Friday, April 9, 2010

"Jo dorë mbi gruan! Besnikërinë e saj s'e ruan as dajaku as skllavëria..."

Një vrasje e rëndë ka ndodhur në landin e Bavarisë në Gjermani. Një shqiptar nga Kosova me emrin Ajet K, 40 vjeç ka vrarë familjen e tij dhe veten.

Ngjarje, e cila tronditi opinionin publik, ndodhi kur kryefamiljari ka shtënë me revole kundër bashkëshortes së tij, Dinore K., dhe të birit vetëm pesëvjeçar Aulonit..." Fëmijën tjetër dy vjeç e ka shpëtuar vetëm Zoti!

Vrasja makabër ka ndodhur megjithëse ky çift kishin dy - tre vjet që ishin ndarë me ligj. Babë e bir varrosen, ndërsa bashkëshortja e tij ndodhet në rrezik serioz për jetën. Tre jetë të rrënuara. Dhjetëra të afërm, shokë e miq të dy palëve mbetën të plagosur përjetë shpirtërisht.

Emri e reputacioni i shqiptarit në Gjermani dhe në Perëndim në tërësi pëson një plasaritje tjetër me këtë barbari të re pa asnjë arsye reale e ligjore.
Nuk mund të quhet dhe nuk është çmenduri... Të qëllosh fëmijën pesë vjeç, të vrasësh gjakun tënd... është barbari!

Gruaja, edhe prostituta më e ndyrë e rrugëve, është e shenjtë, përderisa dikush e thërret nënë ajo është fisnikëria vetë. Nënë është fjala më e madhërishme e kësaj Bote! Fjala e parë edhe e fundit në këtë jetë!

Është fatkeqësi që akoma disa shqiptarë e shikojnë atë si një skllave, si një fabrikë fëmijësh pa asnjë të drejtë... Është fatkeqësi që më shumë se kushdo ne shqiptarët i bëjmë gratë ... çka nuk e mban goja. Më shumë me fjalë se me veprime, edhe në internet e faqe gazetash! Turp! Haram emri shqiptar!

Grua është nëna jonë! Grua është motra jonë! Grua është gruaja jone, shoqja jonë e jetës! Grua do të behet edhe vajza jonë.... Gruaja është mbretëresha e Botës sepse pa gruan nuk do të ekzistonte Bota! Gruaja është Përendesha e njerëzimit!

Mos vini dorë mbi gruan! Besnikërinë e saj nuk e ruan as dajaku as skllavëria, as shtatëqind dryna e as njëmijë përgjime telefonash e interneti!... Nuk e ka ruajtur kurrë... Aq më pak sot ! ...Besnikërinë e gruas e ruan vetëm dashuria e sinqertë dhe respekti si për nënën. Nëse ajo nuk është nëna jote... ajo është nëna e fëmijëve të t'u... Ajo është nëna e Botës!

Nuk ecën martesa.... Nuk është fundi i Botës...Ligji e njeh divorcin! Jo plumba! Jo barbari mbi gratë e fëmijët!

Kush vë dorë mbi gruan dhe fëmijën, engjëllin e dashurisë, është më barbar se vetë barbaria! Jo vetëm në Perëndim, por edhe në Lindje! Si brenda edhe jashtë Kosovës e Shqipërisë; Gruaja është lule e jetës! Është vete jeta! Fëmija është engjëll, shenjtëria vetë!

Fëmija është engjëll i Botës! Gruaja është fisnikëria e jetës! Gruaja është Përendesha e njerëzimit!


adresa verarta@aol.com , Shekulli,/small>

No comments: