"...Biznesmeni tiranas i mobilieve R.N., 50 vjeç është njoftuar nëpërmjet internetit se kishte fituar një lotari 1 milionë sterlina në Kenia. Pas disa komunikimeve me telefon dhe E-mail me kompaninë e lotarisë, ka marrë rrugën e gjatë drejt Afrikës. Prej dy muajsh ndodhet në Kenia. Në vend të kthehej "me paratë e rëna nga qielli", deri tani familja e tij i ka dërguar 150 mijë euro dhe nuk po mundet të kthehet mbrapa në Shqipëri..." (Kronikë nga shtypi i Tiranës)
Të gjitha shqisat, të gjitha ndjesitë të shtyjnë drejt "Western Unionit" apo bankës më të afërt për të dërguar pagesën për të shpejtuar e legalizuar procesin. E çfarë janë 1000- 2000 apo edhe 10 000 dollarë amerikanë përballë 14 000 000 eurove .... Vetëm qindarka... Vetëm ... asgjë. Një hiç. Shpejto!? Shpejto se po ta marrin të tjerët.... Minutat deri aty të duken orë të tëra. Mezi pret të nisesh qindarkat për milionat e rëna nga qielli. Menjëherë kryhen veprimet dhe nisen kacidhet e papërfillshme përballë malit të milionave. Brenda disa sekondash llogaria bankare ose portofoli juaj është zbrazur me disa kacidhe për t'u mbufatur shumë shpejt, për t'u shqyer edhe valixhet me milionat e rëna nga qielli.
Po aq shpejt veprohet edhe në krahun tjetër nga ana e marrësit bamirës. Brenda sekondave ata marrin "kacidhet" e tua e shumë të tjerëve dhe nuk vonojnë. Të thërrasin në telefon për të falënderuar dhe uruar edhe shumë herë për fatin tënd të madh(!?). Nganjëherë këtë e bëjnë edhe pas dy - tre ditësh për t'u treguar moskokëçarës për "kacidhet" e tua.
Nuk e lënë kurrë të kalojë java për të kërkuar edhe një shumë fare simbolike prej 1000 - 2000 dollarësh të tjerë për disa veprime bankare shtesë në krahasim me fatin tënd të madh dhe brenda një muaji kjo "shumë fare e vogël" që ata të kërkojnë i kalon të pesë mijë dollarët e djersës dhe mundit tënd... Ne fund të fundit çfarë janë këto 5000 dollarë para 14 000 000 eurove që po vijnë nga qielli me... "posten e Hazirit".
"Posta a Hazirit" dhe " Posta e Floririt" ( ! )
Ka qenë një postier në një fshat në Tropojë. Quhej Hazir... Çdo ditë ai dilte në Kolgecaj, emri i qytetit të Alpeve para se të merrte emrin e plakut të maleve, heroit Bajram Curri. Dilte. Kryente punët e tij. Takonte miq, shokë e të njohur. Hante edhe ndonjë petull a byrek të nxehtë me pagën që i jepte Këshilli i fshatit. Ndonjëherë i dilte edhe ndonjë bozë a akullore qyl nga ndonjë mik i veti. Kthehej. Kur e pyesnin bashkëfshatarët për ndonjë letër a lajm, ai u jepte haberet e krejt qytetit, por jo letra... Një muaj, dy muaj... një vit. Derisa një dite e zbuluan se Haziri çdo gjë bënte përveç marrjes se postës për çka ai paguhej. Kështu lindi shprehja "Posta e Hazirit" për gjithçka nisej me postë, por që nuk mbërrinte kurrë.
Sidoqoftë, posta e Hazirit ishte shumë më e mirë se posta e "El Dorados" "Floririt". Nuk sillte zarfe e letra, por të paktën nuk të zhvaste para më shumë vlerë. E posta e "El Dorados" e çekut fatsjellës nëse shkon me ëndrra në diell të merr edhe centin e fundit, pa të sjellë mbrapa jo milionat, por asnjë qindarkë kurrë.
Dardha e ka bishtin mbrapa...
Qysh prej dhjetë vitesh autori i këtij shkrimi dhe qindra mijëra shqiptarë dhe jo shqiptarë këtu në Amerikë, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e në mbarë botën mund të kemi marrë mbi dhjetë zarfe me "lajmin mrekullues" të fitimit të lotarive, e me qindra kërkesa në internet për "investime gjigante nga trashëgimtari i Mbretit të Nigerisë në fushat e naftës " ..., nga djali i Sulltanit të Svazilendit për zbulimin e minierave më të mëdha të diamanteve në botë ... E ç'nuk kemi marrë.
Janë me mijëra shqiptarët që kanë rënë viktima të këtyre mega - mashtruesve të pafytyrë. Bëhet fjalë për grupe mafioze nga me primitivet e deri tek më të sofistikuarat që duke përdorë të dhëna personale të marra nga interneti, nga numëratorë telefonikë, nga burime pafund që ka krijuar ky shekull i informacionit, nuk lënë rrugë e mjet pa përdorë për të grabitur mundin e djersën, pasurinë dhe paratë e të tjerëve.
Mijëra viktima, miliarda dollarë...
Njoh profesorë universiteti, njoh doktorë të nderuar, njoh ekonomistë të zotë, njoh pleq fisnikë e të rinj të shkolluar, ... njoh edhe njerëz nga më të zakonshmit që kanë rënë pre e këtyre hajnave të paskrupuj. Dikush 1000, dikush 2000, dikush 5 000 por edhe dikush ka hedhur në erë deri në 10 000 dollarë amerikanë ose vlera të njëjta në Lekë, Euro, Sterlina për të marrë "çekun fatsjellës".
Mënyra që përdoret është aq sa primitive edhe e sofistikuar. Ata shfrytëzojnë ndjesinë e natyrshme të çdo qenieje njerëzore për para, për pasuri, për një jetë më të mirë si dhe prirjen e njeriut për t'i siguruar ato me sa më kollaj. Ata keqpërdorin dobësinë njerëzore për të fituar sa më shumë me sa më pak mundim e djersë. Ato gjuajnë qorollepsjen e njeriut pas parëse, pas fitimit me çdo kusht. Njoh mijëra shqiptarë të Amerikës e Shqipërisë, të Kosovës e Malit të Zi, të Maqedonisë, në Europën Perëndimore, në Australi e në mbarë botën që kanë rënë viktima të këtyre hajnave të pafytyrë. Dikush më pak e dikush më shumë, por së bashku kanë humbur miliona dollarë, e po të shtojmë edhe "piramidat"... mbi dy miliardë dollarë....
Ilaçi i shpirtit, por jo i xhepit( !? )
Pas një hetimi trevjeçar, muajin e fundit Byroja Federale Hetimeve, FBI- ja amerikane zbuloi dhe goditi një rrjet gjigant të tillë shumëkombësh mashtrimi. Mbi 3 milionë amerikanë dhe nga shtete të tjera kishin rënë viktima të këtyre grupeve mafioze që përfshinin me mijëra mashtrues të kombësive dhe racave të ndryshme në pesë kontinentet. Mbi 5 miliardë dollarë u janë zhvatur viktimave amerikane dhe jo amerikane brenda dhe jashtë territorit të Amerikës nga kjo shumëkombëshe e krimit të organizuar.
Krimi nuk ka dallim race, feje, ideje, kombësie, shtetësie, ideologjie, sistemi. Krimi është krim dhe i tillë mbetet deri edhe përtej varrit. Mbi 1000 prej këtyre mashtruesve kanë përfunduar në pranga dhe qelitë e ftohta e të pista të burgjeve. Mijëra të tjerë janë pas në atë rrugë të palavdi. Por, shanset për gjetjen e rikthimin e parave e pasurive të grabitura me këto mashtrime të ndyra janë shumë të vogla për të mos thënë nuk ekzistojnë.
Zbulimi, arrestimi dhe ndëshkimi i regjisorëve dhe autorëve të këtyre mega - hajdutëve lehtëson shpirtin, por jo xhepin e viktimave, që aq shume ua kanë lehtësuar krimin me mendjelehtësinë e treguar ndaj mundit dhe djersës së vet.
Mendjelehtësia e cjapit tek kasapi ...
Mendjelehtësi vrastare për mundin e djersën, për pasurinë dhe prokopinë e miliona njerëzve. Kjo mendjelehtësi mban vetëm një emër: "të shkosh si cjapi tek kasapi" (!?) Në vend që të hapnim sytë dhe t'u drejtoheshim organeve ligjore për të denoncuar këto vampirë të pangopur tek shteti dhe qeveria përkatëse, mbyllnim sytë dhe gojën se mos na e merrte fatin tjetri duke mbjellë fatkeqësinë tonë me duart e mendjen tonë të trullosur. Mendjelehtësi vrastare, jo vetëm për xhepin, por edhe për shpirtin...
Të shkosh me këmbët e tua duke vrapuar. Të shkosh me duart e tua plot me paratë e djersës dhe mundit tënd duke rendur si në garë! Të vrasësh veten dhe pasurinë tënde me mendjen tënde të qorollepsur nga "El Doradoja" famëkeq! Çfarë emri tjetër mund t'i vesh veç mendjelehtësi vrastare. Edhe më keq mendjelehtësi vetëvrasëse!
Shteti luan rolin e vet. Qeveria bën punën e saj. Ligji është ligj dhe do veprojë herët a vonë. Por, të mos harrojmë shprehjen lapidare të ish-Presidentit legjendë të Amerikës, Xhon Kenedi: "Mos shiko se çfarë shteti bën për ty, por shko se çfarë bën ti për shtetin". Një shprehje dhe këshillë e artë për çdo njeri në botën e sotme.
"It's too good to believe (! )"
Detyra e parë si qytetarë është të hapim sytë dhe të mbajmë trurin e freskët si në të mirë edhe në të keq, si në kulmin e pasurisë edhe në greminën e varfërisë. Pse? Mat njëqind herë e prit një herë, thotë mençuria shekullore e popullit tonë. Pse? Shumë thjesht.
Si mund të fitosh një lotari multimilionëshe si "El Gordo" ose "La Primtiva", si "Powerball" ose "Megamillion", si milonadollarëshe apo njëdollarësh kur nuk e ke luajtur kurrë e për më tepër kur je mijëra kilometra larg saj (!?) Kurrën e kurrës.
Kur trumbeton miliarda dollarë thesare e pasuri "trashëgimtari i mbretit të Nigerisë" apo "djali i 202 me gruan e 305 i Sulltanit të Svazilendit" ku vdesin nga uria e sëmundjet qindra mijëra afrikanë të mjerë, pse paska nevojë për 1000 apo për 1, për 2 apo 3000 dollarë, euro ose lekët tuaja (!? ) Për më tepër për t'i investuar në fusha si ajo e naftës apo minierat e diamanteve, ku fitimi shumëfish është më se i garantuar ...
Ndaj...Syçeltësi vëllezër ...syçeltësi !
Shekulli
Tiranë, zbulohen “sms”-të e llotarive mashtruese në celularë
EKSKLUZIVE - Zbulohen mesazhet telefonike të shpërndara nga llotaritë fantazmë që tentuan të mashtrojnë qytetarët shqiptarë gjatë dy
muajve të fundit.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Tiranë, paralajmëroi pak javë më parë qytetarët duke kërkuar që të bënin kujdes dhe të mos binin pre e llotarive të tilla mashtruese, të cilat premtojnë fitimin e shumave të mëdha të parave duke vënë si parakusht per pjesemarrje ne keto shorte, derdhjen në llogarinë e tyre të shumave deri në 10 mijë euro.
Sipas hetimeve të policisë shqiptare për të paktën katër nga këto raste, ka rezultuar se qytetarët kanë derdhur shumën e parave në llogarinë e dhënë dhe më pas kanë humur kontaktet me personat që organizojnë lotaritë false të cilët janë zhdukur pasi kanë përfituar shumën e paradhënies.
Nga burime zyrtare të policisë shqiptare, agjencia “LajmiFundit” mësoi përmbajtjen teksuale të mesazheve që janë shpërndarë në e-maile dhe telefona celularë.
SMS-të kanë mbërritur tek qindra qytetarë të cilëve u premtohej pjesëmarrja në llotari ku do të fitonin deri në 500 mijë paund.
SMS anglish:
“Congratulation, your cell phone has Won 500.000 pound in the ongoing Nokia Uk Promo. For Claims: Call+44...or E-mail: Coordinator.nokiaprom@live
SMS Albanian
“Urime, telefoni juaj celular ka fituar 500.000 paund nga Nokia Uk Promo. Per hollesi, telefononi ne nr. +44...ose shkruani ne E-mail: Coordinator.nokiaprom@live
Kjo eshte permbajtja e mesazhit te paraqitur ne polici nga shtetasi nga Tirana i cili ka bere denoncimin. Ai u ka thene hetuesve se kishte dyshuar qe ne fillim, pasi telefoni i tij nuk ishte i markes Nokia.
Policia shqiptare ka pohuar se të paktën 15 qytetarë shqiptarë kanë telefonuar menjëherë sapo kanë marrë këtë mesazh dhe pasi kanë komunikuar me operatorin, kanë kryer derdhjen e shumës paradhënie që u është kërkuar.
Më pas ata kanë tentuar të lidhen me personat në fjalë për të marrë pjesë në lotari por gjithçka ka rezultuar një mashtrim.
Për shkak se personat që kryejnë këtë aktivitet mashtrues dyshohet se qëndrojnë jashtë Shqipërisë, policia tha se po bashkëpunon me autoritetet e policive homologe me qëllim zbulimin e abuzuesve. (lajmifundit.com)
No comments:
Post a Comment