Monday, February 4, 2013

Një tryezë me aftësi të mbinatyrshme

Nëse do t'iu jepej mundësia të kishit njërën prej aftësive të mbinatyrshme të rradhitura më poshtë, ju cilën do të zgjidhnit dhe pse?

a.) Të ishit i padukshëm
b.) Të ishit i pavdekshëm.
c.) Të kishit aftësinë e të lexuarit të mendimeve.
d.) Të dinit të bënit t'iu dashuronte çdokush.
f.) Të kishit mundësi të prodhonit para pa kufij.
g.) Të manipulonit kohën.
h.) Të fluturonit.
j.) Tjetër.

Shkroi: Stop Injorancës !

Qytetarët përballë diktaturës e Diktatorit

Disa me të jetuar e ndoshta pjesa më e madhe me të dëgjuar, pothuajse të gjithë e dimë që gjatë periudhës diktatoriale mjaftonte të kishe një njeri në fis të burgosur dhe quheshe kulak, i deklasuar, me njollë në biografi. Kjo njollë të persekutonte gjatë gjithë jetës, të përndiqte në të gjitha fushat e saj.
Padyshim që sot jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që është e palogjikshme që të dënohesh ti, për fajin (apo mos fajin) e një të afërmit tënd, qoftë ky edhe kushëriri yt i III-të. Gjithashtu jemi shumë dakord që vetëm një mendësi e trashë e prapanike mund të ndjekë këtë vijë logjikimi, që dënon përgjithmonë Hasanin, pse vodhi xhaxhai i tij Shpëtimi.
Po përse vallë duhet të na duket kaq e logjikshme që të dënohemi të gjithë si vdektarë, pse kushëriri ynë më i largët hëngri një dreq molle?!
Pse kjo jetë duhet të jetë për të gjithë një provë, kur në Parajsë kishte mjaftueshmërisht vende?

Shkroi: Stop Injorancës !

Racizm ndaj shqiptarëve në Itali


Aksident automobilistik në Itali, vdes italiania dhe një shqiptar që ndiqej nga policia

AQUILA-Një vajzë italiane e moshës 25 vjeç, dhe një shqiptar 28 vjec kanë mbetur të vdekur në një aksident automobilistik në kilometrin e 12-të në aksin rrugor mes Ternit dhe Spoletos në Itali.

Agjencitë italiane të lajmeve theksojnë se makina me të cilën udhëtonte Maria Elena Petruccioli, 25 vjeç u përplas me makinën e 2 grabitësve shqiptarë të cilët ndiqeshin nga policia, pas një vjedhje që kishin kryer në rajonin e Aquilas.

Njëri nga grabitësit, shqiptar i moshës 28 vjeçare me iniciale M.M gjeti vdekjen në vend, ndërsa shqiptari tjetër i moshës 21-vjeçare me iniciale D.V mbeti i plagosur rëndë, në gjendje kritike për jetën duke u transportuar me urgjencë në spitalin e Spoleto.

Sipas policisë italiane, makina tip Ford Fiesta me në bord dy shqiptarët për shkak të shpejtësisë së madhe përfundoi në korsinë e gabuar në autostradë duke u përplasur me makinën e Flaminia e 25 vjeçares e cila ishte duke u kthyer në shtëpi.

Ngjarja pati zanafillë një grabitje pas mesnate ku 4 të rinj shqiptarë kishin vënë në shënjestër, sipas forcave të rendit, një shtëpi në një zonë të izoluar. Ata nën kërcënimin e armës i morën 50 euro të zotit të banesës. Ky u fundit lajmëroi policinë, por gjatë ndjekjes 2 prej tyre u larguan duke përfituar dhe nga errësira.
Ndërsa 2 grabitësit e tjerë u përplasën me automjetin e 25-vjeçares, aksident që pati si bilanc, 2 të vdekur dhe një të plagosur rëndë.

Ndërkohë vdekja e vajzës italiane ka ngjallur një indinjatë të thellë në opinionin italian, ku shumë italianë në rrjete sociale janë shprehur me nota të egra raciste.
Ka pasur dhe nga ata që kanë shkruajtur se “shqiptarëve u bëjnë punë vetëm dhomat me gaz”.

Një tjetër shkruan “Jam racist, po dhe e pranoj sepse prindërit dhe miqtë tanë po bëhen viktima të këtyre banditëve të shëmtuar dhe të palarë”.

(d.b/BalkanWeb)
Faqja e hapur për vajzën në foto: http://www.facebook.com/pages/Maria-Elena-Petruccioli-Vittima-Innocente-Riposa-in-Pace/138521056310919

Më në fund zbardhet numri i shqiptarëve që kanë emigruar


Atë që nuk e kanë bërë kurrë autoritetet shqiptare, që presupozohet se duhet të kujdesen për ekzistencën dhe mbarëvajtjen e shtetasve shqiptarë nëpër botë, e ka bërë një organizatë ndërkombëtare e specializuar për analizimin e shifrave të ecurisë së emigracionit dhe lëvizjeve demografike në të gjithë botën.
“People Movin”, ka zbardhur për herë të parë shifrën e emigrantëve shqiptarë nëpër botë. Ata janë një milion e 438 mijë e 451 shtetas shqiptarë që gjenden si emigrantë nëpër botë.
Më poshtë gjeni tabelën e detajuar dhe grafikun e publikuar nga “People Movin”. Kurse këtu http://peoplemov.in/#f_AL gjeni hartën e detajuar se ku gjenden shqiptarët jashtë vendit.
Pjesa dërrmuese e emigrantëve gjenden në Greqi, rreth 680 mijë, më tej në Itali, mbi 520 mijë, në Maqedoni, rreth 91 mijë, në SHBA, 83 mijë e më pak në vende si Australia, 2600 vetë, etj.
“People Movin” ka publikuar se popullsia në vendin tonë është më pak se 3 milionë vetë, ekzaktësisht 2,986,952 njerëz.

Tabela:
Popullsia: 2,986,952

Emigrantë: 1,438,451

Greqi: 676,846

Itali: 522,647

Maqedoni: 91,128

SHBA: 83,018

Gjermani: 15,964

Kanada: 11,985

Turqi: 3,712

Britani: 3,065

Francë: 3,037

Australi: 2,628    Burimi: http://www.noa.al

Shqipëria njëmijë e një

Çështja është se kultura më e madhe mund të bashkëjetojë me një analfabetizëm të përhapur … Popuj si Suedia, që edhe pse dinë të lexojnë dhe të shkruajnë nga qytetari i parë (nënkupto mbreti) deri tek i fundit, prapë mbeteshin, e do të vazhdojnë të mbeten pa kulturë, barbarë të pashërueshëm.
Fakti është ky:
shqiptari, si përkufizim, është një njeri me kulturë, le të jetë një kulturë primitive, por ama është kulturë ….
Përballë shumë malësorëve, që firmosin me gishtin e madh të dorës të ngjyer me bojë, kam provuar një ndjenjë inferioriteti që s'ma ka ngjallur asnjë dykëmbësh i qytetëruar i perëndimit."

(Indro Montanelli, Libri : "Shqipëria njëmijë e një", botimi shqip, faqe 164)

Ia vlejti barra qeranë Z. Artur Zheji?


Vetëm e vetëm për të fituar "kredo" gazetareske e shikueshmëri në emisionin e tij të ri, 360 gradë në NEWS 24, Artur Zheji interviston dhe e shpërndan masivisht një palointervistë me një të rrjedhur nga trutë, i cili edhe pse me gjak shqiptar nuk humbi asnjë rast pa i sharë shqiptarët, pa trajtuar si lekcë flamurin e lashtë shqiptar, pa fyer simbolet kombëtare, ekzistencën e shtetit shqiptar, pa përvetësuar heroin legjendar Gjergj Kastrioti e pa mohuar historinë shqiptare të shkruar me gjak.

E të gjitha këto, në praninë indiferente të Z. A. Zheji, i cili i përngjante një gjallese pa gjak, një njeriu pa moral, pa intelekt e bagazh historik, pa atdhedashuri, pa profesionalizëm gazetaresk.

Cila është arsyeja pse publikut shqiptar i shërbehen idetë e një skizofreni si Kristo Papas, Z. Zheji?
Shkroi: Stop Injorancës !
Palointervista: http://www.balkanweb.com/kryesore/1/rrefehet-si-asnjehere-me-pare-perpara-artur-zhejit-ideologu-neonazist-i-agimit-te-arte-118343.html

Përrallat dhe morali i tyre

Kësulkuqja nuk e dëgjonte gjyshen, pinoku ishte gënjeshtar, Tarzani nuk vishte rroba, Borëbardha jetonte me 7 meshkuj, Hirushja lante e shplante gjithë ditën, Bukuroshja e fjetur u lidh me atë tipin se ishte i pasur, Johny Bravo ngacmonte çdo femër që i dilte para, Princesha puthte bretkosat, etj, etj...

Fillimisht e kisha marrë shumë me humor këtë batutë që lundronte gjithandej duke ironizuar fëmijët e sotëm nëpërmjet paradokseve të përrallave me të cilat ata rriten, por po shoh se qenka realisht një problem që nuk duhet kaluar me një dozë humori, kaq thjeshtë .
Padyshim që përrallat tek fëmijët kanë ndikim shumë të madh jo vetëm për t'iu stimuluar imagjinatën, por gjithashtu për ti përgatitur për jetën dhe për ti edukuar me një moral të shëndetshëm.

Por sa vend mund të mbetet për edukim ku në çdo përrallë ka një egërsirë që kërkon të të shqyejë, një shtrigë që bën gjithçfarë magjirash, apo një princ a princeshë të bukur dhe jo njerëz të zakonshëm të drejtë, të mirë e të pasur shpirtërisht?

Shkroi: Stop Injorancës !

Mesazhet private dhe Stop Injorancës

Duke parë statistikat e faqes, më kapën sytë diçka që më bëri vërtetë përshtypje.
Nga 26 dhjetori 2012 e deri në 22 janar 2013, 743 herë kanë hyrë në faqen tonë, nëpërmjet mesazheve private.

Kjo faqe dallohet për gjallërinë e saj, 3000 anëtarë janë aktivizuar në faqe këtë janar, nga 8000 anëtarë që janë të rregjistruar, por nuk ma priste mendja që një pjesë e madhe e aktivitetit kalonka përmes mesazheve private.

Në rast se ky komunitet virtual pashmangërisht kthehet edhe në një Big Brother virtual, kujdes... Vëllai i madh, ju vëzhgon!

Shkroi: Stop Injorancës !

Kahmos

Kahmos vazhdoj të shoh njerëz të përvuajtur

Nëpër rrugë, stacione, mejhane...kahmos.

Dua t'i përqafoj, t'ua puth duart me kallo,

Pse jo, t'ua mbaj unë thesin me halle..

Mëdyshem. Ndrydhem.

Kam frikë mos më injorojnë e më marrin për të çmendur.

Kështu dhembshuria ime merr trajtë hipokrite:

Vë syzet e errëta dhe qaj.. Qaj,

Aq sa edhe zëri përligjës i ndërgjegjes ungjillore

më vjen si fishkëllimë nga fundi i pusit.


Arti Lushi

Cilat janë shprehitë diskriminuese në shqip?


Kemi hasur jo shpesh reagime shumë të turbullta dhe nisur nga ky fakt mendojmë se është e arsyeshme të ritheksohet dhe të trajtohet ky nocion për të gjithë.
Më kujtohet para disa kohësh kur një grua u ofendua përse e quajta femër, pasi sipas saj ky ishte një term diskriminues.

Për të gjithë "puritanët virtualë", fjalët e shqipes të cilat kanë një konetacion negativ dhe e gjykojnë individin duke iu referuar sipërfaqësisht racës, ngjyrës, krahinës, idesë, fesë, kombësisë, gjinisë, pamjes fizike, sëmundjeve apo patologjive të ndryshme, trajtohen si raste diskriminimi.

Pra, në vend që ta quajmë dikë arixhi, mund ta quajmë cigan, në vend që të përdorim fjalën zezak, mundet fare mirë ta quajmë njeri me ngjyrë. Në vend se ta quajmë malok, mund ta quajmë malësor, apo në vend që ta quajmë islamik, mund ta quajmë musliman, në vend që ta quajmë dikë fashist, mund ta quajmë i djathtë ekstrem, në vend që ta quajmë dikë breshkë, mund ta quajmë thjeshtë italian. Apo në vend të pederast, mund të përdorim shprehjen homoseksual.

Apo në vend që ta quajmë dikë gagaç, qorr, gungaç, topall, budall, mundet fare mirë ti thërrasim analogisht sipas sëmundjes e cila i ka prekur.

Shkroi: Stop Injorancës !