Unë jam shqiptar si ju, por për një jetë më të mirë dhe për një formim më të mirë intel...ektual, si shumë nga bashkëkombasit e mi, u largova nga Shqipëria, duke marrë rrugët e largëta e të mundimshme të mërgimit.
Duke jetuar dhe studiuar jashtë Shqipërisë, në një vend të zhvilluar të Bashkimit Evropian, vë re se gjërat në Shqipëri, nuk po lëvizin akoma në binarin e duhur, që të dërgon drejt të ardhmes, për të cilën aq shumë kemi ëndërruar, pritur, luftuar me dekada të tëra.
Miqtë e mi në vendin ku jetoj, studjoj, më shikojnë që drekoj në një restorant, që darkoj në një mensë universitare, por ato nuk e dinë që shumë nga bashkëkombasit e mi, që jetojnë në Shqipëri, e marrin bukën edhe sot me listë.
Ju, vëllezërit e mi, që jetoni në Atdhe, e dini se politikanët duhet të kenë në misionin e tyre, lumturinë e qytetarëve, që të sjellin ngrohjen në shtëpitë tuaja, që t’iu garantojnë dritat, ujin, sigurinë, të drejtat dhe liritë e garantuara me ligje. Ju, e dini dhe e keni mësuar nga formimi juaj intelektual, familjar dhe shoqëror që vjedhja është krim, është akt turpi dhe papërgjegjësie.
Të gjithë ju, e dini që kush vjedh ose abuzon me pushtetin duhet të përballet me ligjin, por hajdutët mjeran në pozicionee drejtuese, nën abuzimin me pushtetin e legjitimuar nga vota juaj, vazhdojnë të abuzojnë mbi ju, dhe mbi besimin tuaj.
Çdo gjë në këtë botë, përfshi dhe vetë botën, e kanë pasur zanafillën nga një reaksion i fuqishëm aktiv.
Kështu mendohet se u krijua dhe universi i gjithësisë. Prandaj, të reagosh në mbrojtje të interesave të përbashkëta, në kërkim të mirëqenies, lumturisë, jo vetëm që e shikoj të drejtë, por të domosdoshme dhe të vetmen mënyrë për ti pasur të realizuara në realitet dhe jo më në ëndrra aspiratat tona. Unë, dhe bashkëmoshatarët e mi shqiptarë.
Për sa kohë do të vazhdojmë të jemi “Në tranzicion”?
Ndoshta për aq kohë sa ky emër do të jetë bërë monoton, i bezdisëm, i lodhshëm dhe i padurueshëm. Për aq kohë sa ne duhet të jemi të bindur dhe të vendosur për ti dhënë fund. Ju, shikoni dhe gëzoheni, kur dëgjoni se do të fillojnë punimet e ndërtimit të një x rruge, sepse e dini shumë mirë që infrastruktura është vendimtare në garantimin e zhvillimit ekonomik, por pa kaluar shumë kohë ju kuptoni se rruga nuk do të ndërtohet me cilësi, sepse fondet janë vjedhur. Mos marroni se interesat e përbashkëta mbrohen vetëm në mënyrë të përbashkët.
Ju e dini se klasa aktuale politike është autokratike, regresive, miope, por nuk reagoni që ta ndryshoni dhe ta zëvendësoni me një klasë të re që beson se pushteti rrjedh nga populli dhe që i përket popullit.
Unë, ashtu si dhe ju, e di që jeni të lodhur e të zhgënjyer nga realiteti, por përse nuk ndalojmë për pak çaste që të reflektojmë dhe të mendojmë në të njëjtën kohë, se si mund të ndryshohet ky realitet, duke parë me optimizëm zgjidhjen që buron vetëm prej nesh.
Ju, vëllezër që jetoni në Shqipëri, doni që ne, bijtë tuaj që jemi larguar jashtë të kthehemi në Atdhe, për të ndërtuar së bashku të ardhmen, por ju, ndoshta nuk e dini se edhe pse kemi shume mall për vendin dhe dëshirë për tu kthyer, nuk mundemi, sepse Shqipërinë e ka mbuluar militantizmi dhe injoranca.
Injoranca frikësohet nga dituria.
Nga ky arsyetim kuptojmë se të dyja nuk mund të bashkëjetojnë në formë paralele së bashku. Prandaj, ne dhe ju duhet t’iu tregojmë vendin që meritojnë mediokërve dhe injorantëve. Të gjithë së bashku, duhet të jemi te vendosur dhe të bindur se nuk mund të vazhdohet më me konceptin e xhunglës se me i forti mbijeton. Nuk duhet te jemi dakord dhe të pranojmë se populli është vetëm një turmë.
Nuk duhet të pranojmë faktin që të jetosh pa drita në shekullin e 21-të është diçka normale.
Nuk duhet të pranojmë faktin që nuk kemi ujë në shtëpitë tona edhe pse në na natyrë na ka dhuruar plotë burime ujore.
Nuk duhet të pranojmë të udhëtojmë në rrugë me gropa.
Nuk duhet të mbetemi analfabet, sepse nuk kemi lekë të blejmë tekstet shkollore.
Nuk duhet të sëmuremi, sepse nuk kemi lekë që t’iu japim doktorëve.
Nuk duhet të pranojmë vetëvrasjen, vrasjen në familje për shkak të depresionit mendor shkaktuar nga këto probleme ekonomike ndaj së cilave klasa politike është totalisht neglizhente.
Nuk mund të pranojmë që edhe sot në vitin 2010 njerëzit blejnë me lista.
Ju dhe unë i dimë të gjitha, por nuk reagojmë.
Duhet të besojmë se nëse jemi të vetëdijshëm në kapacitet tona dhe se një e ardhme më e mirë dhe më e sigurt na pret. Prandaj, le të punojmë të gjithë së bashku për ta ndërtuar atë, duke i garantuar vetes dhe brezave që do të vijnë një jetë më të mirë me standarde bashkëkohore.
Le ti them stop sjelljes pasive në mbrojte të lirive, të drejtave për të ndërtuar jetën që meritojnë në harmoni të plotë më mirëqenien ekonomike dhe lumturinë shpirtërore. Çdokush është zot i vetvetes, të gjithë jemi zot i vendit tonë, që ka shumë nevojë për ne të gjithë që të lulëzoj si vendet simotra të familjes Evropiane.
Nga Alban Daci, Agjencioni FLOART - PRESS,
Redaktoi: Stop Injorancës
No comments:
Post a Comment