Tuesday, April 13, 2010

Nostalgjikët dje në varrin e Enver Hoxhës

Me buqeta me lule, disa me kurora në shtrenjta ku shkruhej “Lavdi shokut Enver”, dhjetëra nostalgjikë zhvilluan homazhe në varrin e diktatorit Enver Hoxha, me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së tij. Shumë prej tyre mbanin veshur dekoratat që sistemi komunist u ka dhënë ndër vite dhe e cilësojnë absurde që komandanti i tyre i Luftës Nacional Çlirimtare të mos ketë dekorata.

Ish-të përndjekurit politikë i kanë kërkuar Presidentit të Republikës, Bamir Topit, që t’i heqë dekoratat ish-diktatorit më të egër të Lindjes, duke kujtuar se Enver Hoxha mban ende 14 dekorata e tituj, mes tyre edhe “Hero Kombëtar”.

Sulo Gradeci, ish-shefi i sigurimit personal të diktatorit Hoxha që nga viti 1955, nuk kishte si të mungonte në 25-vjetorin e vdekjes së ish-shefit të tij. Ai e cilëson si paturpësi heqjen e dekoratave të Enver Hoxhës. “Të ndahen çështjet në luftëra të drejta dhe luftëra të padrejta. Ne kishim një luftë të drejtë, sepse u pushtuam nga të huajt.
Po ajo letra që kanë veteranët sot çfarë është?
Ajo tregon se çfarë kemi bërë e që kemi qenë në luftë. Po atë kush e organizoi? Kjo i bie të jetë paturpësi e madhe”, tha Gradeci. Për ish-të përndjekurit politikë, Gradeci shprehet dakord që t’u kërkohet falje, por ai mbetet i mendimit se falje duhet të marrin vetëm ata që janë dënuar politikisht, pasi sipas tij, në diktaturë janë dënuar edhe njerëz që kanë qenë kundër interesave kombëtare. Në varrin e Enver Hoxhës, ish-truproja e tij u shpreh se qytetarë të shumtë vijojnë të vijnë që t’i bëjnë homazhe ish- diktatorit. “Unë erdha sot, siç kam ardhur edhe herët e tjera. Shikoj që ka shumë kurora, buqeta me lule dhe njerëz të thjeshtë, të cilët vijnë dhe kanë vendosur kurorat. Dëgjova dy plaka që i erdhën te varri dhe i thoshin: ‘I paharruar qofsh, se na prure lirinë’”, tha Gradeci.

Me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së diktatorit, në varrezat e Sharrës nuk munguan simpatizantë të atij sistemi nga Tirana, Gjirokastra, Skrapari Vlora e Kosova. Përfaqësues të Partisë Komuniste dhe Partisë së Punës kanë vendosur lule e kurora në varrin e ish-diktatorit në varrezat e Sharrës. Homazhet kanë nisur rreth orës 8:00 të mëngjesit dhe kanë vijuar për disa orë.

Dekoratat që mban ende Enver Hoxha
Ish-diktatori mban ende titujt dhe dekoratat e marra kur ishte në krye të diktaturës komuniste. Enver Hoxha mban në total 14 dekorata si Urdhri “Hero Kombëtar”, Titulli “Hero i Popullit”, Titulli “Hero i Punës Socialiste”, Urdhri i Lirisë i Klasit të Pare, Urdhri i Flamurit, Medalja e kujtimit, Urdhri “Ylli Partizan” i klasit të parë, Urdhri i “Skënderbeut” i Klasit të Pare, Urdhri i Trimërisë, Urdhri “Ylli i kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit, Dekoratë nga Partia Komuniste Italiane me Urdhrin “Ylli Garibaldit”, Dekoratë me Urdhrin “Suvorov” të Klasit të I nga Presidiumi i Sovjetit Suprem të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.

Erald Kapri, G.Panorama

No comments: