1. Në Londër, në pjesën jugore të Hammersmith Bridge, jo shumë larg nga shkolla e njohur Saint Paul, shtrihet Barns, pjesë e Lagjes Richmond Upon Thames.
Është ajo pjesë e Londrës që i pëlqente më së shumti shkrimtarit amerikan, Ernest Hemingway, aq sa, gjithsaherë vinte në Londër, do gjente kohë të ndodhej dhe këtu (sipas dëshmisë së gruan së tij, Martha Gellhorn, të cilën kam pasur fatin ta takoj rastësisht në Trafalgar Sqaure disa muaj para vdekjes së saj).
Këtu, në Barns, jeton prej vitesh dhe një familje shqiptare, Iliri, e shoqja, Lola, Bukuria dhe Jonida, vajzat e tyre binjake, dhe Baby Mathew. Ose më saktë, vazhdojnë të jetojnë këtu në Barns të gjithë, përveç Jonidës, e cila vdiq me 20 Gusht të vitit të kaluar në një aksident automobilistik në Tiranë, 500 metra larg aeroportit të Rinasit, ku kishte për të kapur avionin për t'u kthyer në Angli.
Jonida dhe Bukuria kanë lindur me 21 Prill të vitit 1995. Kur ishin në Shqipëri, as ato dhe sa prindërit e tyre nuk e dinin se rastësisht kishin të njëjtën ditëlindje me Mbretëreshën Elizabeth e Dytë, Mbretëresha e sotme e Mbretërisë së Bashkuar. Nuk e dinin, dhe nuk do ta kishin marrë vesh për një kohë të gjatë, sikur, që në vitin e parë të mbërritjes në Angli të mos merrnin, më 21 Prill, një letër zyrtare me vulën Mbretërore. Mbretëresha Elizabeth e Dytë ju uronte binjakeve shqiptare Ditëlindjen.
Pas çudisë dhe mahnitjes së parë, mësuan se Mbretëresha e Anglisë u dërgon, përmes Sekretareve të saj, një letër - Urim Ditëlindjeje të gjithë shtetaseve Britanikë që kanë lindur më 21 Prill. Dhe letrat firmosen personalisht me dorën e Mbretëreshës. Kam pasur rastin t'i lexoj urimet mbretërore dërguar për çdo vit dy binjakëve shqiptarë, urime të shkruara me një përkujdesje delikate.
Mbretëresha e Anglisë i quan vajzat shqiptare "të përngjashmet e saj, të bashkuar përmes një dite të njëjtë Lindjeje". I kam lexuar ata letra duke menduar se politikanët shqiptarë, po të mësonin rastësisht se dhe fqinji i tyre ka të njëjtën ditëlindje me të, do ta këshillonin të ndërronte ditëlindje sa ma parë, që kënaqësia e festimit dhe celebrimit t'i mbetej veç atij, politikanit, të pazëvendësueshmit, të lavdishmit, të përzgjedhurit, Unikalit!
2. Më 20 Gusht të vitit të kaluar, në orën 4 të mëngjesit, një makinë udhëtonte drejt Rinasit për të përcjellë Jonidën.
Jonida do të kapte avionin Tiranë-Londër të orës 5 të mëngjesit. Jo më larg se 500 metra nga parkimi i aeroportit, makina përplaset nga pas. Jonida bie në koma nga përplasja e fuqishme.Vdes në spital pas tre ditësh, pa arritur kurrë që të kuptojë se çfarë ka ndodhur.
Presidenti i "Albanian Airlines" sapo kishte lënë një party të zhurmshme me kolegët e vet, në Rinas, një party, që përkthyer në shqipen e dikurshme, nuk do thotë as me shumë e as me pak se një zajafet mejhanesh me raki dhe pilaf, me bërxolla dhe verë Përmeti dhe Lundrese, me dolli dhe me allti, me këngë Elbasani dhe me jare stambollani.
Presidenti i "Albanian Airlines" i jep makinës me shpejtësi avionësh (ngase është President i një shoqërie avionësh). Udhëton me 220 km në orë. I jep makinës i pirë, që në standardin shqiptarë do të thotë se i jep makinës në mënyrën më të rregullt dhe më të përpiktë. Për fatalitetin e Jonidës, ai ndodhet pas makinës ku udhëton ajo.
3. Një aksident makine ndodh kudo, në çdo vend të botës. Aksidenti i Jonidës mund të kishte ndodhur në Londër, në Paris, Romë. Thjesht fataliteti i të ndodhurit në një kohë të gabuar e në një vend të gabuar (wrong time, wrong place). Por aksidenti i Jonidës, për fat të keq, merr përmasat e realitetit shqiptar.
Menjëherë pas humbjes së vajzës, prindërit e saj fillojnë të marrin, në vend të ngushëllimeve e të kërkimit të faljes, kërcënime. Bëni mirë të largohuni sa më parë nga Shqipëria! Dhe veçanërisht mos gaboni të flisni keq për shkaktarin e aksidentit, sepse ka miq të fuqishëm. Atij, shkaktarit të vdekjes së Jonidës, Presidentit të "Albanian Airline", dhe jo Jonidës (e cila vdiq pas ditësh pas aksidentit, ngase për tre ditë jetoi në koma, duke qenë ironikisht në të njëjtin spital me vrasësin e saj) i shkojnë në spital njerëz të fuqishëm.
Lulëzim Basha është ndër të parët që i bën vizitë. Unë nuk e njoh Lulëzim Bashën. Më thonë se është partner biznesi me Presidentin e "Albanian Airlines".
Dhe duke qenë bashkëbiznesmen me të, e kuptoj detyrimin që ka pasur për t'i bërë në spital sivëllait të vet. Por Lulëzim Basha qenka në të njëjtën kohë dhe Ministër i Brendshëm. Dhe vizita e Ministrit të Brendshëm te njeriu që akuzohet për vrasje është mbrojtja direkte e fajtorit. Ose mesazhi se fajtori është i paprekshëm.Trupi i Jonidës vjen në Angli. Trupi i saj prehet jo larg shtëpisë së prindërve të saj, në Barns.
4. Më 19 Janar të këtij viti, prindërit e Jonidës marrin vesh, përmes të afërmeve të vet që jetojnë në Tiranë, se është hapur një gjyq me "procedurë të shpejtë" kundër vrasësit të Jonidës. Vetë të afërmit e prindërve të Jonidës e kanë mësuar hapjen e gjyqit krejt rastësisht, ngaqë komshiu i tyre ka ndodhur atë ditë në Gjykatë dhe paska lexuar njoftimin e gjyqit në një fletushkë në mur.
Ata vetë nuk janë lajmëruar kurrë për asnjë lloj gjyqi. Avokati i të pandehurit është i vëllai i vetë të pandehurit. Në çdo vend të botës të qytetëruar, vëllai i një të pandehuri nuk mund të jetë avokat mbrojtës i të vëllait të akuzuar, për shkak të "conflict of interest". Por në Shqipëri kjo nuk shqetëson askënd.
Madje, avokati mbrojtës, Petrit Serani, ja bën të qartë të afërmve të Jonidës, se "unë marr pjesë në mbrojtjen e Fatmir Mediut". Në seancën e parë (Hearing) janë të pranishëm Prokurori, Gjykatësi dhe avokati i palës paditëse.Caktohet një datë tjetër gjyqi: 2 Shkurt. Pala e akuzuar nuk paraqitet. Gjyqi shtyhet për 16 Shkurt. Arsyeja? Gjykatësi shpjegon: "Avokati mbrojtës nuk ka adresë fikse, kështu që unë nuk kam se ku ta dërgoj Vendimin". Dikush i pëshpërit gjykatësit se Avokatin pa adresë sapo e kanë parë në shkallët e gjykatës, pesë minuta më parë. Gjykatësi shpjegon se kjo nuk ka të bëjë asgjë me atë çfarë tha më lart.
Gjygji shtyhet per 3 mars.
5. Një sistem politik a shoqëror mbetet me atë se deri në ç'masë ky sistem mbron të pambrojturit. Sistemi gjyqësor i Shqipërisë të kujton nëpërkëmbjen kafkiane të njerëzve. Letrat e Mbretëreshës Elizabeth e Dytë drejtuar binjakëve shqiptarë janë ku e ku më tepër se letra kortezie, ashtu si cinizmi i sistemit gjyqësor ndaj rastit të Jonidës është ku e ku më tepër se shprehja e një cinizmi të një rasti të veçantë.
Pas19 Janarit, kur prindërit e Jonidës njoftohen nga njerëzit e tyre të afërm për hapjen e një gjyqi për vrasësin e vajzës së tyre (natyrisht, jo për ta dënuar atë), ata i kërkojnë mbrojtje Parlamentarit të Zonës ku banojnë ata, në Barns, (Local MP), Zonjës Susan Kramer.
Zonja Susan Kramer i shkruan menjëherë Ambasadores së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mc LLwham, Ministrit për Europën dhe nënsekretarit të Shtetit, Chris Bryan, sekretarit të Foreign Office-it, David Miliband. Të gjithë këta zyrtarë të lartë të Shtetit Britanik kanë reaguar ndaj rastit të Jonidës, duke shprehur keqardhjen e thellë për humbjen sa tragjike aq dhe të panevojshme të Jonidës, aq dhe gatishmërinë për ta ndjekur "pa pasur të drejtën për të ndërhyrë në pavarësinë e sistemit gjyqësor të shtetit shqiptar" procesin deri në fund.
Madje, duke i garantuar dhe mbrojtjen fizike prindërve të Jonidës, nëse ata vijnë në Shqipëri. Si ju duket kjo? Që Shteti anglez të marr përsipër mbrojtjen e një shqiptari nga shteti shqiptar? Të paktën, ne mos gjë tjetër, tingëllon patriotike! Mbretëresha Elizabeth e Dytë dhe këtë vit ka për ta dërguar me posten rojale, me 21 prill, atë letrën e urimit për ditëlindjen e dy binjakëve shqiptare. Pa e marrë vesh kurrë se Jonida ka vdekur nga një vdekje e panevojshme. Pa e marrë vesh kurrë se vrasësi i saj dhe avokati mbrojtjes i vrasësit të saj nuk kanë adresë fikse. Pa e marre vesh kurrë se binjakja e saj, Bukuria, tash e mbrapa do jetë binjake e përjetshme me trishtimin e pangushëllueshëm të humbjes absurde të Jonidës.
Pas 5 seancash gjyqësore, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet,kte vit dha dënimin për ish-drejtorin e kompanisë ajrore "Albanian Airlines" Ylli Serjani. Aksidenti që ai shkaktoi, solli vdekjen e 19 -vjeçares Jonida Mahmuti dhe plagosjen e tre personave të tjerë.
Dënimi i gjykatës ka qenë thuajse simbolik. Z.Serjani u dënua me kusht për tre vitet e ardhshme. Kështu, sipas vendimit me nr.385 të firmosur nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ilir Çeliku dhe anëtarët Albert Meçe dhe Arjan Aliaj, i pandehuri Serjani, edhe pse gjendet fajtor për kryerjen e veprës penale përfitoi nga rrethanat lehtësuese karshi personit të tij, shoqëruar me urdhërimin që i pandehuri Serjani të mos drejtojë automjete për tre vitet e ardhshme. Prokurori i çështjes, Petrit Hysi, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga togat e zeza që i pandehuri Serjani të deklarohet fajtor për kryerjen e veprës penale por te dënohet vetem me kusht për 2 vitet e ardhshme si dhe ndalimin e ngasjes së automjeteve për dy vitet në vazhdim.
Çuditërisht në vendimin me nr. 385Gjykata nuk përmend në asnjë rast marrëdhëniet jo të normalizuara me familjarët e viktimës, të cilët kanë depozituar ankesa karshi këtij vendimi në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Presidentit të Republikës, kryeministrisë, Avokatit të Popullit dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shqipëri.
G.Shekulli:RUDOLF MARKU(4 mars 2010)