Wednesday, May 8, 2013

Meshkujt i duan me eksperiencë, femrat kërkojnë zhvirgjërim kirurgjikal


Njëherë e një kohë kërkonin të “qepnin”  virgjërinë, tani kërkojnë ta humbasin, jo më  si pjesë e aktit seksual, por nëpërmjet operacioneve kirurgjikale. Kjo, sepse të dashurit nuk pranojnë të kryejnë marrëdhënie  seksuale, nëse vajza nuk ka eksperienca të mëhershme.

Një rast i tillë është paraqitur jo shumë kohë më parë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. “Kërkoj të humbas virgjërinë”, ishte kërkesa e çuditshme, e  cila iu parashtrua mjekëve. Arsyeja? “I dashuri im është i huaj. Ai thotë se, nëse nuk ke kryer  marrëdhënie seksuale më parë, pse duhet ta bëj unë.” Mimoza  Keta, mjeke obstetri gjinekologe  në maternitetin “Koço Glozheni” në Tiranë, thotë se tashmë koncepti  i virgjërisë, shihet si i dalë  mode. Vitet e fundit është konstatuar  një rënie e ndjeshme e  numrit të vajzave, që vijnë në spital me kërkesën për të rikthyer  virgjërinë. “Ndryshe nga kohë më parë, janë shumë të pakta rastet e vajzave të reja, që kërkojnë riformim të himenit. Tani ka ndryshuar goxha mentaliteti shqiptar. Kërkesat janë ulur.” Mjekja gjinekologe thotë  se humbja e virgjërisë dalëngadalë po pranohet edhe nga  prindërit.
Nëse më parë vajzat kërkonin të “qepeshin” në fshehtësi, tani ata vijnë të shoqëruar edhe nga një i afërm.“Nuk ka dallim në fshat apo qytet, në zonat veriore apo në ato jugore. Fenomeni është i kudondodhur në të gjitha zonat e Shqipërisë.  Rëndësi ka që kohët e  fundit ky fenomen po vjen në zbehje. Mentaliteti ka ndryshuar nga brezi në brez. Nëse më parë kjo gjë bëhej në fshehtësi, tashmë bëhet fare hapur dhe pa drojë. Më parë vinin vajza të reja vetëm ose me ndonjë shoqe që mund t’i ruante sekretin. Tani vijnë të shoqëruara me mamatë  apo me motrat dhe pranojnë hapur që kanë kryer marrëdhënie seksuale.” Ka edhe nga ata prindër që me ndërgjegj  të plotë paguajnë t’u rikthejnë në vajzave virgjërinë, nga frika se “u ngelet në derë”.
Mjekja obstetro-gjinekologe flet për rastet që janë drejtuar pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, por nuk pohon të ketë kryer një  ndërhyrje të tillë. Këto raste kanë qenë të pakta edhe për faktin se vetë vajzat iu tremben thashethemeve. Mjekët thonë që kjo procedurë aktualisht kryhet në mënyrë ilegale në klinika private apo qendra ambulatore dhe me një kosto të lartë. Një mjeke tjetër thotë që kjo ndërhyrje nuk është e pazakontë, paçka se nuk shënohet si statistikë në regjistrat e mjekëve. Vajzat që kryejnë ndërhyrje iu hapet një kartelë sikur ato kanë kryer një vizitë gjinekologjike.
Mjekët thonë që kjo ndërhyrje mund të kryhet nga një ambulator, në një kohë të shkurtër dhe nuk lë asnjë pasojë. Rastet janë nga më të çuditshmet deri tek ato më të pazakonshmet. Më i fundit ishte ai i një vajze që ka kryer marrëdhënie seksuale në moshën 14-vjeçare me një person, që sapo e ka njohur në një  nga lokalet e natës. “Arsyet pse një vajzë vendos të kryejë operacionin janë disa të tilla, por që lidhen rreth një fakti. Nuk duan ta marrë vesh askush që kanë  kryer raporte seksuale. Kështu zgjidhja e tyre mbetet operacioni.
Kështu ajo gënjen veten, heq zemërimin e familjes dhe  të bashkëshortit të ardhshëm duke tentuar “të ruajë” marrëdhënien.” Gjithsesi këto raste nuk merren në shqyrtim nga mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”. Të paktën këtë pohojnë  vetë mjekët. Të vetmet raste, që merren në shqyrtim është deflorimi i vajzave me probleme me himenin. Doktoresha Keta thotë, që ka një numër të madh vajzash, të cilat martohen dhe nuk arrijnë të kryejnë marrëdhënie  për shkak të një himeni të papenetrueshëm. “Ky lloj himeni ka një membranë shumë të fortë, që nuk lejon kryerjen e aktit seksual. Në këtë rast ne ndërhyjmë duke bërë çarjen e kësaj cipe. Është një problem i zgjidhshëm  për të cilin ankohen shumë çifte kur vijnë këtu.”
Deflorimi, 30 për qind e vajzave e humbasin pa hemorragji
Çarçafët e natës së parë të martesës  tani kanë dalë nga përdorimi. Madje as fisheku që shoqëron pajën e nuses nuk jepet më nga babai  i vajzës. Edhe pse një fenomen akoma i pranishëm në shoqërinë  shqiptare, një femër e virgjër vijon të kërkohet. Këtë fakt e pohon mjekja gjinekologe Mimoza Keta.  “Jo të gjitha marrëdhëniet për herë të parë shoqërohen me hemorragji.  Kjo është në varësi të femrave. Për këtë janë realizuar shumë studime, të cilat vërtetojnë tezën që 30-40  për qind e femrave gjatë kontaktit të parë seksual nuk kanë hemorragji. Në mjaft raste ka krijuar probleme, sidomos tek çiftet e reja.”  Mjekja gjinekologe thekson që në të shumtën e rasteve, në raportin e parë seksual të një femre shkatërrohet himeni, i cili shoqërohet ose jo me gjakderdhje. Në kohët e hershme kjo tregonte, që femra ishte e virgjër, apo siç njihet në konceptin popullor vajzë e ndershme. “Por mund të ndodhë që ky deflorim  të ndodhë edhe pa rënë në bazë gjaku. Ka shumë vajza që më thonë, se jam prishur me të fejuarin, pasi nuk kam pasur hemorragji në kontaktin  e parë. Dhe të tjera, që thonë që bashkëshorti ua përmend gjithë jetën, duke i thënë që ‘të pranova ashtu siç ishe’.”
Virgjëria përplas edhe vetë gjinekologët
Një rast i ardhur së fundmi në maternitetin  “Koço Gliozheni” ngjalli  debate mes mjekëve të këtij spitali.  Një 14-vjeçare përfundoi në spital, pas kryerjes së një raporti seksual me një të ri të moshës së saj në një nga pub-et e kryeqytetit. Arsyeja që ajo u kishte bërë të ditur bluzave të bardha ishte thjesht një tërheqje e momentit. Këtë pohon mjekja gjinekologe  Mimoza Keta. “Pasi vjen në vete dhe qetësohet më tregon rastin e saj dhe më pyet nëse kam bërë mirë apo gabim. Detyra ime është që t’i thosha ke bërë ashtu siç e ke  ndjerë dhe në këtë mes nuk është gabim. Ndërsa si nënë nuk gënjej dot të them të njëjtën gjë.” Në  momentin që mjekja e kishte konsultuar rastin në fjalë me mjeke të tjera të moshës së saj ka marrë një  reagim ekstrem. “Mjerë ne që kemi  vajza!”. Ndërsa moshat e reja i janë përgjigjur: “Pse ju bën çudi juve?”  Doktoreshë Keta këshillon herë pas here të rejat që shkojnë në zyrën e saj të mos ngrenë asnjë marrëdhënie mbi një të gabuar. Sipas saj, çdo gjë ka kohën e vet. 

Shekulli Print-Besarta Basha

No comments: