Shumë e vlerësuan si skandal deklaratën e disa viteve më parë të politikanit labursit britanik, Xhek Strоu, lidhur me ferexhen. "Nuk ndihem rehat kur takohem e bisedoj me dikë, që nuk mund t'i shoh fytyrën", tha atë botë Strou.
Sot, disa qeveri evropiane po shkojnë më larg se deklarata e zotit Strou. Belgjika e Franca planifikojnë tа ndalojnë përdorimin e ferexhes apo veshjeve të tjera islamike që mbulojnë dhe fytyrën.
Armiqësia e evropianëve ndaj ferexhes dhe veshjeve të ngjashme është e kuptueshme. Nuk bëhet fjalë thjesht se gruas i hiqet e drejta të tregojë bukurinë e saj, por kjo veshje fyen sekularizmin, që i ka rrënjët e thella në traditën evropiane. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kulturën franceze. Përhapja e ferеxhes dhe veshjeve të së njëjtës natyrë vjen në kohën kur një version i islamit ekstremist po njeh rritje, e madje ka goditur edhe shoqëritë ku jetojmë.
Në kohën kur këto shoqëri janë më të kërcënuara, ferexhja e bën më të vështirë për policinë t'i identifikojë rreziqet e sigurisë.
Nga ana tjetër, në dallim nga shamia e kokës, ferexhja dhe veshjet e ngjashme shihen si kufizuese të lirisë së femrave dhe simbolizojnë ato që shumë evropianë i shohin si shtypje që feja islame u bën femrave.
Por, të njëjtat vlera, të cilat evropianët i shohin se kërcënohen nga ferexheja, kërkojnë që të mos ndalohet përdorimi i këtyre veshjeve.
Tri arsyet që sillen kundër veshjeve të tilla islamike, nuk qëndrojnë. Sa i përket sigurisë, grave që mbajnë këto lloj veshjesh, mund t'u kërkohet të tregojnë fytyrën.
Sa i përket barazisë gjinore, ajo mbrohet më mirë me ligje më të forta kundër dhunës në familje sesa me ndalimin e ferexhes dhe veshjeve të tjera.
Sa i përket mbrojtjes së sekularizmit, ndonëse evropianët mund të mos duan të shohin në rrugë parakalimin e feve, toleranca që perëndimorët pretendojnë të mbrojnë, kërkon që të respketohet kjo dëshirë e të tjerëve.
Qeveritë evropiane kanë të drejtë t'i kufizojnë veshjet islamike ku mbulohet dhe fytyra në vende si shkolla apo gjykata. Por, evropianët duhet ta kuptojnë se ndalimi i ferexhes dhe veshjeve të ngjashme cenon liritë individuale.
Mbi të gjithë, francezët duhet ta dinë këtë. Nëse do të frazonim Volterin, do të thoshim: "Nuk e miratoj veshjen tënde, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde për t'u veshur sipas bindjes".
Shekulli
No comments:
Post a Comment