Sunday, May 16, 2010

PD: Propozimi i Ramës, antiligjor. PS: Berisha dëgjo ndërkombëtarët

Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke e këshilluar mazhorancën të dëgjojë zërin e arsyes dhe të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës.


"Ju zotëri nuk mund të ndalonin transparencën, nuk mund ta ndaloni hapjen e kutive, nuk mund ti shmangeni një zgjidhje në të mirën e vendit. Ju nuk na zmbrapseni dot, as me presione, as me shurdhëri dhe as me justifikime qesharake, që po bëhen përditë e më të neveritshme përballë qëndresës sonë stoike"- tha deputeti i PS-së, Eduart Shalsi.


Sipas Shalsit, të gjithë e kanë kuptuar se kjo opozitë ka një shpirt të pathyeshëm. Forca, fuqia, energjia e opozitës qëndron tek e vërteta dhe vetëm tek e vërteta e cila ne bëjmë dhe e cila po forcohet përditë, falë mbështetjes së jashtëzakonshme popullore.


"Zotërinj dëgjoni zërin e arsyes, dëgjoni zërin e miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, miqve të Shqipërisë, sa nuk është vonë. "Hapni kutitë ose largohuni" Kjo protestë nuk ndalet, kjo protestë nuk mbaron veçse duke fituar. Kauza jonë nuk mund veçse të fitojë"- tha ai.



Patozi: Propozimi i Ramës për fletët e votimit, antikushtetues
Kryetari i grupit parlamentar i PD-së Astrit Patozi e ka quajtur propozimin e kreut të PS-së Edi Rama për shqyrtimin e materialeve zgjedhore në Venecia si antikushtetues.


Gjatë një deklarate për mediat, ai theksoi se hapja e kutive të materialit zgjedhor është në kundërshtim me kodin zgjedhor.


"Propozimi i kreut socialist Rama kreu hapjen e kutive të materialit zgjedhor bie në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor"- tha ai, duke shtuar se Gjykatës nuk i bëhet presion me greva urie.


__________


Berisha nuk pranon zgjidhjen e krizës: Bosch trillon, nuk ka asnjë draft

Kryeministri Berisha ka refuzuar dje ofertën e bërë nga komuniteti ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës. Ai ka pohuar se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje të tillë që parashikon hapjen e kutive, qoftë edhe ato të materialeve zgjedhore. Madje, kryeministri Berisha ka nisur sulme personale drejt ambasadorit të OSEB-së, Robert Bosch, duke e cilësuar si gënjeshtar dhe duke thënë për ofertën e tij: Është gënjeshtër e bazuar mbi mashtrimin dhe trillimin.


Në mënyrë absolute është gënjeshtër që ka në bazë mashtrimin. Këtë e them për të hequr çdo lloj aludimi.
Ai ka shpjeguar se në asnjë rast nuk do të pranojë Komisionin e Venecias si organ këshillimor për këtë çështje.


Sipas tij, kjo gjë është ofruar edhe më parë, por është kundërshtuar nga presidenti Topi dhe ai vetë. Kryeministri i ka bërë thirrje kreut të opozitës që të zbatojë ofertat e bëra nga Byroja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Komiteti Presidencial.



Berisha:


Gjatë këtyre dy ditëve, kam dëgjuar të flitet, të shkruhet, për këtë jam informuar aty ku isha, për pakte, drafte etj. Ju garantoj me përgjegjësinë më maksimale se në tryezën time, në mënyrë absolute dhe kategorike, nuk ekziston as edhe një draft tjetër, as edhe një pakt tjetër, as edhe një dokument tjetër, nga askush dhe nga asnjë institucion europian apo perëndimor, për këtë problem.


Më duhet t'ju rikujtoj se Bashkimi Europian në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se këtë çështje duhet ta zgjidhin shqiptarët dhe unë e kam përshëndetur dhe e përshëndes këtë qëndrim dhe e garantoj BE-në dhe çdo vend tjetër, çdo institucion tjetër se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha mekanizmat e shtetit ligjor, mjafton respektimi i tyre, për t'i dhënë përgjigjen më të mirë këtij problemi dhe çdo problemi tjetër.


Gjithçka tjetër jashtë kësaj që thashë, është gënjeshtër e bazuar mbi mashtrimin dhe trillimin. Në mënyrë absolute është gënjeshtër, që ka në bazë mashtrimin.


Këtë e them për të hequr çdo lloj aludimi. Në tryezën e Presidentit të Republikës, Komiteti Presidencial ka sugjeruar që të ngrihet komisioni, ndërkohë ka sugjeruar se mund t'i drejtohemi Komisionit të Venecias. Ishte Presidenti i Republikës, ai që kundërshtoi në mënyrë kategorike dhe natyrisht, unë e mbështeta.


Kryeministri i vendit nuk mund t'i drejtohet Komisionit të Venecias për vendimet e gjykatave të vendit, sepse ai mbart një pjesë të sovranitetit të vendit, si përfaqësues i mazhorancës.


Por, edhe gjykatësit, me Kushtetutën e vendit, mbartin një pjesë të sovranitetit, të cilën Kryeministri është i detyruar ta respektojë gjer në fund dhe jo të shkojë t'i padisë poshtë e lart. Kjo është e vërtetë absolute edhe për Presidentin e Republikës, edhe për Kryetarin e Parlamentit.


Ai që ka ankesë, është ai, i cili mund t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, në ligjet e këtij vendit, të shkruara nga Partia Socialiste, në Kushtetutën e vendit është shpallur si garante e Kushtetutës. Pra, kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe zoti Rama, në rast se dëshiron, mund t'i drejtohet kësaj Gjykate, e cila është e vetmja që, në respekt të sovranitetit të vendit dhe të Kushtetutës, ka tagrin të kërkojë mendim amicus curiae apo opinion për qëndrimin e vet.


Unë nuk mund të dërgoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos u hetuar Edi Rama, vendim të cilin, Gjykata e ka zbardhur para dhjetë ditësh. Nuk më pëlqen vendimi, por jam i detyruar ta respektoj.


Edhe unë mund të doja ta dërgoja diku këtë vendimin për ta rrëzuar, por nuk më shkon në mendje ta bëj këtë. Kuadri ynë kushtetues e ligjor është kuadri kushtetues e ligjor i një vendi demokratik. Spekulimet dhe spekulatorët nuk kanë asnjë hapësirë dhe nuk do të mund të kenë. Ndaj Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës kanë përcaktuar qartë transparencën, në përputhje me Kushtetutën e vendit. Ne, absolutisht, mbetemi të hapur për dialog dhe diskutim.


Ne mbetemi të hapur të zbatojmë me përpikëri të gjitha detyrimet tona, në përputhje me Kushtetutën e ligjet, vendimet e gjykatave, për dhënien fund të kësaj situate. Sikundër mbetem i vendosur të respektoj kampingun e ngritur në dyert e kryeministrisë, për sa kohë zoti Rama do të dojë ta mbajë. Kjo është në tagrin e tij. Protestat paqësore do të kenë vetëm respekt. Me këtë rast, dua të përgëzoj policinë për shkallën e lartë të profesionalizmit, të përgjegjësisë dhe në përputhje të detyrës.


Zoti Kryeministër, ju thatë se nuk ekziston një draft marrëveshje, por si e komentoni ju deklaratën e ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, nëse i referohen edhe ai deklarimeve të Komitetit Presidencial të Këshillit të Europës dhe ndoshta edhe Byrosë Parlamentare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe a keni pasur presion nga ndërkombëtarët për ta zgjidhur këtë çështje?



Së pari, kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kryeministri në axhendën e tij nuk ka komentet e deklaratave të ambasadorëve. Të jem i hapur me ju, kjo nuk është në axhendën time dhe në tërësi, ju e dini se unë nuk e kam bërë këtë ndonjëherë. Edhe kur ka rastisur që ndonjë diplomat të ketë bërë diplomacinë e megafonit, unë po këtë gjë kam deklaruar, që nuk bëj diplomaci megafoni, sepse nuk më duket se vlen.


Por, në tërësi axhenda ime përjashton nga komentet deklaratat e diplomatëve. Unë këtë praktikë ndjek. Ajo çka thashë dhe që është e vërtetë e padiskutueshme, është se nuk kam parë dhe nuk kam mbi tavolinën e zyrës asnjë draft apo pakt, por kam deklaratën e Këshillit të Europës, deklaratën e Komisionit Europian, kam kërkesat e parashtruara ndaj meje, gjatë vizitës sime në Bruksel, të cilat i kam bërë transparente, bashkë me zyrtarët më të lartë të Brukselit, në konferencë për shtyp.




Zoti Kryeministër, ju thoni që nuk keni draft në tryezën tuaj A do të pranonit, në rast se do të vinte një draft që do të kërkonte hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, a do të diskutonit mbi këtë pikë?



Në tryezën time kam dokumentet ndërkombëtare, kam deklaratën e Byrosë Parlamentare, të Komitetit Presidencial të Këshillit të Europës, institucione këto thellësisht të balancuara majtas dhe djathtas, madje Komiteti ishte më shumë majtas, se djathtas, si dhe deklaratën e Komisionit Europian, i cili është një institucion thellësisht i balancuar. Jam i gatshëm, mbi këto dy dokumente dhe komisioni që kemi ngritur, të punoj plotësisht.


Të garantoj se asgjë nuk mund të zëvendësojë Këshillin e Europës dhe kjo për këto arsye: Së pari, nuk duhet të harroni që ky institucion është themeluar mbi zgjedhjet e lira. Kriteri i parë më themelor i tij, në vitin 1949, kanë qenë zgjedhjet e lira, kur është bashkuar një grup vendesh që bënin zgjedhje të lira. Së dyti, Shqipëria është në monitorimin e këtij institucioni dhe kjo është reale.


Së treti, ky institucion miratoi një rezolutë, të cilën e përshëndetën pozita dhe opozita. Nuk është kurrë në moralin tim, që të të pranoj për kryeplak dhe të të rruaj mjekrën. Këtë mund ta bëjnë të tjerët, por jo unë. Unë fjalën e kam fjalë. Ky është qëllimi im. Komisioni Europian ka deklaratat e tij, të përsëritura, të cilat unë i kam pranuar plotësisht.



Zoti Kryeministër, ju thoni që nuk komentoni mbi deklaratat e ambasadorëve të huaj. Por, a u ndjetë ju i habitur kur dëgjuat ultimatumin e ambasadorit Bosch, që në tryezën tuaj dhe të zotit Rama ndodhet një draft, të cilin ju do ta firmosni. Dhe e dyta, pak ditë më parë, zoti Topi ka dekretuar tre emra për në Gjykatën Kushtetuese. A do t'i votojë mazhoranca këto tre kandidatura?



Edhe njëherë, dua të theksoj se unë i respektoj shumë ambasadorët, gjithnjë në proporcion me respektin që ata tregojnë për vendin, institucionet, standardet demokratike të tij. Sepse, unë nuk them se kam miqësi personale me këtë apo atë, edhe mund të kem, ka pasur raste që kam, nuk përjashtohet mundësia. Kështu që qëndrimi im është ky që thashë. Ajo që unë ju siguroj është se në tryezën time, përveç dy dokumenteve, propozimit të komisionit dhe Këshillit të Europës, ekziston zero dokument tjetër. Për më gjatë mund të të sqarojë zoti Edi.


Zoti Kryeministër, unë do insistoja dhe njëherë tek deklarata e ambasadorit të OSBE-së, zotit Bosch. Kë duhet të besojmë, duhet t'ju besojmë juve që pohoni të kundërtën, apo deklaratën e ambasadorit?


Se ku e vendos ti besimin, tek unë, në çadër, apo tek ambasadori Bosch, ajo është çështja jote. Unë do të respektoj besimin tënd, zgjedhjen e bën vet ti.




Zoti kryeministër, në rast se vjen një propozim nga PS-ja për konsensus, duke kërkuar transparencë nëpërmjet hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, ju jeni dakord? A ka vend për diskutim tek kjo çështje apo kjo është çështje e mbyllur?



Ky është vend i shtetit ligjor. Ligjet e tij kanë përcaktuar, Kodi Elektoral, një nga Kodet më të mrekullueshme të vendit, ka përcaktuar çdo gjë, për kutitë e materialeve, për kutitë me fletë votimi, për fletët e votimit, mjafton ta zbatojmë atë, që do të thotë se nuk ka nevojë t'i themi njëri-tjetrit faleminderit për asgjë. Të zbatojmë ligjet dhe kaq. Kemi krijuar një komision, zbatojmë ligjet. Nuk mund të them asgjë, nuk jam unë anëtar i atij komisioni, unë jam Kryeministri që kërkoj të zbatohen ligjet.


Ligji i ka të përcaktuara të gjitha. Ne jemi shtet ligjor. Në arkivin e PD-së ekzistojnë të gjitha procesverbalet, të gjitha tabelat, sepse ligji ua jep komisionarëve, ua jep ligji të gjitha. Ne jemi të gatshëm të zbatojmë çdo përcaktim ligjor. Kjo është përgjigja ime.



Oferta e mbështetur nga ambasadorët e OSBE-së, BE-së, dhe SHBA-së


1. Të krijohet komisioni hetimor parlamentar ku shumicën e anëtarëve ta ketë opozita.
2. Kryetarin e komisionit hetimor parlamentar ta ketë opozita.
3. Komisioni hetimor parlamentar të ketë fuqi të hapë kutitë e materialeve zgjedhore
4. Komisioni hetimor parlamentar të hetojë materialet zgjedhore (të gjitha materialet që ndodhen në kutitë e votimit me përjashtim të fletëve të votimit)
5. Në rast se vihen re parregullsi në votim, Komisioni hetimor parlamentar t'i drejtohet Komisionit të Venecias për të vendosur hapjen e kutive përkatëse të votimit.


Roberty Bosch për krizën


"Ajo që dua të them është se, që dje, ka një kompromis shumë të mirë mbi tryezë dhe në emër të shumicës së ndërkombëtarëve do t'i inkurajoja udhëheqësit politik të pranojnë kompromisin tani; të tregojnë kurajë; të tregojnë se janë burra shteti; të mos përpiqen të shmangen duke përdorur teknikalitete; të shikojnë interesin e vendit të tyre. Mos vini të parat interesat tuaja personale dhe bëni hapin e madh!


Koha është tani! Nuk do të ketë më kohë për t'u zgjatur! Nuk do të them se cili është kompromisi.


Liderët, të cilëve unë po u drejtohem, e dinë shumë mirë cili është kompromisi dhe është një kompromis shumë i mirë që duhet pranuar. Ky kompromis ka mbështetjen e Bashkimit Europian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE-së. Ai vërtet duhet pranuar"





G. Shekulli

No comments: