Friday, May 7, 2010

Skandali, bllokohen 13 kv qumësht i përzierë me urinë

Qumësht i holluar me ujë në masën dy herë më shumë dhe i përzierë me mbetje bagëtish (urinë) për konsum, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e klientëve.

Një rast i tillë është denoncuar pranë specialistëve të Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Berat, nga një pronar baxhoje, duke bllokuar një sasi të konsiderueshme qumështi në pritje të përfundimit të analizave laboratorike. Ndërkohë, specialistë dhe drejtues të DBU-së, duke konfirmuar dyshimin e tyre (zyrtarisht priten analiza), konfirmojnë se do të bëjnë denoncimin përkatës në prokurori për këtë skandal me pasoja të rënda. Burime për "Gazeta Shqiptare" thonë se, skandali është denoncuar nga Astrit Sinjari, pronar i baxhos në fshatin Donofrosë të Beratit. Sipas Sinjarit, kanë qenë 134 kilogramë qumësht të cilat janë blerë tek banorët e fshatit, sasi e cila pasi është përzierë për t'ju nënshtruar përgatitjes së produkteve, ka rezultuar jo me ngjyrën normale të qumështit, por dhe me erë të keqe.

I alarmuar, pronari ka marrë një kampion nga qumështi i blerë dhe e ka dërguar pranë zyrës së shëndetit social, në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Shefi i kësaj zyre, Ylmi Balliu bëri të ditur për "Gazeta Shqiptare se, "menjëherë pas marrjes së këtij informacioni është bërë vërejtja fizike e kampionit të qumështit" dhe është dyshuar për këtë fakt.
Përzierja e qumështit me mbetje bagëtish, kryesisht urinë, bën që të hidhet ujë pa kursim nga spekulatorët me qëllim përfitimi. Por ndërkohë, ky qumësht që shkon direkt apo nëpërmjet produkteve tek konsumatori, është tepër i rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e konsumatorëve", - pohuan specialistët për "Gazeta Shqiptare".
Mbi këtë bazë, kampionët janë nisur për në laborator në Tiranë. Balliu shprehet se, menjëherë pasi të përfundojnë analizat do të merren masa jo vetëm me sasinë e qumështit, por dhe përcjelljen e kësaj çështjeje në organin e prokurorisë, ku do të verifikohen fermerët që kanë shkaktuar përzierjen e qumështit me produktet e rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve. Duke denoncuar skandalin, pronari i baxhos ka dhënë dhe një listë të saktë të fermerëve ku e ka blerë qumështin. Njëkohësisht, denoncimi i bërë po administrohet dhe nga policia e Beratit.

Mësohet se në vlerën e provës është bllokuar sasia prej 134 kg qumësht dhe janë marrë dëshmitë e disa personave.


Erjola Azizolli, G. Shqiptare

No comments: