Friday, May 21, 2010

Qeveria shet 14 makina për 6.23 milionë lekë

Qeveria shet me më pak se 4 mijë euro makinën luksoze të tipit “Benz ML”, në një kohë që vlera e saj reale në treg është 12 mijë euro.

Të 14 makinat në pronësi të Këshillit të Ministrave, të vëna në shërbim të këshilltarëve të kryeministrit dhe të punonjësve të departamenteve të këtij institucioni, janë shitur në ankandin e zhvilluar në 26 prill të këtij viti. Vlera totale e shitjes shkon në 6.213.500 lekë të reja për 14 automjete. Për makinën luksoze tip “Benz ML”, fuoristradë, qeveria kishte caktuar si çmim fillestar shumën prej 125.000 lekësh të reja.

Një shifër qesharake po të mendosh se vlera e saj në tregun e makinave shkon më shumë se sa dhjetëfishi i saj. Për këtë makinë ka pasur pesë oferta të ndryshme, ku fitues, sipas vendimit të Komisionit rezultoi Xhovan Saraçi, duke e blerë automjetin në shumën 520 mijë lekë të reja.

Makina “Land Rover Discovery” me targa qeveritare 0026 Z, është blerë nga Petrit Bici në vlerën prej 690.500 lekësh.

“Opel Omega”, simbol i makinave qeveritare për këshilltarët, ka arritur çmimin më të madh të shitjes në 15 milionë lekë të vjetra, më shumë se sa Benzi luksoz.

Kujtim Didi ka bërë ofertën për blerjen e kësaj makine, çka rezulton dhe oferta më e lartë për 7 automjetet e tjera të kësaj marke.

Drejtori i Informacionit dhe Dokumentacionit në Kryeministri, Qemal Sakajeva të njëjtën markë makine e ka blerë në vlerën 130 mijë lekë të reja, në një kohë që shifra fillestare e vendosur në tenderim ishte 125.000 lekë.

Në këtë ankand blerjeje të 14 makinave më i fituar ka qenë Xhovan Saraçi, i cili ka përvetësuar kundrejt shumave të ndryshme tri automjeteve të llojeve të ndryshme; “Hynday”, “Benz ML” dhe “Opel Frontera”.

Për makinën “Hynday Terracan” në garë ka qenë edhe këshilltari politik i kryeministrit, Glori Hysi. Oferta e tij prej 400 mijë lekësh ka rezultuar jo bindëse për komisionin e Vlerësimit të Ofertave. Makina e tipit “Volsvagen Golf” është e dyta që ka pasur shitjen më të madhe prej 950.000 lekësh të reja. Vlera fillestare e vënë ka qenë 75 mijë lekë, ndërsa janë depozituar 3 kërkesa.

Për 14 makinat ka pasur gjithsej 39 ofertues. Persona të njëjtë kanë marrë pjesë në disa tenderime për blerje makinash.

Qeveria më parë nxori projektligj për heqjen e makinave të zyrtarëve të të gjitha niveleve në administratën shtetërore. Ky vendim prekte dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe gjyqtarët. Një vendim i tillë u argumentua me faktin e uljes së shpenzimeve të tepërta që shteti përdorte për transportin e zyrtarëve. Ligji më pas u votua nga Kuvendi, i cili u hoqi automjetet deputetëve, duke u dhënë bonuse në lekë për lëvizjet e tyre me makina.

Por një ligj i tillë u kontestua nga ana e shoqatës së Gjyqtarëve, i cili u ankimua në Gjykatën Kushtetuese.

Bledar Hoti, G. Shqiptare

Kjo është një tallje në qiell të hapur, sepse sigurisht në ankand marrin pjesë njerëz të përzgjedhur që i marrin makinat për dy lekë. Përse ky ankand të mos ishte i lirë për të gjithë qytetarët dhe kështu edhe arka e shtetit do të përfitonte më tepër?
Sigurisht që ky quhet dhurim dhe jo shitje në ankand, por një tjetër pyetje të lind rishtazi : A e paguan këta zotërinj taksën e re të ndërrimit të pronësisë? (S.I)

Rama-Berisha, darka e Strasburgut pa rezultat. BE:Ju lëmë 2 javë kohë

"Darka e fundit" dhe më e gjata mes kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama, në Strasburg me praninë e zyrtarëve të lartë të Parlamentit Europian dhe Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka zgjatur tej parashikimeve dhe pa asnjë rezultat. E nisur rreth orës 20:45 në restorant "Krokodili" në Strasburg, palët kanë negociuar deri në orën 02.00 të mëngjesit.


Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i opozitës, Edi Rama, kane qenë të parët që dolën mbrëmë pas mesnate, ndërkohë që zyrtarët e lartë të PE-së kanë qëndruar bashkë edhe për 15 minuta të tjera, për t'i dhënë klasës politike shqiptare plot dy javë kohë në gjetjen e një kompromisi. Pikërisht këtë ka deklaruar pas darkës, edhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle.


Në një deklaratë për mediat, Fyle ka deklaruar së ka ende shumë punë për të bërë dhe se klasës politike shqiptare do t'i jepet dy javë kohë për gjetjen e një kompromisi. Për pasojë, sot nuk priten më negociata në Strasburg. Kryeministri Sali Berisha kthehet sot në Tiranë, ndërsa kryetari i PS-së do të kthehet nesër.


Darka
Takimi midis përfaqësuesve kryesorë të forcave politike shqiptare, Kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama me ata të Parlamentit Europian për të zgjidhur krizën politike ka nisur mbrëmë rreth orës 20:45 në hotelin "Krokodili" të Strasburgut. Fillimisht, në orën 20:20 në këtë hotel ka mbërritur kreu i opozitës, Edi Rama, i cili ka qenë i shoqëruar nga deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi.


Në po këtë orë kanë mbërritur nënkryetari i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, kreu i grupit parlamentar të socialdemokratëve në PE, Martin Schulz, komisioneri për Zgjerimin Europian, Stefan Fyle, drejtori për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, Piere Mirel. Përfaqësuesit e opozitës shqiptare dhe ata të Parlamentit Europian kanë pritur për rreth 10 minuta Kryeministrin Sali Berisha, i shoqëruar nga drejtori i kabinetit qeveritar, Oerd Bylykbashi, si dhe grupi parlamentar demokrat në Parlamentin Europian, i kryesuar nga kreu i Partive Popullore Europiane, Xhozef Daul, si dhe kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan.


Të gjitha palët janë ngjitur në kat të dytë të këtij hoteli, ku janë vendosur në një tryezë të përbashkët, në të cilën u është servirur një ushqim i zgjedhur. Por, përpos menysë së përzgjedhur, Rama dhe Berisha në prani të faktorit ndërkombëtar kanë negociuar gjatë gjithë natës për gjetjen e një kompromisi që ka qenë tepër i vështirë. Të gjithë përfaqësuesit politikë kanë qëndruar në katin e dytë të hotel "Krokodil" në një dhomë të izoluar, ku nuk është lejuar të futet askush përveç personelit.


Ndryshe nga mënyra e komunikimit politik që zhvillojnë në Shqipëri dhe qëndrimit të tyre politik, drejtuesit e forcave politike, Rama e Berisha, gjatë darkës së tyre informale në Strasburg kanë përdorur një gjuhë më të butë komunikimi, duke anashkaluar tonet e larta apo konfliktuale. Hoteli "Krokodil" është emër një historik për europarlamentarët, sepse përveç se ka qenë qendër e takimeve të eurparlamentarëve, në këtë hotel është miratuar më 1984 edhe projekt-traktati i Bashkimit Europian.


Restorant 'Crocodil', ish streha e komunistëve të '80-s

Restoranti "Krokodil" (Le Crocodile) në Strasburg, njihet për menynë e tij "politike", si traditë dhe si ide marketimi. Në 2005, ky restorant e quajti menynë e tij "Zhyl Vern" në kujtim të 100 vjetorit të vdekjes së shkrimtarit të njohur; në 2006 restoranti ofroi "Menynë Amadeus" në përkujtim të 250 vjetorit të lindjes së Moxartit, në 2007, menyja quhej "TGV", me rastin e mbërritjes së trenit të shpejtësisë së lartë në Strasburg; në 2008 dhe 2009, restoranti ofroi menynë me emrin "Europa", me rastin e zgjedhjeve europiane etj.

"Le Crocodile", përveç kuzhinës është i njohur edhe për faktin se ka qenë "selia" (në fillim të viteve '80-të) e mbledhjeve të "Klubit të Krokodilëve", një grup euro-parlamentarësh federalistë, që drejtoheshin nga komunisti Altiero Spinelli.

Monika dhe Emile Yung, drejtojnë këtë restorant që prej vitit 1971. Restoranti ka 15 kuzhinierë të drejtuar nga Laurent Huguet. Veç kuzhinës franceze, ai preferon të servirë pjata të kuzhinës italiane dhe spanjolle, të dyja të njohura për përbërësit e thjeshtë.

Shekulli

Thursday, May 20, 2010

Gjendja mjerane e medias shqiptare

Historia e këtyre 20 vjet pluralizëm në Shqipëri përveç progresit natyral që ka sjellë në shumë fusha të shoqërisë, ka prodhuar për fat të keq dhe një shoqëri të ndarë. Kjo ndarje ose fragmentarizim po ecën me ritme të shpejta duke u përhapur si një infeksion në shumë sfera të shoqërisë. Jo në pak raste etiketojmë njëri-tjetrin edhe ne biseda të rëndomta, “ ai demokrati’’ “ socialist”, “I majte” I djathtë”, “nanoist”, “berishian”.

Edhe ne ligjëratat e liderëve politikë i ndeshim shpesh etiketime të tilla që i shërbejnë pikërisht thellimit të kësaj ndarjeje. Vetëm 6 muajt e fundit e kemi dëgjuar me qindra herë togfjalëshin “populli opozitar”.

Është vështirë si të kuptosh sesi mund të ndahet populli në opozitar dhe jo-opozitar.

Nga ana tjetër, ajo që është më shqetësuese në këtë situatë është gjendja e medias shqiptare. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të pasqyrimit që i kanë bërë televizionet më të mëdha në vend situatës së përmbytjeve në zonën e Shkodrës. Në një televizion, banorët e prekur nga përmbytjet, ishim shumë optimistë nga situata, të kënaqur në maksimum nga përkujdesja e qeverisë dhe e strukturave shtetëroren ndaj tyre, ndërsa në televizionin tjetër situata është katastrofike, banorët të revoltuar në kulm nga mungesa e dorës së shtetit. Reporterët e televizioneve që kishin hyrë në garë me njëri-tjetrin kush të bëjë “stand up” më të mirë, e zbatuan me përpikëri të admirueshme orientimin e shefave dhe pronarëve të tyre për pasqyrimin e situatës.

Në një televizion gazetari raportonte duke pasur në sfond një fushë të përmbytur që dukej si liqen ndërsa në televizionin tjetër raportimi bëhej duke pasur në sfond një situatë krejt ndryshe, pa përmbytje.

E gjithë kjo situatë dezinformimi ishte në shërbim të një klientelizimi që ka mbërthyer median shqiptare dhe që sa vjen bëhet edhe më e padurueshme.
Publiku shqiptar dëgjon, shikon dhe lexon çdo ditë interpretime diametralisht të kundërta të deklaratave që bëhen nga përfaqësues të faktorit ndërkombëtar rreth situatës politike në vend. Një ambasador sipas “x” televizioni , ka thënë “se kutitë duhet të hapen”, ndërsa po ta shikosh kronikën në televizionin “Y”, po i njëjti ambasador ka thënë se “kutitë jo vetëm që nuk mund të hapen, por opozita po bën shumë gabim që qëndron jashtë parlamentit”.

Edhe pasqyrimi i situatës ekonomike nuk bën dallim. Shqiptarët dëgjojnë çdo natë në edicionet e televizione kryesore sesi “hynë e dalin nga kriza” brenda pak minutash.

Sipas kronikës së x televizioni, gjendja ekonomike është shumë e rëndë, shqiptarët po varfërohen çdo ditë, listat e borxhlinjve vetëm zgjaten, qeveria nuk ka para për të paguar pensionet dhe pagat”, ndërsa nga ana tjetër situatë është krejt ndryshe. Qeveria do rrisë pagat dhe pensionet, investimet do rriten, performanca e mbledhjes së ta ardhurave është në maksimum, eksportet janë dyfishuar , etj”.

Po si ka mundësi more?!
Si mund të deformohet në këtë mënyrë ligjërata e një përfaqësuesi diplomatik.
Si mund të keqinformohet publiku në këtë mënyrë?!
A ka kufi kjo papërgjegjshmëri e medias shqiptare?!
Kjo gjendje më solli ndërmend një histori që më tregoi një miku im dhe që më bëri shumë përshtypje. Dikur në një vend jetonte një pasha që kishte në zotërim një vilajet të tërë dhe ishte shumë i pasur. Sarajet e Pashait ruheshin nga një qen shumë i fuqishëm që nuk lejonte këmbë njeriu të afrohej. Disa njerëz që ia kishin vënë syrin pasurisë së Pashait filluan të mendojnë rrugët për t’u futur në sarajet e tij dhe vendosën që të zgjidhin fillimisht problemin e qenit. Keqbërësit u ndanë në dy grupe dhe u pozicionuan në dy kodra që qëndronin përballë njëra-tjetrës. Më pas filluan që t’i binin daulles me radhë. Qeni i shkretë që dëgjonte zhurmën e daulles vraponte sa në njërën kodër, në tjetrën. Kështu vazhduan deri sa i “nxorën shkumën” qenit i cili nga lodhja ngordhi. Më pas rruga për të plaçkitur sarajet ishte e lirë. Tani nuk dihet sesa do rezistojë publiku shqiptar, por një gjë është shumë e qartë, daullexhinjtë në të dy kodrat përkarshi janë shumë të vendosur ta vazhdojnë lojën e tyre deri në fund.

T’i bësh gropën vetes...
Një situatë e tillë e medias përveç se po thellon fragmentarizmin dhe krijimin e një shoqërie të ndarë në kuptimin e plotë të kësaj fjale, po i sjell një dëm të pariparueshëm vetë medias. Kjo ka çuar në humbjen plotësisht të besueshmërisë ndaj medias në përgjithësi. Kategoritë që konsumojnë produktin mediatik tashmë janë ndarë sipas bindjeve politike dhe për atë kategori që nuk bën pjesë në asnjë grup militant, nuk ekziston më asnjë alternativë serioze informimi. Duke qenë se zhvillimi i shoqërisë, dalja nga tranzicioni, konsolidimi i demokracisë do të sjellë gradualisht zgjerimin e kësaj kategorie asnjanëse, rrjedhimisht media në Shqipëri po i “bën gropën” vetes.
Media tani ka hequr dorë nga krejtësisht roli i saj informues dhe artikujt e gazetave apo kronikat televizive nuk ndërtohen më duke pasur parasysh interesin e publikut, por thjesht interesin e pronarëve të medias dhe tekat e ndonjë politikani. Nga ana tjetër shikon gjithmonë e më pak hapësirë në median shqiptare për kulturën, librin e vlerat kombëtare. Vendin e tyre e kanë zënë diskutimet mbi realiti shou që përveç se degjenerim nuk sjellin asnjë vlerë emancipuese për shoqërinë.
Gjithkush nga që do të shfletojë faqet e gazetave këto ditë do të vërë re se ato janë të mbushura me diskutime mbi “homoseksualitetin”. Fenomeni modernitetit fals ka përfshirë të gjithë, që nga njerëzit më të thjeshtë e deri të ata që pretendojnë se janë opinionbërës në këtë vend. Në këtë situata duhet të ketë një pikë kthese që për ecurinë e medias shqiptare. Kjo pikë kthese nuk vjen as duke thënë se “shteti e ka fajin” që nuk ofron fonde për median, as duke importuar nga CNN apo BBC gazetare e reporterë që do ta bënin zanatin më mirë. Problematika i ka rrënjët shumë më thellë, ҫka e bën dhe zgjidhjen shumë të vështirë dhe komplekse.

Për sa kohë informaliteti do të jetë i ulur këmbëkryq në median shqiptare, për sa kohë transparenca të mungojë, për sa kohë pronarët e medieve të vazhdojnë të mëkohen nëpërmjet kanaleve të paligjshme nga politikanët shqiptare dhe për sa kohë OJQ dhe grupimet e gazetarëve do të shërbejnë për të punësuar gazetarët e papunë dhe për të rrëmbyer ndonjë fond nga ndërkombëtarët, kjo gjendje nuk ka gjasa të ndryshojë.

Erlis Çela G. Start

Një foshnjë gjendet e vdekur në spital dhe zëri i femrës shqiptare...

Para disa ditësh në maternitetin e spitalit të Pogradecit poshtë dritares së reanimacionit gjendet e vdekur një foshnjë.

Foshnja u gjet nga personeli i spitalit dhe gjithashtu konfirmohet lajmi se foshnja nuk ka lindur në maternitet, por me shumë gjasa në ambjente shtëpiake. Kjo foshnjë mund të jetë braktisur nga nëna e saj, me shpresën që infermieret ta gjenin dhe të përkujdeseshin për të. Por fatkeqësisht fëmija nuk është gjendur në kohën e duhur dhe kjo braktisje ndaj saj i ka kushtuar jetën krijesës së pafajshme.

Një foshnjë vdes, anonime.

Njëkohësisht mu kujtua antimitingu i disa shoqatave të grave, të drejtuara nga kryetarja e parlamentit, Zonja Jozefina Topalli. Thirrjet e tyre i drejtoheshin E. Ramës, duke e akuzuar atë drejtëpërdrejtë, se ai po përdor dhe gratë ndaj kauzës së tij.

Pak ditë më parë edhe e nderuara, Rajmonda Bulku, në një konferencë për shtyp i ishte drejtuar liderit socialist me fjalët:
"Zoti Rama të futësh në grevë urie nëna me foshnje, gra me përgjegjësi familjare do thotë se në qënien tënde nuk ekziston asnjë ndjesi njerëzore. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat e familjes e fëmijëve. Po të mendosh se çfarë terrori psikologjik krijon tek fëmijët duke i mbyllur nënat në vetëflijim, kjo krijon një dramë, që nuk shërohet". Ndërsa i kërkoi atij ti nxjerrë sa më parë ato nga greva e urisë."

Pra, këto gra si kurrë ndonjëherë, ishin prekur në sedrën e tyre, për ato gra që merrnin pjesë në grevën e urisë.

Si qytetar i këtij vendi, më bën përshtypje fakti se femrat shqiptare e paskan fituar aftësinë të mblidhen e të protestojnë për të mbrojtur dinjitetin e tyre.


Ku është zëri i grave ku sipas statistikave 1 në 4 gra në Shqipëri dhunohen? Ku është zëri i grave kur qindra fëmijë dhunohen, abuzohen, përdoren në rrugë, kur mbi 100 mijë telefonata fëmijët i kryejnë tek numrat ku denoncojnë dhunën? http://www.facebook.com/note.php?note_id=392617416299

Ku është zëri i femrës shqiptare kur 20% e fëmijëve ende rrugëve duke braktisur arsimin e detyrueshëm?

Ku është zëri i këtyre grave, kur në Pogradec një nënë që ka ushqyer fëmijën e saj në bark për 9 muaj, për arsye të ndryshme (pamundësie) detyrohet ta braktisë fëmijën e saj?

Vetëm gratë mund ta kuptojnë pse një nënë braktis fëmijën e saj pas lindjes...

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Wednesday, May 19, 2010

Skandal pedofilie në Lituani

"Shumë lituanezë dhe britanikë kanë filluar një fushatë në internet me anë të cilës i bëjnë thirrje të gjithë botës të mbështesin Daimantelën, vajzën e vogël lituaneze, të shitur nga vetë mamaja e saj, pedofilëve.

Njerezit protestojne kunder vendimit gjyqesor i cili i akordoi te drejten e kujdestarise se vajzes mamase.
Babai i vajzes, i cili u be hero nacional ne fund te vitit 2009, vdiq ne nje aksident te cuditshem para 1 muaji.

“Gjahtari” i pedofilëve

Historia dramatike e femijes e cila arriti te behej e njohur ne fund te vitit te shkuar kur babai i saj, Drasius Kedys shokoi te gjithe boten duke vrare gjakftohtesisht 2 nder personat fajtore per perdhunimin e vajzes se tij.
Ekzekutoi gjithashtu dhe tezen e vajzes , Violeta Naruseviciene, e cila bashke me mamane e vajzes e jepnin kete te fundit te behej viktime e shfrytezimeve seksuale te pedofileve. Drasius Kedys dergoi pothuajse 200 letra dhe po aq DVD me deshmine e vajzes ne te cilen kjo e fundit, deshmonte se ishte agresuar seksualisht nga 3 persona, ndermjet te cileve nje gjykates te quajtur Jonas Furmanaviczius dhe dy burra te tjere.
Provat e deshmise se vajzes se Kedys arriten deri ne Parlamentin Europian, ne shtypin europian, dhe ne te gjitha partite politike ne Lituani, ndersa historia e babait te deshperuar qe kerkonte drejtesi beri xhiron e botes.
Ne nje kohe te shkurter , per te u lirua nje mandat arrestimi nderkombetare pasi akuzohej per vrasjen e gjykatesit dhe tezes se vajzes.

Disa muaj me vone, ne prill te 2010 , “gjahtari” i pedofileve Drasius Kedys, u gjet i vdekur.

Sipas deklaratave zyrtare,burri kishte 0,37% alkool ne gjak dhe kishte vdekur nga i ftohti. Sipas versionit jozyrtar te nje grupi mbeshtetesish te Kedys ne Facebook shprehen se pasi trupi i pajete u gjet 30 km larg qytetit lituanez Kaunas, u dergua ne morg dhe u emertuar si ï paidentificuar. Pas disa ditesh motrat e Drasius identifikuan trupin dhe vune re mbi te shume shenja torture. Ato kerkuan me ngulm qe policia te implikohej me shume ne gjetjen e arsyes se vertete te vdekjes. Drasius ju gjet nje pistolete me te cilen presupozohet te kete vrare viktimat.
Megjithate, trupi i pajete u zhvendos ne morg per tu lene atje nje periudhe i harruar dhe duke vonuar ne kete menyre hapjen e nje ankete.
Shume deshmitare okulare deklaruan se kepucet e Drasius ishin te pastra ne momentin e gjetjes se trupit, gje qe kundershton variantin e policise qe burri fshihej ne pyll

"Shkoni ne ambasaden lituaneze dhe ndizni nje qiri!"
Pasi vendimi gjyqesor i dha mamase kujdestarine e vajzes se vogel, shume lituaneze dhe britanike te revoltuar, dolen per te mbrojtur Daimantelen me mish e shpirt.
Jane postuar me mijera mesazhe ne Facebook, duke therritur ne proteste paqesore ata qe duan ta mbeshtesin vajzen dhe te shprehin zemerimin per vendimin e padrejte te gjykates. Te dielene ne Londer, policia metropolitane lejoi nje grup te manifestonte ne menyre paqesore perpara ambasades se Lituanise, ndersa ne Kaunas, ne Lituani, do mbahen demonstrata javen qe vjen.
Ne faqen Facebook, eshte krijuar nje grup i quajtur “Ne kujtimin e Drasius Kedys- Ju lutem te na ndihmoni per te bere drejtesi familjes se tij. Per te ndaluar autoritetet te vene ne zbatim vendimin e gjykates, qindra lituaneze te revoltuar qendrojne dite dhe nate para shtepise se gjyshes ku banon perkohesisht vajza.
Deri tani kane ekzistuar shume acarime midis protestuesve dhe policise duke terrorizuar vajzen e vogel.

Me qellim qe te demonstroje ekzistencen e ketyre rrjeteve pedofile dhe homoseksuale ne mjediset shterore, media zyrtare europiane nuk relaton asgje per kete rast. Te tjere mbeshtetes te Drasius Kedys, ne te gjithe boten, po organizohen per protesta perpara ambasadave te Lituanise, ku qellimi kryesor eshte ndezja e nje qiriri perballe perfaqesueseve diplomatike te nje shteti me nje Drejtesi Kriminale dhe te Korruptuar"

Video nga ngjarja: http://www.youtube.com/watch?v=1-auxS9KfcQ&feature=player_embedded
Sugjeroi dhe përktheu: Makeljana Shkurti