Tuesday, April 13, 2010

Nostalgjikët dje në varrin e Enver Hoxhës

Me buqeta me lule, disa me kurora në shtrenjta ku shkruhej “Lavdi shokut Enver”, dhjetëra nostalgjikë zhvilluan homazhe në varrin e diktatorit Enver Hoxha, me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së tij. Shumë prej tyre mbanin veshur dekoratat që sistemi komunist u ka dhënë ndër vite dhe e cilësojnë absurde që komandanti i tyre i Luftës Nacional Çlirimtare të mos ketë dekorata.

Ish-të përndjekurit politikë i kanë kërkuar Presidentit të Republikës, Bamir Topit, që t’i heqë dekoratat ish-diktatorit më të egër të Lindjes, duke kujtuar se Enver Hoxha mban ende 14 dekorata e tituj, mes tyre edhe “Hero Kombëtar”.

Sulo Gradeci, ish-shefi i sigurimit personal të diktatorit Hoxha që nga viti 1955, nuk kishte si të mungonte në 25-vjetorin e vdekjes së ish-shefit të tij. Ai e cilëson si paturpësi heqjen e dekoratave të Enver Hoxhës. “Të ndahen çështjet në luftëra të drejta dhe luftëra të padrejta. Ne kishim një luftë të drejtë, sepse u pushtuam nga të huajt.
Po ajo letra që kanë veteranët sot çfarë është?
Ajo tregon se çfarë kemi bërë e që kemi qenë në luftë. Po atë kush e organizoi? Kjo i bie të jetë paturpësi e madhe”, tha Gradeci. Për ish-të përndjekurit politikë, Gradeci shprehet dakord që t’u kërkohet falje, por ai mbetet i mendimit se falje duhet të marrin vetëm ata që janë dënuar politikisht, pasi sipas tij, në diktaturë janë dënuar edhe njerëz që kanë qenë kundër interesave kombëtare. Në varrin e Enver Hoxhës, ish-truproja e tij u shpreh se qytetarë të shumtë vijojnë të vijnë që t’i bëjnë homazhe ish- diktatorit. “Unë erdha sot, siç kam ardhur edhe herët e tjera. Shikoj që ka shumë kurora, buqeta me lule dhe njerëz të thjeshtë, të cilët vijnë dhe kanë vendosur kurorat. Dëgjova dy plaka që i erdhën te varri dhe i thoshin: ‘I paharruar qofsh, se na prure lirinë’”, tha Gradeci.

Me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së diktatorit, në varrezat e Sharrës nuk munguan simpatizantë të atij sistemi nga Tirana, Gjirokastra, Skrapari Vlora e Kosova. Përfaqësues të Partisë Komuniste dhe Partisë së Punës kanë vendosur lule e kurora në varrin e ish-diktatorit në varrezat e Sharrës. Homazhet kanë nisur rreth orës 8:00 të mëngjesit dhe kanë vijuar për disa orë.

Dekoratat që mban ende Enver Hoxha
Ish-diktatori mban ende titujt dhe dekoratat e marra kur ishte në krye të diktaturës komuniste. Enver Hoxha mban në total 14 dekorata si Urdhri “Hero Kombëtar”, Titulli “Hero i Popullit”, Titulli “Hero i Punës Socialiste”, Urdhri i Lirisë i Klasit të Pare, Urdhri i Flamurit, Medalja e kujtimit, Urdhri “Ylli Partizan” i klasit të parë, Urdhri i “Skënderbeut” i Klasit të Pare, Urdhri i Trimërisë, Urdhri “Ylli i kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit, Dekoratë nga Partia Komuniste Italiane me Urdhrin “Ylli Garibaldit”, Dekoratë me Urdhrin “Suvorov” të Klasit të I nga Presidiumi i Sovjetit Suprem të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.

Erald Kapri, G.Panorama

Schmitt: Shqipëria si Bjellorusia, s’ka zbardhur të shkuarën

Profesor dr. Oliver Jens Schmitt ka folur nga Instituti i historisë së Europës Lindore në Vjenë për përpunimin e së kaluarës komuniste në Shqipëri.

Cilat janë motivet, që e shtyjnë masën të brohorasë diktatorin, kur pak a shumë të gjithë janë në dijeni për represionin, padrejtësitë dhe krimet e kryera?
Shqipëria komuniste ishte një diktaturë staliniste dhe duhet krahasuar me sistemet totalitare përkatëse. Edhe Stalini, apo diktatorë të tjerë të mëdhenj komunistë, por edhe diktatorët nazistë dhe fashistë janë brohoritur nga masat. Dhe njerëzit, që i kanë brohoritur e kanë bërë këtë pjesërisht vullnetarisht, pjesërisht për të mbrojtur veten. Nuk duhet të harrojmë, që ata njerëz, që kishin qenë kundër regjimit, nuk ishin më fizikisht prezent në këto sheshe, sepse ose ishin vrarë, ose ishin arratisur, ose ndodheshin nëpër kampe internimi, apo nëpër burgje. Secila prej këtyre diktaturave u ka ofruar grupeve të caktuara shanse karriere dhe ashtu si stalinizmi edhe diktatura komuniste shqiptare i ka mobilizuar disa pjesë të popullsisë dhe ka gjetur tek to me të vertetë mbështetje. Një pjesë e popullsisë e ka mbështetur në mënyrë aktive regjimin, një pjesë tjetër ka marrë pjesë natyrisht nga frika në demonstrata të tilla. Sepse edhe këtu kontrolli i shërbimeve sekrete, sipas modelit stalinist, ishte aq i fortë, saqë ishte shumë e rrezikshme të tregoje tendenca devijuese.
Një vend i tërë qau e vajtoi Enver Hoxhën në ditën e vdekjes dhe pas pesë vjetësh me të njëjtin intensitet emocional rrëzoi dhe tërhoqi rrugëve monumentin e tij.
Eshtë tipike në rastet e rrëzimit të sistemeve të tilla. Sistemi shqiptar, ashtu siç e ka thënë George Orëell në vitin 1984, u bë në fund një sistem, që jetonte nga një propagandë e vazhdueshme e paranojës dhe e ksenofobisë, nga vizioni i një vendi në rrethim, rrethuar nga armiq, që vetëm prisnin që të shkatërronin Shqipërinë. Njerëzve iu transmetua një imazh për botën, që ishte aq në kundërshtim me realitetin, saqë kur ky sistem rrëzohet, shkarkohet edhe ky tension emocional dhe kthehet në të kundërten e vet. Por është interesant se megjithëse emocionet e atëhershme qenë shumë të forta, për këtë kohë nuk është reflektuar intelektualisht. Shqipëria është i vetmi vend i Evropës Lindore, ndoshta me përjashtim të Bjellorusisë, që e ka zbardhur më së paku të kaluarën e saj.

Si shpjegohet që kjo nuk është bërë ende?
Shkaku është se vazhdimësia e kuadrit është shumë e fortë. Është fjala për një elitë shumë të vogël, ku ka shumë pak njerëz, që nuk kanë lidhje familjare me elitën e vjetër komuniste. Është më të vertetë e dukshme që numri i intelektualëve, që e bëjnë këtë në mënyrë kritike është shumë i vogël dhe këto njerëz e kanë shumë të vështirë, se vazhdojnë të luftohen shumë. Dhe në sferat, ku kjo duhej të ndodhte, pikërisht në fushën shkencore, janë bërë vetëm përpjekje sporadike për ta analizuar këtë periudhë.

A ka të bëjë ky kontinuitet edhe me faktin që Shqipëria është një vend i vogël, ku strukturat janë shumë të ndërthurura e të gërshetuara me njëra-tjetrën?
Sigurisht që duhet të shtrosh pyetjen se çfarë është Shqipëria. Shqipëria është në fakt Tirana dhe elita në Tiranë takohet në të njëtat kafe dhe në të njëjtat sheshe. Sigurisht që është një disavantazh për Shqipërinë, që është një vend i vogël, i centralizuar. Sikur të kishte disa qytete të mëdha, mundësitë për të krijuar këndvështrime të ndryshme do të ishin më të mëdha. Nuk është kështu, edhe për faktin se të gjithë njihen dhe mundohen të mos ia prishin njëri-tjetrit dhe nganjëherë diskutimet bëhen me shumë emocione dhe ky gërshetim i ngushtë e bën edhe më të vështirë.

Si shpjegohet prirja e Enver Hoxhës për ta futur Shqipërinë gjithnjë e më thellë në izolim duke e veçuar plotësisht nga bota?
Hoxha po ashtu si edhe Zogu erdhi në pushtet me ndihmën e jugosllavëve. Ai këtu në fakt ndoqi shembullin e Zogut duke u liruar së pari nga shtrëngimi i madh i Jugosllavisë. Shqipëria ka qenë një lloj shteti satelit i Jugosllavisë deri në vitin 1948 dhe po t'ia kishte arritur Tito ajo do të ishte bërë ndoshta me Bullgarinë pjesë e federatës së madhe ballkanike nën drejtimin e Titos. Kjo duhej penguar. Zogu iu lëshua në duar italianëve, ndërsa në rastin e Hoxhës ishte Bashkimi Sovjetik. Për konfliktin me Rusinë (për këtë ka shumë pak studime historike të bazuara në arkiva, në Shqipëri me sa di unë nuk është bërë akoma, pra jemi në një nivel modest të studimeve) teza vazhdon të jetë se Hoxha e ka refuzuar integrimin e Shqipërisë në një zonë ekonomike sovjetike si vend agrar. Shkaku është sigurisht përpjekja për të pasur sa më shumë liri në politikën e jashtme dhe për të likuiduar opozitën brenda partisë. Fare ngjashëm ka qenë edhe në rastin e Jugosllavisë.

Ishin këto shkaqet që Enver Hoxha iu përmbajt linjës së nacionalizmit izolues gjatë regjimit të tij?
Ky izolacionizëm është shumë demonstrativ. Ai nis që në shekullin e 19-të, sepse dy prej popujve fqinj, apo së paku politika e jashtme dhe një pjesë e publicistikës e kundërshtonte ekzistencën e shqiptarëve dhe donte t'i përvetësonte si serbë, apo si grekë për qëllimet e veta ekspansioniste. Prandaj që heret është krijuar një mosbesim ndaj fqinjëve. Kjo natyrisht u thellua nga fakti se Greqia ishte shtet i Natos dhe Jugosllavia u bë më vonë kundërshtar i jashtëm politik. Por nuk duhet harruar se ky nacionalizëm u shfrytëzua në të gjitha vendet e bllokut komunist për forcimin e pushtetit brenda vendit. Por Hoxha përdori një formë shumë ekstreme, që mund të krahasohet vetëm me Çausheskun në Rumani. Edhe atje popullsia është izoluar shumë nga bota e jashtme. Të dy e kanë përdorur me zgjuarsi nacionalizmin, sepse sapo të luanin me këtë kartë ishin në gjendje të mobilizonin. Por në Rumani ka pasur institucione dhe tradita para komunizmit. Në Shqipëri kjo mungonte. Dhe tragjikja në Shqipëri është sigurisht që edhe shkenca, edhe shumë elemente qëndrorë të identitetit kombëtar u ngritën dhe u zgjeruan gjatë komunizmit. Pikërisht për këtë arsye ato janë në moment pa alternativë, prandaj vazhdon deri sot ky nacionalizëm vetëizolues.
Por regjimi komunist e shkatërroi menjëherë atë traditë që gjeti, nuk deshi të mbështetej në elementët e kulturës dhe të identitetit, që ekzistonte.
Padyshim që kjo është diçka, që sot shpesh harrohet, se Shqipëria nuk ka qenë as një rajon, që rrethohej nga armiqtë, as një rajon i izoluar, siç u bë më vonë në komunizëm dhe siç është në një farë mase sot në vetëizolim. Të marrim shembullin e Shkodrës para njëqind vjetësh: Ishte një qytet me lidhje të mëdha ndërkombëtare në hapësirën e Adriatikut dhe në hapësirën e Ballkanit dhe është e sigurtë se bota, në të cilën jetonin shqiptarët para njëqind vjetëve, ishte shumë më e madhe se sa nën komunizmin dhe pjesërisht, së paku nga ana intelektuale, më e madhe se ajo e sotmja. Sepse popullsia muslimane komunikonte edhe me qendrat e mëdha kulturore të perandorisë osmane dhe natyrisht priftërinjtë katolikë dhe katolikët më fort me orientim nga Italia. Grupi më i gjallë nga ana intelektuale ka qenë pa dyshim për shumë kohë popullsia ortodokse në Shqipërinë e sotme jugore. Kjo është edhe një trashëgimi e dimensioneve të mëdha hapësinore dhe e relacioneve të mëdha kulturore ndërkombëtare, që humbi fare në borëkuptimin shumë egocentrik të perceptimit të kulturës kombëtare.

Si mund të ndreqej kjo?
Është një çështje e vështirë. Nga njëra anë kemi emigracionin masiv, një internacionalizim të madh nga ana faktike, ekonomike, emigracioni sjell në vend mjete financiare, por deri tani me vështirësi vëren që në politikë, apo në arsim të hyjnë me të vertetë ide të reja. Duket se elitat, që kontrollojnë këto fusha, deri tani ia kanë arritur që të mbrohen nga ndikimet e shqiptarëve, që kanë studjuar jashtë shtetit. Eshtë e qartë që në disa fusha si në fushën e shkencës nuk duan të përballen aspak me konkurrencën ndërkombëtare. Vazhdon të mbisundojë sistemi "më mirë të jem mbret në fshatin tim, se sa një partner me vlerë të barabartë në rang ndërkombëtar". Mendoj se për këtë duhet shumë kohë. Besoj se askush nuk ka një recetë zgjidhjeje. Një ndryshim brezash në politikë do të ishte ndoshta me dobi, por problematika në politikë nuk ka të bëjë vetëm me brezat e ndryshëm. Ka edhe politikanë të brezit të ri, të rrymave të ndryshme, që nuk kanë interes për të ndryshuar diçka.

A ka ecur Shqipërisa përpara nëndonjë aspekt në periudhën e sistemit komunist?
Kjo është një pyetje e vështirë. Nëqoftëse thua se këto diktatura komuniste ishin edhe si të thuash diktatura modernizuese, atëherë Shqipëria komuniste ka arritur diçka në infrastrukturë, në arsim, një fushë e rëndësishme ka qenë sigurisht emancipimi i gruas . Nga ana tjetër duhet përmendur se me çfarë sakrificash e viktimash janë arritur këto. Besoj se është e vështirë për të bërë një bilanc dhe ndoshta është tepër herët, për ta bërë këtë sidomos nga pikëpamja shkencore. Sepse për sundimin komunist në Shqipëri kemi deri tani shumë pak punë shkencore.

G. Shqiptare

Monday, April 12, 2010

“Kriza” për të folur shqip...

Nuk besoj të ketë popull tjetër në botë, si ne, shqiptarët, që i drejtohemi njeri-tjetrit: “A merr vesh shqip ti, apo jo?”... ose, “A e kupton shqipen ti, apo jo?”... ose, “Ty po të flas shqip, ore?!” , etj...

Besoj, kjo ndodh, me siguri, ngaqë e kemi të vështirë për t’u marr vesh me njeri-tjetrin, sidomos edhe kur paraqesim fakte e dokumente të pakundërshtueshme...

Vini re: Kemi afër 10 muaj që kemi ngecur në një ngërç – budalla, në të folur shqip, do të thosha, me dashje... duke sharë e mallkuar majtas e djathtas, si njerëz që nuk e kuptojmë dot gjuhën e prindërve tanë... e cila është, siç thotë poeti, “kaq e mirë, kaq me vlerë...”!!!

Ndaj, sa herë na ndodh kështu, u mësuam këto njëzet vjet që të thërrasim menjëherë njerëzit e huaj që nuk e flasin dot shqipen tonë, për të na sqaruar frazeologjinë e saj ose për të na shpjeguar e zgjidhur kodin e saj. Dhe çuditërisht, me ata kuptohemi mirë, apo shumë mirë, nëqoftëse ata e shpjegojnë “ngërçin” e gjuhës shqipe, siç do të na vinte neve përshtat. Sepse ndryshe, do ti shpallnim menjëherë të njëanshëm, të paditur, pse jo edhe armiqësorë ndaj aspiratave madhore të shqiptarëve.

(!)... Ata flasin me ne anglisht, frëngjisht, holandisht, gjermanisht, serbisht, rusisht, kinezçe... e ku ta di unë ç’ gjuhë ka bota... dhe merremi vesh me ta bukuri... Me shqipen jo e jo! ....

Vetëm kur flasim të huajt, ne hapim veshët dhe sytë! Përse vallë ndodh kështu me ne, shqiptarët?
Një ditë lexova një shkrim vërtet të sinqertë përsa i përket kontributit të madh që ne shqiptarët kemi dhënë e japim, kur jetojmë në vendet e huaja, në fushat ku aftësitë tona inteligjente, të lindura apo të fituara me zotësi, janë tej mase të vlefshme dhe të shquara për popujt që kanë fatin të gëzojnë shërbimet tona...
Kurse këtu, në vendlindjen tonë, ne jemi haram e të padobishëm, dembelë dhe inatçorë me njeri-tjetrin, ose e thënë më troç, i bëjmë vetes keq dhe vendit tonë për hesap të të tjerëve...
A nuk ndodhi kështu me ne kur eksperimentuam marksizëm- leninizmin për dekada të tëra dhe dolëm për faqe të zezë, ndërsa të tjerët mësuan nga pësimi ynë?
A nuk ndodhi e njëjta gjë, kur për hesap të të tjerëve, e dogjëm Shqipërinë më 1997 dhe po bëhemi gati t’ia vëmë flakën përsëri me përrallën që na e frymëzojnë ata, humbësit e domenit shqiptar, kur shohin e dëgjojnë për ne shqiptarët se, së shpejti do të udhëtojmë pa viza nëpër Evropë e botë, ose do të fitojmë dhe kandidaturën për në Bashkimin Evropian, me “E hap, e mbyll kutitë”?
Me këtë rast, a nuk kam të drejtë të them se vazhdojmë ende të kemi inat dhe armiqësi me njeri-tjetrin, si dikur, nga mallkimi i trashëguar i “luftës së klasës”, që e eksperimentuam 45 vjet nën diktaturën e proletariatit? Pikërisht, ngaqë s’e kemi dënuar ende atë kohë dhe ideologjinë e saj, si një të keqe të madhe që na i sollën të tjerët për interesat e tyre antishqiptare, si dhe njerëzit që e praktikuan “krimin dhe terrorin çnjerëzor dhe antikombëtar të përçarjes kombëtare” me aq zell e shpirtligësi, pa po i përsërisim ato inate dhe armiqësi? Nuk dënuam moralisht dhe fizikisht arsyet dhe njerëzit që e projektuan dhe e zbatuan rebelimin e vitit 1997, pa po vazhdojmë ta kërcënojmë njerit – tjetrin me përsëritjen e atij Viti të Zi?

Nuk dënuam moralisht dhe fizikisht njerëzit që u pasuruan e po pasurohen në mënyrë të padrejtë e korruptive, pa po vuajmë ende nga “kriza morale për të folur dhe për t’u mirëkuptuar në gjuhën tonë, shqip”...sepse paraja dhe pushteti ta lidhin e ta zgjidhin gjuhën si të duan e kur të duan, apo jo?...

Edhe sa kohë, vallë, na duhet ne, shqiptarëve për të mos e pësuar nga mallkimi dhe trashëgimia e së kaluarës, duke e mësuar gjuhën tonë të mirëkuptimit e të dashurisë, në dëm të ligësive e të prapësive të të tjerëve, pa kërkuar ndihmën e “specialistëve” të huaj?

Bedri Çoku, G. Sot

20 deputetë, biznesmenët më të fuqishëm në vend

Të merresh me politikë medoemos duhet të jesh dhe i pasur ekonomikisht. Më së miri kjo vërtetohet në Parlamentin shqiptar, ku 20 prej të zgjedhurve janë nga bota e biznesit madje me një fuqi ekonomike mjaft të madhe. Fuqia ekonomike e deputetëve biznesmenë mund të krahasohej fare mirë me buxhetin e shtetit shqiptar.


Partia Socialiste ka në gjirin e saj numrin më të madh të biznesmenëve në politikë, duke humbur thuajse totalisht identitetin e saj si një parti e shtresave të mesme dhe të varfra të shoqërisë. Deri para pak kohësh biznesmenët qëndronin pranë partive duke i financuar ato, por dhe duke përfituar nga pushteti i tyre në periudha të ndryshme. Kryeministri Berisha me ardhjen në pushtet në vitin 2005, deklaroi me të madhe se do të thyente monopolet që biznesmenë të ndryshëm kishin krijuar në ekonominë e vendit, por ajo që vihet re tashëm është shumë prej syresh ndodhen në tempullin e demokracisë siç është Parlamenti.

E majta me 13 deputetë biznesmenë
13 nga 64 të zgjedhurit e PS-së janë biznesmenë nga më të fuqishmit në vend. Edi Rama në zgjedhjet e kaluara vendosi që shumë prej njerëzve të komunitetit të biznesit, të ishin përfaqësues kandidatë të opozitës për të bindur popullin. Disa nga emrat e njohur të biznesit që u kandiduan nga Partia Socialiste janë Sadri Abazi, Fidel Ylli, Hazir Gashi, Tom Doshi, etj. Edhe pse parti e majtë, Partia Socialiste vitet e fundit thuajse është bërë një strehë e një shtrese mjaft të pasur të shoqërisë. Qysh prej kohës së Fatos Nanos, biznesi kishte marrëdhënie mjaft të mira me këtë parti. Një nga pikat të cilat Sali Berisha si kryetar i opozitës kritikoi mjaft ashpër, ishte praktika e Nanos për afruar biznesmenë rreth partisë. Me ardhjen e Edi Ramës kjo strategji nuk u ndryshua fare, pasi jo vetëm që u mbajtën biznesmenë afër, por ata u shtuan dhe më tepër. Demokratët në pushtet aktualisht, në një nga pikat që e sulmojnë opozitën është fakti që në këtë parti ndodhen shumë biznesmenë të njohur të cilët paralelisht me biznesin e tyre merren dhe me politikë.

Biznesi rreth të djathtës
Ndryshe nga Partia Socialiste, të djathtët në pushtet, nuk kanë numër shumë të madh të biznesmenëve në Parlament, por një mënyrë tjetër është marrëdhënia e saj me biznesin. Shumë emra të biznesit edhe pse nuk janë në Grupin Parlamentar të PD-së, ata ndodhen afër me këtë parti duke financuar dhe fushatën elektorale të kësaj partie. Mazhoranca ka në grupin parlamentar biznesmenë të njohur si, Gjok Uldedaj, Rrahim Çota, Lefter Koka, Gëzim Dibra apo dhe Paulin Sterkaj. Në ideologji, Partia Demokratike është në të drejtën e vet që të jetë afër me shtresën e pasur, por kjo në asnjë rast nuk duhet që të kalojë në abuzim për të ndihmuar disa njerëz, të cilët për faktin se të ndihmojnë financiarisht, t’u krijosh lehtësi në kurriz të disa të tjerëve.

Gjok Uldedaj, PD
Është deputet në qarkun e Shkodrës. Ai është anëtar në disa forume ekonomike kombëtare dhe ndërkombëtare dhe autor i tre librave universitare dhe pasuniversitare në fushën e Marketingut dhe Tregut të Produkteve. Biznesmen i suksesshëm në fushën e karburanteve. Uldedaj përpara se të zgjidhej deputet mbante postin e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Sadri Abazi, PS
Është deputet në qarkun e Dibrës. Abazi është një ndër emrat më të njohur të komunitetit të biznesit. Është për të dytën herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pasuria e tij është vendosur gjatë viteve të tranzicionit dhe është vijuar të shtohet edhe gjatë viteve të fundit.

Hazir Gashi
Një tjetër deputet biznesmen i njohur është dhe Hazir Gashi, i cili në zgjedhjet e fundit u kandidua nga Partia Socialsite. Gashi është i njohur në fushën e ndërtimeve në zonën e Durrësit. Ashtu si dhe të tjerë, Hazir Gashi është ndër emrat e njohur të komunitetit të biznesit.

Fidel Ylli, PS
Një tjetër biznesmen i njohur dhe mjaft i suksesshëm në Partinë Socialiste të Edi Ramës është dhe Fidel Ylli. Aktiviteti i tij është i shpërndarë në disa fusha të ekonomisë dhe cilësohet si një ndër biznesmenët potentë në Shqipëri. Ylli është deputet i qarkut të Beratit dhe në zgjedhjet e fundit arriti që bastionin e Ilir Metës siç është Çorovoda, ta kthejë në shumicë për PS-në.

Biznesmnet

Gjok Uldedaj, PD
Ardian Kollozi, PD
Rrahim Çota, PD
Gëzim Dibra, PD
Paulin Sterkaj, PD
Xhemal Qefalia, PS
Dashamir Peza, PS
Artan Gaçi, PS
Sadri Abazi, PS
Hazir Gashi, PS
Skënder Hasa, PS
Vangjel Tavo, PS
Gjovalin Kadeli, PS
Armando Prenga, PS
Tom Doshi, PS
Ndue Kola, PS
Fidel Ylli, PS
Fatmir Toçi, PS
Lefter Koka, LSI
Dashamir Tahiri, PDU



T. Observer

Rrëzohet avioni me 132 persona në bord. Vdes presidenti i Polonisë

Presidenti polak, Lech Kaczynski ka humbur jetën gjatë rrëzimit të avionit Tupolev 154, mëngjesin e sotëm ne Rusi. Tragjedia ajrore ndodhi ndërkohë që avioni uljen në qytetin Smolensk të Rusisë.

Bashkë me të gjetën vdekjen 132 persona që udhëtonin në bordin e avionit, bashkeshortja e tij, dhe delegacioni zyrtar që e shoqëronte; zëvendësministri i Jashtëm polak, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe guvernatori i bankës qendrore.

Mediat raportojne se ne avion ka qene edhe vellai binjak i presidentit polak qe ka qene ish kryeminister, por kjo nuk konfirmohet zyrtarisht.

Autoritetet ruse kanë bërë me dije zyrtarisht se nga tragjedia nuk ka të mbijetuar dhe dyshohet se avioni gjatë uljes të jetë përplasur me ndonjë pemë, pasi ka qenë shumë mjegull.

Guvernatori i Smolenskut, Sergei Antufiev, tha se aeroplani "u rrëzua mbi pemë dhe u nda në copa". Burimet zyrtare thonë se mjegulla e dendur mund të jetë një nga shkaqet e rrëzimit të aeroplanit.

Antufiev ishte i pari që deklaroi zyrtarisht se "nuk ka asnjë të mbijetuar nga aksidenti". Presidenti polak, Kazçinski, po udhëtonte për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore të të vrarëve gjatë Luftë së Dytë Botërore në Katin.

Fillimisht mediat ruse dhe agjencia "Itar Tass", duke iu referuar zyrtarëve të emergjencave raportojnë se 87 persona kanë vdekur nga rrëzimi i aeroplanit.

Mësohet se presidenti polak po udhëtonte për të shkuar më pas në Katyan për t'i bërë homazh 22 mijë viktimave të masakrës së urdhëruar nga Stalini.


Shekulli