Wednesday, May 8, 2013

New York Times/ Sulltanët osmanë apo shqiptarë?


Gazeta “New York Times” e datës 26 Prill 1909 (figura përbri) përcjell një lajm mbi sulmin e bërë nga Turqit e Rinj kundër Sulltanit, i cili mbrohej nga 4000 ushtarë shqiptarë, dhe dorëzimin e tij. Egzistenca e 4000 ushtarëve elitë shqiptarë në rrethin më të afërt me Sultanin tregon se ato i përkitnin majës së piramidës ushtarake shqiptare që ishte nën petkun osman/turk.

Mijra e mijra të tjerë sulmonin sultanin si “turq të rinj”; ndër këta ishte edhe Esad Pashë Toptani. Mijra e mijra të tjerë të tjerë ishin në kryengritje kundër osmanëve në tokat shqiptare, gjë që solli pas tre vitesh pavarësinë e një shteti shqiptar. Pa llogaritur ushtarët me porosi, mijra e mijra ushtarë të tjerë shqiptarë ishin të shpërndarë në tërë tokat e zotëruara nga sultanati osman dhe zbatonin urdhërat ushtarake të sultanit edhe në luftimet në kufinjtë e sulltanatit edhe në shtypjen e kryengritjeve në tokat [edhe ato shqiptare] e zotëruara nga sulltanati.
            A nuk pati edhe mijra e mijra të tjerë në poste zyrtare të Sultanatit, që nga kryeministër e deri tek nëpunësi i thjeshtë, të cilët në shumicën e rasteve vetëm vetëm vetes i shërbenin? Vetëm ato 4000 ushtarë elitë shqiptarë mund ta kishin kapur vetë sa hap e mbyll sytë tërë sultanin e qeverinë e tij dhe më pas bashkë edhe me shqiptarët e tjerë mund të bënin tërë popullsinë e sullltanatit që edhe ëndrat t’i kishin shqip. Ç’bënë e ku ishin ato forca, për shembull, kur u sulmua Shkodra dhe Janina gjatë luftës së parë ballkanike më 1913? A i ka pas ndaluar interesi vetjak dhe shpirtvogëlsia ato ushtarakë e zyrtarë shqiptarë që të bëheshin “bukëshkelës” ndaj sulltanatit dhe të bëheshin kultivues të farës arbërore shqiptare? A janë ndjerë ato të shqetësuar po të dëgjonin për një gjë të lartme siç është ardhmëria e Shqipërisë arbërore? A kanë qenë të lidhur brenda vetvetes prej Besës shqiptare që patën përdorur? A e kanë patur ato ushtarakë e zyrtarë fuqinë, dëshirën, vullnetin, njohurinë dhe kuptimin për t’u kthyer apo për t’i shërbyer kudo ku ishin vendit të origjinës, Arbërisë, Shqipërisë, gjuhës shqipe? A ka mundësi ta kenë menduar atë? A mbeti jeta e vepra e tyre një mburrje vetjake apo thashethem edhe sot e kësaj dite?
            Një shembull i mbarënjohur dhe heroik është ai i Gjergj Kastriotit, i cili pasi u kthye bashkoi princat shqiptarë dhe organizoi arbërit në një shtet arbëror. A nuk ishin shqiptarët e asaj kohe të cilët edhe pas vdekjes së Gjergj Kastriotit e mbajtën vendin të lirë edhe 10 vjet të tjera, deri kur ra kështjella e Shkodrës më 1478? A nuk ishin shqiptarët e periudhës së Gjergj Kastriotit që më luftën e tyre ngadhënjyese për liri, ndonëse më një çmim shumë të lartë njerëzor, krijuan një zjarr të lirë në shpirtin ilir që nuk shuhet më? A nuk ishin shqiptarët e periudhës së Gjergj Kastriotit që i fituan të tëra betejat ushtarake për 25 vjet rrjesht kundër osmanllinjve, duke iua hequr kështu përfundimisht osmanllinjve mundësinë e kalimit në gadishullin italian? Ndërsa shqiptarët treteshin në luftimet kundër osmanllinjve dhe përballeshin me varfërinë e shkatërrimet që sillnin luftimet, në gadishullin italian rilindja europiane ngjiste maja zhvillimi që edhe sot janë të paarritshme. Pa atë luftë mbrojtëse që bënin shqiptarët nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit dhe princave të tjerë, bie fjala, a do të kishte patur Leonardo da Vinçi dhe vepra të tij? A janë mirënjohës italianët, europianët e mbarë bota për ato sakrifica që bënë shqiptarët për të mbrojtur zhvillimin njerëzor dhe kushtet e rilindjes europiane?
            E thënë ndryshe, shqiptarët humbën në fillim të shekullit XX atë që njihet tani si Turqi. Ashtu si më  1821-1832 kur për shkaqe të ngjashme dhe të një lufte fetare midis shqiptarëve të besimit mosleman dhe atyre të krishterë ortodoksë, shqiptarët humbën atë që sot quhet Greqi. Si rrjedhojë, doli një shtet i përbërë nga shqiptarë ortodoksë fundamentalistë që ndryshe njihen tani si grekë. A nuk ndodh edhe tani në Greqi që një grek e thotë në shqip: “Jam grek”? A nuk mendojnë “grekët” si tërë fundamentalistët e tjerë, kudo qofshin e kurdoherë, se duhet të egzistojnë vetëm ato dhe se çdo gjë ka qenë e tyre apo iu përket vetëm atyre? A nuk ugjërojnë “serbët” e “grekët” se aty ku është kisha serbe apo greke është tokë e shtet serb apo grek? Turqia e Greqia janë dy shtete që edhe sot si gjuhë zyrtare [të parë] duhet të kenë shqipen. 
            A nuk ndodhën ato humbje tek shqiptarët për shkak të menduarit e të jetuarit në nivel egzistence, të lënies në mëshirë të fatit? A nuk ndodhën për shkak të qënit të harruar e të panjohur edhe nga të vetët, të izolimit nga njëri tjetri, të mungesës së rrugëve ndërlidhëse, e si rrjedhim të mosbashkimit me njëri tjetrin? A nuk ndodhën për shkak të rënies në kurthet e pushtuesve dhe përçarjes së të ligëve, e si rrjedhim gjendeshin të zvogëluar para fuqive të pushtuesve? A nuk ndodhën për shkak të hutisë mendore, të humbjes se vetëdijes kombëtare, të harresës së origjinës, të vogëlsisë shpirtërore e cila i paaftësonte për të menduar e respektuar përtej vetvetes? A nuk ndodhën për shkak të përçarjes fetare të prodhuar prej organizimit “millet” të sulltanatit osman [në vazhdimësi të atij bizantin] që i organizonte njerëzit sipas besimit fetar? A nuk ndodhën për shkak të mungesës së një ideje, libri dhe shkolle qëndrore kombëtare, të mungesës së një qendre apo rrjeti kombëtar që duhej të përkujdesej për qenien, sigurinë dhe natyralizimin kombëtar? A nuk ndodhën për shkak të mungesës së një gjuhe të përbashkët të shkruar dhe të përhapur nëpërmjet librave e shkollave kombëtare?
            Përpjekjet e rilindasve shqiptarë në shekullin XIX, e para së gjithash të arbëreshëve të Italisë së Jugut të cilët qenë të parët që i ranë këmbanës së zgjimit kombëtar, kanë qenë titanike. Po aq titanike kanë qënë përpjekjet për formimin e një shteti shqiptar të pavarur më 1912, i cili u cungua më shumë se gjysma edhe pse shqiptarët me vullnet të lirë deklaruan për një Shqipëri të pavarur sipas kufinjve etnikë të përvijëzuar në katër vilajetet e dukshme shqiptare që egzistonin brenda Sulltanatit osman. A nuk ka qenë e pamundur dhe e papranueshme nga të tjerët të nxirrje në pah një komb si shtet më vete ashtu si e kërkonte Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878? A nuk ishte në atë kohë një Europë e besimit të krishterë që synonte të kthente mbrapsh shtrirjen e sulltanatit osman? A nuk vazhdoi sulltanati osman edhe për 500 vjet të tjera traditën e perandorisë bizantine që t’i organizonte njerëzit, botëkuptimin, zakonet dhe mënyrën e tyre të menduarit sipas besimit fetar? A nuk ishte një sulltanat osman që lejonte të hapëshin vetmë shkolla fetare, vetëm për qëllime fetare, dhe jo shkolla kombëtare? A nuk ishte një Rusi cariste që nëpërmjet degës së besimit ortodoks të krishterë përpiqej të zbriste edhe në jug të Europës? A nuk ishte një kohë që në Europën Juglindore arbërore shtetet po formoheshin dhe njiheshin prej Europës së krishterë dhe Sulltanatit mosleman sipas kufinjve të shtrirjes së kishave dhe shtetasit e krijuar po emërtoheshin sipas emrit të kishave përkatëse, bie fjala, asaj greke, bullgare, maqedone, serbe, kroate, rumune? Sa për shtetin që njihet si Mal i Zi, emërtimi ndoqi këtë rrugë: nga Malsi u lexua Malzi prej kronikanëve venedikas, u spjegua Mal i Zi e u përkthye Monte Negro; një emër aspak sllav. A nuk ishte shekulli XIX kur fjala “turk” filloi të përdorej për herë të parë për ato njerëz në Anadoll të besimit mosleman që e mbeshtetnin më shumë sundimin osman?
            A nuk është hapi i parë për të zhdukur një popull fshirja e kujtesës së tij, shkatërimi i librave, kulturës, traditës e historisë së tij? A nuk është hapi i dytë ai i caktimit të disave të shkruajnë libra e të përhapin rrëfime të reja të stisura për atë popull, i krijimit të ndjenjave, zakoneve dhe emocioneve të reja, i krijimit të një kulturë të re gjuhësore dhe të menduari; domethënë i shpikjes së një historie të re gjoja të trashëguar? A nuk ndodh më pas që shpejt ai komb, i mishëruar tek njeriu i veçantë i kredhur në detin e interesave dhe ndjenjave vetjake, të harrojë se çfar është e çfar qe? A nuk ndihmohet ky qëllim duke i ndryshuar gërmat me të cilat shkruhen emrat e njerëzve, duke vendosur prapashtesa tek ato emra, duke ndryshuar kështu shqiptimin dhe tingëllimin e atyre emrave? A nuk treten dallimet midis kombeve duke vendosur emra fetarë për të sapolindurit?
            A nuk vërtetohet thënia e shkrimtarit Viktor Hugo (1802-1885) se “një popull mund t’i bëjë ballë pushtimit të një ushtrie, por nuk mund t’i bëjë ballë pushtimit prej ideve”?
A nuk peshon atëhere rëndë pyetja “të jesh rrënjë apo gjethe”?
   Saimir Lolja

Grua

Grua,
mos u beso kur te thone se je aq e bukur sa yjet ne qiell ndihen xheloz per ty!
Jane vetem vargje te kopjuara nga nje poet i cmendur,
ne nje nate kur s`kishte asnje yll ne qiell.
Pastaj poeti vdiq
mbi vargjet qe si besoi as vet.
Mos beso kur te thone se me ty njohen dashurine,
ate te verteten!
Eshte vetem nje pikture shtrati me carcafe mrekullisht te zhubrosur,
dhe trupi yt duarve mashkullore,
qe s`ngopen se provuari te njejten shije,
por qe s`duan ta besojne se eshte e njejte,
si vdekja,grua,si vdekja,
qe vjen njesoj per te gjithe ne fund te jetes.
Eh,
edhe nese te thone se pa ty nuk mund te ekzistoj jeta,
besoje vetem per veten,Grua,
por mos u beso atyre,
ata nuk mund ta dine vertetesine e kesaj,
ata mendojne nepermjet teje,
duan nepermjet teje,
madje edhe perendine e njohin nepermjet teje!
Ata nuk mund ti njohin pritjet e tua,
nuk mund ti klithin dhimbjet e tua,
ndersa shkojne qetesisht.
Ata nuk mund te dallojne shpines tende krrusjen e barrave,
ndersa te prekin,
ndersa leshojne mbi ty gjithe egersine epshake,
per te zbrazur qese rimbushese
me ofshama pa kujtese
Nuk munden,Grua,
ta dine emrin hyjnor qe ti u therret
duke u futur ne armiqesi me zotat,
ndaj,mos u beso kur te thone Pergjithmone,
eshte genjeshtra me e bukur qe njohin,
eshte kaperdimja me hidhesine me te bukur
qe ti ben grykes tende,
objekt cmendurisht erotik per ta...

Ne fund e di,
s`do ma vesh veshin.

Enkeleda Ristani

Si ndryshoi edukimi prindëror pas viteve 90'?


Jo konflikt interesi, konflikt arsyetimi

Nuk e kuptoj konfliktin e interesit si term, pasi vetë termi, ka konflikt arsyetimi brenda tij.

Me termin konflikt interesi nënkuptojmë rastet kur një individ apo një organizatë nuk jep gjykim të shëndoshë e objektiv rreth një tematike të caktuar, nisur nga interesa të fshehta dytësore, korruptive, nepotizmi, përkatësie, përfitimi personal etj...

Eshtë logjika e të verbrit që kalb frutin e vet, logjika e tifozit që mbyll sytë para defekteve të skuadrës së tij të zemrës, logjika e militantit që tek partia ku aderon nuk sheh të meta, logjika e besimtarit fetar që ofendohet dhe nuk pranon t'ia kritikosh besimin.
Logjika e provincialit që nuk lejon të bësh shaka me qytetin, krahinën apo dialektin e tij, logjika e sëmurë prindërore që nuk pranon gabimet e fëmijës së vet duke e llastuar dhe e mbështetur në vese.
Eshtë logjika e të mjerit, që mendon se ia shkatërrojnë arritjet kritikat e jo sy-mbylljet.

Nuk kritikon dot shëndetësinë se rebelohen mjekët e studentët e mjekësisë, nuk kritikon dot drejtësinë se rebelohen juristët, nuk kritikon dot arsimin se rebelohen mësuesit...

Po mirë more të mjerë, sipas kësaj logjikës tuaj asgjë nuk u dashka kritikuar, pasi çdo fushë i ka përfaqësuesit e vet...

E si dreqin shpjegohet atëherë që gjithçka është një mynxyrë kaq e pështirë mbi të cilën shfryjmë bashkarisht çdo ditë, kur asgjë nuk u dashka kritikuar, sipas jush?

Shikoni se çfarë nuk ju lejohet të kritikoni për të kuptuar se çfarë ua mbyt lirinë - thoshte Volteri.
E si do mundej vallë të shkonte para një shoqëri në rast se ne nuk guxojmë që servilizmin, puthadorjen, bythëlëpirjen, hipokrizinë, falsitetin, nepotizmin, histerinë kolektive, etj ta zëvendësojmë me kritikën e shëndoshë konstruktive?

Dikush nga ju do thoshte "Po pse dikush që është punësuar në administratë jo falë aftësive të tij, por falë formave korruptive përmes njohjeve e miqësirave, do duhej të jetë kundra kësaj praktike"?
Duke e parë në sy të parë dhe në prizëm personal, të jep idenë se këtu s'ka asgjë të keqe, për aq kohë sa ti si individ fiton një punë e një pagë të mirë, por ç'ndodh nëse e shohim në plan më të gjerë?

Ndodh që shoqëria dalëngadalë nuk nxjerr më në krye dhe në nyjet e saj më të rëndësishme e jetike njerëzit më të aftë, të përgatiturit, njerëzit me vullnet, njerëzit me ide që do ti kontribuonin pozitivisht të gjithë shoqërisë. Përkundrazi, qytetari më i përgatitur demotivohet, demoralizohet, injorohet, shkelet me këmbë dhe kur nesër pasnesër frenat e shoqërisë ti kenë marrë të verbrit e të paaftët edhe vetë sistemi do të ndalë së prodhuari qytetarë të denjë e përparimtarë.

Kush të rreh të do - thotë një margaritar i trashëguar në shekuj nga eksperienca jetike e popullit shqiptar dhe nuk është një shprehje aq banale sa e trajton shqiptari sot, duke nisur në mënyrë sipërfaqësore tek termi rrahje, i cili nënkupton dhunë. Aspak. Tek kjo shprehje populli ka dashur të trashëgojë dijen e tij shekullore se atë që e duam e ndëshkojmë, pikërisht sepse e duam. Ai që nuk na ndëshkon për gabimet tona, nuk është ai që na do të mirën, por ai që do të na shohë të mbetemi gjithmonë peng të atij gabimi.

Prandaj, nuk ka konflikt interesi, ka konflikt arsyetimi. Nuk mund të ketë interesa të ngushta. Interesi është një dhe i përbashkët. Meritokracia, drejtësia, demokracia! Kështu ecën përpara shoqëria dhe sa më parë ta kuptojmë këtë, aq më pak do zgjasë ky mjerim ndër ne!

Shkroi: Stop Injorancës !


Berisha thyen çdo rekord botërorë, 34 truproja e ruajnë atë, pse vallë…?!!!

Padyshim që çdo kryeministër në botë ka truprojat e tij, për sigurinë fizike dhe jo vetëm!
Por, deri pak kohë më parë, kryeministri i parë në botë për siguri me truprojat më të shumtë ishte kryeministri turk, Rexhep Tayp Erdogan, me 25 të tillë. E megjithatë, kryeministri ynë mesa duket ka vendosur t’ia kaloje dhe Erdoganit, kështu atë e ruajnë jo pak, por plotë 34 truproja personale!!!
Dhe normalisht lind pyetja, pse kryeministri ynë duhet të ruhmet kaq shumë?, pse kryeministri ynë qarkullon jelek plumbi?, kur kryeministri ynë ka ngritur ekonominë e këtij vendi në majat më të larta, e ka bërë vendin “baçe me lule” –siç thotë ai-, ka një rritje ekonomike që ia kalon Gjermanisë, rrugë të nivelit më të lartë që ia kalojnë edhe Norvegjisë etj.
Fotografia u realizua nga një “simpatizant” i Berishës më 22 prill 2013, ndërsa përurohej  kompleksi i rehabilituar i një-sisë bashkiake nr.4, në Tiranë./alb-observer.com/

Komisioni, shkulja e veshit dhe futja e gishtit..!

Nje komedi e zakonshme e Saliut kjo per ne Shqiptaret, qe si zakonisht trajtohet me humorin shpotites te gazetareve, FB-ksave, kafexhinjve, ketij varjanti modern te mejhonaxhinjve te dikurshem.

Neritani shkruan leter.!
Veshi i shkulur i djalit te tij,(sipas tij) qenka i lidhur pazgjithmesisht me veshin e figurave me te ndritura te kombit.
Qe natyrisht sjell nje reaksion dritherues, kur mendon se ai mund te kish qene edhe ndonje shkelm mes kembeve..dhe dashje pa dashje figurat e ikonave...marin nje pamje paksa qesharake dhe te dhimbshme, me ate shtrembim te natyrshem qe mer fytyra e nje burri qofte edhe me mustaqe, nga nje goditje e tille.

Cilin vesh i kapi.?
"Te majtin" thote Mane..dhe tall trapin ne menyren me fine, duke gershetuar humorin popullor, me nje trajtim modern te gazetarise, ndihmuar natyrshem nga vet karagjozlleku ne dukje i gjithcka ka ndodhur dhe ndodh..

Ndersa Merua pak me ndryshe..Na jep nje tjeter varjant se kush ne fakt ka qene "incidenti diplomatik" i vertet.
Dhe fajtori u gjet.!

Por gabimi rendom qe bejme ne njerzit, eshte se kemi nje mani te lem menjane dhe te injorojme ato qe thone e shkruajn Gazetaret dhe Opinionistat "Pozitare" ose me sakt, personat te cilet sa here "Nje vesh shkulet, nje gisht ju ngulet"
Dicka qe me dicitalizimin e Sales..duhet me patjeter te ket opsionin "Gisht" ne I-Pad-in e tij, i lidhur me mekanizmin "Gisht", te montuar diku ne mes te karrikeve te tyre..Dhe..?!

"Je i rrevoltuar po sdi se c'te besh..?..Fillo lexo dhe degjo kundershtaret e tu."

Kjo eshte nje formule e cila kurre nuk duhet anashkaluar, nenvleftesuar dhe ne asnje menyre, lene pas dore.

Dhe ja Artan Hoxha.
Ish-kandidat per president dhe nje nga te pervuajturit sistematik te "Gishtit te Sales"...dhe lista vazhdon.
Pra ishte pikerisht shkrimi i tij, me i rendesishmi dhe me i detajuari per problemin "Veshi". Kur e fillova ta lexoj ate shkrim, me solli ndermend nje bisede qe kam pasur dikur me nje polic.
"Ata qe na duhet ti arrestojme naten..tha ai..I rrahim vence dhe jo sepse kane thyer ligjin, por se na prishin rehatin dhe gjumin."
Sic thash, kete ndjesi te jep edhe urrejtja patologjike e Artanit simpatik..ndaj Rames se Gjate..dhe keshtu kuptohet fare mire efekti i "Gishtit te Sales ".
Por cfar doja te ndaja me ju nga ky shkrim eshte dicka tjeter, akoma me e rendesishme se "Veshi" apo "Gishti"..akoma me e thelle dhe me dritheruese..qe ne fakt ta premjer shakan dhe humorin dhe te ben ti veme gishtin kokes.

Ai fliste per thyerje hundesh dhe dhembesh, fliste sinqerisht si edhe polici i nxehur..dhe pertej asaj qe dukej si nje "inat personal diletant"..fshihej ogurri i zi qe kemi pare per 23-vjet nga Sala, pozite apo opozite..DHUNA.
Dhune ndaj kujdo qe guxon ti preke "ushtaret" e tij..dhune ndaj gjithckaje qe e pengon..dhune kanibale qe te kujton ushtrine Mongole ne dyert e bibliotekes Persiane. Dhune "psikopati", luajtur aq bukur nga nje njeri te cilin s'eshte e veshtir t'ja shikosh karakterin e zvarranikut ne cdo foto te tij, me njerez qe kane gje ne dore..Nga ish-byroja dhe deri tek zonja Klinton, apo me Obamen dhe me e turpshmja dhe deskritusja per c'do komb qe do te kish nje karagjoz te tille per kryeminister..me zonjen Merkel ne Rome, me diciture "Hej jam une Sala prej Vicidoli...Si i keni pas punt anej nga Gjermania " dhe fytyra e zonjes Merkel qe bente sikur se shikonte i vinte kapakun "pusetes".

Kjo eshte edhe ky "Komosion Parlamentar"..
Nje shenje e qarte dhune, nje sinjal i perseritur sistematikisht per te fituar cdo betej sa do te vogel apo te parendesishme ne dukje..ndihmuar sistematikisht me dashje ose jo..nga Ambasador medioker, apo te korruptuar..nisur qe nga 1991-shi.

Eshte koha te "dhunojm" pikerisht ndihmuesit..me pyetje direkte apo me shkrime..me letra apo edhe me protesta..
Eshte koha te zgjohemi dhe te mendojme..Shqiperin e bejne vetem Shqiptaret..
"Miqt" jane vetem bisnesmene te mire te vendeve mike..per kete paguhen.!

Amarildo Pregapuca

Kalërim andrrimesh

Imend!
N'kalërim n'rrugtimet me ré
t'u 'j pá pyjet
me ngjyrat e aventurave.
T'u 'j ndí
aromen e limfes t'pemve
ku bân qi gjakun t'ém t'a mbushin me forc'.
Imend,
kja limf' âsht tamli i Zânave t'pyjeve
qi kan' zhurmen e degve si psherëtima n'dashuni errsinet.
E kur kalëraj mâ shum'
shof ujt
me kristalt e maleve
qi m'vezullon udhen e dëshirave.
Ulem me pí
por nalem
n'pasqyrimin t'ém.
Shof at q' s'shof
e m'andaj nalem
qi freskia e kti ujit t'djamant
mas t'm'çojn' pri andrres
t'jets t'éme.
Po mir',
po çohem n'kalërim prap
me kalin e ylbert'
dhe po shkaj te yjet e ndjenjave t'dashunis t'éme.
Sa bukur duken malet me driten e Hánes!
Po sat
Hána
paska msheh gjysen e trupit!
Se's'bân
prej turpit
knaqsis t'éme q' un po e shaf.
Po shif
barin si vallzon prej ndjenjave qi i nep era.
Po era ça ka sat!
Apo po dan me m'përqaf
mue!
Pa pa,
aja e dín shum' mir',
aja vetë dhe un
kena gjâna t'përbashkta qi n'a pëlqejn',
sepse ku shkan era
edhe un kisha me shkue.
Sa ngjajm',
sa duhena!
E ulem
e ulem,
kadal'-kadal'
si puplat e zogjve
qi bijn' t'u 'j fluturue.
E nj'ashtu ulem
i but'
te dhéja nan'
që leu kët' andërr.
E ulem
e ulem
aty
si pupla,
e rri aty
si rrezja,
sepse e dí
se sa shum' duhet Dielli.
E nj'ashtu
si Dielli si Era si Réja si Shiu si Hána si Bari si Péma si Gjethja si Uji,
si Dhéja,
si Toka due me kén',
me kén' k'shtu si dashnija e zémnes.....................
Oh sa t'due o kalërimi i andrrave t'mija...!

Mirsad Basha



Ku serbët...?

.. Ne vitin 1934, historiani dhe teologu serb, Radoslav Grujic, zbuloi dhe botoi nje doreshkrim te rralle.. Ishte nje doreshkrim, i teper i vjeter, i cili datonte rreth viteve 1000-1018, pra mbi 900 vjecar.. Ishte hartuar ne kohen e perandorit bullgar, Samuelit.. dhe ne te shpjegohej origjina e popujve dhe e gjuheve..

.. Ky doreshkrim bullgar, e ndante boten e njohur prej tyre deri atehere, ne 72 gjuhe dhe 3 besime fetare.. Besimet ishin;
1-Ortodokset
2-Gjysem-ortodokset (te krishteret jo-ortodokse)
3-Jo besimtaret (jo-te krishteret)

.. Dokumenti thote.. "Ne bote ka nje numer te madh gjuhesh. Prej tyre, 5 jane gjuhe ortodokse, bullgarishtja, greqishtja, sirishtja, gjeorgjishtja dhe rusishtja.. Prej ketyre, 3 gjuhe perdorin alfabetin ortodoks.. dhe keto jane greqishtja, bullgarishtja dhe gjeorgjishtja.. Ka 12 gjuhe gjysem-besimtaresh, qe jane.. Alamanet, Franket, Hungarezet, Indianet, Jakobitet, Armenet, Saksonet, Polaket, Shqiptaret (Arbanasi), Kroatet, Hizi dhe Gjermanet"

.. Ajo qe u beri cudi studiuesve, ishte se permendeshin si popullsi Shqiptaret.. por jo serbet.. Pra nje dokument i shkruar prej bullgareve, ne vitet e Perandorit Samuel, i cili pushtoi gati gjithe Ballkanin, nuk i permend serbet si popull.. Pra, ku ishin serbet ne vitin 1000 ???.. Si eshte e mundur qe vete fqinjet e tyre, bullgaret, nuk i njohin serbet ne ate kohe??.. Per cfare historie flasin ata, kur vete nje popullsi sllav-folese, si bullgaret, nuk i permendin serbet, por ama permendin shqiptare si popullsi ??..

.. Ky dokument bullgar, eshte edhe dokumenti me i vjeter i njohur ne bote, ku shqiptaret permenden si popullsi dhe grupim gjuhesor.. Ne nje periudhe ku serbet nuk i permend askund dhe nuk figurojne as si popullsi e as si gjuhe.. Pas botimit te vitit 1934, ky dokument ka qendruar ne erresire.. Deri kur albanologu kanadez Robert Elsie, e rinxorri ne botim ne vitin 2003.. Nje shuplake historike per "historine" serbe..

Aurej Metaj

Monday, April 29, 2013

Ismail Kadare: Intrigat që fshihen pas sulmit ndaj Gjergj Kastriotit

*  *  *
Që Mithat Frashëri e hodhi për herë të parë e, me sa duket, të fundit, këtë dëshirë të tij teatrore, në vitet tridhjetë, dëshmonte se dy çështjet që do të përcaktonin fatin e mëtejshëm të kombit: shkollat shqipe dhe emancipimi i gruas shqiptare (të dyja të zhytura në terr prej osmanllisë) ishin ende probleme të ditës, madje do të vazhdonin të ishin të tilla në të ardhmen.
Mithat Frashëri, i fajësuar me gjithë koleksionin e akuzave, të cilat njeriu shqiptar, për fat të keq, i përdor aq bujarisht, i himnizuar me koleksionin tjetër, të kundërtin, si “gjeni i kombit”, që njeriu shqiptar, përsëri për fat të keq, i përdor aq koprracisht kur duhet, e aq pa vend kur nuk duhet, ka shfaqur disa herë parashikime me të vërtetë profetike. Sikur ta ndiente nga do t‘i vinte jo vetëm fatkeqësia e re kombit shqiptar, por atij vetë, vdekja, ishte i pari njeri në botë që gjeti një fill bashkues midis ngjarjeve të 1917-ës në Rusi dhe rebelimit proturk të Haxhi Qamilit në Shqipëri, katër vite më parë, më 1913!
Si një paralajmërim ndëshkimi për atë profeci, dy vite përpara vrasjes në Nju-Jork, armiku numër një i Frashërit, shefi i komunistëve shqiptarë, shkroi të vetmen sprovë historike, kushtuar Haxhi Qamilit, ku, në kundërshtim të plotë me gjithë mendimin shqiptar, e himnizonte të çmendurin mizor nga Sharra, që nën zhurmën e daulleve dhe ulërimave “Dum Babën!” (lexo Sulltanin) kërkonte kthimin e Shqipërisë nën sundimin osman.
Kjo kundërvënie e dy personazheve rrotull psikopatit turkofil ishte kuptimplotë. Ajo dëshmonte se sundimi osman në Shqipëri ishte më keq se një sundim ushtarak. Ajo dëshmonte synimin osman, jo thjesht për ta mbajtur të sunduar Shqipërinë, por për ta zhbërë si të tillë.
Turqizmi i popullit shqiptar ishte projekti më i lemerishëm me të cilin atij i ra fati të ndeshet. Për fat të keq, mekanizmat mbrojtës të tij nuk u treguan të aftë për të shmangur plotësisht të keqen. Për vizionin otoman, ndër popujt e Ballkanit, populli shqiptar ishte ai që ndërkaq kishte vdekur.
Ai përftohej si turk, trajtohej si i tillë, me fjalë të tjera favorizohej si turk, por, ndërkaq, nëse kërkonte identitetin e vet, ndëshkohej egërsisht si turk i pabesë.
Një pjesë e tragjedisë shqiptare ishte pikërisht interpretimi i keq i statusit të tij.
Në vjershën e dëgjuar “Jam turk, elham-dulila”, poeti Esad Mekuli e shpallte me dëshpërim këtë nyjëtim dramatik ku kishte ngecur ende si në kurth njeriu shqiptar. Shumë njerëz bënin pyetjet: përse Shqipërisë i shkojnë punët mbrapsht? Përse për të tjerët po zbardhte liria, e për Shqipërinë jo?
Rilindja shqiptare, bashkë me pararendësit dhe pasrendësit e saj, e kapi hijen e vdekjes që po i vërtitej kombit. Robëria e gjatë po pillte filozofinë e robërisë, ngadhënjimi i së cilës do të ishte shumë herë më fatal se robëria vetë. Shkrimtarët veriorë, Budi, Bardhi, Bogdani, më pas arbëreshët me De Radën në krye, e fill pas tyre vargu i vetë rilindësve, të herët a të vonë, si Naimi, Mjeda, Çajupi, Fishta e deri te Noli, u ranë gjithë kambanave që duhej të zgjonin shqiptarët, për t‘i ngritur kundër robërisë, por sidomos kundër filozofisë së saj.
Për aksionin e saj, dëshpërimisht solemn, Rilindja shqiptare solli në Shqipëri fantazmën e dëbuar, Gjergj Kastriotin, të cilin Europa, për fatin tonë, na e ruajti, jo vetëm në sheshet dhe rrugët e pagëzuara me emrin e tij, por edhe në kujtesën e saj.
Mithat Frashëri ishte njëri nga rilindësit që i jetoi të tria kohët, atë të sundimit osman, të Shqipërisë së pavarur dhe fillimin e komunizmit, asgjësuesin e tij. Koha e republikës së Nolit dhe ajo e mbretërisë së Zogut, e para mjaft e shkurtër, e dyta jo aq e gjatë sa ç‘do të duhej, ndonëse në kundërshtim me njëra-tjetrën në shumë gjëra, u bashkuan në një pikë themelore, njëmendësimin e ideve të Rilindjes shqiptare, dhe testamentin e Gjergj Kastriotit, thënë ndryshe, nxjerrjen e tyre nga statusi idealist e romantik dhe vënien në themel të institucioneve, të filozofisë, të politikës e të strategjisë shqiptare.
Për fat të keq, koha e pavarësisë ishte e shkurtër për t‘ia lënë vendin periudhës groteske të varfërisë, terrorit dhe izolimit komunist. Pyetjet: përse Shqipëria vazhdon të jetë e pafat, përse të tjerët ecin e ajo ngec, bëheshin tani, me të njëjtin pezm fatalist, ndonëse për një tjetër fatkeqësi.
Ato pyetje do të përsëriteshin më pas, atëherë ku s‘do të duhej, pas rënies së komunizmit. Ato vazhdojnë të bëhen sot, jo vetëm nga mendjet elitare, por nga shumica e shqiptarëve, gjithkund ku ata ndodhen. Përgjigjet për to janë të ndryshme dhe kjo është e kuptueshme. Pas dy robërive, aq pranë njëra-tjetrës, vizioni shqiptar i botës mbetet ende i turbullt e kaotik.
Midis përgjigjeve është njëra që gjithmonë e më shpesh përsëritet, në mënyrë ogurzezë: në Shqipëri punët do të shkojnë gjithmonë e më mbrapsht, përderisa në qendër të Tiranës nuk do të hiqet shtatorja e Skënderbeut për t‘u zëvendësuar me atë të Sulltan Muratit.
Ngjan e pabesueshme, por këto fjalë të një rimohuesi nga Shqipëria, hulumtuesit mund t‘i gjejnë jo më larg se tre muaj më parë.
Një tjetër rimohues, këtë herë nga Kosova, shkruan, e zezë mbi të bardhë, se “antishqiptari Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është protagonist kryesor i historiografisë komuniste, i futur në tekstet e historisë prej komunistëve”.
Emri i këtij rimohuesi është H. Ferraj dhe sa ç‘është e madhe habia për mashtrime të tilla, po aq, në mos më shumë, është habia tjetër se ky rimohues paska përkrahje në rrethet universitare e gjysmëzyrtare në Shqipëri. Ky, e të tjerë si ky, duke abuzuar me lirinë kaotike, shpesh karikatureske shqiptare, guxojnë të hedhin mendimin se regjimi i egër komunist shqiptar, ishte i tillë ngaqë u projektua në bazë të orientimit të rilindësve shqiptarë!
Për të mos u zgjatur me këtë barbari shembujsh, po e mbyllim me fjalët e një tjetër rimohuesi, prapë nga Kosova, që bën paralajmërimin se të kesh qëndrim mohues ndaj Perandorisë Osmane sot është njëlloj si të sulmosh miqtë tanë amerikanë, që çliruan Kosovën!
Ç‘të thuash për këtë nostalgji të ringjallur befas një shekull pas ikjes së osmanëve?
Ta quash groteske, tragjike, komike nuk mjafton. Të thuash se po t‘i përmbahej programit të Rilindjes, Shqipëria jo që s‘do të bëhej kurrë komuniste, por do të ishte prej kohësh një shtet model në Bashkimin Europian, është prapë pak.
Të thuash se i ashtuquajturi “mit” i Skënderbeut, u ngjiz shekuj më parë kur komunizmi nuk ekzistonte askund, se u sublimua prej Rilindjes dhe pastaj prej kohës së pavarësisë, prej Nolit dhe Zogut, se komunizmi jo vetëm ishte i huaj për të, por në vitet e flirtit me jugosllavët 1946-1947, emri i heroit pothuajse u zhduk nga shtypi shqiptar.
Të vazhdosh me kronikën e asaj që mund të quhet “lufta e shtatoreve”, kur më 1968, qeveria shqiptare bëri çmos që pagëzimi i sheshit “Skënderbe” në Paris, bashkë me shtatoren midis, të mos lejohej prej qeverisë franceze dhe bashkisë së Parisit?
Të vazhdosh me ngritjen e shtatores së shefit të komunistëve shqiptarë, njëzet hapa pranë shtatores së heroit, paralajmërimi i hapur, se Kastrioti do të zhvendosej së shpejti dhe sheshi i parë i Shqipërisë do t‘i përkiste këndej e tutje, patronit të ri komunist? (Brenda tre viteve, historia do të jepte një nga mësimet madhështore të saj, kur princi mesjetar do ta shihte rivalin jetëshkurtër të tij t‘i zvarritej mu përpara syve, krejtësisht në stilin e Mesjetës.)
Shumëkujt mund t‘i duket se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur. Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t‘i përligjnim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë. Në kohën që po shkruhen këto radhë, metropoli shqiptar vlon nga polemika: ta ruajmë apo ta rrëzojmë Skënderbeun!
Vetë shtrimi i çështjes është njollë e zezë për Shqipërinë. Dihet se kush do ta fitojë këtë polemikë, por vetë fakti që ajo ndodhi, që populli shqiptar, një shekull pas osmanllisë, ende guxoi ta lejojë një pyetje të tillë, është një turp për të.
Nën këtë ndriçim të keq, do të zbulohet ndoshta më qartë ai cen që e ka shtyrë disa herë nga gabimi në gabim. Polemika vulgare dhe imorale për rilindësit dhe Skënderbeun është shenja e një sëmundjeje më të thellë, prej së cilës kombi shqiptar, nëse kërkon një të ardhme në këtë botë, duhet të shërohet.
Intelektualët që nismëtuan baltën kundër Skënderbeut dhe Rilindjes nuk janë katundarë me shallvare që i bien daulles e klithin “Dum Babën!”. E ndërkaq, mund të thuhet se janë jo vetëm më të rrezikshëm, por më vulgarë e më pa moral se ata.
Duket fyerje, natyrisht, të merresh me ta. Dhe ashtu është. Por kur ujërat e zeza vërshojnë befas, dikush duhet të merret me to. Të mësuar të nderojmë personazhe të shquar, artistë, politikanë e gra të bukura, në çastin kur ujërat e zeza shpërthejnë, ne kujtohemi për ata që përveshin mëngët e zbresin të punojnë mes tubave, veglave e territ, atje ku nuk guxon të zbresë kush.
Duke kujtuar se po ia hedhin publikut, intelektualët gjysmakë, ata që ushqehen kryesisht nga “Google”, merren me raportet mit-histori, pa kuptuar asgjë prej tyre. Pa e ditur se nocionet mit, histori, mitizim e çmitizim janë shumë më të ndërlikuara se ç‘i di mendja e tyre e ngushtë. Me nocione të tilla zakonisht, e sidomos me raportet mit-histori, është e lehtë të bëhen spekulime. Përpara se të jenë kundërthënëse, ato janë plotësuese, dy vizione të botës, njëri i dendësuar jashtë mase, e tjetri, po ashtu, jashtë mase i faktuar, që mëtojnë të njëjtën gjë: të rrëfejnë botën dhe njerëzimin.
Seriozë nuk janë provokatorët e këtij diskutimi, por serioz është, ndërkaq, problemi. Në kohën kur Shqipërisë së sotme, familja e popujve europianë i kërkon zbardhjen e së vërtetës për regjimin e saj të turpshëm, prej të cilit nuk ka as njëzet vite që ka dalë, një aksion thellësisht çoroditës kërkon ta kthejë energjinë dhe vëmendjen gjashtë shekuj pas, në një hulumtim krejtësisht të kotë.
A ka alibi për këtë çoroditje? A ka vërtet diçka serioze për të qortuar e ndrequr në atë që është quajtur “moti i madh” i shqiptarëve? Ajo epokë, si asnjë tjetër, është zbardhur e dëshmuar në mijëra libra e studime, nga Uashingtoni në Tokio, nga Tirana, Venediku e Roma në Londër, Stokholm e Shën Petërburg. Nga kjo mizëri botimesh e faktesh del një dëshmi përgjithësisht unanime: një luftë për jetë a vdekje e shqiptarëve dhe gjithë ballkanasve kundër Perandorisë Osmane.
Një thyerje me pasoja fatale: shkatërrim fizik, kulturor, moral. Për ironi të fatit, populli shqiptar, ai që besoi se po favorizohej, pësoi goditjen më të rëndë.
Ajo ishte në logjikën osmane: popullit që iu vu shenjë për t‘u turqizuar, pikërisht ai, në rast kundërshtimi, do të ndëshkohej më rëndë. U shestuan, kështu, dy projekte paralele: shkombëtarizimi, që do të ndodhte në truallin shqiptar, shpërngulja masive, gjenocidi i fshehtë, që do të përfundonte në rrafshinat e Anadollit.
Akti i fundit i kësaj shpërnguljeje do të ndodhte në shekullin XX, si rrjedhojë e pakteve të fshehta turko-jugosllave për të zbrazur një pjesë të Kosovës.
Ajo që më së shumti vërteton jo favorizimin, por diskriminimin shqiptar, është ndalimi i gjuhës së shkruar shqipe dhe ndalimi i shkollave shqiptare.
Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme.
Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!
Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar.
Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori. Siç u pa më lart, për ata pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq. E keqe dhe kundërproduktive ka qenë qëndresa e Gjergj Kastriotit. Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist shqiptar, më modernin program të këtij populli.
Është e qartë tani përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij. Teza e tyre se sundimi osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia. Andej, pra, të kthehemi!
Nga ky këndvështrim, mendimi gjenial i Mithat Frashërit kur e përqasi mizorinë haxhiqamiliste me atë bolshevike, e ruan ende të plotë vlerën e vet. Rrënimi i Skënderbeut, natyrshëm shfaqet këtu si synim i përbashkët i dy armiqve kryesorë të Europës, otomanizmit dhe bolshevizmit. Rrënimi i Skënderbeut është i pandarë nga rrënimi i Shqipërisë. Gjergj Kastrioti është vënë kështu në një rrethim të dyfishtë: nëse përbaltet, siç ëndërrojnë rimohuesit, problemi mbyllet thjesht. Nëse mbetet në këmbë, siç ka ndodhur e do të ndodhë përsëri, të mbetet i tillë jo si shqiptar, por me tjetër kombësi.
Kjo do të ishte nga njëra anë zbrazja më e madhe e Shqipërisë, e nga ana tjetër mbyllja e një cikli të zi për Kosovën, kur kjo e fundit, provincë e përjetshme serbe dhe djep i Serbisë, siç ëndërrohet prej sllavëve, do ta kishte të natyrshëm, sipas tyre, një kryezot serb.
Nostalgjia e kohëve të fundit për osmanizmin, nostalgji që vetë Turqia e sotme, moderne dhe kemaliste do ta dënonte, është më shumë se shqetësuese. Çdo vonesë në zbehjen e pastaj shuarjen e saj e bën më të zezë njollën që ajo po i vë kësaj shoqërie. Raportet e një populli me lirinë janë shenja e parë identifikuese e tij. Ato janë karta e parë kredenciale, e fisme apo e pafisme, me të cilën ai shfaqet përpara familjes së popujve.
Flirtet e turbullta me robërinë dëshmojnë, as më pak, as më shumë, raportet e turbullta me lirinë. Një dëshmi e munguar për këtë të fundit, do ta vinte kombin shqiptar në bankën e turpit, si i vetmi popull në kontinent, që, duke shkelur më të epërmin ligj moral të njerëzimit, e modifikoi identitetin e vet, për t‘ia përshtatur atë robërisë.

Historia e kthyer në mit (dhe jo miti në histori) e Kastriotit ka qenë dhe mbetet një histori fund e krye pozitive, shqiptare dhe europiane. Është pjella e parë e përbashkët e Shqipërisë me Europën dhe, si e tillë, përveç që na nderon, na jep shpresë.

Burimi: http://www.revistadrini.com/?p=33407

Raporti TRONDITES i BB: 57% e 15- vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë


Dihet se gjendja e arsimit në vendin tonë është në mjerim të plotë, por një raport i Bankës Botërore lëshon alarmin, duke theksuar se të rinjtë në Shqipëri nuk po marrin dot as aftësitë më minimale.

Siç raporton TCH, në raport del një e dhënë tronditëse. 57 përqind e 15- vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë, që nuk kanë aftësinë për të kuptuar dhe zbatuar njohuritë e marra përmes leximit.
Me fjalë të tjera, dinë të lexojnë, por nuk kuptojnë se çfarë kanë lexuar.
Të dhënat bazohen në të famshmin test të Pizës. Shqipëria mban rekordin negativ në Ballkan.
Në raport thuhet se arsimi në Shqipëri është i keqfinancuar në raport me vendet e tjera.
Po ashtu një problem shumë i madh është fakti se shumica e të paarsimuarve nuk kanë mundësi për të gjetur një vend pune.

T. Channel
http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=256025&ref=ml