Për të gjithë ata që se vënë ujët në zjarr për protestat dhe për të gjithë ata që bëjnë protesta pa e ditur se ku do dalin, vlen kjo sentencë: protestat kurrë nuk janë kot.
Protesta është shpirti i demokracisë, zembereku i saj. Një demokraci ku protestohet është një demokraci që shkon drejt përsosjes. Aty ku nuk protestohet, demokracia fle, dhe gjumi i demokracisë është vdekje për të. Ngjallja e shpirtit protestues është një mision i madh, një mision historik, të cilin koha do ta vlerësojë, pasi të zbehet vektori politik.
Shoqëria shqiptare është mirëfilli një shoqëri që nuk proteston.
Ankthet tona sociale ne i kanalizojmë në rrugë individuale, duke i zbrazur njëri-tjetrit gjithë mllefin e akumuluar nga tranzicioni i tejzgjatur.
Po cili është motivi i protestave? Kërkesa për drejtësinë e votës.
A është i drejtë ky motiv për protestë? Është më se i drejtë.
A është i mjaftueshëm ky motiv për të ngritur masa të tëra popullsie në këmbë? Ky motiv nuk mjafton.
Motivi më i vërtetë për një protestë masive të popullatës është t’i flasësh nevojave të popullatës, dhe këto nuk janë thjesht nevoja që lidhen me kutinë e votimit, pavarësisht rëndësisë së kutisë së votimit. Ka dhe kuti të tjera, që mund të quhen mirëfilli kuti Pandore, të cilat mund të shkaktojnë më shumë hidhërim, më shumë pezmatim dhe në të njëjtën kohë më shumë shanse për protestë.
Më së pari është fakti që jeta e qytetarit shqiptar sot është më pak e sigurt, ndërsa pretendojmë se jemi faktor sigurie në botë, si anëtarë të NATO-s. Këtë e thonë raportet e organizmave të huajt monitorues, ambasadorët, raportet e policisë e të shoqërisë civile, që flasin për rritje të numrit të vrasjeve, të vetëvrasjeve, të vdekjeve aksidentale, të aksidenteve rrugore, të vdekjeve në punë, të vdekjeve të shkaktuara nga një shëndetësi e papërgjegjshme, nga mungesa e edukimit me kulturë shëndetësore të shtetasve, nga veset sociale, nga shtimi i prostitucionit, nga shtimi i vjedhjeve, nga shtimi i krimit të moshave të mitura, nga shtimi i numrit të personave të ekstraduar, nga shtimi i maskave, nga shtimi i të sherrnajave që kanë marrë përmasa astronomike për motive të dobëta e për motive pronësie, nga ngujimet, fëmijët e panumërt jetimë, tokat që rrëshqasin me gjithë shtëpitë e qytetarëve në kurriz, e shumë të tjera, që kërkojnë analiza më vete.
Gjithë kjo pasiguri psikike e qytetarit mund të kanalizohet në formën e një proteste të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kundër aktualitetit politik. Më tej, është ekonomia e shqiptarit.
Ndërsa pranojmë se ka rritje ekonomike, nuk mund të pranojmë se ka begatim.
Nëse shifrat dalin në rregull, apo edhe nëse manipulohen, kjo nuk do të thotë se qytetari shqiptar ndihet i pakërcënuar ekonomikisht. Ai e ka të vështirë të marrë kredi. Ai e ka të vështirë të investojë, ngase më pak makineri e pajisje janë blerë këtë periudhë. Ai e ka të vështirë të orientohet në tregun e tokës, për shkak të legalizimeve apo abuzimeve, apo çfarëdolloj afere tjetër që pengon zhvillimin normal të jetës së qytetarit që nuk ka asnjë dëshirë ta kalojë jetën nëpër gjyqe pronësie. Nëse leku shqiptar është zhvlerësuar kundrejt euros, me një ritëm të frikshëm, edhe gjithë rritja ekonomike ka shkuar në dëm të qytetarit, që me të njëjtat lekë, blen më pak mall, që blihet më shtrenjtë për shkak të euros së rritur. Sa herë që rriten rrogat dhe pensionet, aq më tepër rriten çmimet.
Rritja e çmimeve të mallrave të konsumit dhe ngurrimi për të harxhuar lekun, rritja e çmimit të energjisë, të ujit, të karburantit, e shumë të tjera, nuk flasin për një rritje ekonomike reale, as për rritje të fuqisë blerëse të qytetarit. Edhe remitancat kanë rënie. Shifrat dalin mirë, kur bëhen marrëveshje për shumë miliarda euro, nga të cilat nuk e dimë se sa do të investohen vërtet në ekonominë reale, për të cilën e dimë me siguri se nuk ofron një treg kaq të madh.
Pra, makro del mirë, kurse mikro del me këpucë të kuqe.
2000 lekëshit e rinj, fringo të rinj, nuk merret vesh se cilën pare zëvendësuan, menjëherë pas 5000 lekëshit edhe më të ri, që sapo e vjetruam nëpër duart tona. Entuziazmi mediatik qeveritar nuk përkthehet në para më shumë në portofolin e njerëzve.Nga ana tjetër, 20 vjet papërgjegjshmëri shtetërore kanë hapur shumë gropa të zeza për njerëzit. Duke filluar që nga përmbytjet, shpronësimet e padrejta, shkatërrimet e pronave të njerëzve që u lejuan të ndërtonin si lopa bajgën, të përndjekurit, ish pronarët, banorët në shtëpitë e ish pronarëve, njerëzit me aftësi të kufizuara, minatorët, mësuesit, mjekët, pensionistët, njerëzit e nëpërkëmbur të kulturës dhe artit, ish prostitutat dhe prostitutat, fëmijët dhe gratë e dhunuara, të burgosurit, të ardhurit nëpër qytete që kërkojnë punë ndërkohë që nuk ka punë as për ata që janë aktualisht, xhepistët, të sëmurët nga zemra, nga stresi, të lajthiturit e panumërt që popullojnë shtëpitë tona, të depresuarit, kompanitë ndërtuese që kanë kryer punën e kontraktuar nga shteti dhe nuk kanë marrë paratë, mijëra të ardhurit nga studimet perëndimore që nuk duan të mbeten thjesht spektatorë të një shfaqjeje të parapërgatitur, dhjetëra kategori sociale që janë si ushtri të vogla të gatshme për luftë, për shkak se nuk kanë marrë konkretisht atë që u takon ligjërisht, ose nuk kanë marrë asgjë, si rasti i banorëve që jetojnë ende në çadra për shkaqe natyrore.
Dhe nëse deri dje, ajo që nuk të jepej rrëmbehej nga natyra, shteti apo fqinji, çdo ditë që kalon e vështirëson rrëmbimin për shkak të pakësimit të resurseve.
Çfarë do të ndodhë, nëse në Shqipëri përhapen dy valë protestash: protestat e opozitës dhe protestat e të nëpërkëmburve?
Qeverisja nuk do të gjejë kohën e duhur, as burimet e duhura, as qetësinë e duhur për t’u marrë me zgjidhjen e problemeve madhore. Për këtë nuk do të mjaftojë as propaganda super e fuqishme mediatike, as emetimi i shpresës në formën e premtimit. Protesta ka dhe ajo rolin e vet paralizues. Nuk ka nevojë fare që opozita të provokojë përplasje: as që i intereson. Ajo thjesht po pengon dhe po krijon pakënaqësi elektorale që mund të shfrytëzohen nesër. Policia që do të vihet në shërbim të rendit, do t’i lërë hapësirë krimit që nuk ja përton në të tilla raste.
Forca ndëshkuese e sistemit gjyqësor sa vjen e dobësohet: njerëzit hyjnë dhe dalin si patëkeq nga burgu. Shumë kriminelë të arrestuar janë përsëritës. Një pjesë e tyre falen nga sistemi. Shumë ngjarje të vjetra hapin plagë të reja. Po dhe ekonomia do të dëmtohet kur njerëzit nuk do ta kenë mendjen te puna, po te protesta. Harxhimi i fondeve të mëdha për të mbuluar plagë të mëdha, do të jetë joefektiv. Blerja do të funksionojë për pak kohë. Do të kërkohen fonde të tjera, që nuk mund të bien si mana nga qielli. Opozita ka gjithë kohën e duhur për të organizuar pickime të vogla, sa për ta nxirë më keq jetën tashmë jo dhe aq të ngjyrosur të qytetarëve.
Gjithashtu, protestat e shumta do të nxisin dasinë sociale: ndarjen aq të përfolur dhe qesharake në popull të majtë e popull të djathtë. Njerëzit do të bëhen më hasëm se sa janë. Shqipëria nuk do të durojë gjatë e ndarë në dysh. Ata që kanë pushtetin real, janë shumë herë më të paktë se sa ata që kanë grykësinë për ta pasur pushtetin real. Një njeri në një post konkurrohet lirshëm nga dhjetëra të tjerë që e mendojnë veten të denjë për atë post. Edhe brenda shumicës ka tektonikë, ka lakmi, ka dhurime që japë të papranueshme. Kjo i jep dorë opozitës. Qarkullimi politik është i mbarë për shumë njerëz që lakmojnë dhe mezi presin të ngulin thonjtë te torta e tjetrit. Ndaj situata, nuk është kaq e këndshme.
Ndërkombëtarët nuk është se janë të lumtur me tashmërinë tonë. Edhe ata me zor po merren me ne, kur dihet që kanë problemet e tyre. Greqia fqinje na kujton atë shprehjen e vjetër që thotë se i mbyturi të mbyt. Shkurt, është koha më e artë për protestë.
Dhe protestat do të bëhen edhe më të forta, për shkak të shurdhërisë. Aty duhet ta tregojë veten opozita.
A ka fuqi reale të bëhet pjesë e shoqërisë, apo do t’i bjerë vetëm fyellit të vet?
Nëse opozita shitet, bashkë me të do të shitet edhe një aksion i madh i mllefit 20 vjeçar. Siç u shit nga protestat e sajuara të shoqërisë civile me militantë partish, apo nga aksioni i mbetur në mes i katarsisit. Riciklimi i figurave politike, përsëri do të sjellë dhembje sociale. Dhunimi që kryen pushteti nuk do të mbajë gjatë. Policitë prapë do të përleshen njëra me tjetrën, duke ia ulur në zero kredibilitetin shtetit. Abuzuesit e mëdhenj përsëri do t’i shpëtojnë ligjit.
Dhe lufta e vogël midis dy palëve, ndoshta do të sjellë humbjen e të dy palëve, për t’i hapur udhë ndonjë artifice që askush nuk e mendon sot, por që mund të jetë realitet i prekshëm nesër. Edhe pritshmëria e ka një limit.
Erion Kristo, T. Observer
No comments:
Post a Comment