Wednesday, May 19, 2010

Intelektualë të përçarë

Babëzia kolektive për ta fituar pushtetin është diçka aq e zakonshme,sa është e zakonshme orvatja për ta mbajtur atë sa më gjatë.

Historia është e lodhur nga shkulmet e saj. Por është diçka e rrallë një marrëdhënie e tillë më pushtetin, si kjo në Shqipëri, ku njerëzit bëjnë të pamundurën edhe në kurriz të moralit të tyre,edhe duke shpërdoruar lirinë e të tjerëve,për të qenë me çdo kusht përjetësisht në pushtet. Kjo shpjegon egërsinë zgjedhore në vend dhe vërteton diçka kuptimplote: Shkallën makabre të korrupsionit në Shqipëri, ndërkohë që politikanët apo drejtuesit e shtetit, pasi vijnë në pushtet, përveç sundimtarë, janë edhe njerëzit më të pasur në vend.

Kjo gjë shpjegon gjithashtu ashpërsinë e skajshme të betejave elektorale si askund tjetër dhe arsyen se përse edhe kur ndodhin skandale spektakolare në Shqipëri, lakmia e pashtershme për lavdi është kaq ekstreme, sa askush, asnjëherë nuk jep dorëheqjen.

Prandaj kryeministri i vendit duket i shqetësuar si një skifter mbi qiellin e frikshëm të një realiteti të ri ku mbase po afron një shtrëngatë, për të qenë gati përballë rreziqeve të reja që kërcënojnë edhe lavdinë e tij të përjetshme edhe historinë e shpurës servile e besnike, që e shoqëron pas. Dikush tha se kryeministri është cinik sepse është e qartë mungesa e ndjeshmërisë së tij përballë vuajtjeve fizike të njerëzve në grevën vullnetare të urisë që zhvillohet në Tiranë.. Përkundrazi!
E kotë ti kërkosh ndjeshmëri edhe keqardhje pushtetit për vuajtjen, ndërsa vuajtja jote e ngujimit është kërcënim për atë...
Prandaj disa deputetë socialistë, kërkojnë edhe guxojnë shumë sot kur ankohen për cinizmin dhe shpirtkazmërinë e pushtetit dhe shpresojnë që ai të ketë vrasje ndërgjegje.. Sepse, pushteti nuk mund të ketë ndjeshmëri. Përkundrazi, mbase ironia është ti kërkosh keqardhje kryeministrit më të pandjeshëm në botë, të rrijë pa gjumë për dhimbjet e atyre që kanë zgjedhur të vuajnë për ti sjellë atij vuajtjen e humbjes së lavdisë.. Sepse rreziku i humbjes është gjithashtu një vuajtje kaq e madhe, ndonëse tjetërlloj...
Është njëlloj si ti kërkosh korbit pendëlagur në mes të stuhisë, të kujdeset për zogjte e thëllëzave në fole, me të cilët ushqehet vetë edhe në paqe.. Korb,leri të qetë,janë fatkeqë...

Por ndërkohë, tjetër gjë është cinike në këtë histori, që shkon realisht tej e më tej, deri në kufijtë e sarkazmës: Lufta e pandershme që pushtetit bën për të krijuar dhe fituar përshtypje. Si pjesë e kësaj lufte, firmat në mbështetjet ndaj qeverisë të disa njerëzve publikë, që për fat të keq vërtetojnë shkallën e ulët të civilizimit të elitës sonë, përbëjnë një sarkazëm të hidhur.
Të marrësh pjesë ndërsa je një misionar i shpirtit dhe i krijimit e të kthehesh në patericë të pushtetit, ndërsa shpirt-thjeshtët kanë duartrokitur sinqerisht për ty nëpër skena, të shndërrohesh në një velë përkrah mbretërisë, në lundrimin drejt falimentimit të lirisë, drejt shpresave të paqena, të përkrahësh pushtetin e errët me talentin tënd të natyrshëm dhe të shesësh bindjen që ke për të përfituar lëmoshë, ndërsa publiku të këqyr, të ndjek,të gjykon,të shpenzosh kësisoj energjinë e krijimit për të qënë servil i shkatërrimit, të tërhiqesh,të pranosh, të ndihmosh,atë që ndodhet në majë, vetëm sepse është në majë, ndërsa duhet të kesh një mision, ndershmërinë, të ndëshkosh lirinë që dikush kërkon ta fitojë sërish, me emrin që ke dhe që e ke nga liria e të tjerëve dhe besimi i të tjerëve për ty…, të gjitha këto nuk janë shkak për të shkaktuar vetëm keqardhje, dhe vetëm mëshirë, por arsye e fortë për një mallkim intelektual, që përbën shkatërrimin më të madh që mund ti bëhet me një kontribut këtij vendi...
Të shesësh emrin e fituar me paanësi për të joshur pushtetin e njëanshëm, që duarve i varen jargë servilash, të pështysh vetë veprën tënde, të krijuar për drejtësi, për liri dhe transparencë, të injorosh kështu të vetmin autoritet që ke, talentin tënd, në shërbim të mohimit, në shërbim të një lakmie gabim dhe një kauze gabim, kundër një kauze tjetër, është njëlloj si ti biesh kambanës që paralajmëron trokitjen e të ardhmes që nuk do të vijë as për ty, as për askënd, asnjëherë…

Firmat e njerëzve publikë kanë shpallur këto ditë mediokritetin masiv me vendimin e turpshëm për tu bërë palë me pushtetin, kur atij i kërkohet llogari pikërisht për lirinë.

Ky është një sinjal i zi për shqiptarët.
Politika i ka shtyrë ata në polet e një urrejtje që vështirë të korrigjohet tek ne, njëlloj si vështirë po shpagohet diktatura... Si njësi matëse e urrejtjes së ndërsjellë, pasioni i pamposhtur për të bërë karrierë është zëvendësuar me një shkulm naiv për të ndarë dhe për të bërë karshillëk midis njerëzve që krijojnë, shpikin dhe përfaqësojnë..
Elsa Lila përballë Çiljetës. Diana Çuli përballë Rajmonda Bulkut. Gratë demokrate përballë grave të grevës. Të rinjtë demokratë përballë politikanëve shumë të rinj deputetë të Partisë Socialiste, që shfaqen çdo ditë në ekrane. Shefat kundër edhe përballë shefave. Aktorë të respektuar në një përballje të turpshme me historinë e tyre, dhe në përballje me aktorë të tjerë të njohur, për të zhgënjyer edhe pemët e pyllit. Shkrimtarë që përdhosin fuqinë e mendimit, përballë të tjerëve,që shpesh rezultojnë edhe idiotë, pasi duken të kenë gati armët të qëllojnë shqiponjën për të shpëtuar krimbin në sqepin e saj...

Kështu që barrikadat janë ngrehur, beteja vazhdon, kampet janë përballë, dhimbjet gjithashtu. Pushteti bën presionin e turpshëm të rrogave jetike, që quhet kërcënim me bukën e fëmijëve, për të krijuar imazh, për të krijuar përshtypje, për të bërë karshillëk me mitingje mbështetëse... Pushteti kërcënon fëmijët në shkolla, që këta të shkojnë në mitingje, për të fryrë mitingjet, por edhe mësuesit dhe administratën e vrazhdë.

Sarkazma nuk është vetëm tek ky dhunim i pështirë lirie, për shkak të kërcënimit shtetëror. Sarkazma e thellë dhe rreziku civil fillon pikërisht tek morali i shtetit, tek perceptimi bajraktar i drejtuesve të tij, tek aftësia e tyre për të kuptuar padrejtësinë barbare që i bëjnë këtij vendi, duke e udhëhequr atë me injorancë të plotë, duke e përçarë ekstremisht atë dhe duke kultivuar urrejtje mes njerëzve.

Shqiptarët udhëhiqen nga perceptime naivësh të veshur rrezikshëm me pushtet, bindjet e të cilëve janë shndërruar në delire, kurse qëllimet që kanë janë shndërruar edhe ato në bindje se pushteti është diçka që përjetësisht ju takon atyre, me çdo kusht dhe me çdo çmim. Prandaj të kërcënosh intelektualët e këtij vendi me pushim nga puna, nëse ata nuk janë me ty, të përdorësh artistët dhe të detyrosh fëmijët e tyre të dalin në rrugë edhe ata, të bëjnë anti-protestë, ti kërcënosh edhe ata në të ardhmen e tyre, duke shkelur mbi kundërshtitë e tyre, mbi pasionet dhe dëshirën e tyre, që të duan të sfidojnë çdo pengesë, të gjitha këto nuk janë thjesht arrogancë,as mediokritet, as inferioritet, por tregojnë se një rrezik potencial vjen rrotull shqiptarëve dhe rritet përditë.

Artan Mullaj, T. Observer

No comments: