Thursday, May 13, 2010

"Ne dimë ta zgjidhim edhe ndryshe"

Komentet e grevistëve.



LUAN RROSHI, ISH-ARSIMTAR-PEZË: "Ndërkombëtarët e kanë marrë lehtë këtë punë"

Luan, pse vendosët të futeshit në grevë?
Jam futur, sepse besoj që kjo nuk është vetëm çështje e elektoratit të PS-së. Jemi futur për transparencë të plotë të zgjedhjeve në Shqipëri. Po bëhen dy dekada, që nga '90-ta dhe deri në 2010, që ka vetëm vjedhje votash. Flas për transparencën e votave, ndërsa për drejtimin e qeverisë kjo mund të jetë një nga qeveritë më të këqija që ka njohur historia. As qeveritë e huaja nuk kanë bërë kaq dëme në Shqipëri.

Jashtë flitet që jeni detyruar...
Njerëz që nxjerrin këto fjalë, për mua, shqeto fare, nuk besoj që kanë në deje gjak shqiptari. Nuk kanë gjak njeriu, besoj...

Çfarë njerëzish keni lënë në shtëpi?
Kam lënë motrën dhe nënën dhe janë shumë të shqetësuara. Të shqetësuar janë edhe gjithë rrethi shoqëror. Kanë ardhur të na shikojnë duke na përshëndetur nga jashtë. Ju si gazetare e keni parë dhe vetë që mundësitë e takimit nuk i kemi. Kjo, për mendimin tim është një grevë super ekstreme. Ne duam që të jetë e tillë se e dimë si janë bërë grevat e dikurshme këtu. Vetëm me ujë dhe në fund as ujin nuk do ta pranojmë më. Është mendimi im dhe i gjithë shokëve të grupit tim që jemi nga qarku i Tiranës.

Si mendon, pse ka kaq shumë njerëz në mitingjet e protestës?
Njerëzit kanë qenë aty se u kanë bërë presione, u heqin rrogën apo bukën e fëmijëve, duke i lënë në mëshirë të fatit. Kjo është ekstremitet. Berishën populli shqiptar e njeh fare mirë. Ai do përdori çfarëdo lloj mënyre, ne e kemi parë edhe në '97-ën që Shqipërisë i kishte rënë flaka, ndërsa ky vazhdonte të rizgjidhte veten president. E ka zakon që krihet kur vendi digjet. Tani merr gra dhe fëmijë shkollash i nxjerr nëpër antimitingje. Këtu jemi fashizëm. Sot është 9 maji, fitorja mbi fashizmin. Këta i gënjen mendja... Sado të vonojë, populli kurrë nuk mund ta durojë një zgjedhë, aq më pak një zgjedhë nga Berisha që është Nastradini më i madh i galaktikës.
Dalin dhe mësuesit me ta se ndryshe e pësojnë si unë, i heqin nga puna. Më është ofruar vendi i punës në këmbim të votës, po kurrë në botë nuk mund ta tradhtoj shpirtin tim, jo me një vend pune, por edhe me pasurinë e tërë botës. Që të imponosh tjetrin të tradhtojë shpirtin, kjo është kaluar fashizmit.

Po për qëndrimin e ndërkombëtarëve, çfarë mendoni?
Institucionet ndërkombëtare deri tani e kanë marrë këtë punë si diçka të lehtë. Apo mund ta paragjykojnë si një fushatë të një partie politike për të ardhur në pushtet. E kanë shumë gabim. Ne këtu jemi të vendosur t'i shkojmë kësaj çështje deri në fund.

****
RAKIP TOSKU - RROGOZHINË: "Kthim prapa nuk ka, i japim kurajë njëri-tjetrit"

Rakip, në ditën e 9-të të grevës, si ndiheni?
Kemi pas dhimbje koke, dhimbje trupi, dhimbje këmbësh. Por, morali është shumë i lartë. Ne jemi shumë të qartë, pa transparencën e votave, ne jemi të vendosur se gjërat do të shkojnë deri në vdekje. Kthim mbrapa nuk ka, edhe me shokët flasim, i japim kurajë njëri-tjetrit. Protestuesit nga jashtë na japin një forcë të madhe. Janë vjedhur votat. Boll më. Të ndahemi nga kjo gjë që ka mbajtur peng shqiptarët këtu e 20 vjet. Askush nuk duhet të guxojë të më prekë votën. Gjithsecili të ndihet i lirë për atë që dëshiron, për atë mendon, të ushqehet me djersën e vet.

Çfarë mesazhi ju jepni atyre njerëzve që do donin të protestonin si ju, por për shkak të rrethanave, nuk munden?
Unë iu jap një mesazh të fortë gjithë popullit opozitar: nga Saranda, Tropoja, Korça, Gjirokastra. I bëj thirrje popullit të Rrogozhinës, të protestojë me gjithë forcën e shpirtit. Të dalin që ta shporrim përfundimisht këtë lloj qeverisje që na përçau e na la pa punë, që na vjedh dhe tallet. Të ndahemi përfundimisht nga kjo maskaradë. Vajti 20 vjet kjo punë kështu, boll më!


KLODIANA SPAHIU: "Ata që firmosin peticione, të vijnë të na takojnë"


Klodi, ju keni hyrë këtu fillimisht si greviste, për shkak të gjendjes suaj shëndetësore të rënduar, ju desh të hiqnit dorë dhe tani jeni këtu si mjeke. Pak më parë njëri nga grevistët që unë intervistova tha se ne do heqim dhe ujin, pra nuk do konsumojmë më as ujë, si e mendoni këtë masë?
Kjo do të jetë katastrofë... Sepse e dimë që organizmi, të paktën në këto kushte të nxehta, në temperaturën e lartë do të reagonte shumë keq. Ne përpiqemi në çdo moment, u qëndrojmë pranë, duke i detyruar që të marrin atë sasi uji që është e domosdoshme dhe një sasi të vogël glukoze, e cila është e domosdoshme për të marrë kaloritë minimale. Por, unë si mjeke nuk do t'ia lejoja dhe nuk do t'ia rekomandoja kurrë për të bërë një gjë të tillë.., Të shpresojmë se do sensibilizohet tashmë një herë e mirë qeveria dhe ta kuptojnë që janë të vendosur të gjithë.

Ne ishim këtu 24 orë me ju dhe e pamë që është një grevë tejet e rreptë e megjithatë ka njerëz jashtë që nuk arrijnë ta besojnë që grevistët nuk fusin asgjë në gojë. Ju keni qenë që nga dita e parë këtu...
Këtu nuk konsumohet gjë. Edhe uji që u jepet grevistëve, u jepet me zor nga ne mjekët, stafi mjekësor. Jemi të detyruar që në çdo moment t'ia përsërisim se duhet ta marrin. Unë jam shumë e indinjuar kur lexoj në ato titrat që përdoret sallam, a përdoret ushqim. Është turp i madh i këtyre që i shkruajnë këto fjalë. Është cinizëm, është antinjerëzore, është një skandal. Do të mbeten gjithë jetën me damkë. Këtu janë qindra sy, janë qindra dëshmitarë. Unë jam shumë e indinjuar me këto, por ato janë pak dhe nuk kanë zemër. Shpresoj t'u rëndojnë gjithë jetën këto fjalë në shpirt. Do vijë një moment që do t'u përplasen në fytyrë këto lloj poshtërsish që janë duke bërë.

Sot në mëngjes një pjesë e madhe me mediave e kishin botuar një letër të firmosur nga disa artistë që i bënin thirrje kryetarit Rama të "linte" grevistët të iknin në shtëpi. Cili është reagimi juaj për këtë?
Nuk e di se si një artist mund të shkruajë, mund të jetë kundër një vullneti, një dëshire, një sakrifice që bëhet edhe për fëmijët e tyre, si për fëmijët tanë. Ai artist që firmos, duhet të vijë këtu, të na takojë dhe të na shohë dhe pastaj le të firmosë.


Ja rrugët e bllokuara sot nga përkrahësit e grevës opozitare

- Në Shkodër, në Krye Bushat në aksin rrugor Shkodër-Lezhë,

- Në Tiranë, në Rrugën e Elbasanit tek Ura e Farkës,

- Në Gjirokastër, në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër,

- Në Durrës, në autostradën Durrës-Tiranë, në Shkozet,

- Në Vlorë, në hyrje të qytetit të Vlorës,

- Në Fier, në rrethrrotullimin e Kolonjës, në autostradën Fier-Lushnjë,

- Në Lezhë, tek kryqëzimi i Patokut, në aksin rrugor Lezhë-Laç,

Në Berat, tek kthesa e Poshnjës, në aksin rrugor Berat-Lushnjë.
Shekulli

No comments: