë në Itali “Iliria”, ka shpërndarë së fundmi një ftesë, për të gjithë ata që duan t’i bashkohen protestës së tyre në Tiranë, të dielën më 28 mars, para TVSH-së. Qëllimi i protestës është kërkimi i të drejtave të tyre dhe zgjidhje për situatën sipas tyre të mjerë e të bllokuar.

Ndër kërkesat e këtyre emigrantëve janë bërë të ditura:

1. Lëvizjë e lirë e shqiptarëve (heqja e vizave)

2. E drejta e votës për emigrantët në vendet ku jetojnë dhe punojnë

3. Ngritje e pagave minimale të punëtorëve

4. Liri sindikale dhe e drejta e grevës

5. E drejtë pensioni dinjitoz, pune apo social për të gjithë

6. Asistencë shëndetësore falas për të gjithë

Ndërkohë, në mesazhin-ftesë që kjo organizatë emigrantësh jep për t’iu bashkuar manifestimit të tyre, ndër të tjera thuhet: “Më 28 mars ftojmë të gjithë bashkëatdhetarët të dalin të manifestojnë për të drejtat e tyre. Këtë datë nuk e zgjodhëm rastësisht por qëllimisht, sepse duam edhe kësaj radhe të denoncojmë publikisht tragjedinë e Otrantos dhe jo vetëm, ku 13 vjet më parë gjetën vdekjen të paktën 108 shqiptarë.

Ndërsa politikanët bashkë me servilët e tyre janë të vetmit përgjegjës për të gjitha tragjeditë që ndodhën në vendin tonë. Sidomos nuk duhet harruar se nën udhëheqjen e burokratëve të vetëquajtur ‘demokratë’ (Fino, Nano, Meta, Majko, Berisha...), numri i të vrarëve për shkak të marrëveshje antikombëtare, skllavëruese e dizumane (vecanërisht me qeveritë greke e italiane), e kalon shumë herë atë të periudhës së luftës antifashiste e të diktaturës të marra së bashku.

Sot është tragjike kur konstatojmë se krahas atyre vuajtjeve, situata jonë vazhdon të jetë e mjerë dhe se kufiri i Shqipërisë vazhdon të mbahet akoma i bllokuar, duke ngritur një ‘Mur Berlini’ midis emigrantëve dhe familjeve të tyre. Ne duhet ta kemi të qartë se asnjë forcë politike nuk është e interesuar për hapjen e kufirit, por thjesht ta përdorë për qëllime elektorale”.

http://www.gazetavogel.al/read.php?id=50836

Pergatiti: Jonida Salku

Thursday, March 25, 2010

Marrëveshja e fshehtë, Kuvendi miraton sot varrezat e ushtarëve grekë

Kuvendi i Shqipërisë miraton sot "koncesionin" e radhës ndaj Greqisë.

Pas dështimit të "dhurimit" të ujërave tona detare, e djathta në pushtet vendos të përmirësojë imazhin ndaj shtetit grek, duke i dhënë këtij të fundit të drejtën për të ndërtuar në territorin tonë shtetërorë dy varreza për të rënët grekë gjatë luftës së Dytë Botërore.

Bëhet fjalë për ratifikimin e marrëveshjes mes dy qeverive tona për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grek të rënë në vendin tonë gjatë luftës së Dytë Botërore. Mazhoranca e djathtë ka vendosur në mënyrë krejt të fshehtë dhe të papritur që të fusë në rendin e ditës së seancës së sotme plenare edhe këtë marrëveshje, pavarësisht debateve publike që ajo ka shkaktuar në opinionin e gjerë dhe atë politik shqiptar.

Kalendari
Konferenca e kryetarëve në mbledhjen e zhvilluar ditën e hënë ka miratuar kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit, si në komisione ashtu edhe në seancë plenare, ku nder të tjera ka përfshirë edhe projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, të viteve 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Shqipërisë". Nisur pikërisht nga ndjeshmëria që ka një çështje e tillë qoftë në media ashtu edhe në opinionin e gjerë, shumica e djathtë ka preferuar që çdo gjë që ka të bëjë me procedurën legjislative të miratimit të kësaj marrëveshje ta bëjë në fshehtësi. Burime pranë Kuvendit kanë bërë të ditur se disa ditë më parë marrëveshja ka kaluar për miratim edhe në komisionin përgjegjës, atë të Marrëdhënieve me Jashtë, pavarësisht se ajo nuk është njoftuar në sitin zyrtar të këtij institucioni. Por fshehtësia vazhdon deri aty sa institucioni i Kuvendit ka zhdukur edhe procesverbalet e kësaj mbledhje ku është diskutuar kjo marrëveshje. Ndërsa në faqen zyrtare të Kuvendit gjenden thuajse të gjitha procesverbalet e mbledhjeve të tjera të këtij komisioni, diskutimi i bërë për këtë marrëveshje nuk është botuar në faqe, duke ngritur dyshime edhe për qëndrimet e mbajtura nga deputetët në Komisionin e Jashtëm, pavarësisht se në të kanë qenë të pranishëm vetëm përfaqësuesit e shumicës qeverisëse. Misterin për kalimin në fshehtësi të kësaj marrëveshje e bënë më të madh edhe procedura e ndjekur nga Kuvendi për kalimin e saj në seancë plenare. Kështu, ndryshe nga herët e tjera Konferenca e Kryetarëve nuk e ka përcaktuar kalendarin e punimeve tre-javore gjatë javës së shkuar për ta miratuar atë në seancën e shkuar plenare. Kalendari për këtë tre javor është përcaktuar nga Konferenca vetëm ditën e martë dhe tashmë për të hyrë në fuqi duhet të miratohet më parë në seancën e sotme. Një procedurë kjo jo e zakonshme, pasi do duhet që Kuvendi në seancën e sotme të miratojë së pari kalendarin, ku përfshihet edhe rendi i punimeve për ditën e sotme dhe në të njëjtën kohë të zbatojë pikat e tij, ku natyrisht është përfshirë edhe marrëveshja me Greqinë. Vetë fakti i miratimit të kalendarit trejavor ndryshe nga procedurat e zakonshme të bënë të dyshosh se një gjë e tillë është bërë pikërisht për të mbajtur të fshehtë kalimin e marrëveshjes për eshtrat e ushtarëve grek, duke ia vënë atë përpara për miratim deputetëve vetëm në minutat e fundit.

Marrëveshja
Marrëveshja për gjetjen dhe rivarrimin e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në territoret shqiptare gjatë luftës Italo-Greke, pjesë e Luftës së Dytë Botërore, u nënshkrua më 19 nëntor të vitit 2008 në Tiranë, si një kërkesë e vazhdueshme e qeverisë greke. Për hartimin e saj funksionoi për kohë relativisht të gjatë një komision i përbashkët i dy ministrive tona të jashtëm, të cilat siç bëhet e ditur në relacionin shoqërues të projektligjit e rinegociuan atë disa herë dhe për ta përmbyllur vetëm në nëntor të vitit 2008. Por pavarësisht se nënshkrimi i saj mes palëve është bërë që dy vjet më parë, vet reagimi i opinionit publik detyroi qeverinë shqiptare që ta zvarrisë ratifikimin e saj në Kuvend deri në këto momente. Në bazë të kësaj marrëveshje për rivarrimin e ushtarëve grek të rënë në periudhën 1940-1941 do të ngrihen dy varreza, njëra në Këlcyrë të Përmetit dhe tjetra në Gjirokastër. Ekzaminimet e eshtrave që do të vendosen do të bëhen nga një grup ekspertësh të ngarkuar posaçërisht për kryerjen e kësaj procedure. Në to do të jenë numër i barabartë anëtarësh nga të dyja palët dhe do të kenë në përbërjen e tyre ekspertëve të mjekësisë ligjore, ushtarakë dhe historianë, që do të merren me administrimin e eshtrave por edhe të elementëve të tjerë që kanë lidhje me zbardhjen e fakteve historike. Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje e protokolluar nga të dy palët. Një rol në këtë proces do të luajë edhe Kisha Ortodokse Shqiptare, e cila do të administrojë dy vendprehjet e reja të ushtarëve grek, por vetëm në aspektin humanitar të tyre. Po sipas marrëveshjes, pala greke do të mbulojë shpenzimet për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin si dhe do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike dhe infrastrukturën logjistike. Në marrëveshje është parashikuar gjithashtu, që nëse hapësirat e zëna nga varrezat do të përdoren për interesa publike, atëherë pala shqiptare është e detyruar të vërë në dispozicion të palës greke një shesh tjetër të përshtatshëm, si dhe do të mbulojë të gjitha shpenzimet për rivarrimin e eshtrave dhe sistemin e varreve të reja. Gjithashtu, sipas marrëveshjes, është përcaktuar edhe data 28 tetor si dita përkujtimore e të rënëve grekë. "Ceremonitë zyrtare të përkujtimit të personave të rënë në luftë do të organizohen nga përfaqësuesit e Republikës Greke dhe të Republikës së Shqipërisë, çdo vit, më 28 tetor. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të së afërmve dhe miqve të së rënëve", - thuhet në marrëveshje.
Ndërkohë, miratimi i kësaj marrëveshje është kundërshtuar nga qarqe të caktuara shqiptare, të cilat kanë kërkuar që ky koncesion ndaj qeverisë greke duhet të shkonte paralelisht edhe me zgjidhjen e çështjes çame. Madje, vetë shoqatat nacionaliste që mbrojnë çështjen çame i kanë kërkuar zyrtarisht Ministrisë sonë të Jashtme dhe përfaqësisë diplomatike greke në vendin tonë që në shkëmbim edhe shteti grek të lejojë që ky komunitet të ngrejë dy varreza në Greqi.

Pikat e marrëveshjes së nënshkruar:

1. Do të jenë dy varreza në Gjirokastër dhe Këlcyrë.
2. Marrëveshja përcakton se do të ketë ekspertë të mjekësisë ligjore për ekzaminimet e eshtrave që do të varrosen
3. Numri i anëtarëve të komisioneve të përbashkëta do të jetë i njëjtë për të dyja vendet.
4. Pjesë e komisioneve do të jenë edhe ushtarakë e historianë, të cilët do të zgjidhin në mënyrë të përbashkët dhe do të zbardhin çështje që kanë nevojë për njohjen e fakteve historike.
5. Skeletet që do të nxirren do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje e protokolluar nga të dyja palët.
6. Ceremonitë zyrtare të përkujtimit të personave të rënë në luftë do të organizohen nga përfaqësuesit e Republikës Greke dhe të Republikës së Shqipërisë, çdo vit, më 28 tetor.

Fejzi Braushi, Shekulli,

Gjendja mjerane e medias shqiptare

Historia e këtyre 20 vjet pluralizëm në Shqipëri përveç progresit natyral që ka sjellë në shumë fusha të shoqërisë, ka prodhuar për fat të keq dhe një shoqëri të ndarë.

Kjo ndarje ose fragmentarizim po ecën me ritme të shpejta duke u përhapur si një infeksion në shumë sfera të shoqërisë. Jo në pak raste etiketojmë njëri-tjetrin edhe ne biseda të rëndomta, “ ai demokrati’’ “ socialist”, “I majte” I djathtë”, “nanoist”, “berishian”.

Edhe ne ligjëratat e liderëve politikë i ndeshim shpesh etiketime të tilla që i shërbejnë pikërisht thellimit të kësaj ndarjeje. Vetëm 6 muajt e fundit e kemi dëgjuar me qindra herë togfjalëshin “populli opozitar”.

Është vështirë si të kuptosh sesi mund të ndahet populli në opozitar dhe jo-opozitar.

Nga ana tjetër, ajo që është më shqetësuese në këtë situatë është gjendja e medias shqiptare.
Të gjithë ne jemi dëshmitarë të pasqyrimit që i kanë bërë televizionet më të mëdha në vend situatës së përmbytjeve në zonën e Shkodrës. Në një televizion, banorët e prekur nga përmbytjet, ishim shumë optimistë nga situata, të kënaqur në maksimum nga përkujdesja e qeverisë dhe e strukturave shtetëroren ndaj tyre, ndërsa në televizionin tjetër situata është katastrofike, banorët të revoltuar në kulm nga mungesa e dorës së shtetit. Reporterët e televizioneve që kishin hyrë në garë me njëri-tjetrin kush të bëjë “stand up” më të mirë, e zbatuan me përpikëri të admirueshme orientimin e shefave dhe pronarëve të tyre për pasqyrimin e situatës.

Në një televizion gazetari raportonte duke pasur në sfond një fushë të përmbytur që dukej si liqen ndërsa në televizionin tjetër raportimi bëhej duke pasur në sfond një situatë krejt ndryshe, pa përmbytje.
E gjithë kjo situatë dezinformimi ishte në shërbim të një klientelizimi që ka mbërthyer median shqiptare dhe që sa vjen bëhet edhe më e padurueshme. Publiku shqiptar dëgjon, shikon dhe lexon çdo ditë interpretime diametralisht të kundërta të deklaratave që bëhen nga përfaqësues të faktorit ndërkombëtar rreth situatës politike në vend. Një ambasador sipas “x” televizioni , ka thënë “se kutitë duhet të hapen”, ndërsa po ta shikosh kronikën në televizionin “Y”, po i njëjti ambasador ka thënë se “kutitë jo vetëm që nuk mund të hapen, por opozita po bën shumë gabim që qëndron jashtë parlamentit”.
Edhe pasqyrimi i situatës ekonomike nuk bën dallim. Shqiptarët dëgjojnë çdo natë në edicionet e televizione kryesore sesi “hynë e dalin nga kriza” brenda pak minutash. Sipas kronikës së x televizioni, gjendja ekonomike është shumë e rëndë, shqiptarët po varfërohen çdo ditë, listat e borxhlinjve vetëm zgjaten, qeveria nuk ka para për të paguar pensionet dhe pagat”, ndërsa nga ana tjetër situatë është krejt ndryshe. Qeveria do rrisë pagat dhe pensionet, investimet do rriten, performanca e mbledhjes së ta ardhurave është në maksimum, eksportet janë dyfishuar , etj”.

Po si ka mundësi more?!

Si mund të deformohet në këtë mënyrë ligjërata e një përfaqësuesi diplomatik. Si mund të keqinformohet publiku në këtë mënyrë?! A ka kufi kjo papërgjegjshmëri e medias shqiptare?!
Kjo gjendje më solli ndërmend një histori që më tregoi një miku im dhe që më bëri shumë përshtypje. Dikur në një vend jetonte një pasha që kishte në zotërim një vilajet të tërë dhe ishte shumë i pasur. Sarajet e Pashait ruheshin nga një qen shumë i fuqishëm që nuk lejonte këmbë njeriu të afrohej. Disa njerëz që ia kishin vënë syrin pasurisë së Pashait filluan të mendojnë rrugët për t’u futur në sarajet e tij dhe vendosën që të zgjidhin fillimisht problemin e qenit. Keqbërësit u ndanë në dy grupe dhe u pozicionuan në dy kodra që qëndronin përballë njëra-tjetrës. Më pas filluan që t’i binin daulles me radhë. Qeni i shkretë që dëgjonte zhurmën e daulles vraponte sa në njërën kodër, në tjetrën. Kështu vazhduan deri sa i “nxorën shkumën” qenit i cili nga lodhja ngordhi. Më pas rruga për të plaçkitur sarajet ishte e lirë. Tani nuk dihet sesa do rezistojë publiku shqiptar, por një gjë është shumë e qartë, daullexhinjtë në të dy kodrat përkarshi janë shumë të vendosur ta vazhdojnë lojën e tyre deri në fund.

T’i bësh gropën vetes...
Një situatë e tillë e medias përveç se po thellon fragmentarizmin dhe krijimin e një shoqërie të ndarë në kuptimin e plotë të kësaj fjale, po i sjell një dëm të pariparueshëm vetë medias. Kjo ka çuar në humbjen plotësisht të besueshmërisë ndaj medias në përgjithësi. Kategoritë që konsumojnë produktin mediatik tashmë janë ndarë sipas bindjeve politike dhe për atë kategori që nuk bën pjesë në asnjë grup militant, nuk ekziston më asnjë alternativë serioze informimi. Duke qenë se zhvillimi i shoqërisë, dalja nga tranzicioni, konsolidimi i demokracisë do të sjellë gradualisht zgjerimin e kësaj kategorie asnjanëse, rrjedhimisht media në Shqipëri po i “bën gropën” vetes. Media tani ka hequr dorë nga krejtësisht roli i saj informues dhe artikujt e gazetave apo kronikat televizive nuk ndërtohen më duke pasur parasysh interesin e publikut, por thjesht interesin e pronarëve të medias dhe tekat e ndonjë politikani. Nga ana tjetër shikon gjithmonë e më pak hapësirë në median shqiptare për kulturën, librin e vlerat kombëtare. Vendin e tyre e kanë zënë diskutimet mbi realiti shou që përveç se degjenerim nuk sjellin asnjë vlerë emancipuese për shoqërinë. Gjithkush nga që do të shfletojë faqet e gazetave këto ditë do të vërë re se ato janë të mbushura me diskutime mbi “homoseksualitetin”. Fenomeni modernitetit fals ka përfshirë të gjithë, që nga njerëzit më të thjeshtë e deri të ata që pretendojnë se janë opinionbërës në këtë vend. Në këtë situata duhet të ketë një pikë kthese që për ecurinë e medias shqiptare. Kjo pikë kthese nuk vjen as duke thënë se “shteti e ka fajin” që nuk ofron fonde për median, as duke importuar nga CNN apo BBC gazetare e reporterë që do ta bënin zanatin më mirë. Problematika i ka rrënjët shumë më thellë, ҫka e bën dhe zgjidhjen shumë të vështirë dhe komplekse.

Për sa kohë informaliteti do të jetë i ulur këmbëkryq në median shqiptare, për sa kohë transparenca të mungojë, për sa kohë pronarët e medieve të vazhdojnë të mëkohen nëpërmjet kanaleve të paligjshme nga politikanët shqiptare dhe për sa kohë OJQ dhe grupimet e gazetarëve do të shërbejnë për të punësuar gazetarët e papunë dhe për të rrëmbyer ndonjë fond nga ndërkombëtarët, kjo gjendje nuk ka gjasa të ndryshojë.

Erlis ÇELA, Start

Fantazmat, shpjegimi shkencor i jetës pas vdekjes

Fizikani Hamington krijoi teorinë më 1985. Teoria mbështetet mbi teoritë e Ajnshtajnit.

Në gjuhën e përditshme, në folklor dhe në historitë që na tregonin kur ishim fëmijë, fantazmat paraqiten si qenie gjysmënjerëzore e në shumicën e rasteve të këqija, që kërkojnë medoemos të bëjnë keq.

Në kulturën evropiane kryesisht, fantazmat pasqyrohen si diçka mbinatyrore, ku njerëzit e vdekur teksa kalojnë në botën tjetër, lënë pas stigmën e tyre, duke na u kthyer në makthe. Në shumë vende të botës raportohen përditë raste kur njerëzit shohin fantazma, e shumë prej tyre regjistrohen falë teknologjisë. Pyetja që gjithnjë ka shqetësuar njerëzit në të gjithë botën, madje edhe ata që besojnë se ekzistenca e fantazmave është e pavërtetë, është:
A ka shpjegim logjik të ekzistencës së fantazmave?

Vitet e fundit, fizikanë të njohur në fushën e tyre janë përpjekur ta vendosin në baza shkencore dilemën shekullore të njerëzimit mbi ekzistencën e fantazmave, duke ngritur hipoteza të ndryshme mbi ekzistencën e tyre. Njëri prej shkencëtarëve më të mëdhenj që është marrë me studimin e jetës pas vdekjes, e si pasojë edhe me fantazmat, është fizikani Methiu Hamington, sa i mirënjohur në botën akademike kanadeze për fushën e fizikës, po aq edhe i dyzuar. Hamington propozoi në vitin 1989 teorinë e tij të quajtur “përmbajta dhe materiali”, ku shpjegonte në aspektin filozofik dhe fizik ekzistencën e një forme të re jete pas vdekjes, atë të cilën ai e pagëzoi me emrin “ghosts”, pra fantazma.
Në këtë teori ai shpjegon se fantazmat nuk janë qenie, por ato janë thjesht valë elektro-magnetike të shkëputura nga trupi i njeriut të vdekur, e që më pas bëhen të dukshme për syrin e njeriut vetëm në kushte të caktuara.

Teoria e tij u mbështet nga shumë personalitete të njohura të botës akademike kanadeze, si edhe u kundërshtua me forcë nga shumë të tjerë. Gjithsesi, në rast se hipoteza e ngritur nga Hamington vërtetohet, atëherë do të kemi të bëjmë me një mënyrë të re të të parit të jetës dhe të vdekjes.

Teoria e Hamington

Në teorinë e tij, Hamington shpjegon nga ana shkencore fazën e vdekjes së njeriut. Hamington arriti të vërtetonte se njeriu në çastin që vdes lëshon nga trupi një sasi shumë të madhe valësh elektromagnetike, të cilat ikin menjëherë me një shpejtësi marramendëse.

Për më shumë, krahas valëve elektromagnetike njeriu lëshon edhe rrezatime, të cilat përfundojnë me ftohjen totale të trupit. Nga ky vërtetim, Hamington arriti në përfundimin se brenda njeriut ekziston një “depozitë valësh elektro-magnetike, të cilat janë aq të njëtrajtshme, sa bashkëveprojnë në harmoni të plotë ndërmjet tyre dhe veprojnë si një trup i vetëm në lidhje me jashtë”.
Këtë paketë valësh elektromagnetike Hamington e paralelizoi me nocionin e shpirtit, duke iu përafruar mendimit të Ajnshtajnit se brenda njeriut ekziston një mekanizëm lëvizës, që është trupi dhe një energji që e vendos në punë këtë mekanizëm, që është shpirti.
Në këtë mënyrë, Hamington arriti në përfundimin e tij, që deri më tani është thjesht një hipotezë, se shpirti i njeriut nuk është pjesë e trupit dhe nuk formohet nga bashkëveprimi i lëndëve organike, por është një grupim valësh elektromagnetike, të cilat veprojnë së bashku deri në fund të materies, trupit, e që më pas me vdekjen e njeriut, ato largohen po si një trup i vetëm. Teoria e Hamigton ecën edhe një hap më tutje, duke cilësuar trupin si një robot, çka do të thotë se trupi është thjesht materia, e cila nuk ka në vetvete asnjë mënyrë funksionimi, pa pasur energjinë që i duhet. Këtë energji, Hamington e quan shpirt dhe e cilëson si atë “forcë që e vendos në punë robotin, që quhet trup i gjallesës”.

Pra, Hamington shpjegon se truri i njeriut, i cili më pas urdhëron të gjithë pjesën tjetër të trupit, është si një kompjuter që i nevojitet energji elektrike për të funksionuar, rol të cilin e luan shpirti. Teoria e Hamington sugjeron se vdekja nuk është përfundim, por thjesht një ndarje e pashmangshme e materies nga energjia, pra e trurit nga shpirti. Veçse në ndryshim nga filozofia teologjike, fizikani Hamington supozon se shpirti i njeriut është i materializuar në një trup të përbashkët valësh elektromagnetike që shpërndahen të lira në tokë, por veçse ato nuk mund të duken, pasi ndërveprimi mes tyre është i tillë, që i ndalon të bëhen të dallueshme.
Thënë ndryshe, sipas Ajnshtajnit, këto valë udhëtojnë në një tjetër plan nga ai që ne jemi. Në disa raste, për shkak të bashkëveprimit ndërmjet një trupi dhe këtyre valëve, në mënyrë aksidentale, Hamington shpjegon se valët bëhen të dukshme, në formën që ato mbanin më parë, pra në formën e ngrohtësisë së trupit që mbulonin, çka do të thotë se bëhen të dukshme në formën e trupit të njeriut të vdekur.
Kjo, sipas Hamington mund të ndodhë vetëm në disa kushte të posaçme, të cilat mundësojnë daljen nga plani ku janë i këtyre valëve dhe përfshirjen e tyre në planin ku ndodhen trupat njerëzorë. Ekzistencën e këtyre substancave, të pandërgjegjshme, që quhen fantazma sipas popullit, apo shpirt sipas Hamington, e ka pranuar edhe Ajnshtajn i cili në kohën e krijimit të teorisë së planit të bashkuar, ka thënë që në rast se një trup udhëton në planin e bashkuar, për të përfunduar në destinacion sa më shpejt do të mund të çmendej nga takimi me ndërgjegjen e qenieve që kanë jetuar përpara atij.

Kjo mendohet se është edhe arsyeja pse marinarët e eksperimentit “Filadelfia” u çmendën pas realizimit me sukses të provës për zhdukjen e tyre dhe rishfaqjen rreth 500 kilometra më tej.

Në këtë mënyrë, Hamington sqaron në teorinë e tij, se fantazmat që shpeshherë janë bërë objekt i shqetësimit njerëzor, nuk janë asgjë tjetër veçse valë elektromagnetike, që përmbajnë në vetvete tronditjen e fundit të njeriut, pra emocionet në çastin e humbjes së jetës.

Kjo teori kundërshton faktin se fantazmat mund të ecin, apo të jenë të veshura, por mëshon drejt ekzistencës së formave antropomorfe të valëve elektromagnetike, që janë thjesht nxehtësia e trupit dhe emocionet e njeriut në prag të vdekjes. Këtë pikë Hamington e arsyeton duke thënë se njeriu në çastin e vdekjes pëson një tronditje të madhe, që i krijon një farë amnezie, nëse do ta emërtonim me terma mjekësorë dhe e vetmja gjë që ngelet nga shpirti i tij nuk është memoria, por emocioni i fundit.

“Hampt Palas”, aty ku u pa Mbretëresha Xhejn dhe Henri i Tetë.

Shumë raste të shfaqjes së qenieve që u përngjanin fantazmave janë raportuar dhe janë filmuar nga kamera. Njëri prej rasteve më të shumëpërfolura është ai i “Hampt Palas” në vitin 2003, kur pas shumë thashethemeve për praninë e një fantazme në këtë pallat, u vendosën kamera të sigurisë, të cilat vërejtën lëvizjen e një dritëhijeje e cila hapi një derë. Në realitet, në dhomën ku u hap dera ishte njëri prej rojeve, i cili duke qenë se nuk pa asgjë të çuditshme e mbylli sërish derën. Kamerat vazhduan të tregojnë se fantazma doli sërish nga dhoma duke u zhdukur një herë e përgjithmonë. Thashethemet e përhapura në këtë kështjellë mbretërore në Angli kishin të bënin me një mbretëreshë. Mbretëresha Xhejn Sejmur lindi Princin Eduard, i cili më pas u bë Mbreti Eduardi i Gjashtë në “Hampt Palas” në vitin 1537. Ajo vdiq 12 vjet pas lindjes të së birit, e prej andej janë raportuar shumë raste të ekzistencës së një fantazme në këtë kështjellë. Për më shumë, në të njëjtën kështjellë u arrestuan në vitin 1542 Mbretëresha Katerina Houard dhe sipas gojëdhënës, ajo kërkonte duke bërtitur nga Henri i Tetë që ta shpëtonte teksa po dërgohej për në gijotinë. Shumë herë është përfolur për një ulërimë të tillë në shkallët e kështjellës. Gjithashtu thuhet se mund të ketë qenë edhe vetë Henri i Tetë, apo konkubina e tij, An Bolejn. Në dhjetor të vitit 2003, u transmetua nga kanali CCTV një video e regjistruar në tetor të të njëjtit vit nga një kamerë sigurie në kështjellën në fjalë. Në këtë video mund të dallohet pamja e një figure të çuditshme, që shkonte drejt një dere të brendshme të kështjellës, e cila hapi derën dhe u fut brenda, por doli menjëherë sa pa një njeri. Ai ishte roja i cili deklaroi se dera u hap vetiu, pa asnjë forcë që ta shtynte dhe për këtë u çua që ta mbyllte. Në të njëjtën periudhë, në librin e përshëndetjeve të pallatit u shkrua nga një femër se “pashë diçka të çuditshme që ecte drejt meje, por nuk qe njeri, qe si një dritë e hollë në formë njeriu. Nuk e shpika, është e vërtetë”. Ndërkohë, një foto e publikuar në Krishtlindjet të atij viti, pasqyronte një femër të tejdukshme në cep të fotografisë. E pyetur për këtë, shoqëruesja e kështjellës, Viki Uds, tha se nuk dinte se çfarë ishte ajo pamje dhe se kush e kishte bërë, por ditë më vonë u vërtetua që fotografia ishte e publikuar nga njëri prej rojeve të kështjellës dhe se asaj nuk i ishte bërë asnjë përpunim kompjuterik.

Pse fantazmat më të shumta janë raportuar në Nju Orleans?

Një shpjegim shkencor i asaj që është konsideruar përherë si e pashpjegueshme i japin tashmë shkencëtarët, mbështetës së teorisë së Hamitgon, faktit që qyteti më i përfolur për fantazma në botë është Nju Orleans. Në këtë mënyrë, ata supozojnë se qyteti i Nju Orleansit është qyteti me më shumë fantazma, për faktin se vetëm aty ato mund të dallohen. Lagështia e qytetit e bashkuar me faktin se Nju Orleans ka një radioaktivitet të madh në krahasim me qytetet e tjera të Shteteve të Bashkuara të Mareikës, sjell që valët elektromagnetike të cilat sipas Hamington janë shpirti, të bëhen të dukshme dhe të dallohen nga të gjithë njerëzit.

Kjo teori i ka dhënë një shtysë më të madhe kërkuesve të fantazmave, të cilët prej vitesh janë mbledhur në qytet për të fotografuar një fantazmë. Në shumë raste ata ia kanë arritur, duke u kthyer në “ghostbusters” të vërtetë.

Standart

Wednesday, March 24, 2010

Ja 25 “boksierët” e politikës shqiptare

13 rastet që salla e Kuvendit ka zëvendësuar parketin e ringut të “Asllan Rusit”.

Kur Kuvendi kthehet në arenë boksi, të gjitha sherret në pesë vitet e fundit.

Përveç rastit që politikanët tanë janë unikë në mosgjetjen e konsensusii ata shquhen dhe për një fakt tjetër që ka të bëjë me përdorimin e forcës fizike. Në 20 vitet e fundit, janë të shumta rastet kur të zgjedhurit e popullit në Kuvend kanë treguar muskujt ndaj njëri-tjetrit. Rasti i fundit i grushteve mes deputetëve Gent Strazimiri dhe Gazmir Bizhgës është i fundit në listën e gjatë të konfrontimeve fizike të parlamentarëve shqiptar. Në pesë vitet e fundit janë më shumë se 10 shkëmbim grushtesh mes deputetëve.
28 korrik 2006 Meta-Legisi kundër Topallit

Sherret Në Shqipëri ka 15 vjet që sporti i boksit është rikthyer ligjërisht. Por më shumë se në ringjet e pallateve të sportit, këtë sport e kemi parë të ushtrohet në sallën e Parlamentit. Në afro 50 seanca të zhvilluara gjatë kësaj legjislature, sytë e gazetarëve kanë parë live gjashtë ndeshje të mrekullueshme boksi mes deputetëve. Ndeshje, të cilat do t’i kishte zili çdo boksier shqiptar, për të mos thënë dhe të huaj. I pari që e ka hapur kampionatin në këtë lloj sporti parlamentar, ka qenë çifti Dedja-Pone. Ndeshja pati kontestime nga ana e mazhorancës, të cilët sugjeruan që sfidanti Dedja duhet të kish zgjedhur një kundërshtar me imunitet deputeti. Pasditen e atij dhjetori të ftohtë, zëvendësministri Ferdinat Pone sigurisht që do i jetë dukur e hidhur shuplaka e deputetit Taulant Dedja. Për këtë arsye ai vendosi ta çonte çështje deri në gjykatë. Ndërsa Dedja ende i nxehur, dy ditë më pas në Elabsan, deklaronte para zgjedhësve të tij, se nëse do e ofendonin përsëri nuk do t’ia kursente Pones dhe faqen tjetër.Rasti i dytë, ai mes Nard Ndokës dhe Blerim Çelës ndodhi pa shumë zhurmë, pasi askush nuk mendonte se mes deputetëve të mazhorancës lejoheshin sherret. Por ja që ndodhi, madje në mes të sallës së Parlamentit. Deputetët nuk i përdorën grushtet, por vetëm disa stile të mundjes klasike, pasi menjëherë ka ndërhyrë në rolin e arbitrit Bamir Topi. Rasti i tretë mes dy deputetëve, Ndriçim Babasi të PD-së dhe Taulant Balla të PS-së është padyshim ndeshja me e bukur e boksit në parlament. Kjo për faktin të deputetët ishin të dy të rinj dhe ngjarja u komentua nga më të vjetrit si pagëzimi me grushte për jetën politike të dy të rinjve. Por Balla, i cili shquhet për rrëmujë në Parlament, këtë radhë ngeli pak mbrapa pasi nuk arriti të kundërpërgjigjej. Ndërsa Babasi u këshillua nga deputetët e mazhorancës të përsoste pak gjuajtjet gjatë 15 ditëve përjashtim që mori nga Kryetarja Topalli. Rasti i katërt mes zëvendëskryeministrit Rusmajli dhe Ben Blushit u konsumua pa bujë larg syve të publikut. E kanë sfiduar njëri- tjetrin fillimit me fjalë dhe më pas nuk kanë hezituar të masin dhe forcat. Sekretari politik i PS-së, Blushi, mësohet se veç fjalëve di të përdorë shumë mirë edhe këmbët. Rasti i pestë mes socialistit Paulin Sterkaj dhe demokratit Fatos Hoxha, nga deputetët e tjerë komentohet si ndeshja më e ashpër për këtë legjislaturë. Për disa minuta dy deputetë kanë shkëmbyer grushte profesionistësh në korridoret e Parlamentit, pa u shqetësuar nga askush. Ndërsa rasti i fundit i kampionatit të boksit parlamentar është mbyllur në mënyrë të denjë. Fati këtë herë ka vënë përballë një ministër të Qeverisë Berisha, Jemin Gjanën dhe një ish-ministër të Qeverisë Nano, Blendi Klosi. Edhe pse i zënë me telat e kompjuterëve, Klosi nuk ka përtuar ta godasë ministrin Gjana. Ndërsa ky i fundit, duke u kujtuar për postin që mban është mjaftuar vetëm me ofendime. Ndërkohë seri i fundit ka ndodhur vetem katër ditë më parë mes deputetëve Gazmir Bizhga dhe Gent Strazimiri.

20 Dhjetor 2005 Ndoka-Çela

Grushte nuk shkëmbehen vetëm mes kundërshtarëve politike, por dhe aleatëve, sidomos kur bëhet fjalë për paratë e partisë. Gjatë një seance në Parlament, kur sapo Qeveria u kish hequr partive të vogla financimet për fushatën elektorale, deputeti reformator Nard Ndoka dhe hartuesi i ligjit të financimeve, deputeti i PD-së Blerim Çela janë përshirë në një sherr mes tyre. Deputetët nuk arritën të qëlloheshin por vetëm matën forcat në një stil mundjeje klasike.

16 Shkurt 2006 Babasi-Balla

Padyshim që të rinjve u zien gjaku në vena dhe fakti që janë deputetë nuk i ndalon të tregojnë shpirtin sportiv. Sigurisht që fyerjet i përdorin në një zhargon më modern, por grushtet ngelen gjithmonë njëlloj. Deputeti i PD-së, Ndriç Babasi, i kapur mat teksa votonte me dy karta në Parlament, ka menduar të dalë nga situata duke qëlluar mbi atë që thërriste “kapeni mashtruesin”. Babasi i tregoi Ballës së një grusht në fytyrë është shpërblimi për ata që denoncon kolegun.

22 Shkurt 2006 Blushi-Rusmali

Mbahen si dy më intelektualët e forcave politike dhe i kanë çuditur të gjithë. Por ja që edhe Ben Blushi dhe Ilir Ruslajli nuk iu kanë mbajtur nervat. Pasi janë sharë mirë e mirë me fjalë, ia kanë nisur betejës me të shtyra dhe me grushtet. Madje Blushi ka menduar të vërë në përdorim dhe këmbët, për ta rrëzuar kundërshtarin. Natyrisht askush nuk ishte fitues dhe askush humbës, por që të dy lanë një shije të keqe për natyrën dhe formatin që kanë.

23 Shkurt 2006 Sterkaj-Hoxha

Ushtarakët sigurisht që janë më të përgatitur fizikisht sesa deputetët e tjerë intelektualë. Ish-oficeri, komandanti i grupit të gatshëm, tani deputet i PS-së Paulin Sterkaj, tashmë është i justifikuar ndaj selisë rozë për ndonjë pëllëmbë që u ka dhënë militantëve në 1996. Sterkaj ka treguar se fare mirë mund të bënte pjesë në ringun profesionist të kombëtares, pas një dyluftimi të denjë me ish-oficerin Fatos Hoxha.

23 Shkurt 2006 Klosi-Gjana

Kabineti i Qeverisë nuk ka vetëm ministra simpatikë, siç thotë vetë Berisha, por edhe shumë energjikë. Këtë e ka vërtetuar Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, i cili nuk hezitoi ti maste forcat dhe me rioshin e PS-së, Blendi Klosi. Ky i fundit u ndje i shqetësuar nga Gjana, teksa po “kujdesej”, për sistemin elektronik të aparaturave të Kuvendit. Në fund sherri u la përgjysmë, pasi Klosi i kushton më shumë vëmendje elektronikës.

Shkurt 2006 Sherr masiv

Një ndër debatet më të ndezura që përfundoi në dhunë fizike mes deputetëve, u bë gjatë muajit shkurt 2006, në lidhje me tabelën elektronike që tregon prezencën dhe votimet. Opozita pretendonte se tabela elektronike ishte tejet e amortizuar dhe kishte nevojë për restaurim, pasi nuk i tregonte se si kanë votuar deputetët. Ky debat e mbajti të mbërthyer Parlamentin për një muaj dhe degradoi në sharje dhe grushte mes deputetëve.

Mars 2006 Gjinushi-Topalli-Olldashi

Një sherr i madh është bërë edhe nga kreu social-demokrat Skënder Gjinushi kundër Kryetares se Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kundër deputetit demokrat Sokol Olldashi. Gjinushi që njihet për ironinë e tij therëse, nuk i mbajtën më nervat gjatë një replike me Sokol Olldashin dhe iu drejtua këtij të fundit me fjalë shumë të ashpra dhe ofenduese. Po me një gjuhë ofenduese ai u drejtua edhe Kryeparlamentares.

28 korrik 2006 Meta-Legisi kundër Topallit

Një sherr që ka hyrë në historinë në Parlamentit shqiptar është ai i LSI-së për anëtarin e KQZ-së. PD nuk pranoi ti jepte anëtarin e KQZ-së, LSI-së, çka solli një veprim të ashpër të ish-kryeministrit që iu drejtua me fjalë ofenduese kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Por duke mos u ndalur me kaq, kreu i LSI-së tentoi t’i afrohej kërcënueshëm Topallit, por u ndalua nga forcat e Gardës së Republikës. Ndërsa deputeti i LSI-së, Ndre Legisi, u ngjit në podiumin ku qëndrojnë ministrat duke thyer karrige dhe tavolina. Më pas e tërë opozita u irritua, çka solli një sherr masiv që e detyroi mazhorancën të largohej nga salla.

2 tetor 2006 Sherr mes Hysës dhe Rusmalit

Kane qenë replikat e ashpra mes deputetit të opozitës Ndriçim Hysa (deputet i qytetit të Elbasanit) dhe mes zv/kryeministrit Ilir Rusmajli, që ka ndezur sherrin në sallën e Kuvendit.Pasi ka marrë fjalën e tij, deputeti Hysa ka kërkuar që kryeministri i vendit të hetohet dhe ka thënë se e bija e tij, veç të tjerash është edhe pronare e dy vilave ne Gjirin e Lalzit, (zonë e Durrësit). Ai me tej ka renditur një serë arsyesh që sipas tij përbëjnë domosdoshmeri për hetimin e kryeministrit.Por menjëherë pas tij, ka marrë fjalën zëvëndësministri Rusmajli, duke thënë se në Elbasan, thuhet se deputeti i Partisë Socialiste është me aftësi të kufizuar dhe se sipas fjalëve, këtij deputeti i duhet hequr mandati. Kaq është dashur për të ndezur sherrin në Kuvend. Deputetët e Partisë Socialiste janë afruar pranë foltores, aty ku ndodhej edhe zëvendëskryeministri. Me pas seanca është ndërprerë.

29 Shtator 2007 Tom Doshi vs Leonard Solis

Tom Doshi i demokristinëve ka goditur me grushte në kafenë e Kuvendit deputetin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis. Pas incidentit, deputeti Doshi doli nga ambientet e Parlamentit duke mos dhënë asnjë prononcim për incidentin. Nuk janë bërë të njohura shkaqet e incidentit, ndërkohë që mësohet se debati mes deputetëve është i hershëm dhe daton 2-3 vjet më parë. Ndërkaq mendohet se sherri ka lindur pas një shkrimi kritik për PDK të Solisit në një të përditshme.

11 Shtator 2008 Harasani dhe Hysa përplasen me Gardën për misra

Skandali i misrit ka qenë prej ditësh në fokusin e Partisë Socialiste. Për këtë arsye Grupi Parlamentar Socialist tentoi ta përçonte këtë çështje edhe në Parlament. Pas debateve mes deputetit socialist Taulant Balla dhe ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana, dy deputetët e tjerë socialist tentuan të fusnin në arenën e Kuvendit kallinj misri pa kokrra. Por efektivat e gardës në hyrje të Kuvendit nuk i kanë lejuar deputetët të hyjnë në seanca me misrat pa kokrra. Kjo ka sjellë që mes tyre dhe deputetëve socialistë të ketë një konfrontim fizik. Megjithatë deputeti Hysa ia arriti misionit të tij duke hyrë në seancë me kallinjtë e misrit e duke ia “dhuruar” ata kryeministrit, paçka se shefi i qeverisë nuk gjendej në Parlament.

19 Mars 2009 Sherri Bizhga-Strazimiri

Sherri më i fundit në Kuvend ka ndodhur në seancën e vetme që opozita ka marrë pjesë në Kuvend. Në datën 19 mars kur po diskutohej nisma e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, gjatë kohës që po fliste deputeti Igli Cara, kërkon fjalën për replikë Gazmir Bizhga i PS. Në këtë kohë ndërhyn Gent Strazimiri, i cili me fyerje kërkon që Bizhga të mos merrte fjalën. Në këto momente Bizhga niset drejt Strazimirit duke përdorur forcën fizike. Sherri u ndalua nga punonjësit e Gardës të cilët ishin të shumtë të numër.

Korrik 2007 Sherr Balla-Berisha

Sherri më i bujshëm që ka mbet në memorien e shqiptarëve pesë vitet e fundit është ai mes deputetit Taulant Balla dhe kryeministrit Berisha në seancë plenare. Deklarata e deputetit Balla në Kuvend, se vajza e kryeministrit dëshiron të bëhet ministre, ka bërë që kryeministri Berisha të lëshojë një lumë sharjesh në adresë të familjarëve të deputetit Balla, në ndërprerjen e seancës. “Deklarata e vajzës së Godos se kërkon të bëhet ministre i ka futur sherrin ne shtëpi kryeministrit Berisha, pasi dhe vajza e tij ka kërkuar të bëhet ministre”, tha Balla. Ka mjaftuar kaq që kryeministri Berisha të nxehet dhe të fyejë deputetin Balla, i cili i është përgjigjur po me fyerje. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli nuk ka arritur të vejë nën kontroll situatën, ndaj ka ndërprerë seancën.

T. Observer