Friday, May 14, 2010

Sot opozita kalon në masa ekstreme, bllokon në orën 17:00 të gjitha rrugët e vendit

Rama, thirrje qytetarëve: Të gjithë në shesh sot për ti dhënë fund kësaj qeverie.

Kur greva e urisë ka hyrë në ditën e 14 opozita ka vendosur të përshkallëzojë protestën e saj. Pas protestave një orëshe në qytetet kryesore të vendi duke bllokuar akset kryesore të qarkullimit mësohet nga drejtuesit e opozitës se sot do të jetë protesta më e madhe.

Në orën 5 opozita ka organizuar gjithë mbështetësit e saj që të dalin në rrugët kryesore për të bllokuar të gjithë rrugët e vendit.

Ndërsa kryesocialisti, Edi Rama gjatë protestës së djeshme të opozitës përsëriti deklaratën se opozita nuk do të ndalet së protestuari nën dritaren e kryeministrit, si edhe në gjithë Shqipërinë. Më tej kreu i PS, i ka dhënë një përgjigje edhe deklaratës së kryeministrit Berisha për protestën e opozitës. Ai theksoi se askujt nuk duhet t’i shkojë në mendje se opozitarët do të lodhen dhe do të dorëzohen, përkundrazi ata do e vazhdojnë deri në fund betejën e tyre. “Flet Berisha për grevën e urisë dhe thotë se do të respektojë të drejtën tonë për të protestuar. Për këtë nuk e pyet kush zotërinë tënde. Protestën do e bëjmë pa u ndaluar në dritaret e zyrës tënde derisa të fitojmë të drejtën elementare të transparencës. Kjo është e drejta që duhet të respektojë Berisha. Është koha të hapim një rrugë të re, të bëjmë transparencë që rruga e re të hapet, që të gjithë bashkë të kuptojmë se kështu nuk vazhdohet më, dhe se për të vazhduar kemi nevojë për rregulla të reja, t’i nënshtrohemi kushtetutës dhe ligjeve. Kemi nevojë që ligjet t’i kthejmë nga letra që i tregojmë Evropës për sa progres kemi bërë me reformat për detyrim nga i pari tek i fundit. Jemi të vendosur për të çuar përpara këtë betejë. Askush të mos i shkojë në mendje se mund të lodhemi, dorëzohemi. Jemi këtu në betejë, nuk duam pushtetin në tavolinë,por duam që në tavolinë të bëhet transparenca që kurrë më pushteti të mos burojë nga fuqia e vetvetes që të mos lejë popullin të mos zgjedhë, por populli të zgjedh më fuqinë e votës së tij që do e qeverisë. Jemi të vetëdijshëm se nëse çlirohet vota, çlirohen të drejtat, mundësitë dhe energjitë e gjithsecilit”, u shpreh Rama.




Apeli ndaj policisë
Kryetari i PS, në fjalimin e tij në protestën e opozitës, i ka bërë një apel policisë së shtetit që të mos ngrejë dorë ndaj deputetëve dhe mbështetësve të opozitës. Duke iu referuar përplasjeve të dy ditëve më parë në qytetin e Korçës, Rama ka paralajmëruar drejtuesit e policisë se pushtete të tilla që vijnë duke grabitur votën nuk e kanë jetën e gjatë. “Të gjithë, pa përjashtim të gjithë ata që sot marrin rrogën e shtetit për t’i shërbyer qytetarëve duke garantuar ligjin, duhet ta fusin mirë në mendje se historia e ka treguar se pushtete të tilla janë pushtete që bien shumë më shpejtë”, ka deklaruar Rama. Kreu opozitar, ka hedhur kritika të ashpra ndaj ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha për këtë reagim të dhunshëm të forcave të rendit. “Kemi parë disa komunikata për të bërë presion mbi protestuesit e opozitës. Turp. Ky është një pushtet në kërkim, ka grabitur votat për të vazhduar të grabisë Shqipërinë. Po rrënon ekonominë drejt një pike ku ekonomia mund të rrënojë sërish Shqipërinë”, vijoi ai. Lideri i opozitës ka akuzuar qeverinë edhe për afera korruptive, të cilat sipas tij janë konkretizuar me shitjen e hotel “Dajtit” tek Banka e Shqipërisë. “Ky është një pushtet në kërkim, që po rrënon ekonominë. Sot e morëm vesh të gjithë që për të hedhur ca para në arkën e shtetit, qeveria shet hotel “Dajtin” tek BSH. Ose BSH i bleu qeverisë hotelin”, ka nënvizuar Rama.


Mirënjohje për grevistët
Rama ftoi të gjithë shqiptarët t’i bashkohen protestës së sotme në mbështetje të grevistëve që janë ngujuar prej 2 javësh në çadrat e ngritura në bulevard. “Turp për ata që kanë guxuar dhe guxojnë të hedhin fjalë mbi këta njerëz që dëshmojnë se në Shqipëri është e mundur një betejë për liri, për liri pa të cilat qeveria në këtë vend do të mbetet një sundim për ta mbajtur popullin të gjunjëzuar me bukën e qeverisë”, u shpreh Rama ndërsa theksoi se ka ardhur koha për të hapur rrugë të reja për Shqipërinë. Ai theksoi se opozita ndodhet në protesë dhe grevë urie që Shqipëria e kohës së re të jetë Shqipëri që punon, dhe jo një Shqipëri ku qeveria i mban me bukë shërbëtorët e vet.

Ngjela: 14 Maji, dita kur do të shporrim tiranin me fitore
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela sërish ka përdorur një gjuhë tepër të ashpër në fjalimin e mbajtur gjatë protestës së djeshme të opozitës. Ai paralajmëroi se në protestën e sotme të opozitës, ku mbushen ekzaktësisht dy javë nga fillimi i grevës së urisë, se në protestën e madhe të 14 majit, do të rrëzojnë këtë qeveri. “Grevistët që shkuan në spital, janë të plagosurit tanë. 1 milionë njerëz e kanë të qartë se nuk mund të durojnë më një tiran që u ka dhunuar zgjedhjet dhe i ka varfëruar në ekstrem. Data 14 maj do jetë dita që do shporrim tiranin me fitore. Kjo është një betejë e cila në rast se nuk fitohet nga ne nuk ka më të ardhme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Data 14 maj do të jetë shenja kryesore për t’i thënë të gjithëve se shqiptarët do hyjnë në Europë me dinjitet”, u shpreh Ngjela. Më tej, ai sqaroi se cilat janë edhe arsyet e vërteta të kësaj greve, duke pohuar se nuk po kërkohet as marrja e pushtetit dhe as pavarësia e Shqipërisë, se ne e kemi fituar atë, por po kërkohet liria e popullit shqiptar dhe dinjiteti i tij. Më tej, Ngjela ka shtuar se nëse kjo betejë nuk fitohet nga opozita, nuk ka më të ardhme për shqiptarët. “Të jemi dinjitozë përballë lirisë dhe nesër do t’i japim orët e fundit kryeministrit dhe kësaj qeverie. Do t’i hapë apo jo kutitë, kjo do varet nga forca jonë”, bëri me dije ndër të tjera Ngjela. Kreu i PLD, në fjalimin e tij pranë çadrave të grevës së urisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë duke u bërë thirrje kompozitorëve të rinj shqiptarë të fillojnë kompozimin e këngës së re të lirisë të cilën Elsa Lila do ta këndojë në këtë shesh. Në protestën e djeshme deputeti i PS, Xhemal Qefalia i bëri thirrje policisë të mos i shërbejë pushtetit por t’i shërbejë shtetit dhe të mos i arrestojë padrejtësisht mbështetësit e opozitës. Protesta vijoi më tej me fjalime të grevistëve nga ambientet e çadrave, të cilët u shprehën të bindur për të rezistuar në shërbim të kauzës për transparencë. Deputeti grevist i Lushnjës, Fatos Tushe pasi ka falënderuar mbështetësit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deklaroi se, ndodhen në grevën e urisë për të ardhmen e fëmijëve, për transparencën e votës së lirë. Ndërsa deputeti i Durrësit, Gazmir Bizhga u shpreh se, kjo është gërmadha e fundit e komunizmit që na ka mbetur në Shqipëri. “Dhe duhet shembur njëherë e më parë. Për dashurinë e atdheut, të fëmijëve tanë, të demokracisë duhet ta shembim këtë gërmadhë që ka zënë diellin. Do të qëndrojmë në grevë, deri në garantimin e transparencës, prandaj ftoj popullin që t’i mbështesë deri në orën 6”, u shpreh ai.

Dokle: Nuk tërhiqemi nga protestat dhe greva
Deputeti socialist, Namik Dokle nisi fjalimin e protestës së djeshme të opozitës, duke nënvizuar se opozita nuk tërhiqet deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të saj. “I themi Berishës të mos e gënjejë mendja se do të tërhiqemi nga kjo luftë demokratike, nga kjo e drejtë e jona. Nuk tërhiqemi sepse kemi të drejtë, sepse beteja jonë është për të gjithë Shqipërinë. Nuk tërhiqemi, jemi të gjithë në radhë, deputetë, anëtarë të PS, simpatizantë e qytetarë të thjeshtë që kërkojnë ti bashkohen grevistëve tanë ”, u shpreh Dokle. Deputeti socialist nënvizoi se protestat do të vazhdojnë të jenë paqësore. “Ne nuk përdorim dhunë por kemi qëndresën, arma jonë e fuqishme është paqja, qetësia dhe rezistenca e shokëve dhe shoqeve tona”, theksoi ai.

Braçe: PS do i shkojë deri në fund kauzës së saj
Deputeti socialist, Erjon Braçe u shpreh se sot bëhen dy javë grevë urie nga faza e nisjes së protestave të reja për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve. Në fjalën e tij gjatë protestës së djeshme ai ka shtuar se PS do t’i shkojë deri në fund kauzës së saj.Duke akuzuar kryeministrin se nuk do zgjidhjen e krizës, Brace deklaroi se vendi është i zhytur në korrupsion. “Sali Berisha nuk do zgjidhje, ja kanë ndaluar të gjejë zgjidhje. Fuqia e tij është korrupsioni, i cili nuk lejon zgjidhjen e krizës në vend. Janë abuzuesit e përditshëm me paratë tuaja. Janë klientët e partisë në pushtet që kanë fituar gjithçka”, tha Braçe. Në serinë e akuzave të tij, Brace theksoi se arka e shtetit është bosh dhe se po merren borxhe të reja për të rritur me 4 qindarka rrogat. “Saliu nuk bën punën e shtetit si kryeministër por zagarin e bllokut. Arka e shtetit është bosh. Qeveria po merr borxhe të reja për të shtuar rrogat dhe pensionet, vetëm me 4 qindarka”, tha deputeti Braçe.

Hysi: Jemi në këtë protestë për mirëqenie
Deputetja socialiste e qarkut të Tiranës, Vasilika Hysi në ditën e 13 të grevës së urisë dhe të protestës së opozitës, ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë ta mposhtin frikën e pushtetit sipas saj dhe të dalin të gjithë në protestë më 14 Maj. Sipas saj, protesta bëhet për mirëqenie, për integrim dhe si mbështetje për grevistët. “Ky pushtet nuk e kupton se ne jemi në këtë protestë, për mirëqenie, për integrim për të mirën e gjithë shqiptarëve, prandaj në mbështetje të grevistëve të bashkohemi të gjithë për të treguar forcën e karakterit”, deklaroi Hysi.

Dule: Aksioni politik synon transparencën e plotë të votës
Ndërkaq kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule iu kundërpërgjigj peticioneve të artistëve dhe intelektualëve të cilët kanë akuzuar opozitën për pengimin e rrugës europiane të vendit përmes grevës së urisë. “Na thonë se ne, kolegët tanë të nderuar që janë në grevën e urisë, na akuzojnë se mbyllim rrugën në integrimin drejt Europës. Ku ishin këta akademikë, krijues që nuk e ngritën zërin kur nuk na u dha e drejta për të lëvizur pa viza”, u shpreh Dule. Aleati i socialistëve nënvizoi arsyet e grevës së opozitës duke theksuar se aksioni politik nuk synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve por transparencën e plotë të votës së çdo shqiptari.


Gjinushi: Presidenti të mbrojë Kushtetutën
Ashtu sikurse nuk ka munguar pothuajse në asnjë protestë të opozitës, edhe ditën e djeshme kryetari i PSD, Skënder Gjinushi ka mbajtur fjalimin e tij të radhës. Ai gjatë fjalës së tij e vuri theksin tek protesta e sotme, duke thënë se, protesta është shtrirë në të gjithë Shqipërinë, dhe se e gjithë Shqipëria do jetë sot përballë kryeministrisë për të shpallur fitoren e kauzës opozitare. “Sot festojmë festën e fitores kundër Berishës. Është koha të kuptojë njëherë e mirë që s’mund të luajë më me durimin e tuja, duhet ta pranonte që në 2006 falimentin e tij”, u shpreh ai. Gjinushi ndër të tjera i bëri thirrje presidentit të mbrojë Kushtetutën e vendit.




Blerina Gjevori, G. Sot

No comments: