Tuesday, June 17, 2014

Pas në Fshat

Kalojmë urën e vjetër prej dërrasash keqazi arnuar, mbi lumin që e ka zbehur trishtueshëm gurgullimën.
Pak metra më tutje, atje ku buzë përroit ngrihej fortesa e mullixhiut, gjithçka dukej pa jetë. Xhamat ishit të thyera e të zëvendësuara vende-vende me copëza plasmasësh të shqyer, ku vareshin rrjeta të shumta merimangash.


Një grua në moshë që shiste çokollata, karamele e biskota aty përbri na tregon se mulliri i vjetër është mbyllur prej vitesh dhe vetë familja e mullixhiut të famshëm ishte shpërngulur në kënetën e Durrësit.
Nisëm këtu tatëpjetën për në fshatin malor që numëronte mbi 350 shtëpi. Rrugës gjarpërushe i ishin prerë ferrat që verës mbusheshin përplot me manaferra, por edhe bimësia dukej e rrallë, toka e gërryer, e shkretë.
Ndalesën e parë për t'u shplodhur e kishim planifikuar tek burimi, por ec e ec dhe burimit nuk po i dukej as nam as nishan.
Një ndjesi e athët nisi të na kaplojë, ndjesi, që si për të na dhënë pak shpresë, na e ndërpreu një zhapik jeshil që na preu rrugën, si për të treguar se këtu ka akoma jetë.
Duke biseduar me rreth kujtimeve të mbetura nga disa pushime verore gjatë fëmijërisë, si pa kuptuar kishim arritur në qendrën e fshatit.
Gjëja e parë ku të shkonin sytë ishte shkolla 8 vjeçare, e cila kishte mbetur një rrënojë, si të vinte prek epokës së gurit.
Oh, sa trishtim ndjeva!
As me fjalë nuk do mundja ta përshkruaja. Në atë shkollë ku kisha festuar me nxënësit e klasës së 8, me ata djem e vajza të mrekullueshëm, energjikë, këngëtarë e kërcimtarë të pashoq, sot gumëzhonte vetëm një dallëndyshe.
Kisha mbi 10 vjet pa shkelur në atë vend dhe të gjitha kujtimet e mia të mrekullueshme u zhubrosën kaq pa mëshirë.
Ishte si një boshllëk në stomak që ti këput forcat e ti pakuptuar mbetesh pa frymë, për ta psherëtirë zhurmshëm.
Gjithçka ishte transformuar sikur kurrë të mos kishte ekzistuar.
Nuk gjendej më fusha e Volejbollit, lokali ku pleqërohej, dyqani i rrobave mungonte, zejtarët, tregu artizanal, kapanoni ku mblidhej e thahej duhani, mungonin tringëllingat e këmborave, të lehurat e qenve, mungonin njerëzit.
Aty jeta, kishte ndalur. Asgjë nuk pipëtinte në 360 gradë rrotullim veç gjetheve që i lëkundte era. Diku përballë një shtëpi që kishte nisur rikonstruksionin, e braktisur. Një makinë zazstava fshehur mes ferrash, një parabolë satelitore mbi çati si dëshmitare e mijëvjeçarit të ri. Gërmadhë në vendin ku dikur vlonte jeta.
Mu zhubrosën kujtimet e mbrysura të fëmijërisë, kur neve të qytetit na shikonin me zili mbi rrobat, paraqitjen tonë të jashtme dhe ne i shikonim ata me zili për zhdërvjellësinë, paqen që ata kishin krijuar me natyrën.
Çdo verë vinin në këtë fshat dhjetra e dhjetra fëmijë nga qytete të ndryshme. Vinim e qëndronim një muaj, mbase edhe më shumë dhe gjithmonë ndaheshim me mall për njëri-tjetrin.
Domosdo, liria për të vrapuar, për tu kacavjerrë pemëve, për të vjedhur e pjekur misra, për të luajtur deri vonë sa në errësirë sa shfaqeshin lakuriqët, ajo sofra ku hahej në një sahan, oxhaku i miqve, bujaria e atyre njerëzve të thjeshtë, kultura për t'u përshëndetur në rrugë të njohur e të panjohur, hareja që i karakterizonte, bisedat e pleqve të urtë me kujtimet e tyre, që na dukeshin si përralla si mund të mos na i rrëmbenin zemrat?!

Fshati vdiq e bashkë me të edhe trashëgimia shekullore e atyre njerëzve të mirë!

Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: