Epo ndoshta iriqët i kujtojnë gomat e makinës mollë, tha Olsi kur unë po i tregoja arsyen pse kam vendosur ta lë makinën.
Kam dëgjuar burrat që të paktën një herë në jetë thonë: Do ta lë duhanin, kurse unë do ta lë makinën, dhe jo pse jam femër. Qyteti është bërë një makth i vërtetë për këmbësorët, por edhe një ëndërr akoma më e kobshme për dikë që drejton një makinë të çdo lloji.
“Ku të ndaloj,
ku të parkoj,
apo mos duhet mjetin në krah ta ngarkoj?”
Gjithsesi një copë vend sa për të hedhur të shkretën makinë edhe gjendet, por puna ndryshon më pas: ajo zhduket, sikur e ka pirë dheu.
Shenjë e parë në trupin tënd është një hutim organik që shoqërohet nga një pabesueshmëri ftohëse: Mos jam në koordinatë të gabuar? Mos ndoshta sytë më janë verbuar? Ah, po kjo, kjo ishte rruga e uruar!”
Sheh dikë që po ta bën me dorë e ndërkohë të thërret: “Ej, tashti sa ta morën!” Dhe ti menjëherë e kupton se ata, rrëmbyesit krenarë të qytetit, karrotrecat, po e shoqërojnë në ndonjë destinacion shoqëruesen tënde të vjetër, makinën! Tek ajo e gjetën! - thua i dëshpëruar.
Ndërkohë rrangalla jote bashkë me ndonjë viktimë tjetër të radhës ende po lëkundet mbi kurrizin e grabitqarit për të shkuar drejt pikës së bllokimit. Një neveri e çuditshme të përhapet në fizik kur mendon manieren e racës sonë, por puna është se kjo neveri që të del nga trupi përlan edhe disa kalimtarë të pafajshëm dhe ata tundin kokat ndërsa të shohin, sikur ta njohin edhe prej të tjerësh këtë emetim nervues.
A dini si mund ta kërkoj, i thërras atij që më thirri.
Merr këtë numër më thotë ai e më jep një numër me pak shifra, tipik emergjence, pra policie.
Alo! A mund të di ku është makina ime, me targa kaq e aq, me ngjyrë kështu e ashtu?
Aaa! Janë tu e çu tek Unaza e Madhe, te pika e grumbullimit, andej nga shpia e Ilir Metës!
Si, si?
Por ndërkohë linja pritet.
Çfarë referencash që japin, them me vete, nejse ç’të bëj?
Duke u orientuar sipas referencës, e cila është kaq e ngatërruar, pasi është veçse e hamenduar dhe aspak e përcaktuar, e gjej më në fund bukuroshen time shëmtaraqe midis shumë e shumë simotrash që duken si shtazë në vathë, pa tagji!
I lutem policit të paguaj gjobën që është marshalla e të më lërë të shkoj.
Nuk mundem, më thotë, duhet të paguani në Kinostudio.
Po gjoba dhe makina ime janë këtu! - protestoj unë.
Atje, përsërit ai.
Ej, zotëri, thirri mendjes, i them, mos do të më çoni në Hollivud që të paguaj gjobën?
Në Kinostudio, përsërit ai.
Nisem në anën tjetër të qytetit. Aty më kërkojnë të gjitha pagesat që prej gjenealogjisë së makinës! Ndërkohë më thonë se po nuk pata pare, çdo natë shtohen 5000 lekë të vjetra për mbetjen e saj në pikën e grumbullimit.
I doni apo jo lekët, i them arkëtares, e cila më shikon me hezitim.
Jo kaq, thotë ajo, janë më shumë.
Shkund çantën, pastaj të gjithë xhepat e burrit tim. Megjithëse janë shumë para për të dhënë, jam katandisur që të kënaqem të m’i marrin e që puna mbaron me aq.
Në mbrëmje shoh Kryeministrin që thotë se buxheti është rregulluar!
E besoj, them me veten time. E besoj! Dhe pastaj më kujtohet prapë stili i mundimshëm i pagimit.
Betohem se nuk do ta lë makinën kurrkund ku ajo duket.
Për dreq, të nesërmen më thërrasin në një Konferencë. Tri herë i bie rrotull sheshit, por nuk ka vend të lirë. Tentoj të futem në një rrugicë, por ndërkohë dy djemka të rinj më tërbojnë me gjestet e tyre për të më bindur të parkoj midis oborrit dhe trotuarit mbrapa Muzeut. Nuk jam e bindur se duhet ta bëj, por ata sa nuk shqyhen për të më aksesuar vëmendjen. U bindem më në fund, duke menduar se, epo, kur brenda oborrit të Muzeut do ngrihet një bina e me aq kate, grataçiel, nuk mbeti puna te makina ime.
Por, jo! Nuk është e thënë!
Sa dal në pushimin e parë të konferencës shoh një iriq të kuq që ka kafshuar gomën time. Dhe kur afrohem, një fletë gjobe 30 mijë lekë të reja. Shikoj për djemtë e parkimit, por janë zhdukur. Një djalosh tjetër, i sapombërrirë më thotë:
Këtu çdo ditë i bën bashkia nja 300 mijë lekë, vetëm me këtë copë vend!
Po tani?!
Shoh një pusullë të verdhë dhe një numër telefoni në dritaren e krahut tim.
Alo! Më keni mbërthyer një iriq në rrotë!
Po. Eja paguaj e ta heqim menjëherë iriqin.
Hyj në sallën elegante të bashkisë! Këtu lartësia e arkitekturës mbretërore është përzier me dizanj dhe teknologji bashkëkohore.
Gjobë makine, i them njërës prej grave të arkave.
Në fund, thotë ajo.
I jap njëzetëshen, pastaj dhjetëshen zonjës në arkën e fundit.
Ajo i merr, por për çudi, i kontrollon me një pajisje që identifikon nëse lekët janë false apo jo. Epo as në bankë nuk kontrollojnë kështu! Stil tjetër ky!
Merri, m’i dreq, se qyl i ke, dua t’i them.
Ajo fut qylin në sirtar dhe më thotë të shkoj.
Po iriqi?
Do ta heqim.
Jam në stolin e lulishtes së muzeut. Nuk po pres dashnor. Pres të lirojnë makinën time nga kapësja e kuqe.
Telefonoj edhe një herë bashkinë.
Më në fund jo një, por tre burra vijnë. Jo për mua. Do marrin iriqin e tyre. Janë alamet trupash! Kanë alamet veture firmato, krejt të re. Përkulen të tre të heqin iriqin nga goma ime dhe duken aq absurdë!
Më në fund jam në makinën time, por ajo ecën kuturu. E shkreta, them me vete! Kushedi ç’i ka bërë dhëmbi i iriqit. Pale karrotreci.
Ndërkaq shoh sesi janë sulur përsëri në sheshin e Tiranës së Re fajkonjtë e karrotrecave. Krejt të pashpirt duke përlarë të parkuarat e rastit.
Oreksi ka arritur kulmin! Kanë bllokuar qafën e digës dhe do vazhdojnë deri në orët e vona gjuetinë, ndërsa viktimat pinë alkool dhe tym nëpër pabet e errëta.
Po pa skrupullësia nuk mungon deri të dielën, kur të rriturit kanë sjellë fëmijët dhe të afërmit për të marrë një gotë oksigjen nga pylli artificial!
Është akoma e premte. Nga ekrani, kryetari i bashkisë më bën një buzëqeshje fringo të re!
Ej, m’i more nja tridhjetë sot, i them unë për lekët e paguara të gjobës!
Por ai kthen kryet nga Çani dhe nuk e di pse po bërtet.
Dal të pi një kafe në periferi të qytetit, duke menduar se civilizimi është një rreng e kaq.
Por pa dalë te kthesa e Kombinatit më ndalon polici.
I keni paguar gjobat? - pyet ai!
Hej bela, them me vete.
Ndërsa polici më lë të shkoj, më kujtohen fjalët e një gruaje në radhën e dritave:
Të dyja palët pare duan. Ndryshojnë vetëm si t’i marrin! Dhe kësaj i thonë Politikë.
Mimoza Ahmeti, G. Shqip
Artikulli i Stop Injorancës mbi mafien shtetërore të karrotrecave http://stopinjorances.blogspot.com/2010/03/mafia-shteterore-e-karrotrecave.html