Monday, April 19, 2010

"Tradhëtia bashkëshortore shkakton tërmetet nëpër botë"

Rritja e marrëdhënieve seksuale të paligjshme shkakton rritjen e tërmeteve.

Kjo është thënë nga Ayatollah Kazem Sedighi, imami i lutjeve të së premtes në Teheran, cituar sot nga gazeta Aftab.

"Katastrofat natyrore janë rezultati i sjelljeve tona", shtoi ai.
"Shume gra të veshura në një mënyrë, jo si dikton feja islame, korruptojnë të rinjtë dhe provokojnë rritjen e marrëdhënieve të paligjshme seksuale, të cilat shkaktojnë tërmetet".

Fetari konservator thotë që gratë e Teheranit dhe të qyteteve të madha, nuk respektojnë rregullat islame, për sa i përket veshjes.

"Ne nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër përvec se të përputhemi me rregullat e Islamit" tha Ayatollah duke kujtuar deklaratat e fundit të presidentit Mahmud Ahmadinexhad, i cili paralajmëroi rrezikun e një tërmeti të madh në Teheran.

Sadeghi tha që duhet "një përpjekje kolektive për të zgjidhur problemet e shoqërisë, të shkaktuara
nga rritja e moshës së martesës dhe nga numri i ndarjeve".

Burimi i informacionit: http://www.giornalettismo.com/archives/59579/ce-sta-peggio-noi-limam/

Ju e dini, por nuk reagoni !!!

Unë jam shqiptar si ju, por për një jetë më të mirë dhe për një formim më të mirë intel...ektual, si shumë nga bashkëkombasit e mi, u largova nga Shqipëria, duke marrë rrugët e largëta e të mundimshme të mërgimit.

Duke jetuar dhe studiuar jashtë Shqipërisë, në një vend të zhvilluar të Bashkimit Evropian, vë re se gjërat në Shqipëri, nuk po lëvizin akoma në binarin e duhur, që të dërgon drejt të ardhmes, për të cilën aq shumë kemi ëndërruar, pritur, luftuar me dekada të tëra.
Miqtë e mi në vendin ku jetoj, studjoj, më shikojnë që drekoj në një restorant, që darkoj në një mensë universitare, por ato nuk e dinë që shumë nga bashkëkombasit e mi, që jetojnë në Shqipëri, e marrin bukën edhe sot me listë.


Ju, vëllezërit e mi, që jetoni në Atdhe, e dini se politikanët duhet të kenë në misionin e tyre, lumturinë e qytetarëve, që të sjellin ngrohjen në shtëpitë tuaja, që t’iu garantojnë dritat, ujin, sigurinë, të drejtat dhe liritë e garantuara me ligje. Ju, e dini dhe e keni mësuar nga formimi juaj intelektual, familjar dhe shoqëror që vjedhja është krim, është akt turpi dhe papërgjegjësie.

Të gjithë ju, e dini që kush vjedh ose abuzon me pushtetin duhet të përballet me ligjin, por hajdutët mjeran në pozicionee drejtuese, nën abuzimin me pushtetin e legjitimuar nga vota juaj, vazhdojnë të abuzojnë mbi ju, dhe mbi besimin tuaj.

Çdo gjë në këtë botë, përfshi dhe vetë botën, e kanë pasur zanafillën nga një reaksion i fuqishëm aktiv.

Kështu mendohet se u krijua dhe universi i gjithësisë. Prandaj, të reagosh në mbrojtje të interesave të përbashkëta, në kërkim të mirëqenies, lumturisë, jo vetëm që e shikoj të drejtë, por të domosdoshme dhe të vetmen mënyrë për ti pasur të realizuara në realitet dhe jo më në ëndrra aspiratat tona. Unë, dhe bashkëmoshatarët e mi shqiptarë.

Për sa kohë do të vazhdojmë të jemi “Në tranzicion”?

Ndoshta për aq kohë sa ky emër do të jetë bërë monoton, i bezdisëm, i lodhshëm dhe i padurueshëm. Për aq kohë sa ne duhet të jemi të bindur dhe të vendosur për ti dhënë fund. Ju, shikoni dhe gëzoheni, kur dëgjoni se do të fillojnë punimet e ndërtimit të një x rruge, sepse e dini shumë mirë që infrastruktura është vendimtare në garantimin e zhvillimit ekonomik, por pa kaluar shumë kohë ju kuptoni se rruga nuk do të ndërtohet me cilësi, sepse fondet janë vjedhur. Mos marroni se interesat e përbashkëta mbrohen vetëm në mënyrë të përbashkët.
Ju e dini se klasa aktuale politike është autokratike, regresive, miope, por nuk reagoni që ta ndryshoni dhe ta zëvendësoni me një klasë të re që beson se pushteti rrjedh nga populli dhe që i përket popullit.

Unë, ashtu si dhe ju, e di që jeni të lodhur e të zhgënjyer nga realiteti, por përse nuk ndalojmë për pak çaste që të reflektojmë dhe të mendojmë në të njëjtën kohë, se si mund të ndryshohet ky realitet, duke parë me optimizëm zgjidhjen që buron vetëm prej nesh.

Ju, vëllezër që jetoni në Shqipëri, doni që ne, bijtë tuaj që jemi larguar jashtë të kthehemi në Atdhe, për të ndërtuar së bashku të ardhmen, por ju, ndoshta nuk e dini se edhe pse kemi shume mall për vendin dhe dëshirë për tu kthyer, nuk mundemi, sepse Shqipërinë e ka mbuluar militantizmi dhe injoranca.

Injoranca frikësohet nga dituria.
Nga ky arsyetim kuptojmë se të dyja nuk mund të bashkëjetojnë në formë paralele së bashku. Prandaj, ne dhe ju duhet t’iu tregojmë vendin që meritojnë mediokërve dhe injorantëve. Të gjithë së bashku, duhet të jemi te vendosur dhe të bindur se nuk mund të vazhdohet më me konceptin e xhunglës se me i forti mbijeton. Nuk duhet te jemi dakord dhe të pranojmë se populli është vetëm një turmë.
Nuk duhet të pranojmë faktin që të jetosh pa drita në shekullin e 21-të është diçka normale.
Nuk duhet të pranojmë faktin që nuk kemi ujë në shtëpitë tona edhe pse në na natyrë na ka dhuruar plotë burime ujore.
Nuk duhet të pranojmë të udhëtojmë në rrugë me gropa.
Nuk duhet të mbetemi analfabet, sepse nuk kemi lekë të blejmë tekstet shkollore.
Nuk duhet të sëmuremi, sepse nuk kemi lekë që t’iu japim doktorëve.
Nuk duhet të pranojmë vetëvrasjen, vrasjen në familje për shkak të depresionit mendor shkaktuar nga këto probleme ekonomike ndaj së cilave klasa politike është totalisht neglizhente.
Nuk mund të pranojmë që edhe sot në vitin 2010 njerëzit blejnë me lista.

Ju dhe unë i dimë të gjitha, por nuk reagojmë.
Duhet të besojmë se nëse jemi të vetëdijshëm në kapacitet tona dhe se një e ardhme më e mirë dhe më e sigurt na pret. Prandaj, le të punojmë të gjithë së bashku për ta ndërtuar atë, duke i garantuar vetes dhe brezave që do të vijnë një jetë më të mirë me standarde bashkëkohore.

Le ti them stop sjelljes pasive në mbrojte të lirive, të drejtave për të ndërtuar jetën që meritojnë në harmoni të plotë më mirëqenien ekonomike dhe lumturinë shpirtërore. Çdokush është zot i vetvetes, të gjithë jemi zot i vendit tonë, që ka shumë nevojë për ne të gjithë që të lulëzoj si vendet simotra të familjes Evropiane.

Nga Alban Daci, Agjencioni FLOART - PRESS,

Redaktoi: Stop Injorancës

Përmbajtjet e pahijshme, Facebook vendos masa sigurie

Zgjerimi i rrjetit Facebook dhe shqetësimet e klientëve për cënimin e privatësisë apo etikës, është bërë shkak që kompania e cila numëron më shumë se 260 milionë përdorues në të gjithë botën, të vendosë disa rregulla të reja sigurie.

Bëhet fjalë për shërbimin “Safety Center” i cili është lançuar ditët e fundit me qëllim për tu shkuar në ndihmë përdoruesve.

Shkak për lëshimin e këtij shërbimi në zbatimin e platformës Facebook është bërë një numër i madh ankesash nga përdorues të vendeve të ndryshme lidhur me përmbajtjen e materialeve fyese apo cënuese që transmetohen në rrjet.

Sipas administratorëve, qendra “Safety Center” tani e tutje do tu mundësojë përdoruesve aksesin në informacionet që udhëzojnë denoncimin e keqtrajtimeve, përmbajtjeve të pahijshme e deri tek bllokimi i dikujt apo dhënia e këshillave për pyetje të ndryshme të përdoruesve.

G. Korrieri

Friday, April 16, 2010

Gjuha Shqipe, provim për administratën

Jo vetëm për studentët, por në drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe duhet të testohet edhe administrata publike.

Gazeta Shqiptare citon sot Shezai Rrokajn, dekan i Fakultetit të Filologjisë te shprehet se, një nismë e tillë është e domosdoshme, pasi si studentët ashtu edhe administrata kanë probleme për sa i përket të shkruarit saktë të gjuhës shqipe.

"Unë mendoj se gjuha shqipe duhet të bëhet edhe në fakultet. Këtu e kam fjalën kryesisht për pjesën e drejtshkrimit. Të futet ajo që quhet praktikum i gjuhës shqipe. Për fakultetet me drejtim shoqëror, ajo të bëhet në të gjitha vitet akademike, ndërsa tek të tjerat vetëm dy vite. Të jetë një lëndë opsionale, të ketë kreditet e saj dhe studentët me anë të testimit provojnë se sa mirë dinë ta shkruajnë gjuhën e tyre", - ka shpjeguar Rrokaj.
Sipas tij, testimi për njohuritë në drejtshkrimin e gjuhës duhet të futet edhe për administratën publike. "Jo vetëm nëpër fakultete, por për mënyrën se si e shkruajnë gjuhën shqipe duhet të testohet edhe administrate publike", - ka pohuar shefi i Fakultetit Filologjik, në UT

Ai gjithashtu sqaron ne Gazeta Shqiptare se, nuk duhet të biem në gabimin e të krahasojmë shqipen me gjuhë të tjera, pasi çdo gjuhë ka specifikat e saj.

(d.b/BalkanWeb)

Gjimnazistët, konsumimi i hashashit në modë

Është ulur mosha e fillimit të drogës si dhe është rritur numri i atyre që e përdorin atë prej vitesh. Alarmi është dhënë nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët thonë se një tjetër fenomen shqetësues është shifra gjithnjë e në rritje e përdoruesve intravenozë, pra që e marrin me shiringë.

Ndërkohë që ata theksojnë se shifrat e përdoruesve kanë pësuar rritje, sidomos në qytetet e vogla. Specialistët e ISHP-së shprehen se, aktualisht nuk ka shifra të sakta për përdoruesit e drogës në përgjithësi dhe të adoleshentëve në veçanti, por për këta të fundit specialistët bëjnë të ditur se konsumimi i hashashit tashmë është kthyer në modë. Të tymosësh një cigare hashash në shkollat e vendit tonë, sipas specialistes Jonida Haxhiu, nga të rinjtë nuk shikohet si një tabu, por po ndodh e kundërta, shikohet si diçka normale dhe e modës. Sipas saj, shifrat që u përkasin përdoruesve të drogës janë gjithnjë e më shumë alarmante, ku vitet e fundit është ulur mosha e fillit të përdorimit.

Si ka ndryshuar numri i përdoruesve të drogës në vendin tonë?
Duhet pranuar se është një fenomen në rritje. Nga viti në vit vihet re se numri i përdoruesve është rritur dhe mosha e atyre që konsumojnë drogë është ulur, pra e fillojnë në një moshë më të re 12-13 vjeç. Numri i përdoruesve të hashashit është rritur ndjeshëm, problemi qëndron se e konsiderojnë si diçka normale.

Po nëpër shkolla, si është situata?
Nga kontaktet e mija të vazhdueshme me nxënës dhe mësues, rezulton që ka ulje të moshës, pra përdorimi i drogave të lehta nis në mosha gjithmonë e më të vogla. Këto droga të lehta që quhen, nuk mund të konsiderohen plotësisht të tilla pasi dhe ato kanë efekte po aq të rënda për shëndetin si dhe drogat e rënda. Gjithashtu, ato mund të konsiderohen si një portë për të kaluar tek drogat e rënda. Ka një lidhje të pranimit si diçka normale të përdorimit të këtyre drogave, pra ka arritur një ulje të moshës dhe një rritje të "popullaritetit". Tashmë përdorimi i hashashit konsiderohet si diçka e modës.

A janë të ndërgjegjshëm për problemet që sjellin drogat?
Ndoshta në këtë aspekt ndikojnë mitet, ato thëniet e pavërteta që ekzistojnë dhe qarkullojnë ndër përdoruesit e këtyre drogave. Një ndër to është: "Unë e kam gjithçka nën kontroll dhe mund të ndaloj kur dua", por kjo është e pavërtetë, pasi hashashi është një drogë që krijon varësi tek përdoruesit dhe sjell dhe probleme të shumta shëndetësore.

Në gjimnaze, ka më shumë përdorues vajza apo djem?
Përgjithësisht janë meshkujt ata që janë më kuriozë për të eksperimentuar me drogat, por në gjimnazet e Tiranës është mjaft i madh dhe numri i përdorueseve femra.

Është vetëm Tirana që ka më shumë probleme?
Jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha rrethet ka probleme të përdorimit të drogës. Moshat e reja janë problematike në të gjitha rrethet, pasi është përhapur miti i gabuar që hashashi është diçka e lehtë dhe e mirë në të njëjtën kohë.

Ata që përdorin hashashin, janë dhe konsumatorë të cigares?
Përgjithësisht janë persona që kanë konsumuar cigaren dhe numri i adoleshentëve që e konsumojnë është rritur në këto vitet e fundit. Pra, ka një lidhje me përdorimin e substancave të tjera, pra një njeri që përdor cigare është më i prirur të përdorë më vonë dhe hashash. Drogat janë të lidhura më njëra - tjetrën, pra dikush që ka përdorur hashash, është më i prirur që më pas të bëhet përdorues i drogave më të forta si heroina apo kokaina, në krahasim me dikë që nuk e ka përdorur atë.

A ka raste në gjimnaze që kanë kaluar fazën e përdorimit të hashashit dhe kanë kaluar në droga më të rënda?
Nuk është se ka shumë përdorues tek adoleshentët, pasi akoma nuk e kanë kaluar fazën e përdorimit të hashashit dhe janë në fazat e para të përdorimit. Por ka disa, kryesisht përdorues të heroinës, janë mbi moshën e gjimnazit që është moshë më problematike 20-30 vjeçarët. Megjithëse nuk përjashtohen dhe raste të pakta ndër adoleshentët që mund të jenë përdorues të heroinës.

Çfarë duhet të bëhet kundër rritjes së numrit të përdoruesve të drogave?
Ajo që është e nevojshme, është sensibilizim dhe bashkëpunim shumësektorial. Për këtë problem është e domosdoshme që të bashkëpunojnë të gjithë që nga familjet, shkollat dhe komuniteti. Ka prindër që nuk janë të interesuar për këtë problem, pasi kanë fëmijë të rregullt, por ata duhet të dinë që dhe fëmijët e tyre janë të rrezikuar në një komunitet ku ka përdorues droge.
Kështu që të gjithë duhet të bashkëpunojmë.

Ermelinda Hoxhaj, G. Shqiptare