Friday, November 30, 2012

Gjeni nuse shqiptare, dasmën e keni të paguar


Kryetari i Komunës së Novacit të Manastirit, Lazar Kotevski është i vetmi që po zbaton apelin e kryeministrit Nikolla Gruveski që gratë maqedonase të lindin më shumë fëmijë me qëllim të rritjes së natalitetit. Me para nga buxheti i Komunës, kryetari Kotevski inkurajon beqarët e kësaj komune të martohet sa ma shpejtë.

Megjithatë, apeli i tij siç kanë raportuar mediat lokale në Manastir, ka një porosi më të thellë: vajzat të jenë nga Shqipëria dhe jo nga Maqedonia! Me qëllim që ta rrisë numrin e fëmijëve, Kotevski madje me financa të komunës i dërgon beqarët drejt Shqipërisë që të gjejnë nuse.

Përveç që komuna u mbulon të gjitha shpenzimet e martesës, gjithashtu në grupe organizon takimin e nuseve të reja të sapo martuara nga Shqipëria në Maqedoni, duke u shtruar drekë solemne dhe vizita falas të muzeve dhe lokacionin arkeologjik Heraklea në afërsi të Manastirit, njofton Koha.

"Nëse arrijnë të gjejnë nuse në Shqipëri, atëherë komuna jo vetëm që harxhimet e rrugës, por do t’i mbulojë edhe harxhimet e kurorëzimit, harxhimet e priftit për ceremoninë kishtare dhe në fund - harxhimet e dasmës", thotë kreu i Komunës së Novacit, Lazar Kotevski.

Ai ka treguar se martesa e beqarëve maqedonase me vajza nga Shqipëria është edhe Strategjia e Komunës së Novacit, e cila siç ka thënë Kotevski, dukshëm do të ndikojë në rritjen e natalitetit në këtë komunë, e cila ka 44 vendbanime me 3500 banore, ndërsa brenda një viti lindin jo më shumë se 30 fëmijë.

"Kemi të përgatitur një listë me 100 beqarë. Vajza kemi shumë pak për shkak se një numër i madh familjeve, në mënyrë masovike po shpërngulen dhe vendosen nëpër qytete. Numri i beqarëve do të ishte shumë më i madh, por falë Shqipërisë, vetëm këtë vit kemi 30 martesa të beqarëve tanë me nuse shqiptare", thotë krenar Kotevski.

"Ashtu siç këtu ka beqarë, tek ne ka shumë vajza të pamartuara, sepse meshkujt tanë nga fshatrat ikin për punë në Itali. Në vendbanimet e varfra rurale nuk është i vogël numri i femrave të pamartuara që kanë kaluar moshën 35-vjeç. Me të vërtetë jemi larg nga vendlindja, megjithatë kemi familje dhe fëmijë tanë", thotë Shpresa Mitrevska nga fshati Aglarcë, e cila vendlindje ka një fshat malor të Shkodrës.

Nga këto martesa të përziera, në Komunën e Novacit është rritur edhe numri i fëmijëve të lindur, prandaj siç ka informuar Kotevski, Novaci me ndihmën e Ministrisë së Arsimit ka filluar me vendosjen e shkollave montazh nëpër shumë fshatra të kësaj komune.

Adelina Ismaili këndon për LSI-në

Zbulohet kënga E Adelina Ismailit që do të përfaqësojë LSI-në gjatë fushatës për Zgjedhjet Parlamentare të 2013-ës

Duke u nisur prej incidentit të paprecedent të Zgjedhjeve të shkuara, kur LSI-ja bëri gjithë fushatën e saj duke kritikuar e hedhur vrer ndaj Kryeministrit e Qeverisë Berisha dhe në fund u kthye vetë në Patericën e saj, kësaj here për të shmangur keqkuptimet dhe për të zgjedhur në çastin e fundit kualicionin fitues, do të përfaqësohen me këngën e Adelina Ismailit.

http://www.lsi.al/index.php?lang=AL
Bashkohuni me ne: "Kemi mbrojtur qindra mijëra vende pune," (Për militantët tanë)

 Dëgjoni këtu këngën e fushatës së LSI-së

Berisha: "Ëndrra e bashkimit etnik të shqiptarëve, në Europë"


Berisha në Ceremoninë 50-vjetorit të krijimit të gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë, pasi ka thurur lavdet përkatëse mbi arritjet e qeverisë së tij dhe pasi ka shtuar premtimet e reja elektorale, i ka kapur syri hartat e Shqipërisë etnike, vendosur prej nxënësve në koridoret e shkollës.


Aty ai ka shtuar se ëndrrra e bashkimit kombëtar të shqiptarëve duhet të realizohet në Europë. Të njëjtën pikëpamje ka shfaqur edhe Kryetari i Opozitës Edi Rama në takimin e tij përballë Albin Kurtit në Kosovë
Të thuash se Bashkimi etnik i shqiptarëve do të bëhet kur të bëhemi të gjithë pjesë e Bashkimit Europian, do ishte njësoj si të thuash që bashkimi i copave të gotës së thyer shqiptare do të bëhet kur ti hedhim (të fundit) të gjitha, atje tek koshi i plehrave, aty ka ka lloj e lloj gotash të tjera, të thyera apo të pathyera, të mëdha apo të vogla, origjinale apo prej kauçuku, gota, apo shishe...

Shkroi: Stop Injorancës !

STOP INJORANCES !

Thuaji "Jo" injorancës !

Ai ishte Zogu mbret?


Mik i dashur,Bertolt Brecht shkruante: Gjithë pushteti buron nga populli – por ku shkon ai?” dreqi ta hajë. Tek ne pushteti shkon nga edhe ka ardhur. Herë në Beograd, herë në Athinë, herë në Romë, së fundi edhe në Ankara. Krejt varet se cila qendër na e gozhdon në karrige një politikan. Ndonjëherë edhe dy qendra së bashku. Ju reaguat pas mendimit tim, ku shkrova te një mike në “fb” vetëm këtë fjali: “Zogu nuk është mbret. Më kundërshtuat me email, privatisht, prandaj edhe nuk po përmend emrin Tuaj, por nga respekti për titullin, që kishit shënuar në fund, jo edhe pa arsye, po ju përgjigjem publikisht. Jo nga perspektiva e një historiani, por e një njeriu të rëndomtë, që përpiqet ta kultivojë një shqisë dhe ndjenjë drejtësie, duke u bazuar vetëm në veprat penale të politikanëve, vepra që duhet t’ i dijë çdo njeri i zakonshëm, madje edhe një doktor i shkencave.


Ta zëmë se Ibrahim Rugova është akoma president i Kosovës dhe ta zëmë se ime motër, pas këmbënguljes time, martohet me Rrahman Morinën, bashkëpunëtorin e madh të Millosheviçit. (Shembujt e sotëm më shërbejnë për ta bërë të qartë peshën e çështjes, ecurinë dhe gjykimin tonë aberrativ ndaj personaliteteve negative historike si dhe rehabilitimin e tyre pa u pas penduar, rrjedhimisht pasojat në shoqëri deri më sot...)


Nejse, të vazhdojmë: Millosheviçi më ndihmon me para dhe unë grumbulloj rreth meje shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Serbia na armatosë mirë dhe unë zotohem se nuk do të interesohem për shqiptarët atje, se do të vrasë patriotët e intelektual shqiptarë, si për shembull: Adem Jasharin, Thaçin, Adem Demaçin etj. Përveç kësaj, zotohem me shkrim se do ta pranojë pushtetin serb dhe do të punojë për integrimin e Kosovës në Serbi. Me cuba shqiptarë apo mercenarë serb e rus, unë futem në Kosovë dhe rrëzoj Qeverinë demokratike të Rugovës.
Meqenëse unë futem me ndihmën e Millosheviçit, unë meritoj ekzekutim apo burg të përjetshëm për tradhti të madhe ndaj atdheut dhe për puç. Kapërcimi ilegal i kufirit me një bandë cubash të armatosur, mund të jenë akuza shtesë.
Në një vend normal, të shëndoshë nga ana mendore mendoj, këtu do të përfundonte karriera ime politike, por, meqenëse populli im nuk bënë dallime semantike në mes patriotizmit dhe tradhtisë, unë përpunoj, zhvilloj dhe rris ambiciet e mia dhe zhvilloj lakminë për pushtet të përjetshëm. Nga frika se një ditë më rrëzojnë kosovarët e mi, unë me ata cuba dhe shërbëtorë të Millosheviçit që u futa brenda, organizoj edhe shpalljen time mbret dhe kështu i siguroj vetes të drejtën absolute dhe serike të pushtetit: domethënë edhe kalimin e kësaj prone private në duar e pinjollëve të mi. Unë falënderoj Millosheviçin për ndihmën dhe katapultimin tim në fron mbretëror dhe i fal Mitrovicën me rrethinë Serbisë. Ky është çmimi i parë i fronit, pa llogaritur edhe të vrarët për ta marrë pushtetin...
Këtu konsumohet akti i tradhtisë së lart i sanksionuar në çdo kushtetutë të shteteve tokësore dhe cenohet sovraniteti i vendit për përfitim vetjake, si pasojë e lakmisë sime të sëmurë. Në një vend normal, të shëndoshë nga ana mendore mendoj, nëse jo pas puçit, këtu do të përfundonte karriera ime politike: Cenimi i sovranitetit të vendit!
Edhe spiunit serb Rrahman Morina, i jap një post ministri. Pasi të shpallem mbret i Kosovës, unë betohem se do ta mbrojë atdheun dhe do të punojë për të mirën e tij. Natyrisht për ta arsyetuar veprën time, puçin dhe blerjen e pushtetit me troje shqiptare, unë përpiqem të bëjë edhe diçka për popullin, që i hipa në qafë me armë dhe me ndihmën e Serbisë. Unë di se nuk rrihet në pushtet duke qenë kundër popullit, por vetëm duke vrarë e dëbuar nga vendi ata shqiptarë, që i sulen fronit dhe që mund të organizojnë popullin. Natyrisht se krijoj edhe një administratë sepse përndryshe bota nuk do të më konsideronte Mbret i Shqiptarëve, por Cub. Po, pse i shqiptarëve? I shqiptarëve sepse me ndihmën e atyre, që nuk i kam nën pushtetin tim, u bëra mbret!
Shtetin tim do ta pranojë fqinjët, mirëpo jo të Nolit. Noli nuk i konvenon Ballkanit, unë po! Noli ishte tepër i madh për Ballkanin e vogël. Shumë i mençur për Ballkanin primitiv. Ortodoks me besim, por vendet fqinje ortodokse nuk do ta pranojnë shtetin e tij, por do ta pranojnë timin, sepse vija nga një familje bejlerësh...
Çdokush që synon rrëzimin tim, është tradhtar i kombit, puçist dhe kundër shtetit tonë, i them popullit. Merre me mend zoti doktor i shkencave, edhe pse unë kam falur troje, e them këtë! Unë tradhtari, patriotët e vërtet i quaj tradhtarë! Në fakt, ata që dëshirojnë rrëzimin tim, janë vetëm kundërshtarë të mi, patriot e idealist, por unë për ta siguruar pronësinë e shtetit, e trishtoj atë se kundërshtarët e mi janë tradhtarë, pa marrë parasysh kush janë: Adem Jashari, Rugova, Thaçi apo Demaçi. Konceptit të lakmisë sime të sëmurë i shkojnë për shtat ngatërrimi semantik i patriotizmit dhe tradhtisë, sa të shkrihen deri në mosdallim në mes vete. Këtu arrijmë tek mendimi i shkrimtarit austriak Karl Kraus i cili thotë:“ Disa gjëra janë aq të rrejshme, sa edhe e kundërta e tyre nuk është e vërtetë!” Ngatërrimi është i përkryer dhe ja pse tek ne e kundërta e rrenës është përsëri rrenë. Dhe, e kundërta e tradhtisë është tradhti, e jo patriotizëm, si kudo në botë!


Megjithëkëtë, të vazhdojmë me veprat e mia penale. Sapo të sulmojë ushtari i parë i huaj atdheun tim shumë të dashur, unë arratisem për ta shpëtuar familjen time, duke lënë popullin në luftë pa udhëheqës dhe pa mbrojtje. Në një vend normal me mendje të shëndoshë mendoj, edhe këtu do të kishte përfunduar karriera ime politike dhe do t’ isha dënuar për shkak dezertimit: me ekzekutim apo burg të përjetshëm. Unë jo vetëm që dezertoj para se të marrin vesh ushtarët e mi sulmin, por duke konsideruar veten mbret, më duhen edhe shumë lekë për ta mbajtur oborrin tim gjallë dhe çka bëj unë? Unë vjedh floririn e atdheut, që më mbajti si mbret dhe ia mbath, ku sytë, edhe këmbët. Këtu konsumohet akti i vjedhjes kriminale duke zbrazur arkën e shtetit. Edhe pse mbret i vendit, i betuar, unë do ta shikoj luftën në televizor me plane të reja për ta rrëzuar qeverinë sapo të çlirohet vendi. Fqinjët mirëpo, nuk do të tregojnë interes të më sjellin përsëri në fron, sepse mua më pason një tjetër, që u konvenonte atyre dhe me ndihmën e tyre u ngrit dhe u gozhdua në karrige si diktator.


Këtu doktor i dashur thjeshtësova historinë gati deri në banalizim, me shembuj aktual për të kuptuar nocionin tradhti edhe doktorët si Ju. Tradhtia është tradhti dhe nuk mund ta zhbëjnë veprat e mira aty këtu. Sepse unë para se të bëhem mbret, isha vrasës, puçist, vasal i huaj dhe derisa posedoj titullin mbret, bëhem edhe dezertor edhe hajdut.
Sikur ne të ishim një vend normal, me aftësi gjykuese të shëndosha, atëherë nga pasardhësit e mi të pafajshëm, do të kërkohej së paku floriri i vjedhur. Nëse Tirana nderon me një rrugë Ahmet Zogun, është për t’ u tmerruar pse nuk nderohet edhe spiuni i Serbisë Ceno Kryeziu( Cërnoglaviç) dhe Nikola Pashiçi me një bulevard, që na prodhoi një mbret! Edhe Esat Pashë Toptani duhet nderuar nga familja e së cilit vinte nëna e mbretit Zog. Edhe ai kishte ndërmend t’ i falë Serbisë veriun, kurse jugun Greqisë. Zotimi ndaj mbretërisë së Karagjogjerviqëve, puç me një bandë tradhtarësh, vrasje e patriotëve shqiptarë, dezertimi, vjedhja e arkës së shtetit, nuk janë çështje botëkuptimi dhe pikëvështrimi, por fakte që i ka prodhuar “mbreti”, që Ju adhuroni. Veprat kriminale, nuk mund t’ i zhbëj askush, sepse ai i ka prodhuar vet. Me vetëdije dhe me pasion të sëmurë ndaj pushtetit dhe karrierës. Pajtimi me ato vepra, është krim. Injorimi i atyre veprave kriminale, është pajtim me tradhtinë dhe ngatërrim i normave morale.


Nderimi i Zogut me një rrugë, flet edhe për Qeverinë e sotme shqiptare. Nuk mund të nderohet Noli, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Hasan Prishtina, e Ahmet Zogu, sepse këta nuk mund të futen në një kallëp. Ose të parët janë patriot, ose i dyti. Ose të parët janë tradhtarë, ose i dyti. Së bashku nuk shkojnë. Në asnjë shtet të botës nuk mund të gjenden rrugë, ku bartin emra të tradhtarëve. Propozimi për këtë emërtim, aprovimi i tij nga administrata e qytetit, flet për gjendjen tonë psikike. Flet për ata që sundojnë sot vendin. Për ata që sundojnë, sepse këta nuk qeverisin, por manipulojnë dhe dominojnë. Jo vetëm kjo, por dëshmon edhe për ata që shëtisin nëpër këtë rrugë dhe lexojnë për ditë emrin e atij, që kërkoi azil politik në Jugosllavi dhe me kunatin e vet Ceno Kryeziun, sulmoi atdheun.
Një vend që nderon një personalitet të tillë negativ, nuk mund të jetë normal, as natën e as ditën, as kur është duke fjetur, as kur është i zgjuar. Ai popull është në vegjetim e sipër. Aty ku nderohen njëlloj si patrioti, po ashtu edhe tradhtari, është e pamoralshme të flitet për norma morale. Apo për etikë në politikë.

Ministri i Mbrojtjes në Gjermani dha dorëheqje për plagjiaturë në doktoratën e tij. Politikani duhet të jetë i padamkosur, thjesht i padamkosur dhe shembull i së mirës, i moralit dhe qëndrimit korrekt, jo shembull i maskarait, i hajnit, i tradhtarit dhe i vrasësit. Karl-Theodor zu Guttenberg u dënua me një gjobë prej 20.000 €, që duhet t’ ia falë një organizate që lufton kancerin tek fëmijët, edhe atë për 23 pasazhe të vjedhur, ku kishte cenuar të drejtën e autorit. Çfarë dënimi ka paguar Zogu për puçin, vrasjen e qindra vetave, cenimin e integritetit të vendit, dezertimin, vjedhjen e arkës dhe bashkëpunimin me vendin që kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare?


Politikani që ka një episod negativ në jetën e vet, ku shquhet tradhtia, vrasja, vjedhja, nuk mund të jetë shëmbëlltyrë për kombin. Kur një politikan vret vetëm një njeri padrejtësisht, ai është vrasës, kriminel, edhe nëse nesër bëhet doktor i shkencave. Një njeri është tradhtar, edhe nëse fal një metër të atdheut pa pajtimin e popullit, edhe nëse nesër bëhet kryetar apo kryeministër. Një njeri është dezertor, edhe nëse është mbret. Historia as nuk guxon t’ i harrojë veprat negative, as t’ i zbukurojë ato, sepse kjo neglizhencë, prodhon tradhtarë të rinj në pushtet. Siç kemi edhe sot...
Këto ishin arsyet e mia mik i dashur dhe më habit edhe një: Pse adhurojmë personalitete që dëmtojnë Shqipërinë? Është në pyetje injoranca jonë e madhe, oportunizmi, paaftësia e ndarjes së patriotit nga tradhtari apo patriotizmi folklorik apo parapëlqejmë despotizmin rural? Apo pse ne gjykojmë kështu: Gjarpri që nuk më pickon mua, jetoftë 100 vjet!” Unë mendoj se kjo e fundit vlen për ne, por edhe për një arsye: neve na pëlqejnë krenaritë boshe dhe të rrejshme. Neve na pëlqen ta gënjejmë veten, injorojmë aq shumë vepra penale, sepse na eksiton iluzioni se duke pasur mbret, bëhemi disi anglez, prandaj aleluja për atë gjarpër. Ai nuk na ka helmuar neve, por të tjerët...


Faktet e numëruara, nuk janë gjykim komunist i historisë, por tradhtia është tradhti, edhe në feudalizëm, edhe në monarki, edhe në komunizëm, edhe në demokraci dhe edhe aty ku jetohet akoma në struktura fisnore dhe ku nuk ekziston një ngrehinë qeverisëse si shteti. Kur Gjermania fashiste sulmoi monarkitë tjera në Europë, asnjë monark nuk dezertoi. Arsyetimin e tij se nuk kishte armatim për rezistencë, e rrëzoi pasuesi i tij, diktatori Enver Hoxha.
Nëse nxënësit tanë mësojnë në shkollë se Zogu ishte i mirë, e jo siç e meriton në bazë të veprave të veta, atëherë ne nuk kemi historian, por njerëz që shkruajnë përralla, ku edhe tradhtari glorifikohet. Me libra të tillë, edhe në 100 vitet e ardhshme do të prodhojmë vetëm tradhtarë në krye të qeverive, sepse ne nuk jemi në gjendje të dallojmë me mes tradhtisë dhe patriotizmi, ne mes ditës dhe natës, moralit dhe pamoralit, Shtëpisë Publike dhe Qeverisë. Ja pse politikanët tanë i ngjajnë shumë plehut. Mund të ketë dobi anësore, por askush nuk duhet ta durojë në shtëpi. Ali Podrimja në poezinë e tij “Ti dhe dielli” thotë: “Me Plehun mos u pajto: nxirre në gjysmë të natës, në pikë të vapës..!” Ne mirëpo kemi një shprehi të keqe. Ne i mbyllim hundët dhe shtiremi se nuk po e shohim dhe bashkëjetojmë me të.


Summa summarum: Kush ishte Ahmet Zogu? Ai ishte karrieristë i paskrupullt, tradhtar, dezertor, vrasës, hajn, copëtues i vendit dhe punoi vetëm për veten. Vendimi i gjykatës jo në emër të popullit, sepse populli nuk brengoset shumë për këtë, por në emër të drejtësisë: pesë herë burg i përjetshëm! Po e vërteta? Ai shpërblehet. Në Tiranë ka një rrugë që quhet “Rruga e Ahmet Zogut!”
Ky vështrim u nisë me Bertolt Brecht dhe ta mbyllim me gjykimin e tij: “ Kush nuk e di të vërtetën, është njeri torollak. Mirëpo, kush e di këtë, por e quan gënjeshtër, ai është kriminel!” Qëndrimi jonë injorues dhe përkëdhelës ndaj plehut, ka ndihmuar në prodhimin e diktatorit, pastaj edhe të despotit... Burimi: Lis Bukuroca http://letersi-perkthime-artikuj.blogspot.com/2011/11/ai-ishte-zogu-mbret-gazeta-shekulli.html?spref=fb

Sadopak për t’u dashur... (Pjesë nga një poemë e gjatë...)


... Lajmëtarët janë mbledhur në një kënd
Ata janë netë të pagjuma
Me petka mendimesh të vjetra
E udhët e shpëtimit
Janë një zhveshje lakmitare
Për te fituar liri të përveçme
E për të mos u kthyer në ngrehinat e ftohta
Që kohë pas kohe
Po i bëjnë qelat e grrucjes edhe më të lëmuara

Lajmësat në  një kënd rrinë
E mbledhin lajmësa të tjerë
E të tjerë
E të tjerë,
E duart i kanë bosh
Se lajmi nuk bëhet dashuri
Që t’i shpëtojë
Ose dhe dashuria
Nuk bëhet lajm
Që t’i plasë muret.

Ani çka…
Do vijë e do fryjë një erë e çmendur
E do pështjellë gjithsej prej zgripit të qenies
E ka për t’u dëgjuar
Veç ulërima e thatë dhe e gjatë
E gruas që e zbraz shpirtin
Me shpinë në mur
E duar në faqe.

Lutu sa të duash
në stol të përjashtimores,
rrëfeji me mërmërimë
dëshirat e tua të athëta
të bëra thana mendimesh në ngjërimin tim
të kuqe, të kuqe përndezëse
rrokull vetes…

E ka frymuar kush këtë mëngjes?
Pse vallë e rijetoj çdo të diel
Si të qe një gjallesë duarlidhur
E me sy lutës për t’u hedhur tejanë pragut…

Kujdes derën
Ajo është çelë sapak
Që të mbërrish më tej
në një deriçkë të vërtetash
ku thellësia e ninëzës
ka një lakuriqësi ndjenje në fund
e veç buza jote mund ta lexojë
si një shqisë e pangjashme
që udhëtuar më ka
nëpër shpirt…
e ndër duar më ka lënë
sapak relativitetin
e kohës e të botës
po mshelur ma mban
gjithsej tjetër,
Pse m’i mban mshelur?
Dorështrënguari im
Me rrathë uji
Në fytyrën e shkruar
me vështrime të kithta dëshirimi të bjerrë
në çka unë mund të jem
Bëhem, jam…

Fjalët, fjalët na kanë vrarë
Ka shekuj që hidhen mbi ne
Mbi mua e ty
si një ushtri heshtarësh
me mburojë letre…
Fjalët na kanë ndërsyer
ndaj njëri-tjetrit
të varfrat fjalë
të këqijat mercenare
që nuk dinë të mbrojnë
bukuritë tona të amshuara me shpirtlëkundje
prelud të një tërmeti qeniebërës…

Fshihi, fshihi…
Mbaji, mbaji  drynat e qiellit tënd të mshelë
E mos m’u kënaq duke më kundruar teksa vërtitem
Të dal,
Të rrëmbej veten tënde…

Qenie lodërtare
Që më zhbiron me sytë e tu lojcakë
Unë kam dritaret e mia që
S’i mbyll dot kush
E kam krahë përfytyrimi
Që mbërrijnë
Edhe vetë renë
kur i kalon bri kullës tënde me frëngji gjahtarësh
e nënqeshje çarku në prag…

Të krahasueshëm ose jo
I shkërmoqim mendimet njëri-tjetrit
Si misër për urinë e ndjenjave
E ca i ruajmë si gurë të fituar shahu
Sadopak për t’u përballë,
Sadopak për t’u dashur...  

Erina Pavle Çoku

Odiseja e një dedektivi - Agim Hamiti


"Më së fundi!", thashë me vete, kur lexova në Internet artikullin e Z. Kastriot Myftaraj "Partia e Sigurimit dhe partia e Denoncuesit", botuar në gazetën Sot. Vlera e vërtetë e atij artikulli për mua nuk qëndronte në epitetet e merituar adresuar PS dhe PD, dy nofullave të morsës së kuqe që ka mbërthyer në fyt Shqipërinë e po i merr frymën, por tek denoncimi i dorës së fshehtë që vajis e shtrëngon gradualisht atë morsë diplomacia anglo-amerikane. Sikur PS dhe PD të mos punonin për interesat e të huajve por tiu shërbenin vërtet shqiptarëve, dy kryesitë e tyre sot do të ishin doemos në burg pas ngjarjeve tragjike të vitit 1997, të papranueshme edhe për vendin më të prapambetur të Afrikës. Por SHBA dhe Evropa, jo vetëm që nuk iu thanë plaç! me gojë atyre, por u rrahën edhe krahët e i lanë përsëri në pushtet, për të vepruar sipas urdhrave që do tiu jepeshin. Sa më e zhytur të jetë në krim e korrupsion një qeveri kukull, aq më e bindur do të jetë ndaj urdhërdhënësve të saj.
Për të zbardhur të vërtetën e firmave piramidale, shembja e të cilave u përdor si shkak për ti zhytur shqiptarët në një luftë vëllavrasëse të verbër, e fitoi « tenderin » një firmë financiare angleze (kush e ka harruar, të shfletojë shtypin e kohës). Pas dy muajsh, kjo firmë kërkoi asistencën teknike të një simotre amerikane (Inteligjencë-Servisi fton gjithmonë CIA- n për të hermetizuar kapakun e problemeve irrituese). Pasi morën shpërblimin e premtuar prej 3 milionë dollarësh nga qeveria shqiptare për shërbimin e kryer, dy firmat e lartpërmendura u larguan qetësisht, duke e varrosur njëherë e përgjithmonë të vërtetën makabre të firmave piramidale. Ku shkuan 7 miliardë dollarët e përfolur nga shtypi shqiptar që disponoheshin prej këtyre firmave?
Ndoshta kanë shkuar për të kërkuar dosjen e floririt të grabitur që sipas raportit të paraqitur prej ish ministrit të kontrollit të shtetit, Blerim Çela, në vjeshtë të vitit 1993 në parlamentin shqiptar, bëhej fjalë për 279 ton ar të zhdukur pa adresë dhe një vakum dokumentacioni prej 12 vjetësh, pikërisht në periudhën kur diktatura ka sekuestruar me dhunë floririn e tregtarëve e të familjeve të pasura. Për më tepër, gazeta RD denoncoi më 1991një grabitje rishtas të arit shqiptar me urdhër të R. Alisë. Madje u dhanë edhe hollësi lidhur me përmasat e arkave ku ishin vendosur lingotat e floririt që fluturoi me avion dhe emri i sipërmarrësit të mallit zvicerani Xhon Megou. Ku përfundoi gjithë ky flori i grabitur prej atij vendi pa zot me emrin Shqipëri? Me siguri atje ku përfundojnë përshpirtjet e një populli të tradhtuar, tek kolonizatori i maskuar si mik.
Pikërisht për këtë arsye më impresionoi artikulli pasardhës i Z. Myftaraj "Letër e çifutit Marks drejtuar çifutit lavash".
"Sa shumë mu desh të prisja nëntë vjet! para se të dëgjoja këtë zë të ardhur nga shkretëtira shqiptare", mendova.
Ishte dita e Ujit të Bekuar 6 janari 2000, kur së bashku me gruan e dy fëmijët e mitur u largova me dokumente false nga Shqipëria. Një person i besuar kishte shtypur në Itali 1000 kopje të librit tim me ngjarje të jetuara e personazhe realë, Odiseja e një detektivi. Mbi kopertinë ishte shkruar roman, për të shmangur rrezikun momental të personave që do ti shpërndanin kopjet e librit midis studentëve të gjithë fakulteteve të universitetit të Tiranës. Megjithëse i shtypur me gabime nga shtypshkronja italiane, mesazhi i librit ishte i qartë: kolonizimi i fshehtë i Shqipërisë nga Anglia nëpërmjet rekrutimit agjenturor të Enver Hoxhës prej misionarëve anglezë kuadro me përvojë të Inteligjencë-Servisit-, që vepronin pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan gjatë viteve të luftës.
Ngjarjet e librit, të jetuara në kampin e punës së rëndë të detyruar të të burgosurve politikë në Qafë-Bari, Pukë, i përkasin periudhës shtator 1983 korrik 1984. Me sugjerim të protagonistit të ngjarjeve, ish agjent sekret i nivelit të lartë botëror, (larg qoftë i tipit Asim Aliko!), duhej respektuar parimi i ruajtjes së sekretit me rëndësi të veçantë për një afat 15 vjeçar. Pra, dorëshkrimi nuk duhej publikuar para korrikut 1999.
Pas largimit tim nga Shqipëria, bashkëpunëtorët e mi shpërndanë, më 20 janar 2000, 850 kopje të librit nëpër fakultetet e universitetit të Tiranës dhe 50 kopje në Durrës e Vlorë. Më vonë, 100 kopjet e fundit u janë dhënë në dorë intelektualëve të veçantë në SHBA, Kosovë e Maqedoni. Vetëkuptohet, kuadrot neokomunistë janë mbushur me frymë të lehtësuar duke mësuar nëpër faqet e librit se "militaristët e Londrës", siç i quante diktatori padronët e tij, dhe "imperialistët e Ëashingtonit" ishin dadot, miqtë dhe përkrahësit e zjarrtë të "heronjve të internacionalizmit proletar". Të tjerët, të humburit (dhe këtu hyn shumica dërrmuese e shqiptarëve), kanë ndjerë shijen e hidhur të zhgënjimit.
Muajt e vitet kalonin dhe mungesa e plotë e reagimit në ndonjë farë forme të pjesës së painfektuar të inteligjencies shqiptare më habiste. Mendoja: "Si është e mundur të mos reagohet ndaj denoncimit publik të një problemi madhor kombëtar, i cili i ka lënë e po i lë pa të ardhme Shqipërinë e Kosovën? Edhe lopët reagojnë ndaj gjakut tek vendi ku theret ndonjëra prej tyre. Pajtimi me skllavërinë ka çmim shumë më të shtrenjtë se përpjekja për tu çliruar prej saj. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një përpjekje të qytetëruar, pa dhunë, pa arrogancë, por me një mjet shumë të denjë për kohën tonë, me një mjet kulture, me libër".
Nuk ma donte kurrsesi zemra të pranoja se në vendin tim kishte hedhur rrënjë dukuria fatale shoqërore e përshkruar prej një antropologu:
"Si pasojë e degjenerimit të tij, populli është i prirë ti përshtatet në një mënyrë organike gjendjes së tij të degraduar".
Personazhet realë të atij libri, pjesa më e madhe e të cilëve mbajnë emrat origjinalë edhe në botimin shqip, kanë vëllezër, motra, kushërinj, miq e shokë në Tiranë e gjetkë. Emrat e tyre figurojnë në zyrat e gjendjes civile të Tiranës. Kushdo mund ta provojë një gjë të tillë, mjafton që ta dojë të vërtetën dhe ti interesojë ajo. Gazetarët e moralshëm rrezikojnë jetën në vende të huaja, për të ndriçuar ngjarjet në zonat e nxehta të globit, të cilat ndikojnë fare pak apo aspak në të ardhmen e vendeve të tyre. Mesatarisht, 60 gazetarë në vit humbasin jetën në krye të detyrës nëpër botë. Edhe ata e duan jetën njësoj si gazetarët shqiptarë, veç profesionin dhe të vërtetën i duan më shumë se kolegët e tyre shqiptarë.
Për arsye të atij libri, mua më është njohur e drejta e azilit politik të posaçëm në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, ku Shqipëria shpreson të hyjë një ditë. Do të kisha dëshirë që qeveria shqiptare në bashkëpunim me urdhërdhënësit e saj ambasadorin amerikan e atë anglez në Tiranë të më padisin në gjyq, se iu kam njollosur "aleancën historike". Motivacioni me të cilin më është njohur e drejta e azilit politik në Bruksel është një shuplakë morale për ata dhe paraardhësit e tyre. Ose, të paktën, të ndërhyjnë pranë autoriteteve belge të më mohohet e drejta e azilit, se për këtë gjë i kam ndihmuar pak edhe unë: i kam deklaruar me shkrim qeverisë së Belgjikës se jam gati të kthehem (si person) vullnetarisht në vendin tim 6 muaj mbasi ajo të ketë botuar në Shqipëri (nëpërmjet konsullatës së saj) dy vëllimet e librit tim mollë sherri (në të vërtetë, ai ka dy vëllime). Këtë deklaratë e kam depozituar gjithashtu pranë Oborrit Mbretëror belg, Komisariatit të Lartë të Refugjatëve në Gjenevë, Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gjenevë dhe redaksisë së gazetës Le Monde në Paris (së bashku me disa dokumente për ti mbajtur në ruajtje kjo e fundit).
Shoqëria e çoroditur shqiptare është sot viktimë e një manipulimi antishqiptar të studiuar e të investuar fuqishëm nga jashtë e nga brenda. Varfëria e skajshme, ngujimet e gjakmarrjes, korrupsioni i shfrenuar qeveritar, krimi mafioz i organizuar e i kontrolluar nga pushtetarët, shkatërrimi ekologjik i vendit, degradimi total i arsimit, atrofizimi kulturor e shpirtëror i shoqërisë, nxitja e shthurjes morale galopante të brezit të ri e fenomene të tjerë nega
G. Sot


Këtu mund të lexoni librin:
Odiseja e një dedektivi 1 - Lexo librin (pdf) - kliko
http://www.gazetakritika.net/literatur/agim/hamiti.pdf

Odiseja e një dedektivi 2 - Lexo librin (pdf) - kliko
http://www.gazetakritika.net/literatur/agim/hamiti_2.pdf
Gjithashtu, këtu mund të lexoni Letër e Hapur drejtuar: Klasës politike të Tiranës e të Prishtinës dhe Ambasadorit amerikan http://www.proletari.com/agim-hamiti-leter-e-hapur-drejtuar-klases-politike-te-tiranes-e-te-prishtines-dhe-ambasadorit-amerikan/html
http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww
Agim Hamiti/Proletari.com
E Merkure, 04/05/2011
P.S. Kush është i interesuar për të lexuar dy vëllimet e librit “Odiseja e një Detektivi”, për të cilin bëhet fjalë në artikullin e mësipërm, mjafton të dërgojë një kërkesë të thjeshtë në e-mailin  tim: hamiti_agim@yahoo.fr dhe unë do t’i a nis atë falas në pdf.

Ne shqiptarët i duam gjërat origjinale, të huaja.


Rrugës për në shtëpi më kap syri një tabelë publicitare në trotuar, me një sy të madh të pikturuar, ku shkruhej:
HYGEIA

"Klinika e syrit
vërtetë gjermane"


Në moment po mendoja:"Kaq keq të ketë shkuar situata vallë sa edhe një Spital si Hygeia bën "be" që e ka klinikën 100% gjermane"?!
Po një klinikë me shaka gjermane, ç'problem do kishte vallë?
Po për një shikim 50% gjerman e 50% shqiptar, a mund të ketë ndonjë ulje çmimi?

E në fakt më erdhi në mendje që kam parë një dyqan rrobash ku shkruhej "Veshje amerikane 100%", këpucë "Greke", Jumbo në TEG ku gjithçka është origjinale kineze, syzet 2000 lekshe origjinale Luis Vuiton, apo edhe një dërr reklame mbi një faqe pallati ku për 3000 euro gratë mund të zmadhonin gjoksin gjermanisht.
Në "Voice of Albania", aty ku pretendohet të përzgjidhet zëri më i bukur shqiptar, është e ndaluar kënga shqipe.

Jo ore jo nuk kanë faj.
Ne shqiptarët i duam gjërat origjinale, të huaja.


E çuditshme shumë, gjithçka që na rrethon, sa më e huaj të jetë, aq më e dashur na duket!

Shkroi: Stop Injorancës !

Teksti i plotë i Marrëveshjes ndërmjet Ahmet Zogut dhe kryeministrit serb, Nikolla Pashiç

Teksti i plotë i Marrëveshjes ndërmjet Ahmet Zogut dhe Kryeministrit Serb Nikolla Pashiç (marrëveshje e nënshkruar në vitin 1924 në këmbim të ndihmës që serbët i dhanë Zogut pëer tu rikthyer në Shqipëri duke luftuar qeverinë e F. Nolit).

“1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim persona

2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njohë dinastinë Karagjorgjeviq.

3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njohë Ahmet Zogun si kryetar shteti …dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.

4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.

5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.

6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rusë të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.

7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerë jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve.

8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve.

9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.

10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.

11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe do t’i bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare, do të varet nga ajo Jugosllave.

12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.

13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.

14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.

15. Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.

16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve”.)

Marrëveshja Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924 …Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924, Citohet sipas Faton Mehmetaj, Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare, Prishtinë, 2004,f.207.
---------------------------------------------------------------------------------------------------
Në foto: Nishani dekoron Zogun me urdhrin më të lartë, atë të Flamurit Kombëtar. Njësoj si Bushi dhe Klintonët!

Mësoni si të bëni lekë pa u lodhur



Duke luajtur dje pasdite me vajzën time të vogël, m'u kujtua e vetmja mënyrë e mrekullueshme për të bërë para (me theks tek a-ja e dytë) sa të duash, pa lëvizur këmbët e pa u lodhur fare.
Duke qenë se bujaria është një virtyt që më karakterizon tej për tej, dua ta ndaj sekretin me të gjithë njerëzit në nevojë, pa iu kërkuar në këmbim asgjë.

Merrni për lehtësi një qindarkë 100 lekshe. Vendoseni poshtë një fletë të bardhë dhe zhgarravisni mbi të, derisa të ngopeni në para.
Shkroi: Stop Injorancës !