Sunday, May 16, 2010

Dërguesi në kërkim të marrësit...

Ndoshta ndjehem dobët
ndoshta mirësia dështoi.
Do ta zhvesh me thonj mirësjelljen,
po më pengon të reagoj.


Më vjen për të qeshur
kur më duhet të kacafytem
gajasem kur shoh njerëz që në konfuzion
kot më kot zhyten.

Ndoshta kjo botë është kaq qesharake
dhe mërzia jonë kaq pakuptim,
ndoshta pjekuria e vërtetë
është ndërgjegjia që të nxit në reagim.


U lodha duke toleruar
u ngopa duke mirëkuptuar
e më dolën trutë për të gjetur
përherë një justifikim, një arsye, një ngushëllim.

Ndoshta erdhi koha
të pranoj që virtytet po ftojnë në mallkim,
të pranoj që urtësia
tani po përbën një krim.

Po e pranoj, është e vërtetë
që jam rrebel ndonjëherë
por e respektoj mendimin tënd
dhe kur ai s'përcjell asnjë vlerë.


Jo, sot dua të shpërthej
dua të them gjithçka me forcë,
me arrogancë dhe krenari,
dua t'ua kthej plumbin me plumb
forcën me forcën e vërtetë
injorimin me përballje
ironinë, në shigjetë të drejtëpërdrejtë.

Ju nuk e meritoni drejtësinë,
lirinë, demokracinë,
janë koncepte që nuk i njihni,
janë fjalë që nuk kuptoni
janë të drejta që ju vrasin
e ju shtyjnë të keqkuptoni,
duke ju zhytur me thellë në atë mjerim
që me kaq forcë e fantizëm mbroni.

Keni mësuar të kundërshtoni
pa mësuar më parë të kuptoni
pandehni se për të shkruar
s'është nevoja as që të lexoni.


Krijoni bindje, duke kundërshtuar
ato që mendojnë e peshojnë të tjerë
fitoni simpati dhe vëmendje
kur jeni kundra për çdo gjë e për çdoherë.

Fjalori juaj është i ndyrë,
logjika ju nxit gjithçka banale
ndërgjegja juaj një pus i errët
mbushur me mendime me natyrë anale.


E ndjeni veten të fortë
e ndjeni veten të ditur,
por vitet i përkasin trupit
jo atij trurit tuaj të mitur,
ku i vetmi kanal i thellë
që e përshkon atë rrafshnaltë
është kanali juaj i injorancës,
që ndan njerëz në lindje-perëndim
të majtë të djathtë
të përçarë tragjisht pa kuptim.


Urrejtja është gjuha juaj
prandaj sot shpresoj të më kuptoni
arroganca dhe fodullëku stili juaj
por ju s'mund ta privatizoni.

Sot do të bie në nivelin tuaj
duke shpresuar të jem më i qartë
o ju xhelozë, ziliqarë, intrigues
e gjithçka të zezë shpirti ju mbart.


Bashkë tok, jeni të fortë në çdo komb
se zhuli derrin e mban ngrohtë
sepse copat e pluhurit bashkohen
e ngjiten lart e më lart sot.

Ju kokëboshë manipulues mosmirënjohës,
defiçentë hundëpërpjetë,
krimba, thithëlopa, shushunja, gomerë
që ekzistoni vetëm për të qenë barrierë.

Ju farë e keqe kakzozash të verbëra,
që mbini pas çdo qëllimi human,
ju perversë impotentë
që gjallëroheni anembanë.
mësoni sot diçka të re me vlerë:
"Kush nuk është i aftë
të bëjë diçka të drejtë e të mirë
edhe kur ndërmerr qëllime shtazarake
niveli i tij është për mëshirë.



Shkroi : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Vëllavrasja

Para disa ditësh në një katund të Dibrës, një shqiptar me emrin Fiqiri Buci vrau vellanë e tij Hilmi, për shkak të pronës; kjo ndodhi sepse njëri pati guxuar të mbjellë dy rrënjë domate më shumë matanë gardhit të shtëpisë, në sinor të tjetrit…

-Edlira 17- vjeçare, u vetëvar në Romë nga frika se mos e kthenin në Shqipëri…

-Një tjetër vajzë nga Elbasani, u vra në klasë në orën e mësimit…

-Katër shqiptarë u vranë nga policia maqedonase si të dyshuar për trafikantë armësh…

-Tre pasagjerë të një taksie u vranë në autostradë.


Vdekja në Shqipëri tanimë nuk quhet më vdekje, as kur është vrasje, as kur është vetëvrasje, aq më pak kur ndodh si aksident! Vdekja është bërë gjëja më e rëndomtë, mjaft që të jetë jashtë dhe larg shtëpisë tënde!

Por vrasja e vëllait nga vëllai vjen si një tjetër ububu e padëgjuar: për dy rrënjë domate jeta e një njeriu, për më tepër e një vëllai, mund të kushtojë më pak!

E pra, të dy vëllezërit dibranë, njëri i vrarë e tashmë i varrosur e tjetri i arrestuar e i burgosur, njëri ish arsimtar e tjetri ish polic (që do të thotë se vëllezërit nuk ishin dhe aq të pashkolluar), kishin gati 20 vjet në sherr e në grindje, pa hyrje-dalje, në hasmëri, për shkak të (keq)ndarjes së pronës. Në këtë sherrnajë të tejzgjatur, afërmendsh, domatet patën shërbyer si sebep dhe jo si një shkak i vërtetë: sepse shkaku i vërtetë i vrasjeve dhe vëllavrasjeve të përditshme ende nuk është zbuluar, e as kuptuar…
Politika tek ne nuk bën asnjë përpjekje për të shuar vëllavrasjet, gjakmarrjen, hakmarrjen, ngujimin apo edhe aksidentet nëpër rrugë, të cilat po e bëjnë shoqërinë shqiptare të ngjajë me një viktimë të pambrojtur e të çoroditur…

Politika po bën të pamundurën të mbajë sa më gjallë frymën e vëllavrasjes: sot a nuk janë shprehje të kësaj kolere kundërvënia e grave kundër grave, e të rinjve kundër të rinjve, e artistëve kundër artistëve, e mjekëve kundër mjekëve,e akademikëve kundër akademikëve, etj, etj?

Natyrisht që vrasja e vëllait nga vëllai nëpër kafenetë luksoze të VIP-ave të Tiranës nuk ka për të bërë më shumë përshtypje se greva e urisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”…Por nuk besoj se më kundërshton dot kush po të guxoj të them se vëllavrasja në një katund të Dibrës është sivëlla apo si një paralele dramatike edhe me atë që po ngjet në qendër të Tiranës mes dy partive dhe dy liderëve kryesorë…
Vëllavrasja e parë u krye me armë apo me dru pas koke, në gjaknxehtësi, e dyta me fjalë, me sharje, me shpifje, me akuza e kundërakuza, me gjakftohtësi, me greva urie, me bllokim rrugësh dhe institucionesh, me mitingje e kundërmitingje, me peticione e kundërpeticione…Në të dy rastet synohet të garantohet sa më shpejt eliminimi i vëllait nga vëllai, i pari për pronën, i dyti për karrige…
Ku është ndryshimi?

***
Është e vërtetë, sot na tërheqin vëmendjen më së tepri fjalërimet e Saliut nëpër konferenca shtypi për rritjen e paparë ekonomike, për grevën apo për kryetarin e opozitës, dhe anasjelltas, se sa një vrasje e tillë makabre, qoftë edhe e përmasave të Gërdecit…Prandaj, kjo qasje ndaj dukurisë së shtuar të krimit apo ca më gjerë ndaj krizës, nuk e natyralizon e nuk thjeshtëzon dot gjendjen tonë absurde, aq më pak e justifikon këtë rënie të thekshme morale, këtë politikë drumepre që asnjëherë nuk hakatet të kërkojë arsyen dhe shkaqet përse ne shqiptarët nuk po dalim dot nga qorrsokaku i tranzicionit, përse jemi bllokuar në procesin e integrimit, përse e kemi kaq të kollajtë që një vëlla të vrasë vëllanë për hiçmosgjë apo si thuhej qëmoti, ‘për mustaqet e Çelos!’…

Mesa duket, kur një shoqërie i vritet shpresa, nuk bëkan më përshtypje vrasjet si kjo e dy vëllezërve…Madje nuk të mbresëlon as greva e urisë para zyrës hijerëndë të Kryeministrit! Kjo është pasqyra e vetëdijes dhe e reagimit tonë qytetar: imunitet, pandjeshmëri, moskokëçarje, mjaft që e keqja dhe fatkeqësia të jenë jashtë mureve të shtëpisë tonë…

Këtë theqafje morale e ka realizuar plotësisht politika jonë “pluraliste” në këto 20 vjet! Ky është i vetmi sukses i saj e këtë hak nuk duhet t’ua hamë krerëve tanë!

Fakti që shtëpitë dy vllaznit dibranë i paskan pasur, si gjithë ata që jetojnë në fshat, pranë njëri-tjetrit, tregon se tokën e trashëguar, pas përmbysjes së monizmit, ata e patën ndarë mes njëri-tjetrit, sigurisht me pakënaqësi dhe jo me mirëkuptim, gjë që do të thotë se njëri syresh do të jetë treguar më tahmaqar, më “i fortë”, më grabitqar, më hileqar se tjetri…Jo, kjo nuk mund të quhet marrëzi, as çmenduri, as lajthitje, por një “barbari demokratike” apo më troç: degradim i lirisë në demokraci, një shfytyrim skajor i moralit, i bashkëjetesës, i dinjitetit, i nderit, një shkërbërje e njeriut nga njeriu prej frikës e panikut të kallur në këto vite të vështira prej skamjes, prej nepsit dhe makutërisë për t’u bërë sa më shpejt e sa më kollaj i pasur!…
Ky është kurthi në të cilin kemi rënë pak a shumë të gjithë. Një shoqëri e tillë pa rregulla, me ligje që nuk zbatohen, që vetorganizohet me vetëgjyqësi, nuk mund të jetë veç e tillë: domatet e mbjella te bahçja e tjetrit, qoftë edhe e vëllait të një gjaku, të merrkan jetën!

Një vajzë që nuk pranon të fejohet me ty, mund të vritet në mes të klasës!
Ja përse këto nuk kanë për të qenë rasti i parë dhe as i fundit: sepse ne nuk e shohim hallin kombëtar e shoqëror në sy!

Tani askush nuk tronditet kur djali vret babanë, ose nënën; kur babai vret djalin; kur gruaja ther burrin me thikën e bukës; kur kushëriri qëllon me armë kushëririn; kur fqinjin poshtëron fqinjin dhe pastaj vret edhe motrën, edhe vëllanë.
Jetojmë mbi një tokë të vaditur me rrëke gjaku, mbi një gjak të derdhur më së shumti kotekot, mbi një gjak të shprishur prej babëzisë dhe frikës së fukarallëkut…Ndër ne ka jo pak që të marrim gjak në vetull për një gërvishtje makine, për një vijë uji a rrip toke të zaptuar, për një ofendim, për një fjalë të tepërt, për një parakalim makine, për një tejkalim shpejtësie, për një hakmarrje a gjakmarrje të lënë trashëgim nga etërit a gjyshërit pa u marrë, për një simpati a antipati për kryetarin e partisë…Me një fjalë për një hiçmosgjë!…

A thua jeta e njeriut të jetë zhvlerësuar vetvetiu, për shkaqe thjesht kulturore apo, si thonë disa, meqë ne si popull “kemi kulturë të vakët demokratike”? Jo, nuk është kjo, sepse edhe kur kemi pas qenë më të varfër, edhe kur kemi jetuar në regjime shtypëse, edhe kur na drejtonte Kanuni, jeta e njeriut kishte më tepër vlerë!

Ku po shkojmë kështu?
***
Mjerisht, edhe pse kemi me qindra OJF, kemi qeveri, kryeministër, opozitë, President Republike, kemi madje edhe Kuvend, edhe Kushtetutë, edhe Akademi, edhe ALUIZN, edhe INSTAT, edhe ligj të posaçëm për pronat e për mbrojtjen e pronës; edhe pse jemi në një proces të pafund legalizimesh, kthim-moskthim pronash, dhënie-mosdhënie kompensimesh, etj….ne nuk kemi të shifra të sakta, statistika zyrtare, studime e natyrisht edhe masa parandaluese për gjithë këto sherre, vrasje e krime të pafundme e të përditshme që kryhen herë brenda, herë jashtë familjes, si brenda dhe jashtë shtetit, natën dhe ditën për diell!

Vetëm në këto raste, të kthim-moskthim të pronës, vrasësi çuditërisht nuk ikën në drejtim të paditur!

Tani jo vetëm organizmat shtetërore, pushteti lokal e ai qendror, po edhe opinioni publik është imunizuar nga këto lajme tragjike, nga kjo gjakderdhje masive e motivuar për një shtyrje të gardhit, dukuri që, bashkë me vetëvrasjet, rrahjet, sherret, plagosjet dhe aksidentet në punë e në rrugë, janë bërë më se të rëndomta…
Nuk ka e nuk mund të ketë kurrkund krizë më të rëndë se sa kur jeta e një njeriu vlen sa një rrënjë domatesh! Askush nuk dëshiron që kjo të jetë fytyra e shoqërisë tonë…Nëse dikush tronditet, e sigurt është që pas këtyre lajmeve ogurzeza pakkush bën përpjekje të zbulojë pse-në, të kërkojë ilaçin, shkakun e vërtetë të krimeve: është varfëria, është lëmshi i bërë me pronat apo kriza e thiktë morale që i detyron njerëzit të mos kenë pikë besimi te Ligji, te Drejtësia, te organet shtetërore? Partitë e qeveritë nuk e bëjnë qejfin qeder, apo të bëjnë sikur…Sepse në të vërtetë krerët tanë kanë vetëm një hall: si të marrin e si të mos e dorëzojnë kurrë pushtetin! Drejtuesit tanë nuk kanë as bindje, as mend dhe as dëshirë të përpiqen të minimizojnë këtë zezonë mbarëkombëtare që po e zhbën kombin. Kush ka qenë në pushtet, i majtë apo i djathtë, litarin e fantazmës “pronë” dhe sherr e ka lënë qëllimisht jashtë, jo vetëm me ligjin e famshëm 7501 të vitit 1991 apo me ligjin nr. 9235 të vitit 2004, disa herë i ndryshuar, por edhe me procesin e legalizim-moslegalizimit, të kthim-moskthimit të pronave, të dhënie-mosdhënies së kompensimeve, të një vendi pune etj, por edhe me kriminelët e të fortët që përherë ikin në drejtim të paditur!…
Sepse vetëm kështu, pra duke u hasmosur kësisoj vëllai me vëllanë, fqinji me fqinjin, i ardhuri me autoktonin, urrejtja dhe inati nuk mund na lejojnë të shohim matanë hundës se si po qeveriset katundi nga kryeplaku; pra, një njeri i terrorizuar, që lufton për mbijetesë, nuk është në gjendje të vështrojë matanë gardhit, pas sinorit, prapa murit, madje as se ç’po bën prifti apo hoxha i fshatit…Vetëm kështu mund të sundohen njerëzit më lehtë e më gjatë! Vetëm kështu, kur njeriu detyrohet të vrasë vëllanë, a ka ndonjë rëndësi fakti se cili është ai që na tërheq për kapistalli? A ka burrë që, pasi detyrohet të vështrojë përditë vdekjen në sy të preket e revoltohet kur në Ballshin e largët helmohet gati i gjithë qyteti?

A ka militant që prej zellit e verbërisë partiake të mos jetë i gatshëm të urrejë e të poshtërojë kotekot vëllanë, pas kësaj të vrasë mendjen e mandej edhe të kuptojë qartësisht se si po na qeveris e ku po na drejton ai/ata që aktualisht kanë pushtetin?

Përgjigja e kësaj pyetje i kapërcen kufijtë e krimit!

Nuk lipsen as sy dhe as veshë për të kuptuar se vëllavrasja tek ne quhet politikë e mençur, e suksesshme dhe natyrisht edhe dobisjellëse…Për këtë mjafton të ndjekësh vetëm një edicion lajmesh, në cilindo kanal televiziv shqiptar!

Nga Kiço Blushi, G. Shqiptare

7 gjëra që nuk duhet t’i bëni kurrë në Facebook

Faqja e “MSN”-së duke marrë në konsideratë përhapjen e shpejtë të përdoruesve të rrjetit social të “Facebook”-ut, dhe duke u nisur nga kritikat e shumta që i bëhen këtij rrjeti për mungesën e privacisë, ka publikuar dje 7 këshilla për përdoruesit e “Facebook”ut”


1. Së pari ju nuk duhet të përdorni një fjalëkalim të butë.
Duhet të shmangni emra apo fjalë të cilat mund të gjenden lehtë në fjalor, përveç kur ato i kombinoni në numra në fund, në mes apo edhe më simbole. Një fjalëkalim duhet të ketë së paku tetë karaktere. Një teknikë e mirë është të fusësh numra dhe simbole midis fjalëve, siç është për shembull ky variant: hO27usEs!.

2. Së dyti ju nuk duhet të lini në profilin tuaj ditëlindjen e plotë.
Ky element mund të shfrytëzohet nga njerëz të cilët duan të marrin të dhënat tuaja për ti përdorur më pas në mënyrë të alternuar për të patur akses në llogarinë bankare apo kartat e kreditit. Nëse ju e keni përfshirë datëlindjen e plotë atëherë shkoni tek profile, klikoni mbi “edit information”. Tek opsionet vendosni që të duket vetëm muaji apo dita dhe jo e gjithë datëlindja.

3. Së treti duhet të menaxhoni me kujdes privatësinë e profilit tuaj.
Për gjithçka në profilin tuaj në FB ju mund të limitoni aksesin vetëm tek miqtë apo miqtë e miqve. Një regjim strikt duhet përdorur për fotot, ditëlindjen, pikëpamjen fetare, informacionet familjare mes gjërave të tjera. Ju mund ti jepni vetëm grupeve të njohura akses tek fotot dhe mund të bllokoni persona të veçantë që ti shohin ato.

4. Së katërti mos lejoni që të vendosni emrat e fëmijëve tuaj në fotot e ndryshme. Nëse dikush tjetër e bën këtë mund ta fshini me “remove tag”. Nëse fëmija juaj nuk është në FB dhe dikush e përfshin emrin e tij i kërkoni personit që ta heqë.

5. Së pesti mos tregoni faktin se nuk jeni në shtëpi dhe se ajo është bosh. Prisni derisa të ktheheni për tu treguar miqve se si kaluat me pushime.

6. Së gjashti keni parasysh opsionin e makinës kërkuese. Për të ndihmuar që të huajt të mos kenë akses mbi faqen tuaj, shkoni tek menuja “Search” tek “FB privacy” dhe selektoni “Only Friends for FB search results”. Sigurohuni se kutia për kërkimin publik nuk është e klikuar.

7. Së shtati evitoni të vegjlit të përdorin FB pa mbikëqyrje. Limiti i FB është mosha 13 vjeç por fëmijë edhe më të rinj duket se e përdorin atë. Nëse keni një fëmijë të vogël apo një adoleshent në BF, mënyra më e mirë për ta mbikëqyrur është ta keni mik. Përdorni adresën tuaj të e-mailit si kontakt për llogarinë e tij në FB në mënyrë që të merrni informacionet e nevojshme rreth aktivitetit të tij.

Denisa Spaho, T. Observer

PD: Propozimi i Ramës, antiligjor. PS: Berisha dëgjo ndërkombëtarët

Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke e këshilluar mazhorancën të dëgjojë zërin e arsyes dhe të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës.


"Ju zotëri nuk mund të ndalonin transparencën, nuk mund ta ndaloni hapjen e kutive, nuk mund ti shmangeni një zgjidhje në të mirën e vendit. Ju nuk na zmbrapseni dot, as me presione, as me shurdhëri dhe as me justifikime qesharake, që po bëhen përditë e më të neveritshme përballë qëndresës sonë stoike"- tha deputeti i PS-së, Eduart Shalsi.


Sipas Shalsit, të gjithë e kanë kuptuar se kjo opozitë ka një shpirt të pathyeshëm. Forca, fuqia, energjia e opozitës qëndron tek e vërteta dhe vetëm tek e vërteta e cila ne bëjmë dhe e cila po forcohet përditë, falë mbështetjes së jashtëzakonshme popullore.


"Zotërinj dëgjoni zërin e arsyes, dëgjoni zërin e miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, miqve të Shqipërisë, sa nuk është vonë. "Hapni kutitë ose largohuni" Kjo protestë nuk ndalet, kjo protestë nuk mbaron veçse duke fituar. Kauza jonë nuk mund veçse të fitojë"- tha ai.



Patozi: Propozimi i Ramës për fletët e votimit, antikushtetues
Kryetari i grupit parlamentar i PD-së Astrit Patozi e ka quajtur propozimin e kreut të PS-së Edi Rama për shqyrtimin e materialeve zgjedhore në Venecia si antikushtetues.


Gjatë një deklarate për mediat, ai theksoi se hapja e kutive të materialit zgjedhor është në kundërshtim me kodin zgjedhor.


"Propozimi i kreut socialist Rama kreu hapjen e kutive të materialit zgjedhor bie në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor"- tha ai, duke shtuar se Gjykatës nuk i bëhet presion me greva urie.


__________


Berisha nuk pranon zgjidhjen e krizës: Bosch trillon, nuk ka asnjë draft

Kryeministri Berisha ka refuzuar dje ofertën e bërë nga komuniteti ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës. Ai ka pohuar se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje të tillë që parashikon hapjen e kutive, qoftë edhe ato të materialeve zgjedhore. Madje, kryeministri Berisha ka nisur sulme personale drejt ambasadorit të OSEB-së, Robert Bosch, duke e cilësuar si gënjeshtar dhe duke thënë për ofertën e tij: Është gënjeshtër e bazuar mbi mashtrimin dhe trillimin.


Në mënyrë absolute është gënjeshtër që ka në bazë mashtrimin. Këtë e them për të hequr çdo lloj aludimi.
Ai ka shpjeguar se në asnjë rast nuk do të pranojë Komisionin e Venecias si organ këshillimor për këtë çështje.


Sipas tij, kjo gjë është ofruar edhe më parë, por është kundërshtuar nga presidenti Topi dhe ai vetë. Kryeministri i ka bërë thirrje kreut të opozitës që të zbatojë ofertat e bëra nga Byroja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Komiteti Presidencial.



Berisha:


Gjatë këtyre dy ditëve, kam dëgjuar të flitet, të shkruhet, për këtë jam informuar aty ku isha, për pakte, drafte etj. Ju garantoj me përgjegjësinë më maksimale se në tryezën time, në mënyrë absolute dhe kategorike, nuk ekziston as edhe një draft tjetër, as edhe një pakt tjetër, as edhe një dokument tjetër, nga askush dhe nga asnjë institucion europian apo perëndimor, për këtë problem.


Më duhet t'ju rikujtoj se Bashkimi Europian në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se këtë çështje duhet ta zgjidhin shqiptarët dhe unë e kam përshëndetur dhe e përshëndes këtë qëndrim dhe e garantoj BE-në dhe çdo vend tjetër, çdo institucion tjetër se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha mekanizmat e shtetit ligjor, mjafton respektimi i tyre, për t'i dhënë përgjigjen më të mirë këtij problemi dhe çdo problemi tjetër.


Gjithçka tjetër jashtë kësaj që thashë, është gënjeshtër e bazuar mbi mashtrimin dhe trillimin. Në mënyrë absolute është gënjeshtër, që ka në bazë mashtrimin.


Këtë e them për të hequr çdo lloj aludimi. Në tryezën e Presidentit të Republikës, Komiteti Presidencial ka sugjeruar që të ngrihet komisioni, ndërkohë ka sugjeruar se mund t'i drejtohemi Komisionit të Venecias. Ishte Presidenti i Republikës, ai që kundërshtoi në mënyrë kategorike dhe natyrisht, unë e mbështeta.


Kryeministri i vendit nuk mund t'i drejtohet Komisionit të Venecias për vendimet e gjykatave të vendit, sepse ai mbart një pjesë të sovranitetit të vendit, si përfaqësues i mazhorancës.


Por, edhe gjykatësit, me Kushtetutën e vendit, mbartin një pjesë të sovranitetit, të cilën Kryeministri është i detyruar ta respektojë gjer në fund dhe jo të shkojë t'i padisë poshtë e lart. Kjo është e vërtetë absolute edhe për Presidentin e Republikës, edhe për Kryetarin e Parlamentit.


Ai që ka ankesë, është ai, i cili mund t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, në ligjet e këtij vendit, të shkruara nga Partia Socialiste, në Kushtetutën e vendit është shpallur si garante e Kushtetutës. Pra, kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe zoti Rama, në rast se dëshiron, mund t'i drejtohet kësaj Gjykate, e cila është e vetmja që, në respekt të sovranitetit të vendit dhe të Kushtetutës, ka tagrin të kërkojë mendim amicus curiae apo opinion për qëndrimin e vet.


Unë nuk mund të dërgoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos u hetuar Edi Rama, vendim të cilin, Gjykata e ka zbardhur para dhjetë ditësh. Nuk më pëlqen vendimi, por jam i detyruar ta respektoj.


Edhe unë mund të doja ta dërgoja diku këtë vendimin për ta rrëzuar, por nuk më shkon në mendje ta bëj këtë. Kuadri ynë kushtetues e ligjor është kuadri kushtetues e ligjor i një vendi demokratik. Spekulimet dhe spekulatorët nuk kanë asnjë hapësirë dhe nuk do të mund të kenë. Ndaj Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës kanë përcaktuar qartë transparencën, në përputhje me Kushtetutën e vendit. Ne, absolutisht, mbetemi të hapur për dialog dhe diskutim.


Ne mbetemi të hapur të zbatojmë me përpikëri të gjitha detyrimet tona, në përputhje me Kushtetutën e ligjet, vendimet e gjykatave, për dhënien fund të kësaj situate. Sikundër mbetem i vendosur të respektoj kampingun e ngritur në dyert e kryeministrisë, për sa kohë zoti Rama do të dojë ta mbajë. Kjo është në tagrin e tij. Protestat paqësore do të kenë vetëm respekt. Me këtë rast, dua të përgëzoj policinë për shkallën e lartë të profesionalizmit, të përgjegjësisë dhe në përputhje të detyrës.


Zoti Kryeministër, ju thatë se nuk ekziston një draft marrëveshje, por si e komentoni ju deklaratën e ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, nëse i referohen edhe ai deklarimeve të Komitetit Presidencial të Këshillit të Europës dhe ndoshta edhe Byrosë Parlamentare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe a keni pasur presion nga ndërkombëtarët për ta zgjidhur këtë çështje?



Së pari, kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kryeministri në axhendën e tij nuk ka komentet e deklaratave të ambasadorëve. Të jem i hapur me ju, kjo nuk është në axhendën time dhe në tërësi, ju e dini se unë nuk e kam bërë këtë ndonjëherë. Edhe kur ka rastisur që ndonjë diplomat të ketë bërë diplomacinë e megafonit, unë po këtë gjë kam deklaruar, që nuk bëj diplomaci megafoni, sepse nuk më duket se vlen.


Por, në tërësi axhenda ime përjashton nga komentet deklaratat e diplomatëve. Unë këtë praktikë ndjek. Ajo çka thashë dhe që është e vërtetë e padiskutueshme, është se nuk kam parë dhe nuk kam mbi tavolinën e zyrës asnjë draft apo pakt, por kam deklaratën e Këshillit të Europës, deklaratën e Komisionit Europian, kam kërkesat e parashtruara ndaj meje, gjatë vizitës sime në Bruksel, të cilat i kam bërë transparente, bashkë me zyrtarët më të lartë të Brukselit, në konferencë për shtyp.




Zoti Kryeministër, ju thoni që nuk keni draft në tryezën tuaj A do të pranonit, në rast se do të vinte një draft që do të kërkonte hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, a do të diskutonit mbi këtë pikë?



Në tryezën time kam dokumentet ndërkombëtare, kam deklaratën e Byrosë Parlamentare, të Komitetit Presidencial të Këshillit të Europës, institucione këto thellësisht të balancuara majtas dhe djathtas, madje Komiteti ishte më shumë majtas, se djathtas, si dhe deklaratën e Komisionit Europian, i cili është një institucion thellësisht i balancuar. Jam i gatshëm, mbi këto dy dokumente dhe komisioni që kemi ngritur, të punoj plotësisht.


Të garantoj se asgjë nuk mund të zëvendësojë Këshillin e Europës dhe kjo për këto arsye: Së pari, nuk duhet të harroni që ky institucion është themeluar mbi zgjedhjet e lira. Kriteri i parë më themelor i tij, në vitin 1949, kanë qenë zgjedhjet e lira, kur është bashkuar një grup vendesh që bënin zgjedhje të lira. Së dyti, Shqipëria është në monitorimin e këtij institucioni dhe kjo është reale.


Së treti, ky institucion miratoi një rezolutë, të cilën e përshëndetën pozita dhe opozita. Nuk është kurrë në moralin tim, që të të pranoj për kryeplak dhe të të rruaj mjekrën. Këtë mund ta bëjnë të tjerët, por jo unë. Unë fjalën e kam fjalë. Ky është qëllimi im. Komisioni Europian ka deklaratat e tij, të përsëritura, të cilat unë i kam pranuar plotësisht.



Zoti Kryeministër, ju thoni që nuk komentoni mbi deklaratat e ambasadorëve të huaj. Por, a u ndjetë ju i habitur kur dëgjuat ultimatumin e ambasadorit Bosch, që në tryezën tuaj dhe të zotit Rama ndodhet një draft, të cilin ju do ta firmosni. Dhe e dyta, pak ditë më parë, zoti Topi ka dekretuar tre emra për në Gjykatën Kushtetuese. A do t'i votojë mazhoranca këto tre kandidatura?



Edhe njëherë, dua të theksoj se unë i respektoj shumë ambasadorët, gjithnjë në proporcion me respektin që ata tregojnë për vendin, institucionet, standardet demokratike të tij. Sepse, unë nuk them se kam miqësi personale me këtë apo atë, edhe mund të kem, ka pasur raste që kam, nuk përjashtohet mundësia. Kështu që qëndrimi im është ky që thashë. Ajo që unë ju siguroj është se në tryezën time, përveç dy dokumenteve, propozimit të komisionit dhe Këshillit të Europës, ekziston zero dokument tjetër. Për më gjatë mund të të sqarojë zoti Edi.


Zoti Kryeministër, unë do insistoja dhe njëherë tek deklarata e ambasadorit të OSBE-së, zotit Bosch. Kë duhet të besojmë, duhet t'ju besojmë juve që pohoni të kundërtën, apo deklaratën e ambasadorit?


Se ku e vendos ti besimin, tek unë, në çadër, apo tek ambasadori Bosch, ajo është çështja jote. Unë do të respektoj besimin tënd, zgjedhjen e bën vet ti.




Zoti kryeministër, në rast se vjen një propozim nga PS-ja për konsensus, duke kërkuar transparencë nëpërmjet hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, ju jeni dakord? A ka vend për diskutim tek kjo çështje apo kjo është çështje e mbyllur?



Ky është vend i shtetit ligjor. Ligjet e tij kanë përcaktuar, Kodi Elektoral, një nga Kodet më të mrekullueshme të vendit, ka përcaktuar çdo gjë, për kutitë e materialeve, për kutitë me fletë votimi, për fletët e votimit, mjafton ta zbatojmë atë, që do të thotë se nuk ka nevojë t'i themi njëri-tjetrit faleminderit për asgjë. Të zbatojmë ligjet dhe kaq. Kemi krijuar një komision, zbatojmë ligjet. Nuk mund të them asgjë, nuk jam unë anëtar i atij komisioni, unë jam Kryeministri që kërkoj të zbatohen ligjet.


Ligji i ka të përcaktuara të gjitha. Ne jemi shtet ligjor. Në arkivin e PD-së ekzistojnë të gjitha procesverbalet, të gjitha tabelat, sepse ligji ua jep komisionarëve, ua jep ligji të gjitha. Ne jemi të gatshëm të zbatojmë çdo përcaktim ligjor. Kjo është përgjigja ime.



Oferta e mbështetur nga ambasadorët e OSBE-së, BE-së, dhe SHBA-së


1. Të krijohet komisioni hetimor parlamentar ku shumicën e anëtarëve ta ketë opozita.
2. Kryetarin e komisionit hetimor parlamentar ta ketë opozita.
3. Komisioni hetimor parlamentar të ketë fuqi të hapë kutitë e materialeve zgjedhore
4. Komisioni hetimor parlamentar të hetojë materialet zgjedhore (të gjitha materialet që ndodhen në kutitë e votimit me përjashtim të fletëve të votimit)
5. Në rast se vihen re parregullsi në votim, Komisioni hetimor parlamentar t'i drejtohet Komisionit të Venecias për të vendosur hapjen e kutive përkatëse të votimit.


Roberty Bosch për krizën


"Ajo që dua të them është se, që dje, ka një kompromis shumë të mirë mbi tryezë dhe në emër të shumicës së ndërkombëtarëve do t'i inkurajoja udhëheqësit politik të pranojnë kompromisin tani; të tregojnë kurajë; të tregojnë se janë burra shteti; të mos përpiqen të shmangen duke përdorur teknikalitete; të shikojnë interesin e vendit të tyre. Mos vini të parat interesat tuaja personale dhe bëni hapin e madh!


Koha është tani! Nuk do të ketë më kohë për t'u zgjatur! Nuk do të them se cili është kompromisi.


Liderët, të cilëve unë po u drejtohem, e dinë shumë mirë cili është kompromisi dhe është një kompromis shumë i mirë që duhet pranuar. Ky kompromis ka mbështetjen e Bashkimit Europian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE-së. Ai vërtet duhet pranuar"





G. Shekulli

Saturday, May 15, 2010

Fati

Arbëreshi i parë iku nga pushtuesi turk
Shqiptari i dytë nga diktatura staliniste

I treti nga “barazia” titiste
I katërti nga demokracia shqiptare
I pesti nga diktatura serbe
I gjashti nga demokracia kosovare
I shtati stërvitet për t´i braktisur pampersdemokracitë tona
T´i bashkëngjitet arbëreshit të parë, shqiptarit të dytë, të tretë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë!

Për gjashtë ditë Zoti krijoi universin
Të shtatën pushoi
Për gjashtë ditë vendi gate zbrazet
Edhe të shtatën shqiptari me strajcë në dorë!


* Në librin “Me shqiptarët e Turqisë”, Fatmir Selimi. studiuesi shqiptar nga Kosova, pas dhjetë vjetëve kërkime në Turqi, konstaton se atje jetojnë 10-15 milion shqiptarë...
Lufta e Kosovës dëshmoi se ata nuk ndjehen më shqiptarë...

Sikur Turqia të na kishte dashur më pak, do t´ishim mbi 15 milion shqiptarë në Ballkan: Lufta e Kosovës nuk do të kishte ndodhur kurrë dhe shteti Shqiptar, do t´ishte ndoshta më i madhi në Ballkan...


Naser Aliu