Wednesday, April 28, 2010

Kërcënohet Pasha: Do përfundosh si Trebicka

Kërcënohet me jetë oponenti kryesor i marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, Myslym Pasha.

Në adresën e tij private të “e-mail”-it si edhe në faqen personale që koloneli ka hapur në rrjetin social të “Facebook”, janë dërguar disa mesazhe shantazhuese që e paralajmërojnë për një fund tragjik, të ngjashëm me atë të biznesmenit Kosta Trebicka. “Edhe ti si Trebicka do përfundosh o tellall. Paret do t’i marrësh me vete, se ditët të numëruara i ke”, - citojmë nga përmbajtja e një prej “e-mail”-eve që i janë dërguar kolonelit.

Ndërkohë, në një tjetër mesazh të nisur në adresë të tij thuhet: “Zoti Pasha! Po ju pyesim: ‘Çfarë i ndodhi (Trebickës)...??” Në një prononcim të djeshëm për “Gazeta Shqiptare”, koloneli në rezervë ka bërë të ditur se këto ‘e-mail’-e kërcënuese kanë filluar që në datat 20 dhe 21 dhjetor të vitit të kaluar. “Kam bërë një denoncim në polici dhe ende nuk kam marrë një përgjigje. Nuk e di nga kush janë dërguar”, - shprehet Pasha.

Biznesmeni shqiptar, Kosta Trebicka është personazhi i njohur tashmë për lidhjet e tij me ngjarjen tragjike të Gërdecit. Ai ka qenë denoncuesi i parë që guxoi të fliste publikisht për aferat që bëheshin në Gërdec, me shitjen e fishekëve dhe të armëve. Pak muaj pas këtij denoncimi, Trebicka do të humbte jetën gjatë një aksidenti të dyshimtë në 12 shtator të vitit 2008. Për rrethanat në të cilat ai u aksidentua për vdekje u fol shumë, derisa Prokuroria shqiptare pajtoi një ekspert amerikan me qëllim zbardhjen e ngjarjes jashtë ndikimeve të brendshme. Si përfundim rezultoi që Kosta Trebicka e humbi jetën gjatë një aksidenti me makinën e tij tip ‘Nisan’ fuoristradë, teksa ishte duke u kthyer nga gjuetia në vendin e quajtur Gryka e Kulave, në segmentin Lekas-Voskopojë, pranë qytetit të Korçës.


Akuzat
Qeveria ndërmori një fushatë të ashpër për të denigruar figurën e kolonelit në rezervë, Myslym Pasha, gjatë periudhës kur ai denonconte në “Gazeta Shqiptare” skandalet që fshiheshin në paktin detar me Greqinë. Kryeministri Sali Berisha, në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” në datën 30 dhjetor 2009, duke komentuar oponencën që Pasha i bënte marrëveshjes, e cilësoi atë si “sharlatan”. Më herët gazeta “Rilindja Demokratike”, organi zyrtar i Partisë Demokratike, në fund të muajit nëntor 2009 botoi një shkrim ku e cilësonte Pashën jo vetëm si “pseudo-ekspert”, por edhe si një “pensionist të lajthitur” e “folklorist”.

Për të denigruar figurën e kolonelit, në faqen e parë të RD-së u botuan aso kohe edhe foto nga jeta e tij personale, ku koloneli shfaqej duke kënduar me grupin polifonik të Mallakastrës.

Tedi Blushi, G. Shqiptare

No comments: