Saturday, April 3, 2010

Shkollat e jugut, propagandë pro "Vorio Epirit"

Përfaqësues të shoqatës së rinisë vorioepiriote kanë ardhur në Shqipëri duke propaganduar në shkolla e kopshte.

Hanë bukën e Shqipërisë dhe bëjnë duvanë e Greqisë.

Dhjetëra manifestues që kërkuan në qendër të Athinës çlirimin e Vorio Epirit, pra të Shqipërisë së Jugut, shpesh herë vizitojnë qytetet dhe fshatrat në jug të Shqipërisë ku madje propagandojnë lirinë e asaj që e gjuajnë "Vorio Epir".

Sipas faqes zyrtare të rinisë vorio-epirote www.neb.gr, ky është rituali i përvitshëm i këtyre shtetasve grekë. Një herë në vit, kërkojnë në qendër të Athinës autonominë e Shqipërisë së Jugut, të cilën ata e quajnë si në 1914-ën, Epiri i Veriut.

Sipas dokumenteve filmike që posedon gazeta "Shekulli", shumë prej atyre protestuesve që në 21 shkurt 2010 kërkuan, si çdo herë, pavarësinë e Epirit të Veriut, kohët e fundit janë parë shpesh herë në Shqipëri. Madje ata janë parë në shkollat e hapura për minoritetin grek në jug të Shqipërisë dhe në rolin e mësuesve ata kanë propaganduar idenë e Greqisë së Madhe.
Provat filmike tregojnë se ata kanë kryer vizita si mësues në shkollën greke të Sarandës, në atë të fshatit Aliko, apo edukatorë kopshti, institucione këto që financohen nga një shoqatë e minoritarëve që jetojnë në Greqi.

Manifestimi i përvitshëm, ku morën pjesë edhe pjesëtarë të rinisë vorioepirote, organizohet në Athinë çdo 21 shkurt dhe përkujton shpalljen e të ashtuquajturit Shtet i Pavarur i Epirit të Veriut në 17 shkurt 1914. Organizatat e vorioepirotëve, pas homazheve në kishë, të drejtuar nga banda frymore e bashkisë së Athinës, me flamuj të Epirit të Veriut dhe të rinj e të reja të veshur me kostume popullore, ndaluan para statujës së Ushtarit të Panjohur ku vendosën kurora nën himnin kombëtar grek. Drejtuesit e organizatës kërkuan respektimin e Protokollit të Korfuzit dhe pavarësinë eventuale të Epirit të Veriut, i cili sipas tyre është territor i pushtuar nga Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore. Organizata e rinisë vorioepirote është organizuar në vitin 2003 nga shtetas grekë që mbështesin financiarisht shkollat greke në Shqipëri.

Ajo mbështetet edhe nga SFEVA, shoqatë e krijuar që drejtohet nga mitropoliti grek i Konicës, që mbulon me mitropolinë e tij edhe zonën e Dropullit, edhe pse kjo zonë i takon Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe jo asaj greke. Kjo shoqatë disa herë u ka kërkuar qeverive greke që të nisin luftën për "Vorio Epirin".

Shekulli

No comments: