Monday, April 19, 2010

Kur tolerojmë të keqen

Dëgjo gjykatë! Nëse vërtetë je e pavarur, atëherë respekto ligjin! Mjafton të rishikohen skenat nga Kuvendi dhe aty i gjen provat. Nuk mund të besohet se nuk i ke parë dhe nuk ke mbetur gojëhapur!

Të dëmtuarit mund t´i falin sharjet të bëra nga tempulli i popullit, por gjykata duhet ta ndëshkojë thyerjen e ligjit. Nëse je parimore, atëherë do të kemi një kryeministër të dënuar apo më mirë të gjobitur. Një milion euro do t´ishte korrekte. Nëse mendon se nuk i ka, i gjënë në rrethin e vet! Ata i kanë!

Dhuratat e Muskatorit*: Për ta fituar mbështetjen dhe simpatinë greke, vendosi në krye të Kishës së Nolit një grek. Për ta fituar simpatinë dhe mbështetjen e arabëve, anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike, ku nuk ka asnjë ndikim dhe ku shumica e anëtarëve të saj tregohen pro-serb. Për ta fituar simpatinë e Papës, u gjunjëzua para tij. Grekëve nuk u mjaftoi dhurata e parë, nënshkroi dhuratën e dytë: faljen e detit.

Nuk i kërkoi falje as popullit, as zotit Myslim Pasha, që me fakte e denoncoi. Vendeve islamike nuk u mjafton anëtarësimi, nuk dimë se çka ka ndërmend të bëjë për ta. Për ta fituar simpatinë e shqiptarëve nuk bën gjë. Shqiptarët mund të votojnë kë të duan dhe si të duan, por ai do të fitojë...

E dini ç'ndodh kur themi të gjithë: "Hapni rrugën"! Kur themi: "Mos u merr me të se është i rrezikshëm!" apo "Lëshoja rrugën se është i çmendur!". Ne e dimë se ç'ndodh, sepse dikur e prodhuam një diktator. Kur të gjithë disiplinohemi, vetë-sugjestionohemi dhe vetë-censurohemi, atëherë do të ikim si turmë e pakrye në trotuar.

Ai në rrugën e hapur do të nisë marshin kryelartë dhe do të shfrytëzojë mundësinë ideale për të marrë pushtetin! Dhe, e merr! Nëse e lejojmë akoma, ne nuk do të kemi më guxim të merremi me të, por më pas do të jetë ai që do të ketë guxim e fytyrë të merret me ne! Dhe, do të merret, sepse na imponoi frikë, na imponoi disiplinën dhe ne nuk kundërshtuam! E merituam, e kishim fat!

Obama i ftoi për darkë në Pragë përfaqësuesit e njëmbëdhjetë vende ish-komuniste. Shqipërinë e Sali Berishës, jo. Shqipëria e gjorë, e vetmja prej 11 vendeve ish-komuniste, që qeveriset ende nga një bashkanëtar i Enver Hoxhës!

Dëgjo Europë! Gati pesë dekada na mbylli derën nga brenda diktatura staliniste. Gati dy dekada na mbylli derën nga jashtë demokracia europiane. Nuk na dëshpëroi kjo, ishim mësuar me dyer të mbyllura, por na habiti çelësi, që përdori demokracia. Ishte gati po ai çelës me efekte dhe rezultate të njëjta denigruese.

Mirëpo, megjithëkëtë, të duam më shumë se diktaturën.
Sidoqoftë në Ballkan përsëri dolën fitimtar ata që vranë më shumë. Bosnja dhe Kosova po humbin edhe një herë. Në kohën e komunizmit ju kritikonit vizat, sot po dënoni kombe, që kanë aq banorë sa një qytet në Perëndim! Ata nuk po pretendojnë pjatën tuaj, por lirinë e lëvizjes, sepse europian janë!

Dhe në fund i japim fjalën Albert Einstein-it: "Bota nuk rrezikohet nga njerëzit e këqij, por nga ata, që tolerojnë të keqen!

*( Muskator, shkurtese nga Muslima, katolik, ortodoks)


Naser Aliu, Shekulli

No comments: