Tuesday, April 6, 2010

10 misteret që mori me vete Enver Hoxha

Njeriu më i pushtetshëm i Shqipërisë në shekullin e kaluar është sot pjesë e rubrikës “Sekretet e njerëzve të vdekur”.

Enver Hoxha është njeriu i cili në historinë e Shqipërisë ka marrë me vete shumë mistere, jo vetëm si drejtues i një sistemi i cili kishte në thelb të fshihte të vërtetën por dhe si një diktator i famshëm në periudhën që drejtoi vendin. Misteret e Hoxhës fillojnë që në rininë e hershme të tij ku edhe sot nuk njihet aktiviteti, shkollimi dhe formimi intelektual.

Askush nuk thotë dot me siguri nga erdhi dhe si arriti të mbante nën urdhra një popull që historikisht njihej për kryeneçësi ndaj udhëheqësve. Misteret vijojnë me marrjen e PKSH-së, marrjen e pushtetit, afrimin me Lindjen, eliminimin e kundërshtarëve dhe aleatëve të tij, prishjen e marrëdhënieve me aleatët më të mëdhenj të Shqipërisë, Rusinë dhe Kinën, planet kundër tij nga anglo-amerikanët për ta rrëzuar dhe deri në fund te “heqja qafe” e Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Edhe momenti i fundit i jetës së tij është i mbushur me mistere, sëmundjet e tij kurrë nuk u bënë publike, po ashtu vdekja u arrit të mbahej e fshehtë për dy ditë. Më 11 prill bëhen 25 vjet që Enver Hoxha ka ndërruar jetë, por thuajse është bërë shumë pak për të zbuluar misteret e tij. “Tirana Observer” boton sot dhjetë mistere, të cilat në shkrimet e ardhshme do të jenë objekt studimi më i thelluar për të zbardhur jetën e njeriut më të përfolur të Shqipërisë. Enver Hoxha është ndër të paktët, që kundërshtarët e donin nga frika dhe të vetët e donin nga mallëngjimi. Sistemi që ai instaloi në Shqipëri me gjithë përparësitë dhe mangësitë që ka, kurrë nuk mund të hiqet nga memoria historike e vendit. Çdo fakt i ri që del për diktatorin komunist, aq më shumë rrit pikëpyetjet për të kaluarën e tij. Në këto 20 vjet janë thënë e stërthënë një pafundësi faktesh për të, por askush nuk ka marrë përsipër të bëjë një biografi të tij, jo vetëm për ndjesitë që ai shkakton në popull, por dhe për faktin se do duhet një punë voluminoze nga historianë seriozë për të nxjerrë në dritë anët e errëta të Enver Hoxhës.

1. Mosha e rinisë së Enver Hoxhës edhe sot ka pikëpyetje të mëdha. Ish-diktatori komunist, në kujtimet e tij e kalon periudhën e rinisë si revolucionar, por kurrë nuk jepen përmasat reale të aktivitetit. Pse nuk e shau kurrë pushtetin e Mbretit Zog?
Ish-diktatori komunist është padyshim njeriu që ka marrë me vete në botën e përtejme më shumë mister se çdokush tjetër që ka drejtuar këtë vend. Misteri i parë, që edhe në ditët e sotme ka të bëjë me rininë e tij, shkollimin dhe aktivitetin në Francë. Pjesa e errët e jetës së ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, ajo që ka të bëjë pikërisht me vitet e rinisë së tij, është formësuar në kujtimet e tij dhe në tekstet e pafundme të biografëve të tij, si kohë aktiviteti revolucionar, pa marrë asnjëherë përmasat e saj reale dhe të vërteta. Aktiviteti i djaloshit Enver Hoxha, sidomos në periudhën 1927-¬1939, ngec në arkiva, si edhe kuptohet hija e 50 vjetëve të regjimit të tij, ka bërë këtu punën e saj. Aktiviteti "revolucionar" i djaloshit Hoxha, në këto vite, ka të bëjë me qëndrimin e tij në Korçë (1927-¬1930), "studimet" në Montpelje (1930-¬1934), jetesa në Paris (1934-¬1935), detyra e diplomatit në Bruksel (1935¬-1936) dhe ardhjen në liceun e Korçës, në kohën kur këtu kish filluar përhapja e propagandës bolshevike dhe kërkohej që të kontrollohej nga shërbimi sekret. Në misteret e shumta që mbulojnë jetën e ish-diktatorit komunist, është ajo që Enver Hoxha kurrë nuk e shau shërbimin sekret të Mbretit Zog, ndonëse nuk la qelizë të këtij regjimi pa sharë e mallkuar. Së dyti, asnjëherë Hoxha në kujtimet e tij kilometrike dhe as biografët e tij të shumtë, nuk japin sqarime pse shefi i mëvonshëm i komunistëve nuk kreu sipas ligjit, shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

2. Një nga misteret e mëdha të Enver Hoxhës është padyshim dhe ardhja e tij në krye të Partisë Komuniste më 8 nëntor 1941. Në mbledhje ai nuk u caktua të ishte drejtues, ndërkohë që më parë del si lider i komunistëve, cili ishte ndikimi i jugosllavëve në ngritjen e tij?
Mbledhja për formimin e PKSH filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit 1941 dhe aty erdhën përfaqësuesit e tre grupeve. Nga Grupi i Korçës ishte Koço Tashko, Pilo Peristeri, Koçi Xoxe dhe Sotir Vullkani. Nga Grupi i Shkodrës ishin Qemal Stafa, Vasil Shanto, Kristo Themelko dhe Tuk Jakova. Kurse nga Grupi i të Rinjve ishin Sadik Premtja, Anastas Lula, Ramadan Çitaku dhe Sinan Hasani. Po kështu aty ishin prezent dhe Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, për të cilët të tre grupet kishin rënë dakord që të ishin si ndërmjetës dhe t'i ndihmonin për punët procedurale. Në mbledhje, ishte Koçi Xoxe ai që mori në dorë frenat e partisë, por me vonë kjo gjë u kalua në hije dhe drejtimin e PKSH-së e merr Enver Hoxha, i cili e drejton deri në prill të vitit 1985.

3. Vrasja e Qemal Stafës është një pjesë e errët e historisë së Enver Hoxhës. Edhe pse ish-sekretari i Rinisë Komuniste u vra nga pushtuesit enigmë, kanë ngelur arsyet e urdhrit ndaj ti për të shkuar në Vlorë në 5 maj të vitit 1942.
Në datën 4 maj 1942, Qemal Stafës iu caktua një detyrë nga udhëheqësi i PKSH-së, Enver Hoxha, për të shkuar në qytetin e Vlorës. Qemali, duke qenë në ilegalitet të plotë, strehohej në një shtëpi tiranase, e cila nuk bënte pjesë te shtëpitë e dyshuara për strehim komunistësh. Vendndodhjen e tij në atë shtëpi e dinin shumë pak veta, midis tyre dhe Enver Hoxha. Asnjëherë nuk ka dalë me siguri nëse ishte një kurth prezenca e Qemal Stafës në atë shtëpi, apo ishte thjesht një rastësi. Megjithatë, gjatë periudhës së komunizmit nuk është folur shumë me këtë temë pasi ishte e ndaluar nga diktatura. Mos hapja e diskutimeve gjatë asaj kohe për vrasjen e Qemal Stafës, ka bërë që pas viteve '90 të diskutohet që vrasja e tij të ketë ardhur si pasojë e ndonjë drejtuesi të lartë të Partisë Komuniste të asaj kohe, që ishte në dijeni të vendndodhjes së tij. Por të gjitha këto dyshime nuk janë zbardhur ende, megjithëse shpeshherë të njohurit apo personat që kanë qenë dëshmitarë të asaj kohe, kanë hedhur idenë duke e argumentuar me dokumente faktin se Qemal Stafa mund të jetë spiunuar. Fakt është që djali 21-vjeçar nuk arriti të realizonte dot dëshirat dhe synimet që ai kishte.

4. Marrja e pushtetit dhe nisja e spastrimeve politike, çfarë ndikimi kishin jugosllavët dhe rusët në vendimmarrjen e Hoxhës, pse i prishi marrëdhëniet me Titon dhe çfarë synonte me refuzimin e planit Marshall?
Enver Hoxha ashtu dhe si Stalini njihet në histori si diktator që ka eliminuar me radhë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Qysh nga vitet e Luftës, Hoxha nisi procesin e spastrimeve. Akuzat e para vijnë për Qemal Stafës, vdekja e të cilit edhe në ditët e sotme është e mistershme. Kulmi është dënimi i Koçi Xoxes, apo dhe vetëvrasja e Nako Spiru. Në vitin 1948 Hoxha prishi marrëdhëniet me një nga aleatët e tij të ngushtë, që drejtonte Jugosllavinë, Jisif Tito. Një vit përpara kësaj, Enver Hoxha kishte refuzuar të merrte pjesë në planin Marshall. Fakti që Hoxha refuzoi planin Marshall erdhi dhe për faktin se do të cenohej ndjeshëm marrëdhënia me Stalinin, që aso kohe ishte aleati më i ngushtë i Shqipërisë dhe i vetë pushtetit komunist. Plani Marshall, si një plan për rimëkëmbjen e ekonomisë, nëse do të pranohej nga Shqipëria, do të sillte një sërë përparimesh në vend. Edhe sot kanë mbetur mister bisedat e Hoxhës me Stalinin për të refuzuar propozimin amerikan.

5. Arsyet e eliminimit të disa figurave kryesore që ishin bashkëpunëtorë të tij si Koçi Xoxe dhe të tjerë, janë padyshim sekrete që Enver Hoxha i ka marrë në varr. Cilat janë taktikat e tij për të mbajtur dhe konsoliduar pushtetin? Si u përball me tentativat për ta rrëzuar nga pushteti, çfarë qëndrimi mbajti me diversantët?
Misterin për dënimin e Koçi Xoxes, fare mirë e zbardh dëshmia e Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Bedri Spahiut. Ashtu siç deklaron vetë Spahiu, ai u detyrua që të deklaronte se Koçi Xoxe ishte fajtor. Duhet thënë që pendimi i Bedri Spahiut bëhet më i besueshëm kur kujton që këta të dy kishin marrëdhënie jo fort të ngrohta. Me vdekjen e tij, Koçi Xoxe mori dhe shumë mistere. Ishte apo jo agjent i jugosllavëve? Kishte plane për rrëzimin e Enver Hoxhës, donte apo një rilidhje me shtetin fqinj, këto e të tjera mistere mbulohen me trupin tij. Gjatë gjithë periudhës që Enver Hoxha ishte gjallë, deri në vitin 1985 propagandoi me të madhe që Koçi Xoxe e kishte tradhtuar atë vetë, por edhe atdheun, duke punuar për armiqtë më të mëdhenj, siç i cilësonte Enver Hoxha, jugosllavët. A ishte Koçi Xoxe agjent i jugosllaveve, pse e dënoi Enveri me një motivacion të tillë absurd po t'u referohesh rrethanave të kohës? Në kohën e Luftës, Shqipëria kishte marrëdhënie shumë të mira me shtetin jugosllav. Kjo erdhi për një sërë arsyesh, por sidomos për faktin që kishin një qëllim të përbashkët, atë të luftimit të armikut nazi-fashist, i cili kishte marrë me dhunë territorin e dy vendeve, por edhe bashkimi drejt një ideali siç ishte komunizmi. Me mbarimin e Luftës edhe marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve filluan të ftoheshin. Kështu, në vitin 1948 vjen dhe divorci i një marrëdhënieje disavjeçare. Por këtë zhvillim do të vinin dhe viktimat e para pas saj. Kështu Koçi Xoxe, i cili kishte qenë në marrëdhënie mjaft të mira me jugosllavët, u etiketua nga Enver Hoxha dhe klika e tij drejtuese, si një agjent me rrezikshmëri të lartë dhe një devijant i asaj që quhej "vija e Partisë". Goditjen më të madhe ndaj ushtarakëve të lartë, Enver Hoxha e filloi në prag të Kongresit të Parë të PKSH-së. Asokohe dhe më pas, gjatë vitit 1949, Enver Hoxha goditi bashkëpunëtorin e tij më të afërt gjeneral-leitenant, Koçi Xoxen. Me 1949 Shtetet e Bashkuara dhe organizata të zbulimit britanik ishin duke punuar me Mbretin Zog. Ata rekrutuan refugjatë shqiptarë dhe emigrantë nga Egjipti, Italia, dhe Greqia, ata që ishin trajnuar në Qipro, Maltë dhe Republika Federale e Gjermanisë dhe ata të infiltruar në Shqipëri. Njësitet guerile hynë në Shqipëri në vitin 1950 dhe 1952, por ata u vranë apo u kapën nga forcat e sigurimit shqiptar. Kim Philby, agjent i dyfishtë sovjetik, duke punuar si një oficer ndërlidhës në mes të shërbimit të zbulimit britanik dhe Shtetet e Bashkuara, Central Intelligence Agency, ka zbuluar detajet e planit të infiltrimit në Moskë, si dhe mënyrën se si Enver Hoxha arriti të mbante pushtetin.

6. Pse i prishi Shqipëria marrëdhëniet me Jugosllavinë, Rusinë dhe më pas me Kinën, çfarë qëllimi kishte Enveri me izolimin e vendit, pse nuk kërkoi aleatë të rinj në vendet komuniste?
Padyshim që në listën e gjatë të mistereve të cilat Enver Hoxha i ka marrë në botën e përtejme janë dhe arsyet e prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me tre vende ish-komuniste siç ishte Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavët, Enver Hoxha, një dekadë e gjysmë më vonë u prish dhe me rusët, të cilët sipas tij kishin shkelur vijën marksiste-leniniste dhe nuk përfaqësonin më as idealet e Stalinit. Kjo padyshim mbetet objektiv studimi për historianë të ndryshëm, pasi është e pamundur që të gjesh një arsye të vërtetë përse Hoxha largohet nga aleati i tij më i madh qysh prej ardhjes në pushtet. Pas BS, Enver Hoxha afrohet me Kinën, e cila po e ndihmonte mjaftueshëm ekonomikisht vendin tonë. Mirëpo dhe kjo marrëdhënie do të pësonte krisje në mënyrë të pashpjegueshme. Politika e Shqipërisë ishte një gërshetim i maoizmit dhe respektit për Stalinin, busti i të cilit ishte karakteristikë në çdo qendër të qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë. Por, pavarësisht borxhit ekonomik të Shqipërisë ndaj Kinës, i cili zinte një pjese të madhe të mallrave të importuara në vend, që nga letrat higjienike, e deri tek traktorët, sloganet që vlerësonin miqësinë Shqipëri-Kinë, shiheshin shumë rrallë. Thuhej se Hoxha nuk ishte i kënaqur me pajtimin e Kinës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vend gjendeshin shumë pak këshilltarë kinezë. Ata të gjithë mbanin veshje perëndimore. Në historiografinë e Shqipërisë, prishja e marrëdhënieve të Shqipërisë me tre aleatë të rëndësishëm të saj, është ende e pazbardhur dhe do të duhet ende një kohë e gjatë për ta zbardhur.

7. Si ruhej Enver Hoxha, çfarë të vërtete ka lidhur me sozitë e tij dhe kush ishin ata që Hoxha i shikonte realisht si armiq të tij?
Ka patur apo jo sozi Enver Hoxha? Pyetja që ka munduar prej kohësh shqiptarët, ka marrë përgjigje nga me të ndryshmet. Por në vend që të sqaronin, ato e kanë dendësuar edhe me tepër mjegullën rreth temës intriguese. Vetëm tashmë, pas 18 vitesh pas vdekjes së njeriut që udhëhoqi me dorë të hekurt Shqipërinë, një dëshmitar pranon të flasë. Është rrëfimi i njërit prej njerëzve të sigurimit të afërt të jetës së Hoxhës, ai që duket se ka shkundur pluhurin që mund të varroste përfundimisht enigmën e madhe. Historia e tij dhe e sozive të Hoxhës, është e thjeshtë. Enver Hoxha jo vetëm ka patur dytës, por njerëzit në një rol të tillë, mësohet të kenë qenë plot katër. Për sigurimin e jetës së Enver Hoxhës, në udhëtimet jashtë Tiranës, sidomos gjatë pushimeve në malin e "Dajtit", në vilat e plazhit të Durrësit, në Vlorë, Pogradec ose vizita të ndryshme të vendit, mobilizohej Drejtoria e dytë ose drejtoria e "sigurimit të Udhëheqjes", Garda dhe grupi i sigurimit të afërt. Byroja Politike kishte hartuar një rregullore të posaçme, e cila detyronte të gjitha Degët e Punëve të Brendshme në rrethet ku do të kalonte autokolona, të qëndronin në gatishmëri numër një, 24 orë përpara dhe për disa orë me pas, bllokohej qarkullimi i automjeteve në rruge. Të gjithë shqiptarëve, që kanë jetuar në atë kohë në qendrat e banimit pranë rrugëve nacionale, i ka rënë rasti të paktën që një herë në jetë të jetojnë këtë skenë: "Një autokolonë me 4-5 makina lëvizte me shpejtësi, por pa zhurme, pa sirena e drita të ndezura. Në mes të tyre, zakonisht qëndronte një limuzinë e zezë, e ndryshme nga benz-at e zinj të udhëheqësve të tjerë komunistë. Një grumbull i tillë makinash luksoze ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për rrugët e vendit, ku nuk lejoheshin makinat private. Kjo autokolone, që ishte më e gjatë se e udhëheqësve të tjerë, ishte shenja më e mirë se në të po udhëtonte Enver Hoxha. Ajo që është e vërtetë në të gjithë këtë histori, është fakti se sozitë e tij, më së shumti ishin manekinë, pra njerëz që mbanin veshur brenda makinës gjatë udhëtimit, vetëm rrobat e tij. Halim Zano, Axhem Abazi, Kadri Bregu e Qazim Malaj nuk kane "luajtur" kurrë Enver Hoxhën jashtë hapësirës së brendshme të "Mercedezit" të zi. Megjithëse askush nuk e pranon këtë fakt zyrtarisht, ai ruhet ende, madje me fanatizëm, si një nga shumë enigmat që kanë shoqëruar regjimin komunist në Shqipëri. Por, për të kuptuar më së miri detyrën specifike ekstra të katër sozive të diktatorit, mjafton të përmendet një fakt i panjohur: Megjithëse ata kanë siguruar në 46 vjet pa ndërprerje jetën e Hoxhës, në dhjetëra e qindra dalje të tij në publik, portreti i tyre nuk figuron në asnjë prej mijëra fotografive të publikuara të ish kreut të shtetit. Madje as në njërën nga fotot e albumit të madh e luksoz të botuar me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Enverit.

8. Ka pas një plan të CIA-së për të eliminuar Enver Hoxhën? Pse Mehmet Shehu ishte i preferuari i amerikanëve, kur ndërkohë ishte krahu i djathtë i Hoxhës?
Ai që hedh dritë më shumë mbi enigmën e ekzistencës së një komploti në fund të viteve '40 dhe fillim të viteve '50, kundër qeverisë komuniste në Shqipëri, është Nikolas Beathels. I cili, në librin e tij "Tradhtia e madhe",- bazuar në të dhënat e dokumenteve autentike arkivorë të shërbimeve sekrete britanike dhe amerikane,- shkruan: "Qeveritë amerikane dhe britanike, kishin miratuar në parim një operacion të fshehtë me synimin për të shkëputur një vend të Evropës Lindore nga blloku socialist. Për shumë arsye, për realizimin e këtij objektivi, ishte zgjedhur Shqipëria. Ky ishte vendi me i vogël dhe me i dobëti në radhën e vendeve të tjera socialiste. Ne jug kufizohej nga Greqia, aleate e Britanisë së Madhe dhe SHBA. Teknikisht, Greqia, në bazë të ligjit mbretëror të Luftës së II Botërore, e konsideronte Shqipërinë shtet armik dhe i kishte shpallur asaj luftë (një vendim që formalisht është ende në fuqi?!). Në veri dhe në Lindje kufizohet nga Jugosllavia. Sipas ekspertëve, Marshalli Tito, pas prishjes me bllokun socialist, do mbante një qëndrim neutral për çfarëdolloj ndryshimi që mund të ndodhte në Tiranë. Në këto rrethana, Shqipëria dukej e izoluar dhe me mundësi të mira për t'u penetruar nga ajri dhe nga deti, prej ishullit të Maltës". Sipas Bethelit, "anglezet dhe amerikanet mbanin kontakte të vazhdueshme me grupet e emigrantëve shqiptarë, të gjithë fraksionet e të cilëve filluan të bashkonin përpjekjet e tyre për çështjen e kundërrevolucionit". Në këtë kohë, në Itali ndodheshin 750 emigrantë, ndërsa në Greqi, 800 shqiptarë të arratisur. "Për të ndihmuar në riorganizimin e emigracionit shqiptar, qeveria angleze dërgoi në Romë lordin Xhulian Emer". Zv/ Ministri i Luftës në qeverinë e Londrës, pas eksperiencës gjatë luftës në përbërje të misioneve angleze në territorin tonë, konsiderohej si njohës i mirë i Shqipërisë. Britania vuri në dispozicion të përgatitjes se grupeve desantë, ishullin e Maltës, e cila "ishte një baze e avancuar dhe terren i përshtatshëm për imbarkimet e nevojshme dhe futjen e agjenturave përmes detit dhe ajrit në Shqipëri". Oficerët britanikë Maikell Bruke dhe David Smajli, u morën me përgatitjen speciale të trupave desantë. Një grup në përbërjen e të cilit bënte pjese edhe gruaja e Smajlit, Moy, e cila jepte mësimet e shifrimit të radiokomunikimit.
Ndërsa amerikanët, morën përsipër pjesën më të madhe të mbështetjes financiare dhe logjistike të operacioneve ushtarake. Si bazë prapavije dhe depo materialesh, ata vunë në dispozicion aeroportin e Mhelus në Libi. Gjate 5 viteve, për përgatitjen dhe realizimin e operacioneve desantë për rrëzimin e qeverisë komuniste të Hoxhës, anglo- amerikanet angazhuan rreth 100 vetë. Sipas ish-Drejtorit të CIA-s, Eilliam Colby, "operacioni dështoi, sepse autoritetet shqiptare, kishin infiltruar në organizatat e emigrantëve dhe lokalizonin vendndodhjen e shumicës së grupeve pothuajse që në kohën kur ata zbarkonin nga deti ose hidheshin me parashutë". Tradhtia e Filbit nuk ishte e vetmja shenjë e rrjedhjes së sekretit rreth operacioneve në Shqipëri. Sipas Shërbimeve Sekrete Perëndimore, kishte rrjedhje informacioni edhe nga ambientet e Komiteteve të emigracionit shqiptar në Rome, ku personeli i ambasadës shqiptare atje ishte shume aktiv. Po ashtu edhe në Athine. Dështimin ndoshta e ka përshpejtuar edhe vdekja e papritur ne 3 tetorin e 1949, e kreut te "qeverisë shqiptare në mërgim", Mit'hat Frashëri. Sipas Beathelit, rreth kësaj vdekje ende të mistershme "ekziston edhe një variant i vrasjes (shkaktimit të infarktit nëpërmjet ilaçeve apo nëpërmjet gazit nga agjentët e KGB-së). Kim Filbi, agjent i dyfishtë, i cili kishte qenë në Londër në shtator të vitit 1949, kur Mit'hat Frashëri e kolegët e tjerë të Komitetit "Shqipëria e Lirë" ishin atje, mendohet se kishte njoftuar ndërkohë agjentët e KGB-së në New York që të vepronin mbi Mit'hat Frashërin, ashtu siç kishin vepruar edhe mbi disa personalitete të tjera antikomuniste të Lindjes, si Stepan Bandera, Lev Rebet, Georgi Markov etj. Mit'hat Frashëri u gjend i vdekur siç supozohej nga njëe atak zemre, atëherë kur Kim Filbi udhëtonte për në New York me anijen "Coronia".

9. Pse i prishi marrëdhëniet me Mehmet Shehun dhe më pas me Kadri Hazbiun, cilin kërkonte Enveri të linte pasardhës të tij, a ishte Ramiz Alia njeriu që po projektonte për të drejtuar vendin? Çfarë kishte biseduar me Hysni Kapon deri në vitin 1979?
Jo rastësisht, vetëm pak ditë pas prishjes së lidhjes mes Silva Turdiut dhe Skënder Shehut, gjërat morën për keq në familjen kryeministrore. Para vdekjes misterioze të Mehmet Shehut, Byroja Politike gumëzhinte me historinë rozë të djalit të kryeministrit dhe fanatikët e luftës së klasave luftuan me mish dhe me shpirt që çifti të ndahej. Por, dilema më e madhe edhe sot e kësaj dite është nëse historia e Silva Turdiut u përdor si armë në luftën e brendshme të Byrosë, apo ajo ishte thjesht një viktimë në kurthet e Bllokut? Në debatet e shumta të ekspertëve dhe historianëve, kur flitet për kryeministrin më jetëgjatë të regjimit komunist, jepen detaje që tregojnë se në nivelet e larta të Partisë Komuniste, Shehu kishte jo pak kundërshtarë, të cilët luftonin me çdo mjet që të gjenin prova për ta rrënuar karrierën e tij. Njëra prej armëve që u përdor ishte vajza me biografi jo të mirë që hyri në shtëpinë e kryeministrit. Por ka edhe hipoteza të tjera, të cilat lidhen me motive të tjera, të cilat e shtynë kryeministrin t’i jepte fund jetës. Gjithsesi, prishja e një lidhjeje përfundoi me një fund tragjik edhe për Mehmet Shehun dhe rrënimin e familjes së tij. Po ashtu, disa kohë më vonë Enver Hoxha dënoi Ministrinë e Brendshme, të cilës i kishte besuar një pjesë të mirë të pushtetit. Edhe dënimi i Kadri Hazbiut mbetet misterioz. Ka shumë hipoteza lidhur me dënimin e tij. Ato që më shumë duket se kanë zënë vend, janë hipotezat e frikës së Hoxhës për marrjen e pushtetit nga një njeri i cili dilte nga sfera e influencës së tij. Mendohet se Hoxha si pasardhës të tij kishte parashikuar Hysni Kapon. Por vdekja e tij në vitin 1979 prish planet dhe në skenë del ideja e Ramiz Alisë. Për të trashëguar pushtetin tek Ramiz Alia, sigurisht duhej të largoheshin njerëzit më të fortë siç ishin Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu.

10.Misteri i fundit është padyshim sëmundja dhe vdekja e Enver Hoxhës. Pse u mbajt sëmundja dhe vdekja, e fshehtë për një kohë të caktuar?
Enveri ishte një koleksion sëmundjesh. Kishte pasur dy hemorragji cerebrale, më 1983-in dhe 1984-ën, kishte humbur gati krejtësisht sytë në mënyrë të pakthyeshme, ndërkohë që dy ditë para vdekjes kishte kaluar edhe infarkt. Tashmë është shkruar mjaft për faktin se diabeti i rëndë kishte ndikuar në këtë fund të keq. Humbja progresive e mundësive të tij fizike dhe intelektuale nuk zbuti aspak pushtetin e tij të tmerrshëm, atë pushtet, që njerëzit e tij të afërm, me një fshehtësi gjithnjë e më të madhe, e ruanin deri në absurditet, duke shkaktuar situata tragjike. Momentet e fundit të Hoxhës janë shoqëruar nga hije dyshimi të mëdha. Dyshimtarë të kohës tregojnë se vdekja e tij u mbajt e fshehtë për dy ditë. Më 11 prill të 1985 Enver Hoxha deklarohet zyrtarisht i vdekur. Ceremonia e tij u shoqërua me homazhe madhështore, sa në psikozën e njerëzve u duk se nga ai moment e pas Shqipëria nuk do të kishte më të ardhme. Trupi i tij u vendos në varrezat e dëshmorëve. Shumë pikëpyetje u ngritën asokohe, nëse do të ishte Piramida vendi ku do të vendosej trupi i balsamosur i Enver Hoxhës.



Kush ishte Enver Hoxha?
Lindi më 16 Tetor 1908 në lagjen "Palorto", Gjirokastër (Shqipëri), në familjen e një nëpunësi që për shumë vite kishte emigruar në Amerikë. Mësimet e para i mori në Gjirokastër, pastaj vijoi studimet në Liceun e Korçës. Në vitin 1930 shkoi të studionte, me një bursë studimi shtetërore, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Montpelje të Francës, por shumë shpejt e la. Pas një viti në Fakultetin e Biologjisë ai shkoi në Paris ku kërkoi të studionte në Fakultetin e Filozofisë. Në Nëntor të 1933-tës la Parisin për të punuar si sekretar në Konsullatën Shqiptare në Bruksel. Aty filloi studimet universitare në Fakultetin e Jurisprudencës dhe vazhdoi me korrespondencë studimet e filluara në Paris. Për shkaqe politike u pushua nga puna dhe në vitin 1936 u kthye në Shqipëri.
Sekretar i Përgjithshëm i KQ të PKSH 1943-1948.
Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së 1948-1985.
Kryeministër i Shqipërisë me mandat nga 22 tetori i vitit 1944 gjer më 10 janar të vitit 1946 si pjesë e kabinetit të parë komunist.
Kryetar i Këshillit të Ministrave me mandat nga 22 marsi i vitit 1946 gjer më 30 qershor të vitit 1950.
Ministrave i Jashtëm i Shqipërisë me mandat nga 22 marsi i vitit 1946 gjer më 30 qershor të vitit 1950.
Kryetar i Këshillit të Ministrave me mandat nga 5 korriku i vitit 1950 gjer më 23 korrik të vitit 1953.
Ministrave i Jashtëm i Shqipërisë me mandat nga 5 shtatori i vitit 1950 gjer më 23 shtator të vitit 1953.
Kryetar i Këshillit të Ministrave me mandat nga 23 korriku i vitit 1953 gjer më 19 korrik të vitit 1954.

Gjatë vitit 1980 u diagnostikua me sëmundjen e diabetit dhe në 1983 pëson një ishemi cerebrale, e cila ju përsërit në vitin 1984. Më 11 Prill 1985 ndërron jetë në Tiranë. Në vitin 1990, me rënien e regjimit diktatorial që ai instaloi, çdo embleme dhe simbol i tij u shkatërrua plotësisht, dhe u cilësua si diktatori.

T. Observer

No comments: