Monday, May 10, 2010

Serbi, zbulohet varr masiv me viktima shqiptare

Serbia ka zbuluar një varr masiv ku gjenden trupat e pa jetë të rreth 250 shqiptarëve.

Ata besohet se janë vrarë gjatë konfliktit të viteve 1998 - 1999 në Kosovë. Lajmi bëhet i ditur nga Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte.


"Mund të konfirmojmë se është zbuluar një varr masiv", deklaroi Bruno Vekariç, zëdhënësi i Prokurorise. "Sipas llogaritjeve tona 250 trupa janë gjetur në lokacionin në fjalë, që gjendet pranë një qendre tjetër, në të cilën kemi kërkuar dy vite më parë", theksoi Vekariç.

Varri është gjetur në rajonin jugor të serbisë, në Rashkë, edhe me ndihmën e misionit evropian për rend e ligj në Kosovë, EULEX.

Shekulli

Elsa Lila bashkohet me grevën e urisë

Këngëtarja Elsa Lila e cila prej disa vitesh jeton në Itali, ka surprizuar gjithë të pranishmit protestues në fjalën e saj, të cilën e mbylli duke hyrë në grevën e urisë.

“Jam një qytetare ashtu si qindra mijëra bashkëqytetarë të mi. Jam larguar këtej, por kam lënë shpirtin në Shqipëri. Mbrëmë në darkë isha në cadrat e grevës së urisë. Grevistët më dhanë bindjen se ky vend është i destinuar të rilindë, ashtu si do rilindë. Unë e di mirë Shqipëria do bëhet zonjë, ashtu si zonjat e jashtëzakonshme që kanë 9 ditë të ngujuara në liri. Ky bulervard ku ndodhem tani është sot shtëpia e shqiptarëve të ndershëm”, u shpreh Elsa Lila.

Më tëj, nëpërmjet fjalimit të saj, ajo shtoi se Shqipëria është shumë e madhe për të rënë në gjunjë sepse është shumë e madhe për të ndarë majtas e djathas. “Si motër sot dhe si nënë nesër, sot dua t’u drejtohem burrave të fortë të këtij vendi, bëni cfarë të doni por mendoni se cfarë bëni sepse nje popull ka të drejtë të jetojë në liri. Evropa e lirisë dhe e demokracisë ngrihet mbi sakrificat e europianëve mendjendrtitur”, theksoi Lila.

Në fund të fjalës ajo bëri të ditur vendimin për t’u bashkuar me grevistët. “Sot më lejoni të jem një shpirt më shumë në barrikadën njerëzore kundër shurdhërisë. Sot dua të jem një zë më shumë në korin e lirisë. Unë tani po iki do shkoj të bashkohem me grevistët dhe me të gjithë shqiptarët e ndershëm. Që në këtë moment po hyj në grevë urie me dëshirën time të lirë”, tha këngëtarja që ka marrë pjesë edhe në Festivalin e Sanremos.

T. Channel

Video e lajmit: http://www.top-channel.tv/video.php?id=15140

Kushtoi 450 mijë USD, magazina e patateve nuk vihet në punë

Janë instaluar të gjitha pajisjet, por prej tre vjetësh nuk është përcaktuar se kush do ta menaxhojë, ndërsa fermerëve u prishet prodhimi.


Kukës - Kanë kaluar rreth tre vite nga përfundimi i ndërtimit të magazinës e cila ishte planifikuar që të ruajë, pastrojë, seleksionojë dhe paketojë patatet të cilat prodhuesit e saj do i sillnin aty dhe ajo ende nuk është vënë në funksionin për të cilin është ndërtuar. Kjo magazinë është pjesë e një projekti të paraqitur në fillim të vitit 2006 nga GTZ, bashkia dhe ministria e bujqësisë ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit projekt që parashikonte ndërtimin e tregut të fruta-perimeve si dhe atë të magazinës së grumbullimit dhe përpunimit të pjesshëm të patates.

Shkak për këtë mos vënie në punë të magazinës nuk është infrastruktura por mungesa e menaxhimit sepse aty janë instaluar pjesa më e madhe e pajisjeve por nuk është caktuar mënyra dhe personi apo institucioni që do e menaxhojë. Sipas prodhuesve dhe tregtuesve të këtij produkti bujqësor, që në qarkun e Kukësit është karakteristik, mos funksionimi i magazinës sjell një dëm ekonomik pasi po të sistemoheshin aty prodhimet e tyre nuk do të kalbeshin, siç ndodh rëndom për çdo vit.

“Unë dhe familja ime merremi me prodhimin e patates pasi toka jonë vetëm këtë kulturë bujqësore rrit. Si çdo vit tjetër edhe këtë vit mua më janë kalbur të gjitha patatet pasi nuk kemi pasur një vend të duhur për ti ruajtur. Bëhet fjalë për 25 ton prodhim të cilin e kisha futur në gropa por dëbora e madhe që ka rënë ka bërë që ato të kalben. Na patën thënë tre vite më parë që do i qonim patatet në një magazinë por unë se kam parë asnjëherë dhe askush nga zona ime, e Shishtavecit, nuk ka dërguar produktin në fjalë atje” shprehet ky banorë nga komuna e Shishtavecit e cila është e njohur për prodhimin e patates. Ndërsa një tregëtar i cili merret me shitjen e patates thotë se të gjithë fermerëve i janë kalbur patatet dhe tani kur i kanë nxjerrë nga gropat kanë parë që i gjithë prodhimi u është kalbur. “Po të nisesh e të shkosh nga qyteti i Kukësit nëpër të gjitha zonat ku patatja prodhohet sheh se fermerët kanë pësuar një dëm ekonomik si pasojë e kalbjes së prodhimit. Ndaj them që vënia në punë e kësaj magazine është një domosdoshmëri për vetë prodhimin dhe ndihmën që mund tu jepet bujqve që e kultivojnë këtë produkt. Por ajo do na vlente edhe ne sepse kur të shisnim nuk do e mbanim pataten në thasë por në kushte shumë më të mira” vijon më pas ai.

Për ndërtimin e kësaj magazine janë dhënë 450 mijë dollarë, shumë që përbën një investim të madh për një qytet të vogël si Kukësi. Burime konfidenciale të Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Kukës tregojnë se magazina e patateve “hesht” jo për parametra teknikë por për menaxhim, pra nuk është caktuar ende se kush dhe si do ta menaxhojë. Kjo magazinë e ndërtuar në përputhje me kërkesat e tregut të Bashkimit Evropian, ka një kapacitet prej mëse 5 mijë tonësh dhe është llogaritur të furnizojë disa qytete të Shqipërisë dhe një pjesë të Kosovës.

Flutura TOTA, G. Korrieri

Udhëtimi në kohë është i mundur?

Austrofizikanti i njohur Stephen Hawking, doli me një tjetër teori bombastike, pas asaj që kishte të bëje me ekzistencën e “alienëve”.


Kësaj radhe ai sqaron se njerëzit mund të udhëtojnë në kohë!

– Në përgatitje të filmit të tij dokumentar “Universi”, i cili do të shfaqet javën e ardhëshme, ai flet për një temë për të cilën shumë pak është folur realisht nga astrofizikantët. Ai beson se njerëzit mund të udhëtojnë miliona vite kohë në të ardhmen dhe do kenë mundësi ta ripopullojnë planetin Tokë, qe s'do jete gje, vecse nje planet i shkatërruar.

Ai sqaron se në anijet e posaçme kozmike që mund të ndërtohen dhe që do të kenë mundësi të udhëtojnë më shpejt se shpejtësia e dritës, 24 orë qëndrimi në to do të jetë ekujvalente me një vit kohë qëndrimi në tokë.

Sipas Ajnshtajnit, sa më shpejtë që objektet do të lëvizin në hapësirë, aq më shumë ngadalsohet koha rreth tyre, kjo gjithashtu e arsyeton teorinë e Hawking që mund të zbatohet në drejtimin e kundërt, në kohë përpara, shkruan gazeta australiane “News”.

“Udhëtimi prapa në kohë është i pamundur, pasi që në këtë mënyrë do të tentohet të thyhet rregulli themelor se shkaku vjen para pasojës”, shpjegon Hawking.

“Nëse do të mundësohej udhëtimi në kohë (në kohën e ardhshme), një njeri do të kishte mundësi ta vriste ish-veten e tij !
Mendoj se gjërat nuk mund të behët vetëvetiu të pamundura”, thot Hawking.

Kur anijet kozmike do të kenë mundësinë të arrijnë të udhëtojnë me shpejtësinë e dritës, ekuipazhi në to do të fillonë t’i tejkaloj vitet e tokës, duke i dhënë në këtë mënyrë njerëzimit shansin për të rifilluar jetën nga fillimi (pas një shkaterrimi eventual qe mund ti ndodhe tokës).


“Udhëtimi në kohë”, më pare konsiderohej si i pamundur dhe unë nuk preferoja të flisja për këtë, pasi që nuk dëshiroja që më tallnin. Kurse sot, nuk jam edhe aq i kujdesshëm në këtë drejtim”, shprehet astrofizikanti i njohur Stephen Hawking.

BalkanWeb

Sunday, May 9, 2010

Prishtinë, protestë në mbrojtje të shamisë së kokës

Arlinda Zekaj është ndaluar të shkojë në shkollë me shami koke, sipas traditës islame. Zekaj ndjek shkollën e mesme në Ferizaj.



Para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës sot është protestuar në shenjë kundërshtimi me përjashtimin nga shkolla të 16 vjeçares, Arlinda Zekaj. Zekaj është ndaluar të shkojë në shkollë me shami koke, sipas traditës islame. Zekaj ndjek shkollën e mesme në Ferizaj. Protestuesit mbanin në dorë parrullat “Stop diskriminimit” dhe “Mbulimi i mendjes është i ndaluar, jo i kokës”. Kushtetuta e Kosovës i garanton liritë fetare, por nuk lejon shaminë e kokës apo simbolet e tjera fetare në shkollat publike tw cilat konsiderohen laike.

Burimi: http://www.ikub.al/1005070127/Article_Prishtine-proteste-ne-mbrojtje-te-shamise-se-kokes.aspx

Ndiqni videon e protestës: http://www.top-channel.tv/video.php?id=15109