Sunday, May 19, 2013

Ato që statistikat fshehin për Greqinë


Pas raportit pozitiv të FMN ku thuhej se “Greqia ka shënuar progres të rëndësishëm në uljen e deficitit fiskal dhe në përmirësimin e kompetivitetit”, gazeta Wall Street Journal, ka botuar një shkrim me titull “Ato që fshehin statistikat për Greqinë”. 

Në të theksohet se “shifrat zyrtare për Greqinë evidentojnë një imazh katastrofik: 6 vjet recesion, 1 në 4 grekë është i papunë, borxhi ulet minimalisht, por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës, sepse ekzistojnë mjaft mesazhe inkurajuese, siç është situata e qëndrueshme politike pas dy proceseve elektorale të ashpra". Gazeta përmend faktin që para disa ditësh qeveria arriti të kalojë pa asnjë problem një ligj, që parashikon pushime nga puna në sektorin publik.

Shkrimi rendit si shpresëdhënëse, përshpejtimin e reformave, fillimin me sukses të privatizimeve, rikthimin e depozitave në bankat greke, por edhe faktin se shteti ka filluar të shlyejë detyrimet e vonuara ndaj biznesit privat.

Ndërkaq presidenti i institutit të kërkimeve ekonomike Ifo, Hans Werner Zin, në intervistë për gazetën Die Welt shprehet se Greqia do ta kishte kapërcyer sot krizën, nëse në pranverën e vitit 2010 do të kishte falimentuar dhe do dilte nga eurozona. Ai shprehet në favor të një unioni monetar të hapur, prej nga shtetet mund të dalin përkohësisht dhe të kërkojnë ndihmë tranzicionale me plane të tipit “Marshall”.

“Ishte gabim i madh që mbajtëm Greqinë në euro me një borxh publik 160% të GDP, që nuk do të shlyhet kurrë. Kjo ndihmoi bankat gjermane, ato franceze, si dhe disa pasanikë në Greqi, por për popullin do të thotë vetëm papunësi dhe vështirësi. 

Zin vlerëson gjithashtu se ajo që Gjermania po lejon të ndodhë në Greqi është “një katastrofë për njerëzit aty”, dhe vë në dukje se “po të shtohen vështirësitë në vendet më të mëdha, nuk do të mundet të vazhdohet politika që po aplikohet në Greqi, për shkak të mungesës së kapitaleve”.

Greece homeless men in Athens Getty Images

Balkanweb

No comments: