Friday, May 7, 2010

Flora, gruaja që "braktis" familjen në emër të transparencës

Ekonomistja tregon se zhgënjimi i 20 viteve e ka detyruar të ndërmarrë masën më ekstreme, atë të përfshirjes në grevën e urisë, bashke me deputetet dhe mbeshtetesit e socialisteve.


Qëndron në cepin e çadrës së madhe, atu ku prej katër ditësh ndodhen 200 burra e gra. Që kur opozita vendosi të ndërmarrë hapin ekstrem të betejës politike, Flora ka zënë qoshëzën e çadrës, paçka se vetëm katër metra rrugë e ndajnë nga kryeministria. Pikërisht në këtë qoshëz, janë mbledhur të gjitha gratë që marrin pjesë në grevën e urisë. Në fillim ishin dhjetë, e tash e tutje do të jenë 9 për shkak të përkeqësimit të shëndetit të Klodiana Spahiut. Por, duket se ky fakt nuk ka pezmatuar asnjë prej grave që vijon në kushte të rënda grevën e tyre. I ka bërë më të forta, aq sa të gjitha urojnë që shëndeti mos t'i braktisë deri në ditën e fitores.


***
Vendosi të futet në grevë urie e bindur që prej aty do të dalë me fitore.
Për kërkesat që ka parashtruar opozita, Flora është gati të vetëflijohet, pasi për të, këto 20 vite nuk kanë qenë vitet për t'i harruar të jetës së saj.

Ndaj ka braktisur familjen, (ajo është personi i vetëm që kujdeset në një shtëpi prej 6 anëtarësh) e bindur se vetëflijimi është rruga e vetme për të ndryshuar këtë vend.


"20 vitet më të bukura të jetës sime më kanë kaluar në mjerim, varfëri dhe pa asnjë shpresë për të nesërmen. Unë nuk dua që fëmijët e mi të kenë të njëjtin fat, ndaj dhe nuk e kam menduar dy herë kur krerët e partisë që unë besoj se do t'i ofrojnë një të ardhme më të mirë të këtij vendi vendosën të ndërmarrin këtë hap", - thotë Flora Hasanaj.
Gruaja 45 vjeç është nënë e dy fëmijëve dhe për këtë vendim ka miratimin e familjes së saj. Flora të tregon, tejet e kënaqur, mesazhet e së bijës. Ajo jo vetëm e përkëdhel dhe i jep kurajë, por i thotë me plotë gojën sa krenare ndihet për të. Nuk është vetëm ajo dhe 8 gra apo 110 burra që prej katër ditësh tashmë kanë nisur luftën e tyre, jo vetëm kundër urisë. Ata kanë përkrahjen e familjarëve të tyre, e qindra e qindra njerëzve që jo vetëm i bëjnë të ndihen më krenar, por edhe të vlerësuar për sakrificën e tyre.

Ndaj duket se jo vetëm Flora Hasanaj, por edhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë grevë urie, luten në zë që shëndeti mos t'i braktisë deri në ditën e fundit.

Shekulli

No comments: