Wednesday, May 8, 2013

Jo konflikt interesi, konflikt arsyetimi

Nuk e kuptoj konfliktin e interesit si term, pasi vetë termi, ka konflikt arsyetimi brenda tij.

Me termin konflikt interesi nënkuptojmë rastet kur një individ apo një organizatë nuk jep gjykim të shëndoshë e objektiv rreth një tematike të caktuar, nisur nga interesa të fshehta dytësore, korruptive, nepotizmi, përkatësie, përfitimi personal etj...

Eshtë logjika e të verbrit që kalb frutin e vet, logjika e tifozit që mbyll sytë para defekteve të skuadrës së tij të zemrës, logjika e militantit që tek partia ku aderon nuk sheh të meta, logjika e besimtarit fetar që ofendohet dhe nuk pranon t'ia kritikosh besimin.
Logjika e provincialit që nuk lejon të bësh shaka me qytetin, krahinën apo dialektin e tij, logjika e sëmurë prindërore që nuk pranon gabimet e fëmijës së vet duke e llastuar dhe e mbështetur në vese.
Eshtë logjika e të mjerit, që mendon se ia shkatërrojnë arritjet kritikat e jo sy-mbylljet.

Nuk kritikon dot shëndetësinë se rebelohen mjekët e studentët e mjekësisë, nuk kritikon dot drejtësinë se rebelohen juristët, nuk kritikon dot arsimin se rebelohen mësuesit...

Po mirë more të mjerë, sipas kësaj logjikës tuaj asgjë nuk u dashka kritikuar, pasi çdo fushë i ka përfaqësuesit e vet...

E si dreqin shpjegohet atëherë që gjithçka është një mynxyrë kaq e pështirë mbi të cilën shfryjmë bashkarisht çdo ditë, kur asgjë nuk u dashka kritikuar, sipas jush?

Shikoni se çfarë nuk ju lejohet të kritikoni për të kuptuar se çfarë ua mbyt lirinë - thoshte Volteri.
E si do mundej vallë të shkonte para një shoqëri në rast se ne nuk guxojmë që servilizmin, puthadorjen, bythëlëpirjen, hipokrizinë, falsitetin, nepotizmin, histerinë kolektive, etj ta zëvendësojmë me kritikën e shëndoshë konstruktive?

Dikush nga ju do thoshte "Po pse dikush që është punësuar në administratë jo falë aftësive të tij, por falë formave korruptive përmes njohjeve e miqësirave, do duhej të jetë kundra kësaj praktike"?
Duke e parë në sy të parë dhe në prizëm personal, të jep idenë se këtu s'ka asgjë të keqe, për aq kohë sa ti si individ fiton një punë e një pagë të mirë, por ç'ndodh nëse e shohim në plan më të gjerë?

Ndodh që shoqëria dalëngadalë nuk nxjerr më në krye dhe në nyjet e saj më të rëndësishme e jetike njerëzit më të aftë, të përgatiturit, njerëzit me vullnet, njerëzit me ide që do ti kontribuonin pozitivisht të gjithë shoqërisë. Përkundrazi, qytetari më i përgatitur demotivohet, demoralizohet, injorohet, shkelet me këmbë dhe kur nesër pasnesër frenat e shoqërisë ti kenë marrë të verbrit e të paaftët edhe vetë sistemi do të ndalë së prodhuari qytetarë të denjë e përparimtarë.

Kush të rreh të do - thotë një margaritar i trashëguar në shekuj nga eksperienca jetike e popullit shqiptar dhe nuk është një shprehje aq banale sa e trajton shqiptari sot, duke nisur në mënyrë sipërfaqësore tek termi rrahje, i cili nënkupton dhunë. Aspak. Tek kjo shprehje populli ka dashur të trashëgojë dijen e tij shekullore se atë që e duam e ndëshkojmë, pikërisht sepse e duam. Ai që nuk na ndëshkon për gabimet tona, nuk është ai që na do të mirën, por ai që do të na shohë të mbetemi gjithmonë peng të atij gabimi.

Prandaj, nuk ka konflikt interesi, ka konflikt arsyetimi. Nuk mund të ketë interesa të ngushta. Interesi është një dhe i përbashkët. Meritokracia, drejtësia, demokracia! Kështu ecën përpara shoqëria dhe sa më parë ta kuptojmë këtë, aq më pak do zgjasë ky mjerim ndër ne!

Shkroi: Stop Injorancës !


No comments: