Flet veterani i kirurgjisë së Gjirokastrës Kanan Zanaj, i cili ka regjistruar me dorën e tij të gjithë grekët e plagosur që mbërrinin natën spital. Si u përballuan 10 mijë operacione
|
Fatos Veliu
|
Janë të paktë ata që mund ta dinë ngjarjen e Gjirokastrës në vitet 1947-1949. Madje, sot mund të duket e çuditshme për shumicën e shqiptarëve fakti që në atë kohë një makinë e degës së brendshme të rrethit jugor, bënte çdo natë rrugën vajtje-ardhje nga spitali i qytetit për në zonën e kufirit ku zhvillohej lufta e përgjakshme civile që kishte përfshirë Greqinë.
Çdo natë, makina e drejtuar nga shoferi gjirokastrit Vaso Gjini sillte 30, madje në shumë raste edhe 40 partizanë grekë të plagosur. Kështu, numri i regjistrimeve në librin e spitalit të drejtuar nga kirurgu i famshëm Vasil Laboviti ( Vasili i madh, siç njihej nga të gjithë shqiptarët) arrinte afërsisht 12 mijë të plagosur. Janë bërë më shumë se 10 mijë ndërhyrje kirurgjikale, duke e detyruar në këtë mënyrë ekipin e kirurgjisë që të mos lëvizte nga salla e operacionit për të shpëtuar nga kthetrat e vdekjes djelmoshat që vinin radhazi në gjendje kome nga përtej kufirit. Plagët ishin të shumta dhe të rrezikshme për jetën e tyre, duke filluar nga ato të plumbit e deri te sakatime nga predhat e artilerisë apo nga minat e vendosura në fushat e luftimit. Të shumtë ishin edhe ata që ishin pa një dy apo pa katër gjymtyrë. Në këto kushte, makina e degës së brendshme kishte edhe detyrën që gjatë marrjes së të plagosurve që sillte në spital, të çonte edhe arkivolet e atyre që nuk i kishin shpëtuar dot vdekjes. I gjithë qyteti i Gjirokastrës, ashtu si edhe Korça jetonte vetëm me ngjarjet e djelmoshave të plagosur grekë që luftonin me vdekjen. Jo vetëm kaq, por të gjithë banorët e atjeshëm u solidarizuan në mënyrë të menjëhershme me urdhrin e dhënë nga qeveria e atëhershme që asnjë vendas përveç rasteve urgjente të mos shtrohej në spital, për të mundësuar kështu mjekim më të mirë për grekët.
Hollësitë e kësaj ngjarjeje për opinionin e gjerë bëhet e ditur për herë të parë vetëm sot, pikërisht nëpërmjet një cikli intervistash të Kanan Zanajt. Ai ka qenë njeriu që ka asistuar në të gjitha operacionet dhe që ka kaluar në dorën e tij të gjithë të plagosurit që mbërrinin në Gjirokastër. Ai ka qenë asistenti i parë i kirurgut të famshëm Vasil Labovitit dhe ka asistuar në 10 mijë operacionet që u janë bërë grekëve. Duke qenë përgjegjësi i pavijonit të Kirurgjisë, ai ka regjistruar me dorën e tij të 12 000 grekët e ardhur në spital. Nëpërmjet kësaj interviste, Zanaj na sjell detaje që kompletojnë ngjarjen e jashtëzakonshme në vendin tonë dhe që na ka kushtuar jo pak si popull, por që fatkeqësisht nuk njihet nga shqiptarët. Si erdhi grupi i parë i tre grekëve të plagosur në Gjirokastër. Vazhdimi i dyndjeve të tyre. Situata, qyteti që vuante për bukën e gojës, kur aty rrinin mesatarisht në një kohë mbi 350 partizanë grekë të plagosur. Si bëhej e mundur gjatë netëve sjellja e kontingjenteve të reja të viktimave dhe dërgimi njëkohësisht i të vdekurve. Çfarë ndodhte kur gjendja e rëndë nuk përballohej me mundësitë kuruese të spitalit lokal. Sajimi i rrobaqepësisë së spitalit, e cila përdorte si lëndë të parë batanijet e spitalit për të bërë pantallona për partizanët grekë. Të sëmurët që kalonin në depresion nga urrejtja që kishin për Zervën dhe rrezikshmëria që ata paraqisnin për njerëzit e spitalit, kur godisnin me çfarë të mundnin dhe ku të mundnin pasi e përfytyronin veten mes betejave. Si kapeshin nëpër korridoret e spitalit dhe mënyrat e neutralizimit të tyre. Urdhrat e fshehtë për të nisur njerëzit që ishin rëndë për në Bashkimin Sovjetik dhe si bëhej evakuimi i tyre për në Kavajë. Çfarë ndodhi në Gjirokastër deri në sulmin grek të ‘49-ës mbi kufirin tonë të jugut dhe a ka lidhje ngjarja e lartpërmendur me atë që ndodhi nga forcat e Zervës mbi kufirin shqiptar?
Zoti Kanan, si arritën të vinin forcat partizane greke në spitalet tona të jugut?
Pas çlirimit të Greqisë nga pushtuesit nazifashist në vitin 1945, forcat e EAM-it, pra forcat e majta partizane humbën pushtetin politik të vendit, i cili kishte kaluar në dorën e forcave të djathta të drejtuara nga Napolon Zerva. Pas kësaj, ato të organizuara ushtarakisht, në një mënyrë tepër perfekte dhe duke pasur një numër shumë të madh njerëzish kishin vendosur që t’i merrnin Zervës me çdo kusht pushtetin. Pas këtij vendimi të prerë, në fillimin e vitit 1947 ata u vendosën përballë ushtrisë shtetërore. Gjenerali Markos dhe komisari politik Nikos Zaharaja që ishin në krye të tyre kërkuan ndihmën te qeveria shqiptare e Enver Hoxhës, e cila kishte ardhur bujshëm në pushtet që në fundin e vitit 1944. Marrëveshja e përfaqësuesve të qeverisë me forcat e majta greke e zhvilluar në pikat e kufirit rezultoi tepër e favorshme. Predispozita e qeverisë shqiptare për të sjellë në pushtet forcat e majta greke ishte shumë e madhe. Pas këtyre konkluzioneve, gjithçka u bë realitet. Që ditën e parë të shpërthimit të luftës, drejt kufirit me Shqipërinë filluan të vinin viktimat e para për të marrë ndihmën mjekësore në qytetet e jugut, kryesisht në Korçë ku ishte baza e luftës dhe në Gjirokastër.
Thatë se luftimet e shpërthyera në Greqi ishin të ashpra. Ju kishte ardhur ndonjë informacion paraprak për këtë?
Nuk ishte e vështirë për t’u kuptuar. Çdo gjë ndodhte vetëm pak kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, pikërisht në zonën e kufirit shqiptaro–grek. Pasqyrë e saj ishin njerëzit e plagosur që vinin në spitalin tonë. Numri i të masakruarve ishte i madh. Pamje të tilla me partizanë grek të gjymtuar dhe të masakruar, pa sy, pa këmbë dhe pa duar, të djegur dhe të përçudnuar ne i kishim të përditshme. Kjo gjë nuk linte dyshim për betejat e ashpra që bëheshin në kufi. Çdo natë, nga kufiri vinin 30-40 partizanë grekë të plagosur.
Çfarë detyre kryenit ju asokohe në spitalin e Gjirokastrës?
Unë isha vetëm 19 vjeç dhe kam qenë kryeinfermier i pavijonit të kirurgjisë së spitalit, isha gjithashtu ndihmës i kirurgut më të famshëm të Shqipërisë, i cili e mbylli jetën e tij me rezultatin e mbi 40 mijë operacioneve, Vasil Labovitit. Në atë spital kisha filluar punën në vitin 1942, që 14 vjeç.
Deri kur e vazhduat punën në atë spital?
Dola në pension në vitin 1988. Janë plot 46 vjet që unë i kam kaluar në pavijonin e kirurgjisë. Fatin tim më të madh në jetë konsideroj faktin që kam punuar pranë kirurgut më të aftë në Shqipëri, Vasil Laboviti, i cili mbajti gjithë peshën e të plagosurve grekë që kërkuan ndihmë në Gjirokastër. Ju keni asistuar në të gjitha operacionet e partizanëve grekë që erdhën të plagosur. Pa përjashtim i kam prekur me dorë dhe i kam regjistruar një për një të gjithë.
E mbani mend se kur ka ardhur grupi i parë nga Greqia?
Ka qenë shtatori i vitit 1947. Saktësisht datën s’e mbaj mend, ora ishte afërsisht 7 apo 8 e darkës. Makina e degës së brendshme, tip “Dajç”, mbërriti në spital me një urgjencë të jashtëzakonshme. Ajo drejtohej nga shoferi i njohur i asaj kohe në Gjirokastër, Vaso Gjini. Kur na njoftuan për t’u paraqitur në sallën e operacionit, ne fillimisht menduam se bëhej fjalë për një të plagosur. Por se kush ishte dhe nga se ishte plagosur nuk morëm vesh. Gjatë rrugës për në spital, të cilën e bëra me një frymë, më shkonte mendja te gjithfarë ndodhish, por që të kishte filluar lufta vëllavrasëse në Greqi s’e kisha menduar kurrë as unë dhe as shokët e mi. Kur arrita pashë që Vaso, në makinën e tij “Dajç” të degës së brendshme kishte sistemuar jo një, por tre persona të plagosur, të cilët që në pamjen e parë dukeshin se kishin marrë plagë tepër të rënda, sa mund t’u vihej në dyshim edhe jeta. Befasia jonë ishte akoma më e madhe kur mësuam se ata nuk ishin shqiptarë, por grekë. Aty morëm vesh atë që po ndodhte përtej kufirit tonë, vetëm pak kilometra larg qytetit.
Nuk e prisnit një gjë të tillë?
Mund ta dinin autoritetet e larta të rrethit, të cilët kishin komunikim të përditshëm me dikasteret në Tiranë. Kryetari i degës së brendshme duhet të ketë pasur dijeni, sepse ai nuk e kishte humbur toruan apo as ishte hallakatur për të raportuar apo për t’i arrestuar, siç kishte detyrën funksionale. Sapo u njoftua nga rojet e kufirit për ardhjen e grekëve të plagosur ai dërgoi menjëherë makinën e degës për t’i sjellë në spital. Që në atë moment makina vu në dispozicion për të evakuuar të plagosurit nga kufiri, për t’i sjellë në Gjirokastër dhe për t’i kthyer sërish ata që ishin përmirësuar më parë në spital. Jo vetëm kaq, por kryetari kur mësonte për numër më të madh të plagosurish dërgonte edhe një makinë tjetër në përforcim të makinës së Vasos. Kuptohet se këtu bëhet fjalë për një plan të paracaktuar dhe të detajuar mirë jo nga Gjirokastra, por nga Tirana.
Çfarë mësuat konkretisht kur erdhën tre grekët e parë të plagosur?
Mësuam se shokët e tyre të frontit i kishin sjellë me barelë. Kishin dalë në kufirin me vendin tonë dhe ndenjën në pikën e takimit të përcaktuar para fillimit të luftës nga përfaqësuesit e të dy palëve. Aty, ata ishin ndalur nga rojet e kufirit tonë të cilat menjëherë kishin njoftuar kryetarin e degës nga vareshin. Ky kishte dërguar menjëherë shoferin e degës për t’i marrë. Kështu mbërritën deri në spitalin e Gjirokastrës. Që nga ai moment ne kemi jetuar vetëm me problemet e tyre. Për dy vjet ne harruam edhe familjet dhe fëmijët tanë. Rrinim në sallën e operacionit edhe 12, 20 apo dhe 24 orë.
Sa vonoi grupi i dytë i të plagosurve pas ardhjes së tre të parëve?
Kaluan tri–katër ditësh, pastaj filluan të vinin partizanët e tjerë të plagosur. Pas kësaj, për çdo ditë kishim të ardhur të rinj. Vaso, me makinën e tij të degës së brendshme, sa linte grupin e parë në spital shkonte të merrte grupin e dytë. Në fillim sillte nga 10–12 vetë në natë, pastaj arriti në 15 madje deri në 20 vetë, por kishte edhe raste kur kjo shifër arrinte në 30 madje edhe 40 të plagosur në natë.
Sa zgjati kjo situatë?
Plot dy vjet që nga shtatori i vitit 1947, deri në prillin e gushtin e vitit 1949. Për këtë periudhë u regjistruan më shumë se 12 000 persona.
Çfarë plagësh kishin?
Po të të flas për tre të plagosurit e parë që të tregova pak më parë, ata kishin plagë shumë të rënda. Njëri ishte plagosur në këmbë dhe në gjoks. Tjetri ishte plagosur në kofshë kurse i treti ki shte një plumb në bark. Gjendja e tyre ishte me shumë rrezik. I morëm menjëherë dhe i shtruam në kirurgji. Pastaj i kaluam me radhë në sallën e operacionit ku doktor Vasili u tregua energjik si asnjë herë tjetër. Më vonë, kur në spital nuk kishim 3 të shtruar, por njëkohësisht deri 350 prej tyre, ne kemi parë situata që ju nuk mund t’i imagjinoni. Kishte njerëz me fraktura në të gjitha pjesët e trupit, plagë në mushkri, në këmbë, në bark, të shkaktuar jo vetëm nga plumbat, por edhe bombat, minat, copat e predhave të artilerisë etj. Kishte njerëz të djegur, madje në grahmat e fundit të jetës. Veç këtyre kishte edhe shumë raste që na vinin djem të rinj pa një apo edhe dy gjymtyrë, qoftë këmbët apo dhe duart. Në këtë gjendje vinin sidomos ata që shkelnin në mina. Por kishte edhe shumë djem që vinin të verbuar fare. Pra me një fjalë kishte raste nga më të vështirat që mund të gjesh mbi tokë... vijon nesër
Pas shtypjes së kryengritjes Zerva sulmoi Shqipërinë
Çfarë ndodhi në Greqinë e vitit 1947
Në vitin 1947, në Greqi plasi lufta civile midis forcave të EAM-it, ose ndryshe forcave partizane dhe atyre të drejtuara nga Napolon Zerva, të cilët ishin të djathtët apo të njehsuara me ato të Ballit Kombëtar në Shqipëri.
Napolon Zerva, që drejtonte forcat ushtarake të cilat ishin në opozitë me partizanët e mori pushtetin në Greqi në vitin 1945, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, forcat partizane të komanduara nga gjenerali Markos dhe komisari Nikos Zaharaja nuk u pajtuan kurrsesi me atë që po ndodhte në Greqi, por riorganizuan formacionet e tyre partizane. Pas kësaj pune të gjatë, këto forca që ishin kundërshtare të Napolon Zervës përbënin një ushtri të rregullt me një ndërtim struktural tepër të përsosur, duke filluar që nga toga, kompania, batalioni, brigada e deri te divizioni. Nga ana tjetër, kjo ushtri partizane që u bë shumë e madhe në numër. Në vitin 1947 kishte arritur që jo vetëm të kishte një strukturë të mirëfilltë ushtarake, por të kishte edhe një bindje absolute te njerëzit për t’iu kundërvënë Zervës, për t’i marrë atij pushtetin me çdo kusht. Ata nuk mund të duronin dot faktin e marrjes së pushtetit nga Zerva me ndihmën e anglezëve. Në këto kushte, të dyja ushtritë u vendosën përballë njëra–tjetrës. Njëra komandohej nga Zerva, ndërsa tjetra komandohej nga gjenerali Markos. Lufta filloi dhe vazhdoi për dy vjet nën tmerrin e gjakut dhe të masakrës. Forcat e majta të komanduara nga gjenerali Markos kërkuan ndihmë te Enver Hoxha i cili u ofroi spitalet e jugut për evakuimin e të plagosurve. Mësohet se Shqipëria i ka ndihmuar ato forca edhe me ndihma të tjera. Pas shtypjes së kryengritjes në vitin 1949, Napolon Zerva sulmoi ushtarakisht Shqipërinë, sulm ky që i kushtoi popullit tonë dhjetëra e dhjetëra djem. Forcat e tij kundërshtare u larguan nga Greqia për t’i shpëtuar dënimeve ekstreme. Ato fituan vetëm nga amnistia e bërë nga Andreas Papandreu, kur erdhi në pushtet.
Jetëshkrimi
Kanan Zanaj, 46 vjet në kirurgjinë e Gjirokastrës
Në vitin 1942, kur filloi punë në pavijonin e kirurgjisë së qytetit të Gjirokastrës ishte vetëm 14 vjeç. Në këtë pavijon punonte kirurgu i famshëm Vasil Laboviti, i cili kishte kryer studimet për Mjekësi në Gjermani. Ky është fillimi i biografisë së punës së veteranit më të lashtë të spitalit të Gjirokastrës, Kanan Zanaj. Ai punoi për plot 46 vjet. Në 1988 doli në pension. Kryeinfermier i pavijonit të kirurgjisë dhe asistent i parë i Vasil Labovitit në të gjitha operacionet që ai ka kryer në spitalin e jugut të Shqipërisë. E veçanta e punës së Kanan Zanajt është momenti dyvjeçar kur në spital vërshuan grekët e plagosur gjatë luftës civile që shpërtheu nëpërmjet forcave të majta dhe atyre të drejtuara nga Napolon Zerva. Ishin mbi 12 mijë grekë që u regjistruan nga Kanani. Pavarësisht se në atë situatë ai mbajti barrën më të madhe të vështirësive, tashmë kur pyetet, thotë me modesti se gjithçka që është bërë i dedikohet punës së madhe të kolegëve të tij si: Xhevat Angonit, Katerina Lulës, Antigoni Çros, Shpresa Sakos dhe sidomos idhullit të tij të madh, kirurgut të paarritshëm deri sot, Vasil Labovitit apo “Vasili i madh”, siç e thërrisnin të gjithë. Gjithashtu, Kanan Zanaj njihet në historikun e spitalit të qytetit të gurtë të jugut, si personi që në vitin 1955 ka krijuar për herë të parë pavijonin e grumbullimit të gjakut. Ai tregon se në atë kohë në spital grumbullohej 500 deri në 600 kg gjak në vit.
|
Monday, January 16, 2012
Në vitin 1947, në Gjirokastër erdhën 12 mijë grekë të plagosur
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment