Thursday, January 19, 2012

Ndoshta po, ndoshta jo...



Një burrë i vjetër kishte një kalë hamshor, i cili e ndihmonte në të gjitha punët e shtëpisë. Një ditë prej ditësh, kali nuk kthehet më në shtëpi.
Atëherë komshinjtë të prekur nga kjo ngjarje, shkojnë për ta ngushëlluar plakun në shtëpinë e tij. "Nuk ka njeri më të pafat se ti" i thonë ata duke i qarë hallin dhe plaku i kthehet "Ndoshta po, ndoshta jo".

Pas disa ditësh hamshori kthehet me 20 pela të tjera nga pas. I gjithë fshati u gëzua për fatin e madh dhe shkon ta urojë plakun në shtëpi. "Nuk ka njeri me fat më të madh se ti" - i thonë dhe plaku i menduar sërisht ia kthen "Ndoshta po, ndoshta jo.

Pa kaluar shumë ditë, djali i tij i vetëm me të cilin jetonte, duke kalëruar mbi hamshorin e madh rrëzohet dhe shkelet prej disa pelave rrjesht, saqë përfundimisht humbi aftësinë për të lëvizur me këmbët e veta.
Të gjithë të njohurit e plakut u hidhëruan pa masë nga kjo gjëmë dhe iu gjendën pranë plakut të gjorë. "Nuk ka njeri më të pafat se ti" - thanë plakut të gjorë që qëndronte me kokën ulur e plaku ia kthen "Ndoshta po, ndoshta jo".

Pas pak kohësh fillon lufta dhe të gjithë djemtë e fshatit, me përjashtim të djalit të paralizuar të plakut, merren me forcë në ushtri dhe asnjëri prej tyre nuk kthehet më, i gjallë, prej luftës.

Të gjithë fshatarët i gëzohen fatit të plakut të mençur, i cili mbeti i vetmi që e kishte djalin gjallë dhe shkojnë për ti thënë fjalët e tyre të mira, por plaku sërish këmbëngul "Ndoshta po, ndoshta jo"...

Pavarësisht mënyrës, Jeta të gjithëve na çon diku. Çdo përballje e ka arsyen e saj përse duhet të ndodhë. E rëndësishme mbetet të dimë ta gëzojmë udhëtimin.

Stop Injorancës

No comments: