Wednesday, March 10, 2010

Shqiptarët të 'fiksuar' pas celularit, 50 miliard lekë në 2009

Shqiptarët kanë shpenzuar për të komunikuar rreth 50 miliardë lekë gjatë vitit 2009. Të dhënat më të fundit të Autoriteti të Komunikimeve Elektronike dhe Postare bëjnë fjalë për një rritje të konsiderueshme të abonentëve të kompanive të telefonisë së levizshme gjatë dy viteve të fundit.

Madje AKEP raporton se kjo shifër është tre për qind më e ulët se ajo e vitit të kaluar, por përkundrazi numri i abonentëve ka pësuar një rritje mjaft të lartë me rreth 1.2 milionë përdorues vetëm gjatë vitit 2009. Numri i abonentëve që janë të regjistruar në të treja kompanitë celulare në vend arrin në 4.1 milionë përdorues.

Kurba e rritjes së përdoruesve të telefonisë celulare në vend ka ardhur në rritje duke filluar nga vitit 2000. Gjatë këtij viti numri total i përdoruesve të telefonisë së levizshme varionte në rreth 29 mijë abonentë, një vit më pas arrihet në 352 mijë abonentë. Në vitin 2007 ky numër arrin në 2.3 milionë, ndërsa rritjen më të lartë të abonentëve telefonia celulare do ta njihte në vitin 2009 me plot 4.16 milionë përdorues.

Sipas të dhënave që pasqyrohen në raportin vjetor të AKEP-it, pjesa dërrmuese e abonentëve të telefonisë së levizshme, rreth 94 për qind e tyre janë janë përdorues të paketave tarifore me parapagim, ndërkohë vetëm 6 për qind janë përdorues të numrave me kontratë. Për shkak të ofertave të ndryshme që kanë bërë kompanitë gjatë vitit të shkuar, vërehet një rritje e ndjeshme e thirrjeve brenda rrjetit. Kështu, rritja e numrit të përdoruesve të celularëve ka shtuar konsumin për abonent. Nëse gjatë vitit 2008 mesatarisht çdo abonent ka konsumuar në muaj rreth 30 minuta bisedë, gjatë 2009 kjo shifër është dyfishuar.

Shqipëria ka nivele penetrimi të telefonisë celulare më të lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Sipas AKEP gjatë vitit 2009 numri i përdoruesve për 100 banorë arriti në 129 për qind krahasuar me 119 për qind të është mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Ky tregues pasqyron faktin se një përdorues mund të jetë njëkohësisht abonent i dy apo të tre kompanive që operojnë sot në tregun shqiptar. "Numri i përdoruesve celularë i referohet kartave SIM ndërkohë që normat e larta të përdoruesve për 100 banorë shpjegohen nga mbajtja prej një individi e më shumë se një karte të tillë", - shpjegon AKEP.
Telefonatat ndërkombëtare, më lirë se brenda vendit...

Rritjen e numrit të përdoruesve të telefonisë së levizshme si dhe të minutave të bisedës për çdo abonent AKEP e lidh me hapjen e tregut dhe rritjen e konkurrencës midis kompanive.

Ndërkaq, ndryshe nga ajo celulare, telefonia e levizshme ka një shtrirje shumë më të ulët. Gjatë vitit 2009 numri i abonentëve fiks arriti në 363 mijë duke pësuar një rritje me rreth 40 mijë krahasuar me një vit me parë.

Në Shqipëri ofrojnë shërbimin e telefonisë fiks rreth 74 operatorë, ndërsa 18 të tjerë ofrojnë shërbimin e thirrjeve me kartë të parapaguar. Edhe pse ka një numër të madh operatorësh të telefonisë fikse sipërfaqja e që mbulohet me shërbim nuk e kalon 12 për qindshin.

Emirjon Senja, Shekulli

Bashkojuni protestës së 17 Prillit, për të fikur për 8 orë telefonin celular, kundra çmimeve abuzive të kompanive celulare në Shqipëri. Mediat e shkruara apo vizive nuk e ngrenë dot zërin kundra kuçedrave AMC, VODAFON dhe EAGLE MOBILE, sepse me reklamat e tyre mbajnë gjallë bizneset e tyre. Gjithashtu edhe vetë shteti dhe politika shqiptare është komplet e pafuqishme, ose në rastin më të keq, e blerë. Eshtë detyra jonë si qytetarë të protestojmë, të mblidhemi kundra kësaj vjedhjeje që i bëhet popullit shqiptar. Populli më i varfër - Tarifa më të shtrenjta.
Stop Injorancës- Ndal Paditurisë

Shqiptarja 23-vjeç, zëdhënëse e partisë Lega Nord, në Itali

I ati mbërriti në Itali si klandestin, u dëbua e më pas u kthye sërish me dokumente të rregullta dhe leje qëndrimi. Ajo, Edlira Mamutaj, 23 vjec, e diplomuar për gazetari është tashmë zëdhënësja e Lega Nord në Toskana, partia e ekstremit të djathtë, që shpesh herë sulmon emigrantët.

Por, ajo rrëfen se do të jetë zë për emigrantët, të cilët sigurisht në favor të tyre nuk duhet të jenë klandestinë, por të rregullt në mënyrë që të integrohen.

"Im atë? Ai kur u kap për herë të parë nga policia mori mandat dëbimi dhe u kthye në Shqipëri. Më pas u kthye me leje qëndrimi dhe pune, falë disa të afërmve që kishim këtu. Në vitin 2000 më mori me vete, mua, vëllanë dhe mamin"- tregon ajo.

Atëherë Edlira ishte vetëm 14-vjeç. Studioi, u regjistrua në universitet dhe sot bashkëpunon me gazetën e partisë "La Padania" dhe punon në zyrën e shtypit. "Lega Nord nuk është raciste dhe i vë veshin atyre që janë si puna jonë"- thotë vajza, duke shtuar se ata që kjo parti dëshiron të kthehen ata që nuk punojnë dhe bëjnë krime.
"Eshtë ky motivi që unë u regjistrova me legistët"- thotë më tej ajo.

Ajo flet një italishte perfekte me dialekt fiorentin. "Dua t'u jap zë atyre njerëzve që vijnë në Itali për t'u integruar, në interes të emigrantëve dhe të vetë italianëve.

Edlira Mamutaj, Shekulli

Tuesday, March 9, 2010

Raporti: 1 në 4 gra në Shqipëri dhunohen

Raporti më i fundit për dhunën në familje, dhe kryesisht për dhunën ndaj grave, tregon qartazi se dhuna është prezente në forma nga më të ndryshmet në familjet shqiptare. Sipas këtij raporti, një në katër gra në Shqipëri dhunohen.

Kryetarja e shoqatës "Në dobi të gruas shqiptare", Sevim Arbana, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" ka treguar histori rrëqethëse të vajzave dhe grave të cilat dhunohen dhe janë ende të detyruara të jetojnë me burrat e tyre për shkak të mungesës eko-nomike, mungesës së një shtëpie apo pune. Por, ajo tregon se dhuna nuk është në nivelet e para 10 viteve, kjo pasi edhe shteti nuk është aq pasiv sa më parë. "Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare për vendin tonë, 1 në 4 gra në Shqipëri dhunohen, raporti i 2005-2007. Por, dhuna nuk është në nivelet e para 10 viteve, pasi dhe shteti nuk është më aq pasiv", - ka deklaruar Arbana. Ajo ngulmon se shteti duhet të marrë më tepër masa që të rrisë shërbimet sociale që ofrohen falas për gratë e kësaj kategorie. Rastet e dhunës në vendin tonë janë të shumta, dhe këtë gjë e dëshmon më së miri edhe numri i lartë i telefonatave që vijnë në 'Telefonin Grua: 2247502' pranë kësaj shoqate, ku çdo ditë telefonojnë më shumë se 5 apo 6 gra të dhunuara.

Zonja Arbana, duke u bazuar në rastet e denoncuar në shoqatën tuaj, ku mendoni se e ka zanafillën dhuna në familje?
Dhuna është një trashëgimi në mentalitetin shqiptar, duke qenë shoqëri patriarkale që dalëngadalë u zhvillua. Në kohën e diktaturës u ndryshuar me forcë mentaliteti, bëri disa ligje që e propagandoi gruan shumë të barabartë, ndërkohë që nuk ishte fare e barabartë, por dhuna deri diku u zhduk se ishte një sistem diktatorial. Por, në vitin 1990 me lirinë e mendimit, me lirinë e veprimit, me anarshinë e çdo gjëje që shoqëroi zhvillimin shqiptar, duke pasur një të kaluar shumë primitive dhe patriarkale, u duk haptazi që dhuna ishte prezente në shoqërinë shqiptare. Dhuna ndodh në ato familje ku gratë kanë minuse në edukim, kanë minuse në avantazhet e tjera, si të dalin nga shtëpia. Një grua që është e punësuar, e cila ka një ekonomi të sajën, është shumë më pak e mundshme ta dhunosh. Nuk themi që është e pamundur se ka dhe raste të tilla, por përqindja është shumë e pakët. Nëse ne do të arsimojmë gratë, do t'i nxjerrim nga dyert e shtëpive dhe të punojnë, atëherë ato kanë shumë më pak mundësi të jenë të dhunuara. Por, dhe të jetuarit në familje shumë të mëdha, ikja e burrave në emigracion, kthimi i tyre 1 herë në vit, xhelozitë, i shtojnë rastet e dhunës. Ka raste dhune ndaj grave që janë për t'u bërë filma dhe një histori e tillë është rasti i gruas në një fshat të Elbasanit që e vret bashkëshorti, pasi ai ishte kthyer për Vitin e Ri. E shoqja kishte parë filma porno, dhe bën seks në një formë tjetër, ai i thotë ku i ke mësuar këto dhe e vret. Megjithatë, duke e krahasuar me fillimet e shoqatës tonë, ne na u deshën 10 vjet të bënin gratë që të mos heshtnin kur dhunoheshin, dhe ato filluan të flasin. Denoncimi i dhunës është një akt pozitiv.

Sa raste ka përditë që femrat denoncojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre?
Në telefonin tonë ka përditë 5-6 raste, denoncojnë dhunën dhe kanë probleme të ndryshme. Çdo ditë psikologia jonë asiston psikologjikisht dy gra. Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare për vendin tonë, 1 në 4 gra në Shqipëri dhunohen, raporti i 2005-2007. Dhuna ekziston, është shumë e egër, ka të bëjë me mentalitetin, por fakti që janë bërë ligje, kjo është pozitive. E rëndësishme tani është që këto ligje të zbatohen dhe të mos mbesin vetëm në letër. Siç thashë në rastin e strehëzave më sipër, përse asnjë dhunues nuk kapet dhe të largohet nga shtëpia? Duhet të punojnë të gjitha institucionet; shoqata ime është një levë e parëndësishme ndërkohë që levat e tjera nuk punojnë.

Po probleme të tilla, që gruaja ka denoncuar dhunën dhe e ka kërcënuar i shoqi?
Po ka plot raste të tilla, vijnë, ndjekim seancat dhe tërhiqen, pasi kanë disa rrethana që dhe ato tremben dhe nuk kanë faj, se bashkëshorti i kërcënon se do t'i marrë fëmijën apo kërcënime për pjesëtarët e tjerë të familjes së saj. Por, një problem tjetër është se nëse vjen një grua që kërkon asistencë juridike, kërkon të divorcohet, ne japim vetëm asistencë psikologjike dhe sociale dhe i dërgojnë në një shoqatë tjetër, "Qendra Avokatore e Grave", për të marrë asistencën juridike. Ajo shoqatë i bën falas të gjitha. Këtë e bëjmë në Tiranë, por në zonat e tjera nuk kemi mundësi, prandaj institucionet duhet të kenë shërbime falas për këto target-grupe, sepse nuk kanë mundësi të paguajnë. Një divorc shkon deri në 500 mijë lekë të vjetra, ku do t'i gjejë kjo grua këto para?

Gratë që dhunohen, divorcohen në shumicën e rasteve?
Jo, në përgjithësi jo, rikthehen prapë tek burrat. Por, ka dhe raste që divorcohen. Që ato të divorcohen duhet të kenë përkrahje të familjes, të ambientit ku jetojnë, të kenë një ekonomi. Çështja ekonomike është dhe kryesorja, se nuk e mbështet ekonomikisht as familja e saj. Shteti duhet të jetë më prezent për të drejtën e grave në pronë, në shëndetin e saj. Duhet nisur që në bankat e shkollës, ku të mësohet se femrat dhe meshkujt janë të barabartë dhe kanë të njëjtat të drejta. Pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare jeton në fshat, rreth 60 për qind është shoqëri fshatare, edhe pse ato kanë lëvizur në qytete, komportohen me mentalitet rural, mentalitet i cili mund të ndryshojë me ligje, me edukim dhe punësim.
"Edhe pse shumë hapa janë ndërmarrë me qëllim mbrojtjen e të drejtave të grave, ende mbetet shumë për të bërë nga të gjithë aktorët shoqërorë, politikëbërës e vendimmarrës e nga vetë komuniteti i gjerë, të ndjeshëm ndaj çështjes së grave".

Ermelinda Hoxhaj, G. Shqiptare

Eshtë e vërtetë që gratë në Shqipëri e meritojnë një ditë feste, kur partnerët e tyre të rikujtohen për kontributin e tyre të pamohueshëm në familjen, në bërthamën e shoqërisë, por statistikat e këtij raporti janë të tmerrshme, 1/4 gra dhunohen dhe kjo është kafshërore për një shoqëri europiane të mijëvjeçarit të III-të. Pikërisht kjo është arsyeja pse gratë e Shqipërisë duhet të protestojnë edhe për ato gra të mjera që dhunohen çdo ditë dhe ndaj këtyre dhunuesve nuk merret asnjë masë.
Familja është bërthama e shoqërisë dhe një familje ku ushtrohet dhunë, kurrsesi nuk mund të premtojë një shoqëri të nesërme të begatë. Ndal Paditurisë

Natë e nxehtë në Tiranë. Këtë herë zhveshin gratë

Atmosferë e pazakontë dje në mbrëmje në një lokal të njohur nate pranë selisë së Partisë Demokratike në Tiranë. Një fluks i madh femrash në hyrje të lokalit, ta shtinte përnjëherë në mend se po ndodhte diçka fare e pazakontë.

Femrat ishin të të gjitha moshave, fare të reja dhe deri edhe 60 vjeçare. Disa prej tyre, shoqëroheshin madje deri në hyrje të lokalit nga të dashurit e tyre, shkëmbenin një puthje dhe aty ndaheshin.. Burrat nuk lejoheshin brenda.
Çfarë po ndodhte?

"Sekreti" ishte i vështirë të mbahej. Vetëm pak pas orës 20.30 kur nisën të mbylleshin portat e lokalit, u mor vesh që brenda ofrohej vetëm për femra, striptizë meshkujsh. Ishin së paky tri lokale mbrëmë në tiranë që ofruan këtë lloj party.

Në brendësi të lokalit, veç muzikës me DJ dhe lojës së zakonshme të dritave, binin në sy uniformat e 4 vajzave të veshura si police sexy dhe kamarierëve që ishin të gjithë me kapele "metalixato" në kokë. Një femër me flokë të shkurtra të zeza, e veshur si infermiere sexy, me çorape rrjetë, të orientonte në gjetjen e tavolinës. Shumica e ambjentit ishte e prenotuar.
Publiku ishte tërësisht femëror, madje "pak më tepër" se kaq. Në lokal, dalloheshin qartë edhe çifte femrash, që nuk të linin të dyshoje fare se ishin diçka më shumë se shoqe të ardhura bashkë në një "funny party"

Atmosfera u ndez pas dy-tre gotave të para. Edhe nëse nuk ndodheshe në tavolinat para skenës, nga të ulëriturat e femrave në atë pjesë të sallës, u mor vesh menjëherë dalja e striptistit të parë. Shumica e vajzave dhe grave në sallë filmonin dhe fotografonin. Por kishte dhe disa vajza më të guximshme se kaq. Katër prej tyre njëra pas tjetrës hipën në skenë për tju bashkuar lëvizjeve të djalit që kërcente duke u zhveshur. Njëra prej tyre (në foto) i "hyri në sy" me sa duket edhe kërcimtarit, pasi u mor gjatë me të.. E ndihmoi të zhvishte bluzën, kurse heqja e rripit të pantallonave mbeti në tentativë :)

Ne të SH2 u shkëputëm në këtë moment, për tju sjellë pak atmosferë nga kjo festë e pazakontë e 8 marsit në kryeqytet, por festa ishte parashikuar të vijonte deri në orët e paar të mëngjesit. Ca gota të tjera dhe efekti i muzikës, ndoshta e kanë bërë të vetën.
Do pyesim ndonjë që qëndroi deri në fund, për të marrë vesh nëse historia e rripit vazhdoi...

Shekulli

Tirana "pushtohet" nga qentë e rrugës

Tirana është pushtuar nga qentë, jo vetem nëpër lagje periferike por edhe në qënder dhe rrugë kryesore, qentë i gjen ngado.

Zakonisht kur dalim në rrugë jemi mësuar të kemi kujdes nga makinat, por tashmë duhemi të ruhemi nga qentë e rrugës të cilët nëse kanë uri edhe mund të të kafshojnë, po ashtu nuk duhet të nxitosh se qeni nxehet e gjëmon.

Megjithëse Bashkia e Tiranës ka nisur disa here fushatën për heqjen e qenve nga rruga, ende nuk ka bërë asgjë pasi qenë mund të gjesh me qindra ngado. Këtu në Shqipëri, nëse sheh një qen në rrugë nuk duhet të habitesh, ndërkohë që në çdo vend të botës kushdo që sheh një qen lajmëron menjëherë policinë zjarrfiksen apo institucion e parë të ndihmës që ka më afër.

shqiperia.com



Ka shumë zona në Tiranë, ku natës nuk mund të lëvizësh pa ndonjë shkop të gjatë në dorë dhe pa mbushur xhepat me gurë. Natën, qentë mbretërojnë periferitë e Tiranës. Lehjet e tyre në kor, duke zgjuar njëri-tjetrin lagje më lagje, të japin një panoramë mesjetare të një qytetërimi rural. Jo pak raste kemi qenë dëshmitar të sulmeve të këtyre grupeve qensh ndaj njerëzve të rastësishëm, fëmijë, gra, pleq e madje edhe ndaj djemve të rinj.
Një tjetër dukuri interesante është lufta për konkurencë territori, që qentë e rrugës kanë ndaj njerëzve që mbledhin kanaçe.

Megjithatë, prania e këtyre qenve në rrugë, përveç mungesës së higjienës dhe rrezikut real të sulmit fizik, tregon shumë për cilësinë e jetës në këtë vend, për respektin ndaj jetës dhe qenieve të gjalla. 

(Stop Injorancës) http://www.facebook.com/NdalPaditurise2