Friday, May 7, 2010

Sot është 5 Maj, Dita e Dëshmorëve

Një fotografi për të rikujtuar ngjarjen simbol të vitit 2009 përsa i përket nderimit tonë ndaj të rënëve gjatë Luftës Nacional Clirimtare.


TE NGRATET DESHMORET TANE!

Mjafton të mos ketë varreza dëshmorësh të të huajve!
Ishte pikërisht ky mendimi që formulova në krye, duke kapërcyer me shpejtësi buletinin ditor të lajmeve. Një mitropolit malazez, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Shkodër, ndër të tjera ka kërkuar që të gjenden varret e të rënëve të bashkëkombësve të tij dhe autoritetet të caktojnë një vend për rivarrimin e tyre.

Analistët atdhetarë i kërkojnë përgjegjësi edhe kryepeshkopit Anastas pse e ka lejuar këtë vizitë të mitropolitit malazez, dyfish të zemëruar: jo vetëm në ndjenjat e tyre kombëtare, por edhe në ato të autoqefalisë fetare. Të jetë e vërtetë?! Domethënë, të jenë të vërteta këto ndjenjat e forta të protestës së analistëve? Pak e dyshimtë.

Gjetjen e eshtrave të ushtarëve të rënë në luftë dhe rivarrimin e tyre në brendësi të territorit shqiptar e kanë kërkuar edhe fqinjët jugorë. Madje, këta e kanë kërkuar qysh në periudhën komuniste. Sherr atdhetar, gjithaq i sertë, prej shtypit vendës për "grekët tinëzarë", për të bijtë e akejve, që "edhe dhurata kur japin nuk u duhet zënë besë".

Por edhe fqinjët tejadriatikas nuk janë krejt të shkyqur nga çështja e të rënëve ("gli cadutti"). Ndonëse pa bujë, prej vitesh ata janë në kërkim të varreve të mbetur të ish-ushtarëve italianë, të civilëve dhe misionarëve, për të mbërritur tek ngritja e një basorelievi, ku do të shenjoheshin gjithë emrat e tyre.

Britanikët qenë më të shpejtë dhe më veprues. Në parkun pranë liqenit, prej shumë vitesh, gjendet një memorial ku vit për vit bëhen nderime për "ushtarakët e mbretërisë së detrave", që u vranë në Shqipëri gjatë luftës antifashiste. Pllaka prej mermeri të zgjedhur, që deri atëherë kishte shërbyer si pjesë e varrit të E. Hoxhës, brenda disa ditësh u kthye në lapidar për misionarët britanikë.

Sa për ushtarët francezë, të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, ata u prehën të qetë në një kopsht në Korçë prej dekadash: komunistët nuk i cenuan kurrë ato, ndoshta edhe për shkak të frankofonisë gjuhësore të liderit të tyre. Deri më tani vetëm Turqia kemaliste, dhe dy shtetet e dalë prej ish-perandorisë austro-hungareze, nuk kanë kërkuar gjetje eshtrash të dëshmorëve të tyre dhe ndërtim varrezash për ta.

Pak e çuditshme dhe e pabesueshme gjithë kjo sedra e lënduar kombëtare e analistëve protestues dhe gjithfarë shoqatash, që kundërshtojnë së bashku. Do të kishin qenë të besueshëm, nëse të njëjtët do të kishin shprehur së paku po aq shqetësim edhe për strehën e fundme të dëshmorëve të vetë Shqipërisë.

Ku janë varrezat e tyre, si janë, sa dhe si nderohen, ç‘po ndodh me shenjat me të cilat ata kanë pasë identifikuar veten? A janë ata, ashtu si e thotë kuptimi i fjalës, të cilin shumëkush as që e di, me të vërtetë dëshmuesit e atdheut, ata që e dëshmojnë lirinë e tij? A ka dëshmorë ky vend dhe cilët janë nderimet protokollare kushtuar atyre?
Tek e fundit, kujt i duhet gjithë ky "patriotizëm negativ", ky zell shfryrës për të mos lejuar të huajt të nderojnë të vetët atje ku kanë rënë, nëse askush nuk kujtohet të shqetësohet për fatin e varrezave të dëshmorëve të vetë Shqipërisë? Pak hipokrite e gjithë kjo stuhi!

Nëse çështja do të shtrohej në këtë formë, atëherë e para gjë që do të na vinte në mendje do të ishte shprehja e vjetër e shqipes: "Të pafatët, dëshmorë të shqipes!" dhe ndërmend pas më rrodhi, vargu i njohur i Lordit britanik:

‘Të rreptë bijtë e shqipes/ po vetitë nuk u mungojnë/ armiku ua pa kurrizin ndonjëherë?‘

Se ngatërrohemi ndonjëherë ne dhe harrojmë se ka pasë heronj herët e më herët, qëkurse dolën luftërat për liri e mëvetësi në gadishullin ilirik. E megjithatë ne i kemi zhvendosur kohët dhe i kemi "shujt eshtnat e ma t‘parvet, nj‘ashtu paskemi kan‘, krejt t‘pafat për kët tok e për kët kull", më pat rrëfyer një malësor prej Shale. Krejt të pafat, sepse në emër të gjakut të tyre u ndërtua një pushtet totalitar që zgjati një gjysmë shekulli. Të pafat, sepse menjëherë pas ndryshimit të sistemit politik sunduesit e rinj edhe dëshmorët i ndanë në "tanët" dhe "tuajët", në dëshmorë të demokracisë dhe dëshmorë të një lufte, që cilido sot e cilëson ashtu si ia thotë mendja. Të pafat, sepse si çdo gjë publike, si shkollat, spitalet, kinematë, serrat, industria, edhe varrezat e dëshmorëve iu nënshtruan një shkatërrimi të padhimbje.

Të pafat, sepse ka dy dekada që pretendohet që nuk kanë qenë 28 mijë dëshmorë, dhe askush nuk merr përgjegjësinë fillestare të verifikojë një për një emrat e atyre, që s‘ka dyshim se janë të tillë e përgojimi të merrte fund.
Të pafat, sepse këngët e tyre janë ndaluar e vetëm mund të pëshpëriten, nga frika se identifikohen me bolshevizmin. Të pafat sepse nuk i quajnë madje as dëshmorë, por viktima, për të mos shkuar më tej (tradhtarë); se janë dëbuar nga tekstet shkollore dhe ndoshta së afërmi fjalët "partizan" e "veteran" nuk do të jenë më as në fjalorin e gjuhës shqipe, dhe në do të jenë, do të shënjohet anash tyre shpjegimi "arkaizëm". Të pafat, sepse, të paktën, për një pjesë, ata janë prurësit e fatkeqësisë, misionarët e bolshevizmit, themeli i diktaturës. Të pafat deri në ironi, sepse pikërisht trashëgimtarët e ushtrive të atyre vendeve kundër të cilëve ata patën luftuar, duke pasur një kod nderi protokollar siç u ka hije shteteve që nuk e ngatërrojnë veten me pushtetin, vijnë sot dhe rindërtojnë memorialet e tyre të rrënuar, sikurse veproi qeveria gjermane me memorialin e Borovës disa vjet më parë. Të pafat, sepse bustet e tyre, kudo që qenë dhe të kujtdo që qenë, duke përfshirë dhe ato të studios së kryemjeshtrit Odise Paskali, u sharruan ose u copëtuan me teknikë automatike.

Ndërsa shqiptarët i zë zjarrmia sapo ndonjëri prej fqinjëve kujtohet për të vetët të rënë në luftë në Shqipëri, në një luftë të drejtë apo të padrejtë qoftë; ndërsa analistët mezi presin t‘u dalë përballë ndonjë fakt i tillë për të dëshmuar veten sa shqiptarë të ndershëm janë; ndërsa palët politike grinden e nuk pushojnë së mburruri se luftën nuk e bëtë ju, po e bëmë ne; të ngratët dëshmorë, ashtu si pati shkruar poeti, provojnë rivrasjen e tyre morale nën varrezat me pllaka të çara, nën braktisjen e përgjithshme. Dhe ndërsa lexoj fjalën e ish-presidentit francez J. Chirac, në gusht të vitit 2004, gjatë ceremonisë madhështore në 60-vjetorin e çlirimit të Parisit: "Unë, Presidenti i Republikës Franceze, në emër të shtetit, po vendos në shtatin tuaj këtë dekoratë të lartë, në shenjë nderimi që populli francez u kushton luftëtarëve të vet antifashistë".

Atdhetarëve të shtirur shqiptarë, këto vlera dhe referenca, nuk u shkojnë ndërmend.
Mjafton që greku dinak dhe serbo-malazezi katil të mos kenë leje për të ndërtuar varre të rënësh këtu. Dhe e gjitha kjo e ka një shpjegim. Sepse ata, ashtu si shumica e shqiptarëve, mendojnë gabimisht se koha e antifashizmit ka vdekur. Ata harrojnë se antifashizmin nuk e themeloi Rusia bolshevike, por e themeluan demokracitë perëndimore. Harrojnë se kur qeveria e Madhërisë së Saj dhe Presidenti Roosewelt nënshkruan Atlantic Charter, ish-Bashkimi Sovjetik ende nuk e besonte se do të bëhej luftë e vërtetë me Reich-un nazist. Ata nuk e dinë se, me përmbysjen e bolshevizmit, ranë ato ideale që kishte frymëzuar krahu lindor i aleancës antifashiste, por jo antifashizmi vetë, që mbetet vlera më e madhe morale e njerëzimit në shekullin e 20-të. E ata bëjnë sikur e harrojnë që të gjithë ish-presidentët amerikanë dhe kryetarët e shteteve të mëdha, megjithatë, në çdo jubile të 9 majit kremtojnë së bashku pranë pishtarit të "Ushtarit të Panjohur" në Moskë (pishtari i të cilit nuk shuhet kurrë, qoftë dhe për disa sekonda qysh prej ndërtimit të tij). Ata bëjnë sikur nuk e dinë se qortimi i historisë nuk mund të bëhet duke përçmuar ata dëshmorë që janë, por duke shtuar në varrezat e tyre edhe të rënët që ishin rreshtuar në formacione të tjera politike; ballistë, legalistë, nacionalistë tradicionalë që luftuan kryemëvete, sigurisht aq sa ka dhe nëse ka.

Shtetet nuk rithemelohen. Shtetet dëshmohen.
Por si do të dëshmohen shqiptarët si shtet, pasi të kenë kaluar edhe disa vite e dekada indiferencë, nëse puna do të mbetet që të vijë një mision italian e të ndërtojë, bie fjala, një basoreliev për luftën e Pezës apo një tjetër mision gjerman për luftën e Musqetasë? Ronald Reagan pati thënë, në fundin e viteve 1980, kur kërkoi të vinte një tufë me lule në varrezat e të rënëve si nazistë: "Koha ata i zuri në këtë llogore. Ata ranë në barrikadën ku u gjendën dhe ne respektojmë barazinë para vdekjes".

Monika Shoshori Stafa, Gazeta Shqip

No comments: