Thursday, April 29, 2010

Isaleo, historia e fëmijës së braktisur mes mbeturinash

Isaleo është një fëmijë 2 vjeç, të cilin nëna e tij biologjike e "vrau", duke e hedhur pas lindjes në një kosh plehrash në Vlorë.

Po fati deshi që fëmija të mos asfiksohej nga mbeturinat e hedhura shkujdesur mbi të nga qytetarët. Ishte 21 gushti i 2008-ës, kur Leonard Xhemali e gjeti fëmijën thuajse pa jetë teksa mblidhte kanaçe për të siguruar bukën e dy fëmijëve të tij.
"Po mblidhja hekurishte dhe kanaçe në zonën e Ujit të Ftohtë. Isha duke kontrolluar kazanët në afërsi të shkollës së Marinës. Papritur, në fund të njërit shikoj diçka të mbështjellë me një rrobë të vjetër. E hapa dhe shtanga kur pashë se në këtë rrobë ishte mbështjellë një fëmijë. Ai ishte i mbuluar i tëri me mbeturina dhe gati i asfiksuar. E pastrova dhe nxitova për ta çuar në shtëpi. Nëna ime e lau me ujë të ngrohtë dhe ai erdhi në jetë", tregon Leonard Xhemali.

Ndonëse në kushte mjaft të rënda jetese, ai e mbajti djalin e sapolindur duke e regjistruar në gjendjen civile si fëmijën e tij. Tashmë në regjistrat e gjendjes civile, Isaleo është djali i tij, përderisa prindërit biologjikë të cilët nuk i përkasin komunitetit egjiptian, e braktisën atë.
Përveç prindërve që e "adaptuan", fëmija dy vjeç ka edhe një motër e një vëlla, por edhe gjyshër. Leonard Xhemali tregon se në punën e përditshme ai mbledh kanaçe si dhe hekurishte, si e vetmja mënyrë për të mbajtur familjen e tij.
"E pagëzova me emrin Isaleo, pasi kështu quhet një muzikant grek që unë e pëlqej shumë.

Dëshiroj që dhe djali im të bëhet muzikant si Isaleo i Greqisë. Edhe unë i bie klarinetës, por, nevoja familjare për t'u ushqyer është ajo e mbledhjes së mbeturinave dhe hekurishteve për të mbijetuar", u shpreh Leonard Xhemali. Fqinjët e tij e kanë përgëzuar për këtë gjest human që ai ka bërë. Madje vetë ai ndihet krenar që ka shpëtuar një jetë njeriu, ndërsa sot atij i ndan bukën e fëmijëve të tij.
E shoqja e Leonardit, Xhuljeta u shpreh se Isaleon e ka rritur njëlloj si dy fëmijët e saj. Familja Xhemali përbëhet nga shtatë anëtarë, dy prindërit e Leonardit, bashkëshortët si dhe tre fëmijët e vegjël. Ata jetojnë në një zonë periferike të Vlorës ku jeta çdo ditë bëhet më e vështirë, siç ndodh shpesh për komunitetin egjiptian në Shqipëri. Shtëpia e tyre është ndërtuar në një zonë ku kalon kanali i ujërave të zeza. E ndërtuar me blloqe betoni, në të ndodhen vetëm dy dhoma për të shtatë pjesëtarët e familjes. Në mes të oborrit ndodhet një bunker, i cili shërben për strehimin e kanaçeve si dhe të hekurishteve që mbledh në punën e përditshme Leonardi.

"Tashmë jam unë i ati i fëmijës, pasi e gjeta të braktisur. Po të mos isha unë, ai sot nuk do të ishte në jetë. Shpëtova një jetë, bëra një akt human", thotë Leonardi.
Sipas tij, askush nuk mund t'ia marrë fëmijën tani që ai e bëri dy vjeç. "Do ta rris si fëmijët e mi", shton ai për Isaleon të cilin e ka regjistruar në gjendjen civile të lagjes "Hajro Çakëri".
Ndonëse ai pranon varfërinë në të cilën ndodhet, ndjenja humane për këtë fëmijë vetëm sa i shtohet, duke i rritur më shumë përpjekjen për punën e përditshme, mbledhjen e kanaçeve në koshat e mbeturinave.

QEMAL BIRAKU, G. Panorama

No comments: