Wednesday, March 13, 2013

A mos vallë jemi duke bërë hapa pas?


Dje, Ministria e Drejtësisë paraqiti paketën e re të ndryshimeve në Kodin Penal, ku propozohen masat më të ashpra që ka patur ndonjëherë ligji shqiptar për disa lloje krimesh që vazhdojnë të trondisin shoqërinë shqiptare.

"Kushdo që vret një efektiv policie nuk mund të ketë ndëshkim më pak se 38 vjet burg, kushdo që vret policin do të ketë burg përjetë, pa të drejtë lirimi me kusht", tha ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.
Rritja e dënimit duke llogaritur minimalen 38 vjet dhe maksimalen burg i përjetshëm është edhe për vrasjen për gjakmarrje.

Kush vret një grua, një vajzë brenda familjes, jo më pak se 38 vjet burg deri në burgim përjetë. Por, minimumi 38 vjet parashikohet në paketë.

Për personat që kapen për armëmbajtje pa leje paketa parashikon 10 vjet burg.
“Kush kapet me armë në publik, ka mjetin për t’u kthyer në vrasës apo grabitës potencial për jetën e njeriut. Me armë në publik nuk mund të dënohet më pak se 10 vjet burg. Kush del me armë zjarri në Pazar minimali është 10 vjet dhe nuk e ndihmon as gjykata as prokurorja as avokati, të dalë më parë se 10 vjet nga burgu”.

"Ministria e Brendshme e ka konsideruar dhe e konsideron ndërhyrjen për saktësimin e ashpërsimin e masave të dënimit, si një reagim energjik dhe efikas të shtetit, që do të ketë ndikim të menjëhershëm në parandalimin e veprave penale dhe gjithashtu në uljen e tyre.

Për të kuptuar se sa efekt do të kenë realisht këto masa të rrepta për të parandaluar rritjen e kriminalitet, ne duhet fillisht të kuptojmë arsyet e tij.
Dimë shumë mirë se shtetet më të zhvilluara sot në botë dhe me shifra të ulta krminaliteti, nuk njohin në legjislacionet e tyre dënime mbi 25 vjet. Mjaftoj të përmendimin këtu pikërisht rastin e masakrës në Norvegji, ku përgjegjësi i saj Breivik në 24 gusht të 2012-ës u dënua me 21 vjet burgim, që përbënte edhe dënimin maksimal në Norvegji.

Nga ana tjetër kemi plot shtete të cilat aplikojnë ende gjykimin mesjetar të dënimit me vdekje dhe krimi nuk ka arritur të parandalohet.
Sigurisht që kjo paketë mund të ketë një efekt zbutës të kriminalitetit, por jo të gjitha krimet ndodhin si pasojë e dënimeve "të ulta", parashikuar në legjislacionin shqiptar.

Me kriminalitet nuk nënkuptohen vetëm krimet ordiniere, vjedhjet në rrugë, vjedhjet e bankave apo të pasagjerëve të autobusëve. Shoqëria shqiptare si fillim ka humbur besimin tek sistemi i drejtësisë, ka humbur besimin se ky sistem mundet të godasë ndonjëherë krimet e njerëzve me pushtet.

Krimi është një pasojë, pasojë e disa shkaqeve të cilat e shtyjnë qytetarin të arrijë deri në vepra të ndryshme penale, po për aq kohë sa shoqëria jonë do të merret me pasojat duke neglizhuar faktorët e vërtetë të kriminalitetit, ne nuk po bëjmë asgjë tjetër veçse pretendojmë se kjo tenxhere me presion e vendosur mbi zjarr, nuk do të pëlcasë në rast se kapakun e mbyllim më fort.

Shkroi: Stop Injorancës !

Përse Turqia është kaq e interesuar për Perandorinë Osmane?


Përse Turqia është kaq e interesuar të fusë hundët tek programi mësimor në Kosovë, për mënyrën si trajtohet aty Perandoria Osmane?
Turqia e sotme nuk është Perandoria Osmane e djeshme.

Nëse Turqia e sotme e ndjen veten si Perandoria Osmane e djeshme, fillimisht le t'ia nisë me dëmshpërblimin monetar për të shpaguar të gjitha dëmet që i ka shkaktuar shqiptarëve në 5 shekuj pushtim.
Le të rikthejë kockat e Gjergj Kastriotit në varrin e tij në Lezhë.
Le të hapë shkolla shqip për 6 milion shqiptarët e shpërngulur aty nëpërmjet marrëveshjeve të fshehta që kreu me Serbinë e Greqinë, për të shpopulluar Çamërinë e Kosovën.
Të kërkojë falje pse vrau e përndoqi këdo që luftoi për përhapjen e shkollave shqipe, etj, etj, që i di shumë mirë ajo i ka apo jo në programet e tyre mësimore.

Shkroi: Stop Injorancës !

Presidenti B. Nishani përdhos virtytet shqitpare

Parime të tilla si: besa, mikpritja, bujaria, toleranca etnike dhe fetare, ruajtja e farefisnisë, harmonisë familjare etj., që janë ndër normat themelore të sjelljes islame, u përvetësuan nga mbarë shqiptarët pa dallim feje e prejardhjeje dhe sot ndoshta janë nga të paktat gjëra, me të cilat ne vazhdojmë të krenohemi përpara botës.

Kjo ishte një pjesë nga fjala e Presidentit Bujar Nishani në ceremoninë e datës 11 mars 2013, kushtuar 90-vjetorit të Themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
http://www.president.al/?p=7027

Z. President, kus e keni mësuar se besa, mikpritja, bujaria, toleranca etnike dhe fetare qenkan norma që j'ua paska sjellë islami shqiptarëve?

Besa, me kultin e nderit është i lidhur edhe kulti i fjalës së dhënë ose siç njihet ndër shqiptar 'kulti i besës'. Kjo është fjalë që nuk ekziston në asnjë gjuhë të botës. Në gjuhet ballkanike ekziston si fjalë e huazuar nga shqipja. Shpesh në përkthime nga gjuha shqipe fjala besë duke mos pasur barazi kuptimore a frazeologji të ndonjë gjuhe tjetër, ajo jepet në formë shkrimesh shpjeguese, si një dukuri e botës shqiptare, si albanizëm.

Besa, ose kulti i fjalë së dhënë, ky kult madhështor, i cili, në popujt evro-perëndimorë pak nga pak mori karakterin e një idomene fetare kishtare, te shqiptarët ruajti gjuhën e burimit.
Lidhja në fjalë (besë) përbënte kanunin autoritetin më të larë. Të gjitha marrëdhëniet në gjini, fis, famulli, bajrak dhe në nivelin më të lartë të bashkësisë etnike lidheshin në fjalë përkatësisht në besë. Besa është testament moral i shqiptarëve qysh prej periudhës mitologjike. Dy baladat më rëndësishme 'Rozafati' që ka motivin e murimit, dhe ajo me motiv të ringjalljes 'Besa e Konstadinit' lidhen me mbajtjen e besës që sipas Ismail Kadares "Fjalën e dhënë, besën nuk e shkrin as dheu".
Besa shqiptare e njohur te bullgarët dhe rumunët pikërisht me emrin besa, kurse te sllavët e jugut si 'Arbanska vjera' (përkthehet fjalë për fjalë) ajo që besojnë shqiptarët, është virtyt themelor i joni i trashëguar nga të parë.

A nuk keni turp Z. President i Shqipërisë që virtytet, zakonet e traditat tona të lashta shqiptare të trashëguara ndër shekuj, ia atribuoni islamit?

Një deklaratë e tillë do mjaftonte që Presidenti Nishani të jepte dorëheqjen urgjentisht, por për këtë duhet të ketë shoqëri civile.

Nëse islami do kishte norma të tilla, këto norma do reflektoheshin më tepër në vendet islame dhe ne nuk do kishim si të krenoheshim para botës me këto virtyte.

Përkundrazi, islami është e kundërta e tolerancës fetare dhe etnike. Islami i shuan kombet e traditat e tyre.
Kjo gjëmë po, që ka ndodhur e po ndodh pjesërisht tek shqiptarët.


Shkroi: Stop Injorancës !

Pakti i fshehtë PS-PD për kthimin emrave sllavë

Sllavizohet emri i komunës Liqenas në Pustec

Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Edmond Spaho ka paraqitur në komision e ligjeve në Kuvendin Shqiptar kërkesën e banorëve të komunës Liqenas, me komunitet maqedonas për t`i rikthyer emrin komunës nga Liqenas në Pustec.

Emri Pustec i takon terminologjisë sllave, që në shqip do të ‘shkretë/ tirë”.

Deputetët e Partisë Socialiste e kundërshtuan propozimin me arsyetimin se ndryshimi i emrit të komunës vetëm pak kohë para zgjedhjeve do të krijonte precedent.

Ndërkohë edhe pas kundërshtimeve të opozitës, komisioni i ligjeve kaloi vetëm me votat e mazhorancës propozimin e komunës Liqenas në Korçë për ti ndryshuar emrin në komuna Pustec. Ky vendim në opinionin publik shqiptar në Maqedoni është vlerësuar skandaloz nga partia shqiptare në qeverinë e Tiranës.

-Ndonëse deputetët socialistë votuan kundër sllavizimit të emërtimeve të komunave në juglindje, burime nga selia rozë bëjnë të ditur se grupi i PS-së do të votojnë PRO në seancë plenare.
Ndryshimi i qëndrimit ka gjetur të papërgatitur anëtarët e Komisionit të Ligjeve në mbledhje e grupit parlamentar socialist, të cilët ishin të përgatitur që në seancë e së hënës të votonin kundër. Të mbledhur për të diskutuar rreth qëndrimit që do të mbajnë ndaj ligjeve në seancën plenare të së hënës, pas diskutimeve me kryetarin Rama, u vendos që të pranohet ndryshimi nga Komuna Liqenas në emrin sllav Pustec.

Nëse ju kujtohet, pothuajse para 1 viti, Aleanca Kuq e Zi shpalli aksionin e saj për shqiptarizimin e emrave të qyteteve shqiptare.
http://www.dailymotion.com/video/xom3ke_aleanca-kuq-e-zi-shqiptarizim-emrave-te-qyteteve-top-channel-albania-news-lajme_news#.UUBOzzcZSMY

Një nisëm kjo që prej shoqërisë civile dhe intelektualëve u quajt një kakofoni lehjesh populiste, nacionaliste dhe e panevojshme.

Ja pra që ndërrimi i emrave qenka i mundur dhe po ndodh, veçse nga shqiptarë po kthehen në emra sllavë.
Mos t'iu bëjë përshtypje që po e njëjta pjesë e popullsisë shqiptare e cila u hodh kundra këtij aksioni të Alencës Kuq e Zi, tani që Liqenas do të kthehet në Pustec, do të heshtin ose do të shprehen se kjo është e drejta e tyre.


Nuk ka më lapangjozë se ata shqiptarë që e kanë gojën vetëm për të përbaltur nismat me frymë pastërtisht atdhetare, pavarësisht se si shiten e kollarisen në opinion publik.

Shkroi: Stop Injorancës !

Roland Trebicka


“Mbase do të kthehem në teatër, në oborr a në holl, por e di se në skenë nuk do ngjitem më kurrë. Më ndero".

Këto ishin fjalët e fundit që i ka thënë bashkëshortes, ditët e fundit ashtu si nën zë Roland Trebicka. Ai është kthyer sot edhe një herë në Teatër, në holl e në oborr, por nuk do të ngjitet më në skenën e tij.

Kolegë, miq, artdashës e qytetarë të shumtë janë mbledhur në hollin e Teatrit Kombëtar, për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit unik, Roland Trebicka. Homazhet do të vijojnë deri në orën 13:00.

Gonxhet e ftohta të marsit


Më shumë se vdekja e artistit simpatik dhe të paharrueshëm Roland Trebicka, mua më tronditi vdekja e 11 vjeçarit Anxhelo Halili në fshatin Zenelaj të Tiranës. Ashtu i brishtë, emotiv dhe delikat vendosi plot vullnet të varë veten bashkë me jetën e tij të shkurtër në litarin e lidhur në degën e një kumbulle ende të sapopaçelur marsi. Sherret mes prindërve dhe divorci i tyre ia gjymtuan jetën.
Ndryshe nga artisti i famshëm Trebicka, Anxhelo ishte një vocërrak anonim dhe i varfër, lindur e rritur dekadën e fundit në një vend ku përditë luhen tragjedi, komedi dhe tragjedi sërish.
Rolandi ishte dhe mbeti aktor, artistikisht aktor, pra imitues rolesh, ndërsa Anxhelo ishte vetë roli, jo aktori.
Sa herë kthehej nga shkolla në shtëpi e mundohej të shihte televizor, Anxhelo lebetitej nga teta Jozefina dhe dialektologjia e saj patetike e oratorisë. Sa herë kthente kanal i shfaqej xhaxhi Sala duke mallkuar e kërcënuar si gore e keqe. Ndërkohë që mundohej të gjente kanalin e filmave vizatimorë pa dashje shihte xhaxhi policat që vriteshin në mes të rrugës nga kriminelët. Pastaj në një tjetër kanal shihte xhaxha të tjerë polica me kokë e me bark të deformuar me turshi, me raki, me çifteli. I lebetitur shkonte të shtrihej në krevatin e tij të vogël dhe mbulonte kokën me kuvertë për të harruar imazhin e pamjeve tragjike por…
Sherret mes mamit dhe babit të tij, sharjet, dhuna e pastaj divorci i tyre e lebetisnin më keq e mundohej të qante nën zë i tmerruar. Nuk flinte dot as gjatë natës e teksa i gëzohej vajtjes në shkollë mëngjesin tjetër, shqetësohej përsëri kur si turmë bagëtie i merrnin edhe atë edhe gjithë fëmijët e tjerë të shkollës e forcërisht i nxirrnin te rruga e fshatit ku bëhej mitingu i partisë.
Anxhelo Halilit po i pështirosej koncepti prej fëmije i bashkëjetesës. Në shtëpi mami dhe babi që thereshin e vriteshin, në televizor qeveria dhe opozita që thereshin e vriteshin. Nuk e imagjinonte dot më gjatë se dy të kundërta mund të bashkëjetojnë në paqe dhe në harmoni. Dy të kundërta ndryshe nga ligjet e natyrës e shkencës, në këtë vend nuk aplikohen dot.
-Do të të vras! i thoshte babi, mamit.
-Do t’ua bëj sërish si më 21 janar! i thoshte xhaxhi Sala teta opozitës.
Anxhelo dhe të tjerë moshatarë u ritën me pezm dhe herë-herë pezmatimi i një fëmije është i keq, i keq sa edhe tragjik.
Pjesë e kësaj klime të ndotur, dikush nga ata rritet dhe nesër bëhet vrasës, dikush tjetër i brishtë por më trim mbyll hesapet me veten dhe të vetët qysh tani.
Ndaj të martën e parë të muajit të tretë të motit 2013, Anxhelo lidhi litarin te dega e kumbullës në oborrin e shtëpisë së tij. Më pas litarin e kapërdiu si shall rreth qafës së hollë, të bardhë, i shkeli syrin një gonxheje të bardhë çelur te dega dhe u lëshua i tëri. Anxhelo nuk iku i vetëm. Gonxhja e llahtarisur shqeu petalet e njoma e iu derdh mbi flokë.

*facebook.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE

Paradokse shqiptare

Rezarta Shkurtaj është e gjatë,
Elvana Gjata është e shkurtër,
Era Rusi është shqiptare,
Llazi Serbo ishte shqiptar
llaka-llakat e Agron Llakës nuk grishin më,
Arjan Çani s'ndjehet arjan por grek,
Rudina Xhunga ka një kokë shumë të rregullt,
Artan Fuga është pena e vetme që nuk arratiset prej realitetit shqiptar,
Fshati Zejmen përmbytet çdo dimër,
Aleks Buda ishte ateist,
Halit Shamata ishte Ministër i Brendshëm 96-97,
Fatos Nano humbi fatosat e tij,
Mark Marku ka humbur markën e tij,
Partia Demokratike ka afro 2 dekada me të njëjtin kryetar,
Jozefina Topalli kërcen më bukur se vajzat e reja,
Bamir Topi PD-së nuk po i bën mirë,
Bujar Nishani mund të ketë nishan, por s'mban dot më asgjë në dorë,
Fatmir Mediut i plasi Gërdeci, për fat të keq,
Lulzim Basha i ka shpallur luftë lulzimit të Bashkisë Tiranë,
Dritan Prifti u rrëfye para kameras së fshehtë
dhe Ilir Meta është akoma i lirë...

Shkroi: Stop Injorancës !

Të rinjtë djegin foton e Gruevskit në Tiranë


“I bëjmë thirrje qeverisë maqedonase të marrë masat përkatëse ligjore të atyre që shprehin dhunë ndaj shqiptarëve të pafajshëm, i bëjmë thirrje partisë shqiptare, që është pjesë e pushtetit të bëjë detyrat e saj si përfaqësuese e politikës zyrtare për shqiptarët, si dhe i bëjmë thirrjë opozitës shqiptare që të mos qëndrojë e të bëjë sehir për ngjarjet, por t’i paraprijë ato dhe të reagojë me protesta të mëdha qytetare. I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndërhyjë urgjentisht dhe energjikisht në Maqedoni se të nesërmen do të jetë shumë vonë…”

Nën këto thirrje aktivistët e Partisë Civile, një organizatë rinore, demonstruan duke djegur fotot e kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski në Tiranë. Drejtuesi i tyre, Taulant Capa, është personi që qëlloi me vezë makinën e kryeministrit Gruevski gjatë vizitës në Tiranë muaj më parë.

Fitorja e parë e Shoqërisë Civile në Shqipëri


Gjykata Kushtetuese me 7 vota PRO dhe 1 Kundër ka vendosur pro mbajtjes së referendumit për importin e plehrave.

Ajo që prej kryeministrit shqiptar quhej si ALEANCA E PLEHUT, sapo fitoi të drejtën e referendumit.

Tani topi mbetet në fushën e qytetarëve, të vendosinnë duan apo jo ta shndërrojnë Shqipërinë në kosh riciklimi plehrash të Europës!

Shkroi: Stop Injorancës !

E pazakontë, jeton në të njëjtën shtëpi me burrin e të dashurin


Njerëzit mendojnë se është diçka e pazakontë, por unë i dua të dy meshkujt dhe nuk mund të zgjedh dot mes tyre”. Kështu shprehet 33-vjeçarja Maria Butzki, nëna e dy fëmijëve, e cila bashkëjeton në të njëjtën shtëpi me burrin dhe të dashurin e saj.

Kur Maria braktisi bashkëshortin e saj, Paul, për një tjetër mashkull, ajo ndjeu shumë mungesën e tij dhe në të njëjtën kohë nuk mund të jetonte dot pa të dashurin e ri, Peter Gruman.

Kështu, mendoi një zgjidhje dhe Peter u transferua për të jetuar në shtëpinë e saj në Barking, Londër.

Tani 33-vjeçarja jeton me bashkëshortin, dy fëmijët si dhe të dashurin e ri, Peter.

“Kur u ndava me Paul, ndjeva një boshllëk në jetën time. Por edhe ideja se nuk do të shihesha kurrë më me Peter më thyente zemrën. Kështu që jetesa me të dy meshkujt në të njëjtën shtëpi ishte e vetmja zgjidhje”, shprehet gruaja.

Ndërkohë që Paul shprehet për të dashurin e ri të gruas: “Peter është njeri i mirë. Kur Maria u takua me të për herë të parë, unë u ndjeva shumë keq. Por, pasi e njoha nga afër, kam kuptuar se kemi shumë gjjëra të përbashkëta. Të dy adhurojmë peshkimin dhe gjithashtu ai është si një baba zëvëndësues për fëmijët e mi”.

Ndërsa Peter shprehet se në këtë familje ndjehet mirë: “Shkojmë mirë. Nuk jemi xhelozë për njëri-tjetërin për Marian”.

Peter fle në divan, Paul në një dhomë tjetër, ndërsa Maria e ndan dhomën e gjumit me dy vajzat e saj.

“Asnjëherë nuk kemi fjetur të tre në të njëjtin shtrat. Nëse Paul nuk është në shtëpi, Peter dhe unë kemi kryer marrëdhënie intime dhe e kundërta,” shprehet gruaja. (Tema)